Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha IV)

| E hene, 22.12.2008, 06:48 PM |


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Berisha më bën ministër në hotel “Tirana”

Sali ishte në rritje në opinionin vendas, pasi Nano e kishte tejmbushur kupën me dallaveret e tija kryeministrore. Në arenën ndërkombëtare ende nuk ishte i besueshëm Berisha, pas asaj që iu shkërmoq shteti në vitin 1997. Ai e dinte përbukuri mospërkrahjen ndërkombëtare , aq me tepër që Nano kishte luajtur bukur me amerikanët për çeshtjen e Irakut, aq siç thoshte me shaka drejtori i Informacionit të kryeministrit Nano, ish–gazetari im Ylli Dylgjeri : “ Nano ishte gati të shkonte vetë bashkë me Xhoin ushtarë në Irak vetëm që ta kishte me sy të mirë Presidenti Bush” ! Përveç kësaj edhe me Berluskonin dhe kryeministrin turk lideri i selisë rozë e kishte vaj. Donte me çdo kusht që të ofronte në Koalicionin e tij edhe mua si kryetar i Partisë Demokristiane, por edhe Genc Pollon, kryetarin e PDR. Genci realisht kishte mbeshtetje ndërkombëtare , bile me shumë se sa Saliu. Unë vazhdoja akuzat dhe publikimin e dokumentave kundër kryeministrit. Po përballesha me njeriun më të fortë të vendit.Isha futur në rreth prej tij. Donte me çdo kusht që të hakmerrej kundër meje. Edhe unë luftë i ofrova. Ndërkohë venin e vinin ndërmjetës që kërkonin të na pajtonin . Herë Arben Malaj e herë Gramoz Ruçi , shumëherë Agron Duka e pak herë Ben Blushi testonin mua nëse kisha kthyer mendje për kompromis me kryeministrin. Më kishte ofruar aktmarrëveshjen e famshme, ku siç e kam përmendur , unë bëhesha ministër kulture në vend të Blendi Klosit në kembim të heshtjes ndaj bizneseve të familjes Nano. Përgjigja ishte e prerë “JO”. Por Saliu, duke qenë me një informacion përfekt se çfarë ndodhte në Shqipëri, e kishte marrë edhe lajmin se mua më kishin ofruar post ministri në qeverinë e Nanos. Nëse e pranoja ishte jo vetëm mungesë respekti për dinjitetin tim, por edhe një humbje e një aleati të ardhshëm e potencial për Saliun. Më mori në telefon.

Nikollë ! Pijmë një kafe tek hotel “Tirana” ! Kam një muhabet për ta ba- foli si me lutje. Shkova dhe prita. Nuk vonoi dhe hyri në sallën e restorantit të hotelit në katin e tretë. Ishte kohë dreke.

- Je për një drekë Doktor ?- e pyeta dhe thashë të pinim një gotë verë.

-Jo Nikollë ! Njiherë tjetër- foli me nxitim dhe u fut në temë- Nikollë ! A është e vertetë se ai të ka ofrue post ministri kulture?

- Po !

-Mos Nikollë !- tha sikur të kishte picikuar gjarpëri- Të baj unë ministër ! Do të jesh ministër tepër i rëndësishëm në qeverinë time. Mos shko me atë se do ta rrëzojmë – foli sikur të kisha firmosur për ministër i Nanos.

-Dëgjo Doktor ! Nuk e kam pranuar dhe as që flitet një gjë e tillë- ndërhyra.

-Ashtu Nikollë ! Të lumtë !- u duk se u lirua nga barra që e mundonte

-Doktor ! - po flisja paksa me tension- Nuk ta kam kërkuar asgjë kur kemi filluar luftën për rrëzimin e Nanos. Më ka sulmuar padrejtësisht Fatosi dhe do të punoj për ta rrëzuar me çdo mjet që unë njoh- mbarova duke e parë ministrin e Brendshëm të Nanos që rrinte përballë nesh e pinte një puro .

- Nikollë ! Shumë mirë ! Po vepron si burrat – dhe me shtriu dorën. Ia dhashë vetvetiu , ndonëse ishim takuar kur erdhi. Kujtova se ishte shenjë se do të largohej nga takimi me mua ,pasi u sigurua se nuk do ta dredh.

- Po ikën ?- pyeta i cuditur.

-Jo! Ta dhashë si besë burrash. Je ministër në qeverinë time !- prapë insistonte. E pashë se nuk besonte përsëri. Çfarë ti jepja për siguri, mendova në çast.

-Më jep dorën !- insistoi në mënyrë të habitshme. E zgjata. Shoqeruesit dhe ata që drekonin në restorant na shikonin të habitur se ç’kanë këta të dy që herë pas here i japin njeri tjetrit dorën dhe e shtrengojnë. Kështu u ndamë atë ditë, ndërkohë që salla përballë u mbush me shikas e plot deputetë të PS-së.


Tre herë në ditë në zyrën e Saliut

Filloi të më dukej selia e PD-së si zyra ime në javën e parë të nentorit 2004, kur po përgatitej seanca parlamentare e 8 nentorit për votimin për heqjen e imunitetit tim si deputet me padi të familjes Nano.

Nikollë ! Hajde e pimë një kafe në zyrën time !- fliste Saliu në telefon. Ishte në siklet edhe ai, pasi humbja ime ishte humbje edhe për opozitën shqiptare që përfaqësohej nga Berisha. Po vinin zgjedhjet parlamentare ndaj ishte dhe një test për Berishën raportet politike në parlament. Votimi për imunitetin tim u kthye në vendim politik për PS-në dhe krejt të majtën shqiptare. Koka ime ime ishte mes morsetës Nano- Berisha. Cili fitonte në këtë çeshtje me mua merrte gjethet e dafinave edhe për vete politikisht. Ndaj u mor seriozisht kjo çeshtje. Në takimet në Keshillin e Europës dhe në OSBE në Vjenë Saliu me Jozefina Topallin e kishin bërë çeshtje dite. Donin jo vetëm të mbronin një çeshtje të drejtë që në këtë rast ishte në anën time , por kryesisht ngjyrosjen me të zezë të imazhit të Nanos në arenën ndërkombëtare. Ndërkombëtarët janë më shumë të ndjeshëm për lirinë e medias së pavarur. Prandaj Saliu duke e ditur sensibilitetin e huaj në këtë çeshtje i mëshonin mbrojtjes time si deputet- botues i gazetës së parë të pavarur. Berisha e dinte më mirë se kushdo se çfarë reagimi negativ kishte marrë nga Perendimi kur më arrestoi kryeredaktorin dhe zv/kryeredaktorin e gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka në janar 1994. U detyrua që me 3 maj 1994 të lironte edhe Martinin me dekret presidencial pas presionit ndërkombëtar. Duke e ditur këtë reagim ai i meshonte emrit tim si simbol i gazetarisë së pavarur. Ndonëse nuk po genjente. Sa hyja në selinë e PD-së ato ditë më hapnin mënjëherë derën direkt e tek Saliu.

- Nikollë !- hynte në temë ai pa e zgjatur- Asht betejë e madhe kjo. Duhet me e fitue. Po humbëm asht minus i madh për Demokracinë në Shqipëri dhe për Opozitën- vazhdonte Doktori.

- A janë në rregull numrat tuaj për votim? – thashë duke e ditur se disa ishin blerë disa deputetë të PD-së nga kryeministri Nano për votimin kundër meje.

- Nuk e di Nikollë për ata Legalistët dhe Ballistët. Por puno ti me Ben Blushin nga e majta që ta rrëzojmë në votim- nxitimthi e përmendi Benin a thua se kishte një arrë të pa qeruar ndër dhëmbë. Qeshi me vete- Ai Beni është dinak. Luan bukur ai – foli prapë për Blushin.

- Jemi miqë kah herë- thashë duke e ditur që Berisha e dinte mirë që “Koha Jonë” arriti 82 mijë kopje kur kisha Benin kryeredaktor të gazetës time.

- E di, e di !- ndërhyri sikur donte të mos e zgjaste më këtë bisedë- Por thirre veç Blushin dhe thuaji në daç edhe në emrin tim që të na ndihmojë në këtë çeshtje madhore. Nuk asht Beni pjesë e krimit të Nanos. E di unë !- shpengueshëm po fliste Saliu. Ika nga selia e PD-së dhe prapë telefoni të nesermën.

-Nikollë ! A mund të vish pak tek unë ?- ishte Berisha. E kisha ruajtur numrin e tij me emrin “Berisha”. Por për dreq me “Berisha Pellumb” kisha ruajtur edhe numrin e deputetit të PD në Durrës. Nganjëherë harroja kur shikoja “Berisha” dhe kujtoja ,pas kaq shumë telefonatave me Saliun se po me merrte dhe Pellumbi.

- Hë Pellumb ku dreqin je ?- thoja.

-Nuk jam Pllumi !- sqaronte doktori dhe prapë më kërkonte për kafe. U bëra frekuntues i rregullt i kafesë pesë herë në ditë.

- Nikollë ! Ku je ? A po vjen pijmë një kafe ?- kjo ishte telefonata e përditshme e javës së parë të Nentorit 2004.


Berisha dhe gruaja e Sokol Koçiut

Çeshtja e kasetës së bisedës Nano-Abdiu për trafikun e armëve në Kosovë, të cilën e përmenda në parlamentin e datës 8 nentor 2004 ditën që do të votohej për heqjen e imunitetit tim me padi të Xhoana Nanos kishte marrë dhenë. Transkriptimi i krejt bisedës së përgjimit që mua më erdhi siç kam deshmuar edhe në Prokurorinë e Pergjithshme të Republikës e tronditi krejt politikën për disa javë rrjesht. Saliu ishte më i interesuari se si po hetohej puna e kasetës. Edhe Mero Baze më kërkonte takim para se të futej në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme. Unë shkova në Prokurori, deklarova çfarë dija dhe ika. Berisha donte të dinte se çfarë më pyetën për kasetën, etj. Në një moment me Saliun në zyrë mbaj mend se u tensionua biseda pasi më tha se kasetën e përgjimit e kishte në kasafortë. Unë ia kërkova të ma jepte.

Ma jep kasetën !- insistova .

-Jo Nikollë ! E ka një miku im ! Asht e sigurtë – tha dhe ikte nga kërkesa ime e drejtë- E kanë përgjue Fatosin. Asht e sigurtë. Por janë zhduk kasetat nga Arben Rakipi dhe Fatos Nano. Duhet ta ketë një kopje Fatos Klosi- nxitimthi foli duke më pa në dritë të syrit.

-Ore ke gjë në kasafortë këtu ?- pyeta me të njëjtin ton Berishën.

- Kam një kopje të transkriptimit të bisedës Nano- Abdiu. Asht e sigurtë kjo ! Për kasetën një njeri i imi asht lidh me gruan e Sokol Koçiut.

-Nuk është punë grash kjo Doktor !- ndërhyra paksa me inat.

-Jo, jo ! E ka ajo ! Në momentin e duhur ta japin kasetën ! – e mbylli Saliu bisedën e tensionuar mes nesh. Dhe si për të më bindur mua shkoi tek tavolina e tij dhe dikë mori në telefon me emrin Shaban.

- Shaban ! A e ka ajo gruaja atë që biseduam dje ?- fliste sikur të ishte në miting . Me sa dukej zëri përtej telefonit duhej ti thoshte “ Edhe PO, edhe JO”. U ul prapë në kolltuk që është fill pas derës së zyrës dhe tha plot triumf.

- Asht kaseta Nikollë !- dhe i vinte kapakun për të mos vazhduar më tej. Të nesërmen me pyesnin gazetarët “Kaseta !” dhe unë prisja Doktorin. Doktori më merrte në telefon si në lutje .

-Nikoll ! Mos thuj gja . Sa të më vijë kaseta të telefonoj vetë – dhe e mbyllte pa pritur pyetjet e mija. Kur nuk donte të të jepte shpjegime fliste shpejt e shpejt dhe thoshte “hajt mirëupafshim !”. Një mendje më thoshte që ti kërkojva Kryeprokurorit të Shqipërisë që ta thërriste për deshmi edhe Sali Berishën. Por prapë heshta. Nuk vonoj shumë dhe në shkurt 2005 prapë kerkesë për heqjen e imunitetit tim , por tashmë nuk ishte Gjykata e Lartë . Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Theodhori Sollaku firmosi kerkesën për heqjen e imunitetit tim si deputet me kerkesë padi të kryeministrit Fatos Nano. Këtë rradhë padia ishte e mirëfilltë penale dhe shkonte diku tek 5 vjet burg nëse fitonte Nano. Plasi prapë debati në politikë. Komisioni parlamentar për Rregulloren dhe Imunitetin e bëri tërkuzë këtë çeshtje , pasi e dinte se ishte e padrejtë kerkesa , por nuk ia mbante të kundërshtonte kryeministrin socialist. Vetëm Servet Pellumbi kryetar i parlamentit më thërriti në zyrë për një kafe gjatë ditëve që ziente debati në opinion për kerkesën tjetër që erdhi në parlament . Në vend që kryeprokurori dhe Fatos Nano të sillnin në parlament kerkesa për heqjen e imunitetit për ministra apo ish-ministra që kishin vjedhur miliona e miliona dollarë , ata të dy turreshin përkundër meje . Fatos Nano ishte përbetuar që të më fuste në burg për kritikat e mija ndaj tij . Shpërfytyrohej kur dëgjonte emrin tim apo kur i dilja në parlament me kritika. Bile njëherë për të më poshtëruar kur po dilja nga salla e parlamentit që të shkoja në kafen e parlamentit u ngrit vrik edhe ai nga podiumi ku rri kryeministri. Qëllimisht rrinte në derë dhe fliste me rojet e tija. Kot së koti bënte muhabet. Donte që unë të rrija tek dera pa dalë jashtë në mënyrë që të acarohesha dhe më pas të fuste në punë shpurën e rojeve. Prita sa prita por ai nuk lëvizte nga dera. Po kruhej për sherr. Atëhere nxora telefonin e fikur nga xhepi dhe bëra sikur edhe unë flisja me dikë.

- Alo ! Nuk të dëgjoj mirë ! Jo ore ! E futi dhe një helikopter ajo kurva pa doganë ?!- bërtisja që ta çmendja - Nesër lexoje në gazetë ! Jo jo . Mos u frikëso. Do t’ia fusë dhe burrit të saj. Mut është, po lëre mutin ! – flisja aty edhe unë tek hunda e kryeministrit. Në sekondë liroi derën. Më pa gjithë inat dhe iku plot sirena nga parlamenti.