E shtune, 20.04.2024, 12:30 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Vendi im që nuk është më

E hene, 08.08.2022, 07:55 PM


VENDI IM QË NUK ËSHTË MË

NGA NDUE DEDAJ

Shpesh lajmet me zjarret nuk thonë gjithë gjëmën që ka ndodhur në terren. U tha se zjarri në Bukmirë (Mirditë) ishte i madh dhe po rrezikonte shtëpitë dhe vreshtën e njohur, nga e cila prodhohet vera “Arbëri” nga më të mirat e vendit, por nuk u tha se zjarri masiv përshkoi jo vetëm këtë fshat, por dhe dy fshatra të tjerë, Shpërdhazën dhe Shëngjergjin. Tre fshatra të përzhitur nga flakët, mijëra ha pyje lisi të shkrumbuara. Një hartë e tërë pyjore e zhbërë sa hap e mbyll sytë. U shkatërrua njëherësh një nga habitatet e rritjes së thëllanzës, lepurit, dhelprës, ujkut, derrit të egër etj. Toponime të zonës si Maja e Lleshit të Zi, Përroi i Thatë, Shqopa e Oroshit etj. zor se do të jenë më pika orientimi për njerëzit. Kurse turizmin harroje, turistët nuk vijnë të vizitojnë shkretëtira...

Ndërkohë zjarri vazhdon me shpejtësi të përpijë sipërfaqe të tjera!... Çka do të thotë se alarmi është dhe më i fortë!...

Shkurt, ne nuk e zotërtojmë më territorin fizikisht. Shteti nuk ka krijuar një regjim mbrojtjeje të natyrës, florës dhe faunës, mjedisit, pyjeve, kullotave, burimeve, vreshtave, ullishtave, shtëpive etj. Nuk kemi më e pakta vrojtues zjarresh. Kem i patronazhistë sa të duash, derë për derë, që na “monitorojnë” se për kë do të votojmë, por nuk kemi patronazhistë që të sinjalizojnë për zjarret. Një xhandar në kohën e Zogut mjaftonte për të siguruar rendin dhe qetësinë, kujtojnë të moshuarit. Edhe në regjimin e kaluar punëtori i Policisë rrinte mes njerëzve në fshat, minierë, kooperativë, ishte i informuar për keqbërësit e ndryshëm që dëmtonin pronën e përbashkët. Sot asgjë nga këto nuk ndodh më. Nuk të zë syri askund ndonjë tabelë si dikur “Mbroni pyjet nga zjarri”. Vetëm nëse vjen ndokush i huaj me ndonjë projekt që të na i shkruajë.

Është dhe një hall tjetër i madh, ministrat në kohën e zjarreve janë me pushime në det, brenda dhe jashtë vendit. Patë ndonjë ministër të shkojë në Bukmirë? As njëqind kilometra nga Tirana. Jo. Edhe pse u dogjën tre fshtra, ku më shumë e ku më pak. Po çfarë duhet të digjet më tepër që qeveria të zbresë në terren me të gjitha mjetet!? Vërtet ka struktura shtetërore të posaçme si emergjencat civile që merren me fatkeqësitë natyrore, të cilat bëjnë sa mundin, ndonjëherë edhe duke sakrifikuar, po kur e keqja s’ndalet, atëherë shqetësimi duhet të vërë në lëvizje dhe qeveritarët më të lartë, siç  ndodhi vitin e kaluar me zjarret në Llogara e Karaburun etj.

Nuk mund të rrihet në shpresë të shiut, nëse do të mbarsën retë e do të bjerë shi sot pasdite, nesër paradite apo pas një muaj.

Askush nuk e dëshiron elegjinë e vendit të vet. Por ja që ajo qenka e pashmangshme në këso rastesh. Tek sheh  se si digjet pylli, bari, gjethi, vetë stina e verës, të vjen ndërmend poezia e Martin Camajt “Vendit tem”: “Kur të vdes, le të bahem bar / Në malet e mia në pranverë / Në vjeshtë do të bahem farë…”

Poezia është përshpirtje dhe ka kumtin e saj, kurse ringjallja e natyrës pas katastrofës së flakëve ngjan e pamundur, nga njerëz që nuk arrijnë dot ta mbajnë në “jetë”gjelbërimin…

Mirditë, 8 gusht 2022

Foto: SAIMIR KOLA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora