E diele, 02.10.2022, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (20)

E hene, 08.08.2022, 07:17 PM


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Njëzet

-Urra, urra, urra…

Ishte Sadiu që brohoriste. Në atë qiqërimë e ufmë vape, në mes të oborrit,kur ajri ishte mbushur me cinxërimën e gjinkallave, thashë mos i kishte rënë dielli në kokë tim vëllai dhe fliste përçart. Fjalët i shoqëronte me dorën e djathtë të mbledhur grusht drejtuar qiellit, që e tundte si triumfator,për të përcjellë kumtin. Në sy kishte dritë dhe gëzim. Po bënte kohë që s’e kasha parë aq të qeshur.

-Ç’të gjeti, mos u çvidhose?

Ai më rroku për mesi, më ngriti hopa dhe filloi të rrotullohej si fugë, sa mu morën mendtë.

-Ikëm!

-Si ikëm? Ku shkuam?- Ai më lëshoi përdhe.

-Vëllaçko, do shkojmë në qytet, në Fier. Do bëhemi qytetarë! Thuaji lamtumirë fshatit. Damani sapo u kthye. Ka blerë një truall, në lagjen 1 maj. Punë e mbaruar.

-Po nëna, ç’thotë?

-E kur na e ka prishur, që të na e prishë kësaj here. Edhe asaj i pëlqen të ikim. Dajët dhe tezja i kanë vdekur, e ç’e lidh me këtë fsahat? Asgjë veç ca kujtimeve e vuajtjeve. Pastaj në Fier kemi fis e kushërinj. Prisja që ti të gëzoheshe më shumë. Do shpëtosh nga rruga vajtje-ardhje , shkollën  ti dhe Sanua do ta keni te dera e shtëpisë.

Nuk ishte se s’u gëzova, por lajmi më zuri papritur.

-Po delet?

-Do t’i shesim. Me paratë do blejmë qerestenë për të ngritur shtëpinë, e, ku e ku , të na dalin.

E pa që u thartova nga fytyra. Nuk e mendoja sesi mund të ndahesha nga dhëntë e mia.

-Edhe po të mos na duheshin paratë, delet janë aq shumë fshatare sa , nuk bëhen dot qytetare!

* * *

Lagja 1Maj, me emrin e ditës së puntorëve, emër vërtet i gjetur mirë,se të tillë ishin gjithë banorët e saj,proletarë, që më së shumti e quanin “Lagjia e çamëve”, ngaqë aty banonin vetëm banorë të atij komuniteti. Ishte oazi që ata kishin gjetur në shkretëtirën e jetës. Fillonte në të djathtë të rrugës pasi kaloje urën e Gjanicës, i ngjitej kodrës së Shkozës dhe perfundonte, në kodrën vijuese të Mbyetit, që vazhdonin në kodrat e Patosit dhe të Mallakastrës. Pjes’ e re e qytetit, por e pa përfillur nga qyteti, si të ishte mish i huaj për të. Në lindje shquhej çuka e malit  të Tomorrit. Në verilindje, lagjia kufizohej me xhaden që shkonte në Patos, kurse nga jugperëndimi rridhte lumi i Gjanicës. Lagja ishte e madhe,  qindra familje, gjëndeshin atje, thuajse nga pjesa më e madhe e fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë që kishin tërhequr aty njeri-tjetin. Përshkohej nga një rrugë e gjerë por e pa shtruar,me baltë në dimër e pluhur në verë.  Në të dy anët e saj në troje të veçantë, vendosur pa rregull ishin banesat. As kasolle, as shtëpi, sa për të futur kokën.Të shumtat me çati mbuluar me kashtë, rrall me tjegulla. Ata nuk ndërtonin shtëpi se i mbante shpresa e përmalluar se një ditë do të ktheheshin në Çamëri. Edhe martesat i bënin me njeri tjetrin, se mendonin që po të bënin krushqi me vendësit, vajzat do tu mbeteshin, në Shqipëri kur të iknin. Çdo shtëpi, kishte një histori. Të pakta ishin ato qe s’kishin marrë plagë, që ende s’ishin mbyllur dhe as do të mbylleshin. Historia e tyre e kobshme e përbashkët ishte shpwrngulja e dhunshme nga vendi i tyre dhe, plagët, të vrarët, dhe të masakruarit e pavarr dhe, të vdekurit rrugëve,nga sëmundjet,uria, të ftohtit e vuajtjet që ende i qanin.Gjithsesi, kjo lagje, për nga banorët, ishte një Çamëri e vogël, ku mbahej ndezur flaka e mallit, që flinin dhe gdhiheshin me përmallimin,makthet dhe shpirtërat e të vdekurve që trazonin gjumin dhe, ëndërrat me parafytyrimin e Çamërisë së dashur, kaltërsinë e pazakonshme të qiellit tërë dritë dhe kurorat e blerta të ullinjve. Ata ruanin zakonet e flisnin në dialekt, si pjesë e qënësishme e ekzistencës, vijimësisë së jetës. Djemtë e rinj, kur gjendeshin bashkë, për qejf të tyre, u pëlqente shumë të bisedonin në dialekt edhe në qytet, pa u qederosur u pëlqente kjo apo jo vendësve që i dëgjonin. Gratë mbanin veshjet e tyre të krahinës,që i bënte të dalloheshin, me zakonet, besimin dhe festimet e të kremteve.       Lagje refugjatësh, si pas rrungajës së luftës,  e pa elektrifikuar,  pa ujësjellës për ujë të pishëm.Për të shuar etjen dhe higjenë, kishin hapur puse, por edhe disa burime, germuar në shtuf anës lumit, ku filtrohej uji i lumit, që ahere s’ishte i ndotur, ku mbushnim ujë për të pirë dhe larë. Burrat dhe të rriturit, punonin në shtet, punë të rëndomta e të rënda që s’i bënin të tjerët: në ndërtim, transport, ngarkim shkarkim, hamenj. Gratë nuk punonin, kujdeseshin për baçet , fëmijët dhe shtëpinë. Varfëria ishte ulur këmbëkryq në çdo prag e lexohej në çdo fytyrë. Shihej në zbehjen e fytyrave të fëmijëve dhe  veshjet e tvre,arn mbi arn . E vetmja pasuri ishin krahët për të punuar e mbajtur shpirtin gjall.Me punë të ndershme e  djersën e ballit.

Qyteti nuk donte të dinte për këtë lagje në kodrën e Shkozës.Le të bënin si të bënin, e ti delnin zot vetes.  Asnjë lloj shërbimi. As dyqane tregtimi, as ambulancë, as shkollë. Të gjitha në lagjen Shkozë dhe në qytet. Por, ama, nuk mungonte varreza, një patrullë policore dhe i plotfuqishmi i lagjes, që silleshin rrotull varavingo si shpirt i keq, tërë sy e veshë! Kur vinte puna apo të bëhej fjalë  për ta, e kishin në majë të gjuhës shprehjen: e po çam hesapi! Ca më keq, përfliteshin e përgojoheshin sa herë ndodhte ndonjë ngjarje tronditëse, vjedhje, vrasje, përdhunime,  paçka fajtorë pa faj, u bëhej atyre përsipër: e kush mund ta bënte përveç çamëve? Nuk thonë kot, më mirë të të dalë syri sesa nami dhe nami ishte i mynxyrshëm..

Lagjia, si në një ishull, bënte jetën e saj. Ndiheshin mirë me njeri-tjetrin. Ndanin së bashku dhe i gjendeshin shoshoq në gëzime dhe hidhërime, lindje dhe vdekje, dashuri dhe mëri, dasma dhe martesa, përgojime dhe thashetheme e gjithëçka tjetër që është, si kudo pjesë e jetës së bashkësive. Ata nuk mund të ishin një përjashtim. Kishte personazhet e saj, djem të krisur, xhagajdurë të etur për jetë e aventura, vashazë bukuroshe  si zana ,që përmëndeshin dhe lakmoheshin për bukurinë e tyre, bellat e bardha, që i thoshin hënës dil të dal, të moshuar diturakë që u kërkohej dhe dëgjohej fjala dhe këshilla, bilbila këngëtarë dhe valltarë që e kërcenin vallen e Osman Takës në sini!

Këtu, në këto kasolle, mbuluar me kashtë, sido që në varfëri, ndryhej pasuria njerëzore, në çdo familje, rrihnin zemra fisnike e të ndershme, mbahej ndezur drita e diturisë dhe shpresës,për fëmijët. Po buiste e lulëzonte një brez i ri, vajza dhe djem, që prindërit përgjëroheshin për ta e i mëkonin me dashurinë për Çamërinë dhe shenjtërinë e atij emri. Pavarësisht nga varfëria dhe mundësitë e kufizuara u ishin turrur me ashk shkollave dhe mundësive që jepte jeta, për t’u bërë të ditur e të dobishëm , për të jetësuar ëndërrat  për jetën, që duhet të ishte më e mirë se ajo e prindërve. Vitet që erdhën, prej aty dolën inxhinierë, mjekë, mësues, pedagogë e profesorë, agronomë e zooteknikë, financier dhe ekonomistë, artizanë e profesionistë, që sbërbyen anë e mbanë Shqipërisë dhe fituan emër të mirë.

Se një jetë pa ëndërra e synime, është si një kopsht i shkretë pa lule, si një qerthull i mbyllur ngjarjesh të rëndomta që s’të shpie askund. Kush nuk ëndërron, që nuk jep e nuk merr dashuri dhe nuk u jep fluturim në hapësirat e jetës dëshirave është si një zog pa krahë.

Këto mendoja kur erdhëm së pari në lagjen 1 Maj.

Kjo do të ishte lagja ime dhe Fieri qyteti im ku do të kaloja rininë.

***

Trualli bëhej si ndoca tre dynym. Pak i pjerrët, qarkohej nga dy rrugë, Njera , në pjesën e sipërme të çonte në Mbyet, tjetra përanash, zbriste për në Gjanicë.Nga rruga i ndante një hendek, që shërbente edhe për kullimin e ujërave dimërit. Poshtë, përballë dhe anash nesh, kishte banesa të tjera, banorët e tyre do të ishin komshitë tanë.

Ne të tre, Damani Sadiu dhe unë, u shpërngulëm të parët që të ndërtonim banesën. Në fshat mbeti nëna me Sanon. Delet i bleu Saidi, një kosovar nga Dërmënasi. Me ngritjen e saj do të merrej kunati ,burri i Gjyles, me skuadrën e tij të muratorëve. Ai zgjodhi dhe përgatiti qerestenë, binarë të sharruar pishe. Prunë dhe një ngarkesë me gurë për themele. Vendi u zgjodh në mes të truallit, anash rrugës që zbriste për në lumë.

U deshën dy javë që banesa jonë të përfundohej. Muret u mbushën me baltë. Për çatinë nuk tepruan para për të blerë tjegulla. Shkuam në kënetën e sheqit dhe korrëm kashtën, që i thoshin truskë. Uji na vinte deri në gju, binte era kalbësirë. Kishte mushkonja dhe shushunja. Hera e parë që i shihja, por namin e keq si gjakpirëse ua kasha dëgjuar . Ato më qepeshin në pulpët e këmbëve dhe pinin gjak.I ndjeja pickimet, dhe i shkulja nga mishi, ishin veshtullore, të fryra nga gjaku që kishin thithur dhe më ngjallnin neveri. I flakja përsëri në ujin e ndënjur të moçalit.  Kashtën e lidhëm në duaj, e afruam në rrugë dhe aty pajtuam një karrocë që e shpum te banesa.

Kur u përfundua, ndenja dhe e kundrova gjatë:Themelet të gurta, por muret me kallam e baltw, dy dhoma me koridor të ngushtë, dyshemeja truall i ngjeshur lyer me argjil dhe bajga lope, dritare me xhama, tavani me kompesato, vatra me horosan dhe oxhaku me qerpiç. Dyert me dërrasa pishe të zdrukthtuara. Mbi derë një zgjatim i çatisë si strehë për tu mbrojtur nga shiu. E ndriçuar dhe me hapësirë. Muret lyer me gëlqere zbardhnin e llapsnin. Për ndriçim netëve, në vend të fotive nga teneqe(kandileve) si xixëllonja, u blenë dy llampa me poç qelqi dhe reflektor, me vajguri që, bënin një dritë të bardhë. Do ta kisha më të lehtë për të mësuar dhe lexuar netëve.

Merret vesh, nuk ishte shtëpia e ëndrrave, si ato pallatet e përrallave, që na rrëfente dikur Kakaja në netet e dimrit, më e mirë se kasollja e fshatit, por jo si shtëpitë e vërteta. Thjesht, një strehë hallexhinjsh! Aty, për vite të tëra, do të gdhinim dhe ngrysnim ditet e netët,dimër e verë, me të mirat e të këqiat, gëzimet dhe hidhërimet, dramat dhe tronditjet që në jetë nuk mungojnë dhe , do të rridhte pararinia dhe rinia ime.

***

Ishte mesgushti, kur plaçkat dhe rraqet i ngarkuam në karrocën e dajë Kostës dhe morëm rrugën për qytet. Nuk e di pse, por më hipi një ngashërim dhe keqardhje, aq sa më vinte për të qarë.Këtu kishte rrjedhur fëmijëria ime. Tashmë kujtimet, një pjesë e tyre ndryheshin në atë kasolle brënda mureve të saj memece, për të cilat do të më merrte malli gjithë jetën. Në sheshet dhe hapsirën, do të mbeteshin gjurmët ku kishin shkelur këmbët e mia të zbathura, rendja pas një topi me lecka, grahja e “kalit” të hardalltë, vrapi pas një rrethi që shtyhej me një tel, gjuetija e zogjve me llastiqe, lodrat e shumllojta me moshatarët, vrapimet në netet e majit me hënë pas xixëllonjave, rudinat dhe çairet ku kisha kullotur delet, dimrat e ftohtë me shira dhe përmbytje, netët e kaluara përjashta në kullotë me delet, nën qiellin e stolisur me arin e dritës së hënës dhe mirjadat e yjeve, shqiptimi i fjalëve të para të abetares, dita e parë dhe e pa harruar e shkollës, bashkënxënësit dhe bashkënxënëset e bangave të shkollës, mësuesit dhe mësueset, që për mua, pas prindërve ishin njerëzit më të dashur e respektuar. Komshitë dhe njerëzit e njohur, që i kishim dashur dhe na kishin dashur e kishim ndarë me ‘ta gëzime e hidhërime. Dajë Loni, me qenin e tij çapin, hokatar e zemërbardhë dhe djemtë e tij Leksin dhe Lipin, që më donin dhe i doja. Do të mbetej aty, gjysh Avduli, i thinjur e i plakur si një patriark e i ditur si profet, mësimet e tij do t’i kujtoja gjithë jetën.E sa e sa të tjera. Të gjitha po mbeteshin aty. Por jo, gabohesha, po i merrja me vete, do të bashkudhëtonin me mua tërë jetën, se fëmijëria, sido që rritemi, mbetet brenda nesh,e gdhendur në kujtesë, me vegimet e saj, që shfaqet sa here e thërrasim, si pjesë e qënies sonë dhe që për çudi, kujtohet me përmallim edhe kur s’ka qenë e lumtur.

-Hyja kuqo, hyja dori- dajë Kosta u grahu kuajve, kamzhiku vërshëlleu në erë dhe kuajt u nisën me trok.

Mua koka më mbeti  e kthyer pas, për të parë për here të fundit atë vend . Lamtumirë, vitet e para të fëmijërisë sime.

Një jetë tjetër po na pret.

Dëshirojmë dhe shpresojmë të jetë më e mirë.

Vijon.

Gusht 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora