E enjte, 28.03.2024, 06:59 PM (GMT)

Kulturë

Flora Sela - Kastrati: Zonja vdekje befasisht u trokiste në derë

E marte, 09.08.2022, 06:43 PM


ZONJA VDEKJE BEFASISHT

U TROKISTE NË DERË

NGA FLORA SELA – KASTRATI

Duke u nisur nga realiteti i krijuar i një mjegullnaje tiranike të sistemit, duhen analizuar rrethanat dhe gjendjet e krijuesve. Nëse mediokrit me lehtësi krijojnë rrethana përshtatshmërie për të mbyllur vrimat apo për të dhënë një pamje arnimi në krijimtari, krijuesit e vërtetë nuk e bëjnë atë nëse u mungon ndjenja. Ata, në këto rrethana shtypëse të tiranisë socialiste, të përndjekur deri në barbari, rrezikonin të mbeteshin dhe pa energjinë jetësore, sepse ashtu të papërfillur, pa vende pune, përpunonin në meditimet e tyre frymëzimet.

Në forcën e një mistike të paparë, krijuesit e vërtetë, qysh nga antikiteti e deri në ditët tona, kanë arritur të krijojnë mbi gjithë ato barazime të ndryshme të asaj ngecjeje shoqërore. Dhe, hëpërhë kanë mbetur të përjetshëm, pavarësisht se sistemeve të tilla nuk u dihet as nami e as nishani, aq më tepër personave mediokër që kishin frerët e udhëheqjes. Po të marrim rrjedhimin e një analize të kohës së Ilirisë, do të nxjerrim shumë pak, gati asnjë të dhënë krijuese, pos mbetjeve të përballjeve që ka arritur të bëjë një femër si Teuta. Ajo strategji e mbijetesës së saj, as në rrethanat e tanishme dhe asnjëherë nëpër shekujt nuk u bë çështje shqyrtimi, sepse zgjidhja e një të vërtete të qenësisë së shqiptarëve duhet mbështetur si zgjidhje e plotë dhe sipas parimit të një të vërtete të kohës së Mbretëreshës Teuta.

Ky ishte vetëm një rrezatim për të ndërlidhur fijet, se pa frymëzimin për të bërë prurje të një niveli individual, krijuesi, pavarësisht në cilin drejtim të krijimtarisë niset, e hap horizontin e të shikuarit në krijimin e udhëkryqeve, ashtu siç është krijuar misteri i një tendosjeje të keqe për të krijuar nivelet e punës së merimangës, që për të arritur deri te gjahu, çdo gjymtyrë e saj vepron për atë qëllim. Këtu del pyetja që gjithmonë ose ngel pa përgjigje, ose e merr një përgjigje që për asnjë palë nuk është e plotë. Për ata që janë krijues tregon pasaktësi, është pa përmbajtje; ndërsa për lexuesit është me një lëndë stërkeqëse, që as u shërben për krijimin e mirëqenies, as u mundëson të hapin horizonte lirie. Ndërsa pushteteve, deri diku, ua ngre flamurin, që për nga trumbetimet, sado lart të ngrihet valëvitja e tij, sërish dukjen e ka si në gjysmë shtizë.

Atëherë parashtrohet pyetja: Krijuesi duhet të krijojë sepse ia imponon profesioni, apo krijuesi duhet të bëjë punën e tij ashtu si i shpërthen frymëzimi?

Disidenti, në këto rrethana që rrezatojnë mister, edhe pse shpesh është njeri me profesion, zakonisht, që nga arritja e gradës profesioniste nuk ka gjetur vend pune. Dhe, si i tillë duke rendur pas krijimit të rrethanave të mbijetesës, disidenti është gjendur në pozicione mjerimi. Ka shumë fakte që mund të flasin për një realitet të hidhur të krijuesve që aparati shtetëror arriti t’i largojë nga vendlindja, dhe ata ose morën shtigjet e mërgimit, ose hynë në burgje prej strategjive që krijonin skenarë politik. Sot mund të flasim për shtresa të ndryshme krijuesish të shpërndarë në mërgim. Sot mund të flasim për një numër të madh krijuesish, vargjet e të cilëve mbetën nëpër kazamatet e Goli Otokut dhe Idrizoivës. Sot mund të flasim për një numër të madh krijuesish, vargjet e të cilëve mbetën baushtellëve dhe restoranteve të Europës e Amerikës. Por, a mund të bëhet dhe një sinkronizim që të flitet për të gjithë ata krijues që i mbuloi heshtja,  varfëria dhe vdekja, të cilët përveçse nëpër dhomat ku mblidheshin për dasma apo konakët e mortit, nuk arritën ta shpalosin krijimtarinë e tyre nëpër libra?

