Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Mbreti i shqiptarëve Zogu I dhe mbreti Faruk i Egjiptit

| E merkure, 10.08.2022, 07:13 PM |


MBRETI I SHQIPTARËVE ZOGU I, DHE MBRETI FARUK I EGJIPTIT

“Të mos dish se ç”ka ndodhur para nesh,

Do të thotë të mbetesh përherë kalama”,

Cicero

Nga Adil FETAHU

Pas odisejadës së Mbretit të Shqiptarëve, Zogu I, që pati pas pushtimit Italian (1939), duke u shpërngulur prej një shteti në tjetrin, më në fund, me ftesën e Mbretit Faruk, të Egjiptit, Zogu u vendos në Kajro  e prej aty – në Aleksandri.

Më 5 janar 1948, në rezidencën e tij, po bisedonte me Mbretin Faruk për ngjarjet në Palestinë, pasiqë Myftiu i Jerusalemit, me 2000 veta kishte ikur dhe ardhur në Kairo. Ishte situatë e tendosur, dhe Mbreti Faruk kishte ardhur të konsultohej me Zogun. Mbreti Zog ishte shprehur kundër përdorimit të forcës. E këshillonte Mbretin Faruk për urtësi dhe për bisedime me amerikanët, anglezët dhe francezët, për të gjetur rrugëzgjidhje të përshtatshme për të dy popujt, duke thënë se e vetmja mënyrë ishte ndarja e Palestinës në dy shtete.

“Unë ju dua si një vëlla që ju kam. Po ju them atë që unë parashoh. Në rast se bëni gabim për të ndërmarrë masa ushtarake, kjo do të jetë një humbje e papërmirësueshme për ju dhe  për ata një million arabë që do të vijnë në vendet tuaja. Kështu hebrenjtë menjëherë do ta okupojnë krejtësisht Palestinën. Siç ua kam thënë shpeshherë, se izraelitët kanë Britaninë e Madhe dhe Amerikën e Francën mbrapa…Veçanërisht, në asnjë mënyrë nuk duhet arabët palestinezë ta lënë vendin e t’ikin në vende të ndryshme, si në Egjypt, Siri, Liban, Jordan”.

Ndërkohë kishte filluar lufta arabo-izraelite. Izraelitët zotëronin armë shumë më superiore se ato të arabëve. Ata ishin shumë të organizuar dhe të furnizuar, jo vetëm prej sovjetikëve, por edhe nga të tjerët. Flitej se një fuqi për të mbrojtur Palestinën izraelite, që më 1947, ka qenë në kampet e Polonisë, si edhe në disa kampe të Alpeve italiane. Ata ishin stërvitur me mjetet më moderne dhe komandant i tyre ishte një gjeneral i Shtatmadhorisë ruse, me emrin “Kozak”. Dhe të gjitha ato trupa të stërvitura me të gjitha llojet e armëve të shumta, transportoheshin me anije nën flamurin e Panamasë, në disa limane italiane.

Mbreti Zog ishte munduar për t’i këshilluar që të mos u japin ndonjë shkas për luftë, veçse të veprojnë në rrugë të hollë e të drejtë diplomatike. Por, dukej se nuk ishte e mundur t’i bindte. Ata (arabët) e konsideronin vetën të fortë, ndonëse u doli siç u kishte thënë Mbreti Zog dhe një million arabë palestinezë u shpërndanë në vendet e përmendura dhe mbetën të humbur.

Më 2 shtaor 1949, kishin ardhur te Mbreti Zog në Aleksandri kryetari i Republikës së Sirisë, Shyqyri Kuatly, Myftiu i Jerusalemit, Hysen Efendiu, dhe Xhemil Madam Beu. Ata donin të  bisedonin me Mbretin e Shqiptarëve mbi rrethanat kritike që ishin krijuar pas humbjes së luftës me izraelitët. Kryetari i Sirisë tashmë kishte dhënë dorëheqjen. Ata kërkonin mendin e Mbretit Zog, se çfarë duhej të bënin tani? Zogu u kishte thçnë: “Tani është vonë, se çdogjë ka mbaruar në dëmin tuaj. Unë një vit u mundova, si me ju ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë e Madhe e Francën. Bile, në këtë rrymë, pata shtyrë edhe Turqinë në favorin tuaj, por ju nuk pranuat. Kjo situatë nuk kishte nevojë për një gjykim aq të madh, se shihej haptas që Hebrenjtë ishin të gjithë të siguruar me të gjitha nevojat, si politike ashtu edhe ekonomike. Por kjo tani iku, do të bisedojmë se ç’mund të bëjmë, e sonte do të jeni këtu për darkë. Kemi kohë të sheshojmë të gjitha problemet me interes”.

