E shtune, 20.04.2024, 01:22 PM (GMT+1)

Mendime

Sonila Meço: Për kë ende rrëmon arsye e vickla për të mbështetur pushtetin e babëzisë!

E shtune, 13.08.2022, 07:42 PM


Sonila Meço:

Për kë ende rrëmon arsye e vickla për të mbështetur pushtetin e babëzisë dhe për kë ende mban gjallë arsyen e dinjitetin:

Kapitali natyror i një vendi përkufizohet nga mjedisi fizik natyror, të gjitha burimet që i lejojnë një vendi të jetë i vetmjaftueshëm: toka, uji, klima, biodiversiteti, minerale, burime energjitike, etj…

Krijuesi u tregua aq bujar sa Shqipëria t’i ketë të gjitha për të jetuar begatisht në të. Pasuria natyrore për frymë është absolutisht më e larta se çdo vend i Ballkanit, Europës Juglindore, madje më e lartë se në vendet me standarde e cilësi shumë më të lartë jetese si Gjermania, Franca, Zvicra, Italia etj.

Për ta kuptuar më mirë, Banka Botërore mati pasurinë e kombeve tre vite më parë. Tek kapitali natyror BB ka klasifikuar energjinë (naftë, gaz, qymyri i fortë dhe i butë), mineralet (10 kategori), toka bujqësore (toka bujqësore dhe kullota), pyjet (druri dhe disa produkte pyjore jo të zeza) dhe zonat e mbrojtura tokësore.

Dhe ndërsa ishim dendur me renditje të ulta, si një ndër vendet më të varfra në cilësinë e të ardhurave për frymë, si një nga vendet nga ku iket me ritme të njëjta si ata të luftës për të emigruar a kërkuar azil, mbetëm të shushatur nga fakti se shkëlqenim në renditjen botërore të pasurive nstyrore. P.sh kemi pasuri natyrore rreth 13,375$ për frymë, nivel më i lartë se vendet e Ballkanit, por edhe se grekët (12,546$), turqit (12,854$), italianët (8,619$) dhe gjermanët (7071$).

Mirëpo në thelb e dimë se çfarë pabarazie e paradoksi historik shoqëron si mallkim botën: vendet më të pasura me burime natyrore, përgjithësisht janë edhe më të varfrat. Por ky mallkim në rastin e Shqipërisë është i kërkuar me zor, sepse nuk i ndodh një vendi afrikan, larg, pa ndikim, por një toke europiane në një ndër pozicionet më strategjike, me viza të liberalizuara, anëtare e NATO-s dhe me negociata të çelura për anëtarësim në BE.

Dhe këtu s’do mend që barra e përgjegjësisë bie mbi pushtetin e qeverisjen që çfarë natyra ka dhënë me bujari e ka shpërdoruar me korrupsion, paaftësi e babëzi. Mjafton të mendosh se të ardhurat, që do kishin dalë nga shfrytëzimi i pasurive natyrore do qenë investuar në edukim, shëndetësi, zhvillim dhe rishpërndarje. Pra me rregull treshi duhej të kishim shkollat më të mira se shumë vende të Europës, kujdes shëndetësor shumë më cilësor se Gjermania e Franca, zhvillim më të madh se çdo vend i Ballkanit dhe Zvicra e Italia, rishpërndarje më të mirë të ardhurash e mungesë varfërie si Gjermania, Zvicra etj, etj.

Por duhet të kishim edhe grosistë prodhimi vendas e jo importi fruta, perimesh, vajrash, ujrash, qumështi, kosi, mishi nga vende shumë më të varfra natyralisht…

Pa do kishim miniera me teknologji të lartë, punësim e begati në zonat ku funksioninin e jo njerëz të shfrytëzuar kafshërisht në varfëri ekstreme, impiante energjie sa ujore aq edhe alternative dhe jo inceneratorë fantazmë e jo vetëm hidrocentrale të kohës së qoftëlargut.

Me GDP të injektuar fuqishëm nga industria e naftës, me rezervat më të larta në Europë dhe jo borde transparence që të rrjepin edhe qindarkën nga astari i çpuar, kontrabandë të shkalafitur nafte me cilësi skandaloze.

Pa do kishim porte të zhvilluara në lartësinë e pozicionit të tyre strategjik e historik dhe jo ca vinça që blihen miliona për të mos u pëtdorur kurrë.

Me 7 pasuri në UNESCO dhe mijra të tjera të bukurive natyrore do kishim turizëm elitar e popullor, me marina të vogla e të mëdha, me investitorë vërtetë strategjikë për nga kapitali, vizioni, punësimi e kontributi në GDP e jo fis qeveritarësh a VIP-ash showbiz-i me tesera fizike a shpirtërore partie.

Si një ndër vendet më pasuritë më të mëdha natyrore për frymë do kishim infrastrukturë rrugore, hekurudhore, detare e ajrore të atillë që arritja e çdo pike turistike, piktoreske, kurative, kulturore të arrihej lehtë, me kosto minimale. Si psh në Gjermani, me pasuri natyrore për frymë ndjeshëm më të ulët se jona që të siguron me 9€ biletë lëvizje për një javë me çdo mjet transporti hekurudhor, nga mëngjesi në darkë në çdo cep të vendit 80 milionë banorësh. Dhe jo rrugë me miliona euro kilometri, me pagesë, me PPP nga të cilat rripet dyfish shqiptari, si nga buxheti i shtetit ashtu edhe taksat e detyrimet që ua faturojnë në karburant.

Pa nuk do kishim gërdalla teknologjike që falimentojnë pa e marrë vesh, rafineri të ndryshkura, fabrika të braktisura të komunizmit e demokraturës, bregdet totalisht të privatizuar me shezlongë bosh megjithëse me dalje në dy dete, qytete bregdetarë me më shumë betoniere se turistë, Theth pa energji elektrike, liqene, lumenj e gjire të rrethuar nga “investitorë” pa biznes, porte në duar guackash offshore, aeroporte ose pa udhëtarë, ose pa kapacitete përpunimi, GDP që mbahet nga ndërtimi dhe oligarkë që kompensohen për rritjen e çmimeve të lëndëve të para në bursa ndërkombëtare; nuk do kishim bangladeshas si “punëtorë” sezonalë që përdorin kontratat e punës me u hedh në bregun tjetër dhe as 10.000 maturantë me aplikime në çdo universitet të mundshëm larg vendit me kredi zhvatëse nga prindërit e gjorë; nuk do kishim banka të mirëkapitalizuara në vendin pa asnjë treg financiar, bursë serioze e varfëri të lartë; nuk do kishim universitetet e rankuara më dobët në rajon, as nga një universitet për çdo bob me lekë; nuk do kishim ekonomi që varet lëngueshëm tek tregëtia, por prodhimi; nuk do kishim ekonomi remitancash, por bollëk pune në vend; nuk do kishim makinë për çdo shqiptar pa shtëpi, por autobusë, trame, trena për distanca të shkurtra e të gjata; nuk do kishim burim jetese trafiqet kriminale, por trafiku do qe plot prej prodhimeve të çdo stine nga industritë e zhvilluara; nuk do kishim ambasadorë të fuqishëm politikisht, por që nuk sjellin dot investitorë të hajrit nga vendet e tyre; nuk do kishim hall çdo dy vjet me kush vjen e ikën nga pushteti, na lëviz a jo nga puna, se Shqipëria prej Zotit është më e pasur se çdo pushtet njeriu…

9 vite nga 30 të pluralizmit drejton thuajse e vetme Rilindja. Çdo pushtet, çdo institucion. Teoria se në dekada mallkimi i klasës politike e ka shkatërruar këtë pasuri rëndon natyrisht më shumë mbi dekadën e fundit, sepse jo vetëm nuk ka zhbërë çfarë u bë keq nga qeveritë e kaluara, por ka kaluar në konçesione e PPP çdo burim natyror në favor privatësh pa din e iman, në offshore dhe në dëm kolosal të vetë pasurive natyrore dhe mirëqënies së shqiptarëve. Kjo lehtësisht e verifikueshme, por le të themi e vulosur tashmë me lajmin më të fundit.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të japë me koncension edhe dhënien e nënshtetësisë shqiptare.

Vendimi i Këshillit të Ministrave me numër 530 i datës 29 korrik hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare.

Dhe këtë gjë e bën qeveria e vendit me pasuritë më të dendura natyrore a thua duhet t’ju lutemi pasanikëve të botës më të varfër natyralisht se ne të investojnë këtu duke ua shitur nënshtetësinë nga një kompani private, mundësisht offshore. Pa vrarë mendjen për sigurinë kombëtare dhe a thua jetojmë zhytur në shkretëtirë, veç me shkëmbinj e ku ha pula gurë, në cep të botës.

Nëse ende ka mbetur të faktohet se çfarë dëmi po i bëjnë vendit, popullit por edhe aleatëve që e duan pozicionin gjeo-strategjik të Shqipërisë këta pushtetarë, atëherë le të jetojnë mizerjen ata që e mbështesin dhe të reagojnë ata që rrisin fëmijë e duan të pleqërojnë dinjitetshëm aty ku Krijuesi ka shkrirë talentin e derdhur bujarinë.

https://www.facebook.com/sonilamecoA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora