| E diele, 07.08.2022, 06:00 PM |
Misteret e Marrëveshjes së Mukjes
-
Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e
Jugosllavisë
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Marrëveshja
e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit
Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar rezistencën
shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e
Shqipërisë Etnike.
Mbledhja e Mukjes
Marrëveshja
themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar, i cili duhet të merrte drejtimin e
lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja
u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit
Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në
lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por përfaqësuesit komunistë kundërshtuan
ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në
një referendum të popullit të saj në fund të luftës. Marrëveshja u konsiderua
kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të
cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo
ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptarë e veçanërisht mbi
drejtuesin e tyre, Enver Hoxha.
Mbledhja Kombëtare në
Tapizë, 26 korrik 1943
Sot
më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani
në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm
Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer
Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe delegacioni i organizatës
“Balli Kombëtar”, i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku.
Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe
Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Pater Lek
Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah
Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe
vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër
okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:
Neni
1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të
Shqipërisë”. Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim
realizimin e këtij programi: 1- Luftë imediate kundër armikut okupator për
çlirimin e Shqipërisë. 2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e
1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara
prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së
popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut. 3-
Një Shqipëri të lirë indipendente, demokratike të vërtetë. 4- Forma e regjimit
do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të
zgjedhur me sufrazh universal. 5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të
ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.
Komiteti
i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.
Delegatët
e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë
këtë rezolucion “Ad referendum”.
Procesverbalet e
Mbledhjes së Mukjes
Proces-verbal
Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e
delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare.
Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe
sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili
deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të
marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej
delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave
të akordit të arritun. Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet
dhe të qëndrojë në këtë mënyrë: Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator
dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator Pika 2. Luftë për një Shqipëri
independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar
nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.
Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente,
demokratike, popullore. Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë:
Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.
Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet
prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh
universal direkt.
Delegacionet:
B.K.
1. Hasan Dosti
2. Mit’hat Frashëri
3. Thoma Orollogaj
4. Skënder Muço
5. Hysni Lepenica
6. Isuf Luzaj
7. Kadri Cakrani
8. Major Raif Fratari
9. Nexhat Peshkëpija
10. Halil Mëniku
11. Ismail Petrela
12. Vasil Andoni
K.P.N.Çlirimtar
1. N.Kolonel Jahja Çaçi
2. Myslim Peza
3. Abaz Kupi
4. Ymer Dishnica
5. Mustafa Gjinishi
6. Omer Nishani
7. Sulo Bogdo
8. Shefqet Beja
9. Medar Shtylla
10. Stefan
11. Haki Stërmilli
12. G. Nushi
Proklamatë
Popull
shqiptar!
Po
bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po
mbjell kudo zi e mjerim. Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit
ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e
ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptarë
që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë,
shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:
Luftë
të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA
dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar. 2.
Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun
botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për
një Shqipëri etnike. 3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e
popullore.
Shqiptarë!
Nuk
keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.
Erdhi
koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e
patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të
shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare. Ngrihuni të gjithë
pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për
Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet
armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe
merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë
e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!
Jashtë
armiku zaptues!
Rroftë
Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!
Rrofshin
aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!
Rroftë
Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!
Komiteti
për shpëtimin e Shqipërisë