Është për t’u ndriçuar dhe pamja tjetër që lindi nga fushata e viteve tetëdhjetë. Për arsye të asaj shtrëngese, shqiptarët nuk morën pjesë në varrimin e bijve që kishin qenë nëpër burgje. Dhe ja... vdekja u trokiste befasisht në derë. Por, pushteti sado që kishte marrë hak me caktimin e burgjeve, nuk ishte ngopur. Ai ushtronte dhunë, që në vdekjen e tyre të mos merrte pjesë popullata. Megjithatë, përkundër këtyre urdhrave, ajo, një për një, merrte pjesë. Dhe, varrimet i bënte vërtet siç i kishte hije kurmit të të vdekurit te shqiptarët, që për së gjalli kishte qenë i vdekur. Ai i vdekur “i gjallë”, në sytë e pushtetit ishte një llahtar. Dhe, ata përmes ndikimit të errët që kishin në çdo nivel, nisnin fushatat për të bërë ndriçime. Për këtë duheshin njerëzit mediokër, që me aparatet e incizimit në atë kohë ia behnin në çdo tubim, qofshin dasma ku këndonte Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri, qofshin morte ku vdiste ndonjë i burgosur apo i përndjekur politik. Çfarë arritën me këto mekanizma? Çfarë bëri krijuesi i vërtetë që ndjente etjen dhe urinë të shfaqej përkundër shtypjes që bëhej? Realisht, këto hapa bëheshin paralel. Pushtuesi dërgonte misionarët, dhe ata, strukshëm dhe me dinakëri, mblidhnin materialin. Meqë përmbajtja u dilte shumë më e gjerë, ata kërkonin të parët. Çaushët e nxitjes së atyre ekseseve, ashtu siç ua vendosën emrin, qysh në mëngjes ia behnin në oborr të merrnin atë që kish ngritur në shtyllë flamurin me shqiponjë, sepse në atë shtëpi do të bëhej dasmë. Ata ndalonin të parin - bajraktarin, që i printe kolonës së dasmorëve, sepse kishin flamur shqiptar. Ata merrnin në pyetje kryekëngëtarin për repertorin e këngëve, ku këndohej edhe kënga “Moj Kosovë me kësula të bardha”. Ose: e rrasnin në burg mësuesin, që kishte marrë guximin në brirët e biçikletës ta valojë flamurin kuqezi rrugës për në Kërçovë.

Momentet më ekstreme ishin varrimet. Një vargan i madh i njerëzve me pushtet në federatë zbriti në popull të gjykonte këtë formë varrimesh. Ata direkt goditën varrimet në Gostivar dhe Kërçovë të dy bijve të popullit. Njëri ishte Xhemil Selimi, i cili u shpall irredentist e separatist, dhe në një aksident humbi jetën. Populli në varrimin e tij ia dha meritat dhe ai u varros me nderimet më të larta. Pushteti gjykoi përmes mekanizmave të veta se varrimi i tij i kishte kaluar lëvdatat dhe kishte qenë më madhështor sesa varrimet që u bëheshin në Dedinje apo në Butel të Shkupit shumë burrave shtetëror.

E njëjta fushatë ndodhi me varrimin e Abedin Hysenit nga Zajazi, djalë hasret, i cili kishte kryer Fakultetin e Historisë në Prishtinë dhe kishte rënë në burg për tre vjet. Pas daljes familja e marton. Dhe, pas martesës me dëshirën e nënës (meqë djali kish kaluar burgjeve me lagështi), ai shkon me pushime në Ulqin. Ajo nuk e dinte se shërbimet sekrete përgjonin veprimet e tij dhe e  ndiqnin hap pas hapi. Dhe, ai ende pa u treguar ndodhia, ra në ujërat e lumit Lim. Ka dëshmi se ata që e kishin përndjekur ishin veprimtarë të UDB -së. Por, sado që u pëshpërit, nuk u tregua misteri. Mirëpo doli në pah diçka tjetër se, në atë varrim u manifestua heroizmi i personalitetit militant dhe patriot të të vdekurit që kishte mbyllur derën e shtëpisë. Zjarrin e shuar në oxhak. Me një fjalë, edhe nga shkrimet që u lexuan, ai doli hero.

Por, kjo nuk e gëzoi pushtetin e asaj kohe. Ai kishte lëshuar zagarët me aparatet e inçizimit në xhep dhe kishte inçizuar gjithë fjalimet për rastin e lamtumirës së fundit. Pastaj, turravrap siç bëjnë ata që marrin dhurata për “myzhde”, i dërguan të dhënat në Komitet, në polici, në Lidhjen Socialiste. U ngritën me net e me ditë strukturat dhe nisën fushatën për të gjykuar veprimet e separatizmit. Jehuan radiot, televizionet dhe gazetat. Top-tema, varrimet e separatistëve dhe irredentistëve, motiv për fushatë të burgosjeve.

Po të analizojmë veprimet se sa vetë ranë në këto përndjekje, do të shikojmë se sa tmerr dhe dhunë përjetonin krijuesit letrar. Njëri ndër ta Shaqir Sadiku, i marrë në pyetje për disa net me radhë, i lidhur pas radiatorëve, i pështyrë dhe i shkelmuar nga policët e ndërrimeve që vinin çdo çast e kalonin përpara nëpër korridor, do të tregojë se edhe ushqimin që ua jepnin (një pjatë të mbushur me lëng dhe tri deri pesë kokrra groshë), përpara se t’ua çonin të burgosurve në burgun e Kërçovës, hutbashët e asaj kohe urdhëronin të shkonte pjata te qentë e burgut që e lëpinin me gjuhë, e pastaj ua dërgonin të burgosurve. Mbase ky ishte dhe veprimi special që i bëhej po këtij të burgosuri, i cili cilësohej si një ndër kryesorët për leximin e referatit në lamtumirën e fundit të shokut të tij të idealit. E të mos flasim për ata krijuesë të “rrezikshëm” për shtetin, që aparati i duarpërlyrëve u kurdisi pasmesnate zjarre në banesë, helmime që përfundonin me vdekje klinike e aksidente të rënda komunikacioni, matanë kufirit në Voskopojë e Qafë Thanë për t’i humbur gjurmët e krimit. Dhe, përçudi falë Zotit, ata u ringjalleshin përsëri si feniksi, që të nesërmen gjithë këto montime politike t’i hedhin në libra.

Prej këtu del niveli i përsosmërisë se, krijuesi i vërtetë ka pasur tema të ndryshme dhe më shumë frymëzim për të përshkruar gjendjen në ato rrethana të kriminalizuara deri në ekstrem, ku të drejtat e liritë e njeriut dhe kombit ishin të nëpërkëmbura.

Po si të përmbyllej kapitulli i nëpërkëmbjes nga dhuna e përditshme që bëhej nëpër çdo sportel të institucioneve, ku trokiste shqiptari dhe përpara tij qëndronte si një gardian, zyrtari i shtetit policor?...

DILEMAT PARADOKSALE TË TË QENIT

KRIJUES DISIDENT

Nëpër të gjithë krajatat shekullore ka pasur krijues disidentë. Por, një dilemë ka ekzistuar gjithmonë. Kush janë krijuesit e vërtetë? Në binarin e këtyre mendimeve kanë hapur kuvendimin shumë përfaqësues që kanë dashur të sqarojnë se kush është krijuesi disident. Kjo dilemë është aktuale edhe në kohën tonë demokratike. Sot, përditë në vitrinat apo stendat e shitjes, dalin libra nga shumë autorë, me një teknikë të shkëlqyeshme të lidhjes dhe të kopertinave, por që nuk kanë vlera artistike. Fjala vjen, sa do t’u bëjnë ballë kohërave këta krijues për ta përcjellë porosinë nëpër shekuj me prozat dhe poezitë e tyre, apo nëpër fushat e tjera krijuese? Nëse marrim një shembull që shumë bindshëm mund të tregojë se qëndresa e këngëve popullore, e krijuar nga krijuesi popullor, ka arritur të mbijetojë nëpër shekuj, si do ta mbrojnë mbijetesën ata që sot pretendojnë me një numër të madh titujsh të shkruar nëpër libra të publikuar pa kritere vlerësimi dhe pa vlera të arrira letrare?

Në të kundërt, thua janë mundësi këto që pretenduesit e shumë “veprave” letrare bëhen trumbetues se janë produktivë, pa u shkuar ndërmend se kjo teori edhe në normën e lartë të natalitetit ka treguar nivele të ulëta të mirëqenies shoqërore, prej ku pasojat e saj janë kurorëzuar me shoqëri që nuk krijonte kualitete, por mjerime, siç mund të cilësohen “veprat” e tilla që mbushin vitrinat e librarive e panaireve dhe një pakicë prej tyre përcjellin ndonjë risi letrare? Ose... nuk ka nivel as të quhet vepër që kalon kufijtë e “veprave” të shkruara më përpara nga krijues të cilëve u kanë rënë shekujt sipër mbi varre.

Nëse duam të rikujtojmë risitë aktuale të një Homeri antik, si do të ishte ai i krahasuar me një Fishtë, që përafërsisht i afrohet në fronin e mbretësisë letrare. Shpesh herë ka ndodhur që krijues me vepra të vogla për nga faqet e shkruara kanë sjellë vlera të arrira letrare dhe janë më të plotë sesa tërë turma që kanë vërshuar mbi sipërfaqet e faqeve të nxira të letrës së bardhë, për të treguar pavetëdije paaftësinë e tyre krijuese. Mirë është të përmendi një Nonda Bulka, i cili për aq sa ka shkruar është më i përkryer se një plejadë teknefesësh letrar, apo një plejadë narratorësh që rrinë e vrasin mendjen me duar në xhepa nëpër parti politike, apo që rrinë e lëshojnë kukama qyqeje për liri krijuese nëpër gazeta të “pavarura” partiake. Përfaqësuesit e kësaj letërsie mulate janë bërë një shtresë e gjerë, që mbulon gjithë horizontin krijues me një tymnajë, e cila nuk arrin të zhdukë në kthina veprat e arrira artistike në krijimtari. Kjo i ka vënë në dilemë disidentët e përjetshëm. Të parët janë lexuesit që shijojnë një stërkeqje të vlerave letrare. Dhe, po të bëjmë një analizë kritike, numri i tyre ka rënë dukshëm në kohën e sotshme. Përse është krijuar kjo gjendje pa nevojë? Ende nuk ka një vetëdije letrare. Ndërsa, realiteti flet për këtë pasojë të rrezikshme në shoqëri. Lexuesi, ashtu siç ka shije të ushqimit, të veshjes dhe të ndryshimeve të tjera jetësore, ka arritur që në këtë përmasë të kërkojë diçka të përkryer në pjatën e krijimtarisë artistike.

Nëse dikur ushqimi gatuhej nëpër kazanët e mëdhenj në dasmat shqiptare dhe mbusheshin enët e mëdha në sofrat kolektive, që nga përsheshi me tambël e deri te sultiashi për të bërë gëzimet familjare, sot ajo kohë ka ndryshuar dukshëm dhe vjen me ushqime të shtruara në restorante, që dita ditës sjellin risi të kuzhinës popullore. Edhe krijimtaria ka specifikën e të kërkuarit rrugë, dhiare, stil për të shtuar oreksin e lexuesit. Kjo ndodhë me vështirësi edhe në këtë kohë “demokratike”. Edhe ndodhë, që një nga lexuesit, i cili ka arritur me mundim të përfundojë një vepër të reklamuar prej kritikëve teknefesë në mediume, në tryezat e përurimeve, të flasë para të pranishmëve për faktin se u ndje shumë keq dhe i paplotësuar nga ajo që priste prej asaj vepre të “arrirë” letrare brenda atyre dy kapakëve.

Raporti i një lexuesi që flet mirë dhe arrin ta bindë të dytin ta lexojë atë vepër, dhe i një tjetri që flet te nëntë të tjerë se nuk u nda i lumtur nga leximi i “veprës” që lexoi, flet për një diversitet. Mirëpo, ende për dukuri të tilla nuk ka hapur gojë kritika policore. Ajo me portalin e mbyllur, pothuajse, nuk ka lëshuar zë për të thënë se ku jemi e ku po shkojmë në këtë shekull të kompjuterit. Ka rastisur që për shumë “vepra”, ndaj të cilave nisën të bëheshin vlerësime, të kishte ose kritikë pa ekuilibër të bazuar në kriteret shkencore, ose vlerësime kuturu, vetëm sepse autori ishte anëtar i aparatit shtetëror mëkatar, ose sepse ishte lider i ndonjë dege të Partisë Politike në Katund. Po kush guxon të flasë për letërsinë çorbë ndotur të gatuar nga partizanët e Nënës Parti me garniturë mediokritetesh. Si do të ishte e udhës, për shembull, që një çift bashkëshortësh, thjesht sa për të pasur një trashëgimtar, të kishin fëmijë sakatë, qorra: pa këmbë, pa duar. “Kryengritës” me të cilin më së shumti krenohet shqiptari... Apo, për shembull në relacionin e arkitekturës së ndërtimit, si do të ishte e udhës të ndërtohej një shtëpi e madhe disakatëshe për nga pamja: pa ballkone, pa dritare, pa dyer, pa oxhak, pa baxhë mbi çati? Çerdhe të lejlekëve majë lisi…

Këto shembuj i mora sepse, në realitetin krijues ka gjithçka rraçesh. Nëse lind një vepër letrare sakate, ose teknefese në ide, në strukturën e fjalive (sintaksë), në simbole letrare, del se vepra i ngjan një foshnje që ose ka lindur para kohe dhe është djegur nga inkubatorët - me këtë rast nga intervenimet e redaktorëve e recensentëve, ose nga pamundësia e lindjes në kohë ka pësuar çrregullime shëndetsore në bark të nënës.

Atëherë, si të flaken këto dilema?

Jam e mendimit se këto zgjidhen me një arsimim shumë më rregullator, ku do të sinkronizoheshin të gjitha mundësitë për atë që do të tregonte aftësitë e krijuesit dhe do të kishte të gjitha mundësitë e përdorimit të forcave krijuese, njësoj si një specialist i lëmit të fizikës, që me anën e laboratorit do të spikasë të vërtetat e kësaj lëmie; ose si një njohës i matematikës, që ligjet e saj nuk do t’i ndryshojë, sepse nuk do të fitojë rezultatin e saktë në llogaritje. Edhe pse, artet nuk janë shkencë, vështirë mund të krahasohen mes vete, po janë hapsira fantastike që pak krijues fluturojnë me krahët e fantazisë. Këto dilema i ka edhe krijimtaria artistike, për të cilën ekzistojnë dhe mundësitë profetike, vetëmse ata janë të tjerë burra të penës, gjeni që fluturojnë në qiell...

PËRCAKTIMI I VLERAVE KRIJUESE MES

GËRSHËRVE TË POLICISË SË MENDJES

Edhe sot, janë krijuar dilema se si të përcaktohen krijuesit sipas vlerave të arrira artistike. Ashtu siç zhvillohet realiteti, dhe fatkeqësisht në mesin tonë i preferuar është ai krijues që ka qenë në përputhshmëri me politikën dhe me sistemin. Kjo ka alarmuar deri në një shqetësim shtresat më të ndërgjegjësuara të popullit, dhe sot hapen horizonte debatuese në mjetet e informacionit.

Për atë që zhvillohet, a ka bazë të vërtetë të krijimit të qendrave institucionale, që mund të merret me përgatitjen e gjeneratave apo me hapjen e mundësive për të krijuar vlera të vërteta të personave të arsimuar që prej tyre të pritet një sfidë krijuese?