Në bisedime e sipër, rreth orës 9 të mbrëmjes, kur po uleshin në sallën e ngrënies, kishte ardhur edhe Mbreti Faruk, me Dr.Reshatin dhe Qerim Sabitin. Pas darkës së përbashët të gjithë ishin kthyer në sallon për të pirë kafe. Atëherë, Mbreti Faruk iu kishte drejtuar Mbetit Zog me fjalët: “Madhëri, erdhëm tek një mik i madh e një gjeni. Sikur të të kishim dëgjuar këshillat e programin e Mbretit Zog, nuk do të kishim pasur këtë katastrofë, jo vetëm me humbje, por edhe me plot turp përpara botës mbarë. Ne nuk meritojmë për asgjë në gjendjen që  kemi ardhur. Të tallen me ne 2 milion hebrenjë me 50 milionë arabë”. Mbreti Zog u tha: ”Lypset gjakftohtësi, si në fitime që nuk lypset të gëzohet shumë po ashtu edhe në humbje nuk duhet të dëshprohesh aq tepër. Vetëm se lypset një gjë ta keni parasysh gjithmonë. Të jeni të bashkuar! Mos t’ju fusin asnjë shkëndijë në mes për t’ju përçarë, se atëherë nuk fitoni asgjë dhe tani prapë si një miku juaj, që më vjen keq, ju them se këtu po zhvillohet një propagandaë e Rusisë Sovjetike. Unë dua t’ju them haptazi se ajo ka futur hundët gjithkund, si në polici, në gjithë dikasteret, e bile edhe në ushtri e ndër profesorë e studetë të lartë. Kanë mbërrijtur deri në shkretëtirë të zhvillojnë propagandën e tyre edhe duke derdhur të holla. Dhe, ju vet i ndihmoni duke kritikuar anglo-saksonët e francezët. Jo, miqtë e mi, se nuk ju bëhet vonë atyre për fjalët e jueja e as për propagandën ruse që zhvillohet. Ata janë të fortë. Ata e kanë botën në dorë”.

* * *

Më 15 korrik 1951, Mbreti Zogu I, është larguar nga Egjipti (Aleksandria) për në Paris, e pas dy ditëve ka udhëtuar për Njujork. Ka vdekë në Paris më 9 prill 1961.

Mbreti Faruk ishte sundimtari i dhjetë i Egjiptit dhe Sudanit, nga Dinastia shqiptare e Mehmet Ali Pashës. Ky sundoi prej 18prill 1936deri më 23 korrik 1952, kur u detyrua të abdikojë nga froni, për shkak të revolucionit të Lëvizjes së quajtur “Oficerët e Lirë’, të udhëhequr na Muhammad Naguib dhe Gamal Abdel Naser. Faruku iku fillimisht në Monako, e pastaj në Romë,ku edhe ka vdekur më 18 mars 1956. Fronin mbretëror e trashëgoi djali i tij, Fuadi II, por qeveria revolucionare e “Officerëve të Lirë”, më 18 qershor 1953, e hoqi edhe formalisht mbretërinë dhe e shpalli Egjiptin Republikë, me në krye G.A.Naserin. Kështu përfundoi sundimi gadi 150 vjeçar (prej 13 maj 1805 deri më 18 qershor 1953) i Dinastisë shqiptare të Ali Mehmet Pashës (1769-1849), me  prejardhje nga fshati Zemblak i Korçës.

Shqiptarët gjithnjë u dhanë të tjerëve sundimtarë, luftëtarë, shkencëtarë, papë, duke filluar nga Perandoria Romake, ajo Bizantine, Osmane, dhe ndihmuan çlirimin dhe sundimin e shteteve tjera: Egjiptit, Rumunisë, Greqisë, Serbisë, ndërsa më së paku dhe më së voni  kontribuan për vendin e vet, duke mbetur të fundit me mëpak se gjysëmsheti të çliruar tek pas Luftës së Parë Botërore.

Kënga popullore thotë:

Ah, o shqiptar i mjerë,

Se ç’u vrave për të tjerë,

Për të tjerë e për të huajtë,

Duke hequr e duke vuajtë.

Puna të shkoi kot,

Se ke shërbyer për botë”!

Miku im (tashmë i njderë), mërgimatari,  poeti, shkrimtari e publicisti Zeqir Lushaj, nga Shëngjini,  në librin e tij me poezi “ROKADA (politike)”, ka një poezi të titulluar “Tragjikisht…, në fund!”, dhe në atë poezi një strofë, ku thotë:

“Të fundit u shkëputëm nga Turqia,

Nga komunizmi dolëm…në fund,

Të fundit do të hyjmë në Europë,

Dhe të fundit…, e kudo në fund”.

(Burimi: Shyqri Nimani: “Mehmet Ali Pasha, kapedani shqiptar që ia ktheu dinjitetin Egjiptit”)