Mendime
Fadil Sahiti: Vdekja klinike e një sistemi dhe debati për shamiat
E enjte, 11.08.2022, 07:57 PM
VDEKJA KLINIKE E NJË SISTEMI DHE DEBATI PËR SHAMIAT
Nga
Fadil Sahiti
Debati
për shaminë po zbulon diçka të frikshme: orientimin tonë kulturor dhe politik.
Trupi ynë është në perëndim, por koka dhe zemra jonë janë në lindje.
Politikisht (të paktën verbalisht) duam të jemi pjesë e Perëndimit, por duam të
dukemi si Lindja! Në fakt, ky trend ka kohë që është etabluar në Kosovë. Kjo po
realizohet. Ne nuk kemi mekanizma për ta ndalur këtë trend. Mekanizmi kryesor
dhe më funksional do të ishte sistemi arsimor i modelit perëndimor. Por,
sistemi ynë i arsimit prej kohësh është jashtë standardeve perëndimore. Ne
vazhdojmë t'i edukojmë fëmijët tanë me konceptet dhe programet edukative të
viteve '80. Një pjesë e madhe e pedagogëve tanë do të ishin më të denjë për të
dhënë mësim në institucionet fetare sesa në shkollat tona, të cilat ne pretendojmë
se i kemi laike.
Çka
është më e keqja, nuk ka asnjë shenjë që autoritetet tona politike të kenë në
axhendën e tyre reformimin e këtij sistemi, i cili i ngjanë pacientit që është
'klinikisht i vdekur' pa frymëmarrje, pa rrahje zemre dhe pa tru. Pushtetarët e
djeshëm, edhe pse me ministra “të shkencës" dhe profesorë universiteti,
nuk kanë bërë gjë "të hajrit". Përkundrazi, “shkencëtarëve dhe
profesorëve” u pëlqente kaosi dhe mjegulla. Dhe, motivi dihet. Nuk thonë kot:
'ujku do mjegull'.
Këta
të sotshmit erdhën në pushtet me premtimin se do ta bëjnë ndryshimin, e ne veç
ndryshim s'po shohim! Duket ashiqare që vuajnë nga sëmundja e “fjalamanisë”.
Operojnë me parrulla, sllogane, fjalë dhe premtime boshe. Këta ose harrojnë ose
nuk e dinë se politika është një aktivitet empiric; është thjesht një hipotezë
që duhet të testohet përballë realitetit. E rëndësishme në politikë (njësoj si
në shkencë) nuk është analiza e koncepteve politike, apo aftësia për fjalime
boshe teorike, siç dinë ta bëjnë shpesh. E rëndësishme në politikë është
analiza dhe diskutimi kritik i problemeve të shoqërisë, e më pas propozimi i
projekteve dhe programeve politike për zgjidhjen e tyre, të cilat më pas i
nënshtrohen testimit dhe evidentimit të përvojës. Janë bërë “bozë”. Krejt çfarë
dinë është të fajësojnë të tjerët (zakonisht ish-qeveritarë), e përsërisin se
nuk janë të korruptuar, se qeverisin me duar të pastra dhe broçkulla të
ngjashme, të cilat i përdorin si “licencë” për mosveprim! Nuk kanë as vizion,
as ide dhe as programe konkrete.
Ajo
që është thelbësore, fëmijët tanë do të vazhdojnë të edukohen me koncepte dhe
programe edukative të viteve '80, me pedagogë që ende japin mësim sipas modelit
"nxirr fletoret dhe shkruaj..." Nëse kjo është kështu, e unë besoj se
është, atëherë edhe mjerimi ynë në ekonomi, kulturë, shëndetësi, sport, etj. do
vazhdojë. Është iluzore të presim begati dhe mirëqenie pa një sistem arsimor
bashkëkohor të modelit perëndimor. I pari (begatia) është derivat i të dytit
(cilësisë së arsimit); janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.
Përvoja e vendeve të zhvilluara e vërteton këtë.
Ne
ndërkaq do vazhdojmë të bëjmë atë që dimë të bëjmë më së miri: të fajësojmë të
tjerët për mjerimin tonë (romakët, bizantinët, osmanët, Evropën
"kurvë", grekët, serbët, etj.); të urrejmë njëri-tjetrin në palcë; të
mitizojmë figura politike me vlera të dyshimta… Ne do vazhdojmë të ikim nga
Kosova me një lehtësi të frikshme.
Si
përfundim them se, fillimi i procesit të reformimit të sistemit arsimor nuk
duhet të ketë alternativë. Alternaitvë edhe mund të ketë, po nuk ka gjë që mund
të ndalojë një proces tjetër, atë të zvetënimit tonë si komb. Kam frikë se mund
të vijë një ditë që, të jetosh në Kosovë apo në një vend aziatik s’do ketë
shumë dallim. Ne po shpërfytyrohemi. Shikoni përreth? Sot ka shumë më tepër
vajza dhe fëmijë të mbuluar se 2-3 dekada më parë. Rënia kombëtare po
ndodh...ngadalë, pak nga pak, por me siguri deprimuese… A është koha për të
vënë kujën? Vlerësojeni vetë.
facebook.com/profile.php?id=828092747