E premte, 29.03.2024, 02:10 PM (GMT)

Kulturë

Flora Sela - Kastrati: Pasioni për t’u bërë politikan

E premte, 05.08.2022, 06:55 PM


PASIONI PËR T’U BËRË POLITIKAN

NGA FLORA SELA - KASTRATI

Hyrje

Kurrë, si në kohën e sotme, në historinë e civilizimit krijimtaria artistike nuk ka qenë në funksion të politikës ditore, sidomos këtu mes këtij bërlloku shqiptar, kur poetucët janë portparolë të gjeneralëve në pushtet, pseudoregjisorët zëdhënës të Qeverisë së “vëllazërim-bashkimit”. Bërlloku shqiptar ka gëlltitur shumë fondacione botërore: edhe atë të Luftës së fundit në Kososvë (1999). Edhe atë, të 2001 -shit në Maqedoni. Mjafton të përmendim Luftën e fundit në Kosovë (1999), kur hajdutët përlanë me qindra mijëra dollarë në emër të fëmijve të Kosovës për botimin e dhjetë titujve për fëmijë me nga dhjetë mijë kopje. Merreni me mend, po të botoheshte i gjithë ky tirazh i librave për fëmijë, nuk do të kishin vend fëmijtë shqiptarë ku të ulen nëpër biblioteka, nëpër shkolla. Po, nuk ndodhi kjo mrekulli: hajdutët, librat i botuan me nga njëqind kopje dhe rrëmbyen parat me të cilat në emër të fëmijëve shqiptar blen banesa konforme për vete në Shkup dhe ndërtuan vila nëpër katunde. Kulminacioni, nuk i paguan as honoraret e autorëve shqiptar.

Policoro - novelistët, krijojnë kushtetuta shtetërore, qorrhistorianët e artit krijojnë imazhin e ri të shtetit “demokratik”, komandoteatrologët janë ministra të kulturës, gjysëmanalfabetët “analistë” politik, koluministë në shtyp...  madje shkruajnë mbi skandalet e aktorëve dhe politikanëve, prej nga rrjedh një gjendje e ndërmjetme qyqare e krijuesit me politikën. Edhe thonë se: krijuesi ka pasur probleme me shoqërinë. Jo! Krijuesi, kurrë nuk ka pasur probleme me shoqërinë, po me sistemin komunist. Neokomunist. Pushtetin...

Çfarë e josh krijuesin te politika?

-Pasioni për t’u bërë politikan.

Në histori është i njohur fakti se për krijues të ndryshëm në civilizimin tonë perëndimor, veprat e filozofëve kanë qenë inspirimbartëse të ideve progresive për krijimin e një shoqërie humane njerëzore. Nga çdo tendencë filozofike pritej të ishte vazhdimësi e humanizmit. Por ndodhi një rënie e përkohshme në mes të rrugës. Qerres artistike i thyhen të dyja rrotat e para mes maleve. Artistët, filozofët etj., nuk punojnë për fuqinë e tyre krijuese, por janë përfaqësues të pushtetit dhe Qeverive politike: merren me fushata zgjedhore, zbulimin e përmnendoreve të dëshmorëve të Luftës (2001), Hapjen e muzeve të “Lirisë”, Degët e Universiteteve edhe nëpër katunde, Ekspedita sportive me flamuj partiak duke u ngjitur majave të malit Sharr. Vrapimeve për punësime në Universitet edhe pa diploma të fakultetit. Nëna Parti pasi të ka punësuar si profesor në Universitet, ajo e merr përsipër edhe obligimin që të të bëj edhe magjistër, jep doktoraturën shkencore. Fatkeqsisht, në një kohë kur nuk kemi barinj të deleve. Bozaxhi e tollumbaxhi nëpër ëmbëltore. Të gjithë, i madh e i vogël brenda një nate u bënë profesorë universitar e asistentë nëpër universitete partiake.