Kështu siç ishim, nuk ekzistonte mundësia e shënimit të një norme të lartë të arsimimit. Qendrat universitare kishin kritere të tjera, prej ku më lehtë dhe më shumë diplomoheshin kinezët, sesa të merrnin diploma shqiptarët. Ishte për t’u habitur përse gjithë ajo tendosje e madhe e strukturave të universitetit shtetëror, me një sjellje aq rigide, për një gjysmë shekulli krijoi shtrëngesa të ndryshme ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët më lehtë diplomoheshin në Slloveni dhe Kroaci, madje dhe në Serbi, sesa në Maqedoni. Qendra universitare e kësaj republike kishte krijuar shumë strategji, që kishin synim të pengonin zhvillimin e tyre arsimor e kulturor. Kështu, nga Akademia e Shkencave të saj u hartuan plane edhe më ekstreme. Si udhëheqëse dhe si dirigjuese e zhvillimit në republikë, ajo gjithmonë synoi të bëjë institucione të pastra maqedonase. Në Akademinë e Shkencave edhe sot nuk ka të punësuar shqiptarë, përveç një shqipfolësi dhe dy akademikëve sllavo-shqiptar dhe një anëtari të jashtëm si “shqiptar i ndershëm” që nga koha e komunizmit. Në “Ohridsko leto” jepen për muzikë xhaz po aq mjete sa dhe në një universitet shqiptar të Tetovës. Te mbrëmjet e poezisë, të quajtura “Strushki veçeri”, janë shpallur laureatë të ndryshëm nga gjithë shtetet e botës, nga Serbia shumë herë, ndërsa nga Shqipëria mezi një poet (2008), edhe atë pas dyzetetetë vjetëve (Fatos Arapi), e nga Kosova e Maqedonia asnjë shqiptar. Ose, te botimi i “makedonska knizhevnost” në 120 tituj, ku me ndihmën e disa mashave shqiptare mezi e gjetën veten si krijues të përshtatshëm vetëm disa “shqiptarë të ndershëm” të klanit të tyre byrokratik të “vëllazërim - bashkimit”.

Këta shembuj eklatantë kanë nevojë të analizohen, për të ndriçuar rrethanat dhe arsyet përse ishin të tillë “vëllezërit” gjatë periudhës së bashkëjetesës. Dhe, pse ato rrethana ndikonin aq barbarisht në rrudhjen e mundësive zhvillimore të krijuesve shqiptar në një shoqëri multietnike, të cilët duke mos pasur asnjëfarë mundësie për të krijuar, ngecnin shpesh herë edhe nëpër pengesat e procedurave të përndjekjeve policore apo burgjeve. Pra, si mund të arrinin krijuesit shqiptar të nxirrnin në dritë vepra të arrira letrare, kur për punën e tyre nuk bëhej asnjë pagesë nga shteti i përbashkët multietniik?

Po të bëjmë krahasime, krijimtaria e maqedonasve gjithmonë ka qenë në përkujdesje të shtetit, ndërsa krijuesit shqiptarë të anatemuar. Dorën në zemër, ka pasur të tillë që, në bashkëpunim me sistemin apo në shërbim të Frerëve Letrare, nxorën në dritë “veprat” e tyre, të cilat ishin të mbushura me përkushtime për shokun Tito, “vëllazërim - bashkimin”, vetëqeverisjen dhe deklamime të ndryshme të cilat i shkonin përshtat pamfletit që kërkonin komitetet socialiste.

Kjo ndodhi edhe me botimet e librave shkollorë, ku vendet e fshatrave, toponimet, historia, gjeografia, por edhe letërsia, mbusheshin me falsifikime. Fjala bie, nxënësi shqiptar mund të mësonte për “Përrallën e përgjakur” të Desanka Maksimoviqit, “Duhanvjelësit” e Koço Racinit, Jovan Jovanoviç Zmaj, por jo për Naim Frashërin, ose poezinë e Ndre Mjedjes: GUXO. Nxënësi mund të mësonte për Goce Delçev, por jo për Bajram Currin apo heronj të tjerë shqiptar. Nxënësi shqiptar mësonte se ilirët ishin barbarë dhe se sllavët e jugut kishin arritur të sillnin në këto troje civilizimin.

Gjithë këto reflekse të synimeve për të krijuar një pamundësi krijuese, e detyruan krijuesin e vërtetë që me pak vëllime të veprave të krijonte një domethënie të madhe. Po të shikohet “Shtëpia e sëmurë” (1978) dhe “Thashë” (1981) të autorit Teki Dervishi, për nga vëllimi, janë libra shumë të vegjël me pak faqe, por kanë një arritje të fuqishme artistike, edhe pse rastësisht u përvodhën nga sytë e Agjenturës Letrare në atë kohë komuniste (“Flaka e vëllazërimit”, Shkup). Por, një ndër poetët disidentë, Sadudin Gjura, në vend që të shpërblehej për talentin e tij krijues do të burgoset dhe pas daljes nga burgu do të gjej vdekjen në majat me dëborë të malit Sharr. Kufomën e tij do ta gjejnë barinjt, pas shkrirjes së borës,  në pranverë. Nuk do të flasim për krijuesit që dhanë vepra artistike të krijuara nga burgjet. Edhe pse në rrethana të një pamundësie, ata sërish arritën të gjejnë kohë që të ruajnë me kujdes shkrimet e shkruara nëpër letra të ndryshme dhe pastaj, pas daljes nga burgjet, të krijonin veprat e tyre latrare. Njëri nga ata, është Fadil Bekteshi me librin “Udhëtim nëpër skëterrë” (1994). Daut Gurra, libri i të cilit “Kohë e hutuar” u botua me shumë vështirësi pas vdekjes, në prag të ndryshimeve demokratike. Ose, Avni Elmazi, me librin: “Idrizova, shtëpia e ferrit”.

Prej kësaj hallakatjeje, në periudhën e krijuesve janë hapur kapituj të rinj të librave. Kritika letrare duhet të bëjë çmos që t’u japë vendin që meritojnë në Historinë e Letërsisë Shqipe. Në monizëm, një krijues ende pa e përfunduar librin, merrte honorarin, ndërsa tjetri, për botimin me mundim të veprës së tij, ndodhte të hynte burgjeve. Fatkeqësisht, Policia Letrare në këtë kohë edhe më tepër do t’i ngushtojë radhët e saj me policë të rinj letrar duke u dhënë grada krijuese në mjetet e informacionit e vende pune nëpër institucionet e shtetit. Rreth këtyre dukurive letrare të kohës, Kalosh Çeliku pas librave me satira “Trumbetat e Tellallit” (1992) dhe “Kali i Trojës” nëpër “Bit - Pazar” (1994), te librat tjerë të radhës me publicistikë letrare: “Xhadia” (2010), “Rrufjani” (2013)  dhe “Lavdi “heronjëve” të Xhadisë” (2015) do ta ngrej zërin e shkrimtarit:

“Shqiptarët brez pas brezi kanë qenë profesionistë në përdorimin e armës, të penës, në bujqësi, në blegtori, në shkencë dhe në politikë. Shqiptarët, kur kanë pasur Universitet, të tjerët i kanë besuar dhe i janë lutur Lopës si Zot. Edhe, del në shekullin e XXI Blerësi që blen “prodhime bujqësore” me afate të skaduara: kunguj Stambolli, patate, speca, patlixhana... Edhe atë, i blen shumë lirë: 24 rroga mesatare me para të shtetit duke i përdhosur personalitetet kombëtare shqiptare. E blen Patriotin e Vonuar, e blen Këlyshin me zgjebe, e blen Këlyshmelez Sharrin, e blen Këlyshin e Llagut, i blen djemtë e shokut Tito... Fatkeqësia, i blen me paratë e shqiptarëve në emër të shtetit “përbashkët”, që mezi i arrnojnë ditët e sotshme për një të nesërme pa brenga.

Shqiptarët më nuk merren me kunguj Stambolli. Shalqi dhe pjepëra. Prodhime, që i kanë kultivuar që në kohën Ilire. Tashti, merren me prodhime të tjera bujqësore: shartimin e këtyre prodhimeve të egra, që na kanë mbi në Kopsht përpara Shtëpisë.

Edhe në këtë lëmi janë treguar profesionistë. Nëse nuk besoni, kur të doni ecni në vendlindjen e Xha Derallës: “Jasakët e Tike”. Vendin, ku ky burrë i ka shartuar dardhat gorrice. I ka shndërruar në mriza të Zanave të Fishtës. Dhe, do të bindeni se ata burra i kanë dalur zot bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë. Shkurt: Natyrës.

Vetëmse, kohët e sotshme ende janë me mjegulla të arnuara që enden si kope të deleve të nënkryeme nëpër qiell. Dielli më kot përpiqet të zbres dhiareve më këmbë nga Çelvjollca. Mjegullat ia kanë zënë rrugën. Sytë ia lidhin me shami. Blerësi “prodhimeve bujqësore” i ka vënë pusi Diellit: me kunguj Stambolli. Edhe atë, rrëfangat i kanë nxjerrë nga brezi për mejdani si topuzë turku.

Kungujt e Stambollit përditë na lulëzojnë në Kopsht. Edhe arave. Barkun e kanë nxjerrë cullak karshi qiellit dhe rreziten në Diell. I kemi me pakicë e shumicë, sa që kanë të hanë edhe lopët e Shtetit. Vetëm, përçudi këta kunguj Stambolli kanë edhe rrëfanga. Edhe atë, rrëfanga si cungje shelgu që u mbesin lopëve në fyt. I ngulfasin lopët e shkreta në Kopësht, në mes të livadhit. Më kot bujku përpiqet t’ua heq nga fyti këto rrëfanga, kur ato më ua kanë zënë frymën. I kanë bërë t’i ngrejnë të katër këmbët përpjetë në hava. Kasapi i shpëton këto lopë shterpa. Kasapi. Edhe atë, pasi tua vë thikën në qafë. E pasi t’u ketë dalë shpirti t’i varë në një degë shelgu, rjepë lëkurën për opinga. Mishin, dihet ta bëj pastërma për dimër. E dini ju, sa e shijshme është grosha kur piqet në vorbë pranë oxhakut me një copë pastërma në dimër?! Jo, nuk e dini. Nuk e dini ju, edhe përgjigjen e Xha Derallës, kur ka dhënë provime në medrese për t’u bërë hoxhë katundi.

... Edhe, puna e këtij Blerësit të “prodhimeve bujqësore” është si puna e hoxhës turkut. Vetëm se, puna e këtij Kasapi kulturor dallon për nga strategjia. Sistem pas sistemi zvarritet edhe në kohën e sotshme “demokratike”. Edhe nëpër bar fshihet komunisti plak, ndonjëherë edhe duke ndrruar ngjyrën, merr parjen e ambientit ku e struk kokën. E veshë setren e partive politike. Gjatë shënimit të përvjetorëve të personaliteteve kombëtare, fotografohet para kamerave televizive krah për krahu në rendin e parë me prijësit e partive politike në pushtet. Edhe ferrave fshihet ky zvarritës helmues i “prodhimeve bujqësore” nëpër Koperativat Neokomuniste.

Shpeshherë del edhe në pazar, me paratë e popullit në emër të Shtetit i blen “prodhimet bujqësore” me firma komuniste në ballë për njzetekatër rroga mesatare mujore. E “prodhimet bujqësore” teknefese, që u ka kaluar afati i përdorimit se, janë kalbur nëpër arat e Koperativave Neokomuniste, kënaqen dhe janë të lumtur me humanitetin e këtij Blerësi që edhe në kohën e sotshme “demokratike” i ngarkon në qerre këta kunguj Stambolli për t’i shpie në Evropë si prodhime shqiptare...”

(“Xhadia” f. 358).

Prandaj, edhe për nga aspekti i trajtimit të veprave letrare, edhe për nga niveli i tyre artistik, edhe për nga vlerat letrare që sjellin, është mirë që për krijuesit të bëhet një rivlerësim i letërisë socialiste, të përpilohet një Histori e Letërsisë Shqipe, ku përveç autobiografisë të mund të paraqitet një pjesë e veprës së autorit, por edhe vlerësimi për veprën letrare. Do të jetë një sihariq dhe një punë plotësuese, e Historisë së Letërsisë Shqipe të kohës së socializmit, e cila do të përfaqësojë një pjesë të krijuesve të anatemuar në kohën e komunizmit dhe në atë gjatë “ndryshimeve demokratike” neokomuniste…

Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora