Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Intelektuali quhej Salman Ruzhdie

| E shtune, 13.08.2022, 08:59 PM |


Blerim Latifi:

Pranverë e vitit 1999. NATO ka filluar sulmet mbi caqet e ushtrisë serbe për të ndaluar fushatën e krimeve të saj mbi popullin shqiptar në Kosovë. Millosheviqi jep urdhërin fatal: spastrimin total etnik të Kosovës. UÇK e mbetur pa armatime bën të pamundurën të rezistojë. Kosova ndodhet në orën më të ligë të historisë së saj, në orën e gjenocidit.

Mijëra kilometra larg skenave të kësaj tragjedie një intelektual i kalon netët dhe ditët e tij i mbyllur në një shtëpi, e cila prej vitesh ruhet nga njësi të veçanta të policisë britanike. E kanë kërcënuar t'i marrin jetën për shkak të një libri që ka botuar 11 vjet më parë.

Ai rri në dhomë duke shikuar në televizor lajmet nga bota. Kryelajmi është gjendja në Kosovë: fshatra që digjen, masakra gjithandej, trena që bartin të dëbuarit drejt kufirit maqedon, kolona të pafundme me gra, pleq e fëmijë që dëbohen drejt Shqipërisë. Tym, gjak dhe lot. Kosova po jep frymën e fundit nën thikën serbe.

Intelektuali ngrihet. Ndihet i revoltuar nga ajo që po sheh. Ndërgjegjja i thotë se duhet të bëj diçka.

Por çfarë mund të bëj ai?

Nuk është ushtar që të rrëmbej pushkën. As shtetar që të marrë një vendim politik. Është vetëm shkrimtar. Armët e tij të vetme janë lapsi dhe fama ndërkombëtare që gëzon. Ai vendos t'i përdorë ato. Ulet dhe shkruan. Fjalitë e tij janë plot revoltë dhe mllef. Ai shprehet i revoltuar me një koleg të tij i cili ka dalë në mbështetje të Millosheviqit. E quajnë Peter Handke. Si është e mundur një shkrimtar kaq i njohur të vihet në mbrojtje të kasapit të Ballkanit? Intelektuali nuk përmbahet. E quan idiot Handken. E propozon për t'i dhënë çmimin e të marrit të vitit.

Ai ndihet i revoltuar edhe me NATO'n. I duket se bombardimi i Serbisë nuk po shkon siç duhet. Ka frikë se NATO do të konfuzohet dhe do t'i braktis shqiptarët e Kosovës. Kërkon që fushata e bombardimeve të intensifikohet. Millosheviqi dhe makineria e tij e luftës duhet të ndalohet, qoftë edhe nëse për këtë kërkohet që trupat e NATO's të hyjnë në Beograd dhe të arrestojnë atë.

Intelektuali reagon i mllefosur edhe ndaj opinioneve që e lidhin zbrazjen e Kosovës me frikën nga bombardimet. I quan ato shfajësime idiotësh që duan t'i shfajësojnë krimet e milicisë dhe ushtrisë serbe.

Intelektuali e përfundon shkrimin e tij dhe ua dërgon gazetave. Të nesërmen ai botohet gjithandej shtypit perëndimor.

Intelektuali quhej Salman Ruzhdie. Dje ai u plagos rëndë nga një militant fanatik i ajatollahëve të Iranit. Intelektualë e shtetarë nga e gjithë bota reaguan me indinjatë ndaj këtij krimi. Vetëm në Kosovë askush, në Kosovën për të cilën ai ngriti zërin në orën më të ligë të saj. Dhe kjo flet shumë për krizën e madhe që ka goditur ndërgjegjën tonë kolektive.