Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhmije Mehmetaj: Ndahet nga jeta Erica Bauhofer – Schader, mikja zvicerane e përkushtuar ndaj arsimit shqiptar

| E premte, 12.08.2022, 07:40 PM |


Ndahet nga jeta Erica Bauhofer – Schader, mikja zvicerane e përkushtuar ndaj arsimit shqiptar

Nga Nexhmije Mehmetaj

Erica Bauhofer- Schader, mikja zvicerane e njohur për kontributin e madh ndaj arsimit shqiptar, lindi më 7 janar 1950 në Weinfelden / TG. Pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta, më 10 gusht 2022 në Hagenbuch / ZH.

Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për botën zvicerane sepse ajo tregoi gjithmonë cilësitë më të mira të gruas zvicerane dhe për botën shqiptare kishte një përkushtim humanitar si rrallë ndokush tjetër ndaj arsimit shqiptar.  Shquhet si mësimdhënëse e gjermanishtes dhe frëngjishtes.

Krahas veprimtarisë si pedagoge ajo do të jetë shumë aktive me projektet humanitare të herëpashershme për të dhënë standarde të reja shkollave në Shqipëri.

Duke qenë bashkëshortja e Prof. Dr Basil Schader shumë shpejt u afirmua në hapësirat shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë V dhe gjithçka që mësoi gjatë vizitave për problemet arsimit shqiptar, më pas këto njohuri i përdori për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të shkollave në kuadër të projekteve që drejtonte. Ajo i përkrahi pa kursim kulturën shqiptare sepse i donte shumë shqiptarët.

U angazhua e mblodhi donacione nga sponsorët zviceran dhe së bashku me bashkëshortin e saj Shader realizuan një sërë projektesh me përkushtim për shkollat në veri të Shqipërisë për gjatë dy dekadave. Është i njohur kontributi i tyre i  çmuar në komunën e Balldrenit, në ndërtimin e dy shkollave të reja dhe kanë mbështetur ngritjen e standardeve të infrastrukturës në tri shkolla tjera. Bashkëshortet Schader janë shpallur qytetarë nderi në komunën e Balldrenit.

Zonja Erica me zemrën e saj bujare arriti e para nga zviceranet të krijoj miqësi me mësimdhëset shqiptarë në Zvicër dhe është anëtare nderi i LAPSH-së në Zvicër prej 2 mars 2003.

Ajo luftoi mjaftë me sëmundjen e gjatë e të lodhshme!

Lamtumirë,  Erica Bauhofer- Schader !

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për TY!

Gjenevë, 11. 08. 2022