Në Perëndim na paraqitet një diskontinuitet në raport të zhvillimit të ideve humaniste në krijimtari: pluralizmi i aspekteve kulturologjike. Në vendet e tranzicionit ndonjëherë ke ndjesinë se ekziston një amnezion kulturologjik i arnimeve, që ka ndodhur kur përvetësuam idetë e lirisë, Zotit e turpit. Mirëpo, sikur u krijua një “amnezion kolektiv”, i përgjithshëm mbi këto tri ide, njësoj si t’ia nisësh nga fillimi të hipësh shkallëve të kullave. Amnezion në raport me atë çka është bërë deri tani, që kushtimisht mund të quhet si traditë. Tradita bëhet objekt i politikanëve, e gjegjësisht shndërrohet në politikë, derisa kultura dhe arti ekzistojnë duke iu përshtatur parimeve të cilat imponohen nga ana e prorektorëve jo-oficialë të vendeve në tranzicion me gjitha kufizimet që sjell një strategji gjysmëkolosale.

Në këtë situatë, me arsimin dhe kulturën merren partizanët partiak, ndaj si pasojë kemi arsim dhe kulturë partiake: profesorë partiak, artistë partiak, filozofë partiak, krijuesë partiak, hoxhallarë partiak, priftërinj partiak, bujq partiak, bozaxhinj partiak, barinj partiak, që tani e quajmë si multikulturë të “vëllazërim-bashkimit”...

DYLUFTIMI I DISIDENTËVE ME KURRKUSHËT KRIJUES

Vlerësimet që do të shqyrtojmë nga këndvështrime të ndryshme, për të dhënë një pasqyrim etik dhe analizues mbi rrethanat e ndikimit kritik - ashtu si vijnë e ravijëzohen tendencat e një mbarështrimi në rrethanat e gjendjeve shoqërore, të hapim një horizont mbresëlënës për raportet e krijuesit dhe shoqërisë, e të bëjmë një pasqyrim, mbase dhe një përjashtim të të metave ekskluzive që dalin e bëhen të përzishme - do të jenë arritjet e një jete reciproke, ku krijuesi u ballafaqua me Policinë Letrare, dhe anasjelltas: shefin e tyre që përpiqej të mbajë nën kontroll zhvillimin e letërsisë shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Si ndikoi Policia Letrare te krijuesi?! Kjo bindje e shqyrtimeve ndoshta do të përmirësojë pozicionet, në mënyrë që të bëhet një formësim në ekuivalencën e funksionalizimit të këtyre dy tërësive, ku jetësohet e përhershmja krijuese dhe e përhershmja shoqëri “demokratike”.

Me një përpjekje të tillë do të spikatë ideja se krijuesi ka kërkuar një nivel më të lartë të paraqitjes së shoqërisë, pasi Pushteti bojëndotur ka bërë dhe ndërhyrje të tjera, që pos tendencave përkrahëse, ka pasur dhe tendenca të tjera shtypëse ndaj krijuesit, me të cilat janë krijuar gjendje të pashpjegueshme. Nuk është aspak e jashtëzakonshme që një rrjedhojë e këtyre përsiatjeve të përpiqet të vendosë në dioptrinë vëzhguese befasitë e shumë shkencëtarëve, studiuesve apo krijuesve si shkrimtarë, filozofë, poetë. Përse, dita - ditës kjo gjini letrare është në rrezik? Në kualitet mund të thuhet se një rënje e tillë është e dukshme dhe efektivisht e pashmangshme. Këtë e dëshmon me shkrimet kritike Dr. Rexhep Qosja, qysh herët në titullin e librit: “Panteoni i rralluar” (Rilindja, Prishtinë, 1973).

Përse lindi kjo ide për libër?

Cili ishte motivi provokues i autores?

Përse tregoi shqetësim Shteti prej kartoni?

Për cilën përmbajtje të përshkallëzimeve ideoartistike  është i preokupuar Disidenti?

Në këtë kuptim shfaqen shumë dilema që kërkojnë shpjegim edhe në këtë libër. Nëse nisim shpalosjen e këtyre bindjeve, natyrisht që një studim serioz do të hidhte dritë në mirëqeniet e një antike dhe mbase në rrënimin e një të sotmeje të rrezikshme. Të krijohet përshtypja se librat e niveleve të filozofisë, poezisë, prozës, novelës, romanit dhe shumë gjinive të tjera kanë qenë më të shëndetshme dhe në sublimitet vlerash në të kaluarën. Sot, kur përjetojmë shndërrime më të sofistikuara të teknologjisë dhe kompjuterizimit (dixhitalizimit), përse vështirë kemi kulme që do ta pasuronin Panteonin e rralluar të Rexhep Qosjes? Vallë, ajo shoqëri mos ka qenë më demokratike?! Çka e mundon shoqërinë, që krahas një zhvillimi material, njëkohësisht zhvillimit të arkitekturës inxhinierike, linjave tokësore dhe ajrore, ka pushuar të marri frymë në dimensionin e krijimtarisë, të gjymtuar astmatike? Nëse mund të flitet për Aristotelin, Platonin, Kantin, Hegelin, Homerin, ose më vonë për rilindësit si Fishta, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Sami Frashëri, Asdreni, Ndre Mjedja, Fan Noli, Faik Konica, Ali Asllani, Lasgushi dhe të tjerë, të cilët kanë arritur të emërohen si enciklopedi e dijeve dhe krijimtarisë, sot i mungojnë profile të tilla Panteonit të rralluar?

Sipas Dr. Rexhep Qosjes, fjala “Panteon” është përdorur në kuptimin simbolik, prandaj edhe lexuesi me të drejtë mund ta vazhdojë pyetjen: Përse, “Panteoni i rralluar”? Ne, do të përpiqemi që këto tendenca rrallimi t’i analizojmë nga rrethana të tjera të kushteve e raporteve të Krijuesit dhe Shtetit gllabërues. Le të bëhet ky një pasqyrim modest, duke hedhur dritë mbi atë mister të krijuar mbi shoqërinë, e cila dita - ditës ka risi edhe në “Faunë” edhe në “Florë”, duke gjeneruar neostruktura, por natyrisht edhe duke pluhurosur dhe asgjësuar shumë lloje të gjinive. Nëse krijuesi, si një universalitet i veçantë në këtë kohë kuantivisht është i pranishëm, ne do të përpiqemi të japim shpjegime se përse me kualitetin e tij është gjithmonë e më i skamur xhepave të partive politike. Natyrisht, për këtë do tentojmë të bëjmë një kuvendim mbi mundësitë si të realizohet një shpresë, që në Panteonin e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë të shpërthejmë portat e kështjellës së krijuesit bashkëkohor shqiptar.

PËRSE LINDI IDEJA E KRIJUESIT DHE SHTETIT FANTAZËM

Fatkeqësisht, në udhëheqjen e shoqërisë, gjatë shekullit XX dominuan mediokrit. Atë vend që e patën rilindasit pothuajse gjatë një shekulli, e zbehën snobët, që u sulën me arnime e citate të vjedhura nga veprat e autorëve të zhanreve të ndryshme. Ashtu si zakonisht, janë të përshtatur “vëllezërit” si anëtarë të komisioneve shkencore nëpër ministri duke bërë pazare kulturore në dëm të krijimtarisë shqiptare, që kanë synime dominuese, që përdorin shkathtësinë e përfitimit servil, apo të pushtetit, duke u shërbyer pushtetarëve si argat besnik. E gjithë kjo, bëri që një numër i madh shkrimtarësh, dijetarësh, krijuesish, oratorësh e filozofësh të ndodheshin jashtë rrjedhave ndikuese dhe udhëheqëse nëpër institucionet shtetërore. Nëse në kohën e Romës njerëzit i pagëzonin me aftësi të kufizuara, mundësi, prirje e sigurisht vlera mesatare, R. Qosja i quajti mediokër. Por në këtë shekull, sistemi që dominoi të tillët, i himnizoi si të pushtetshëm në qeverinë fiktive. Sanço Pançot shqiptar me këto veprime mbërthyen frerët, duke u bërë bartësit e fronteve që sjellin rende dhe udhëheqin me shoqërinë në tërësi si kope me zgjebe. Për këto arsye, krijuesit do të radhiteshin në krye të rreshtit të anatemave. Vlen të theksojmë vetëm disa të tillë, si: Fishta, Gurakuqi, Asdreni, Çajupi, Migjeni, Noli, Lasgushi etj. Në karvanin e gjatë të të përndjekurve hyjnë dhe shumë liridashës të tjerë, që për hir të ideve krijuese do të përjetonin ferrin e Dantes gjatë gjithë jetës së tyre, duke jua murosur dhe dhunuar vargun krijues, si dhe duke ju gllabëruar personalitetin deri në masakrim zvetënimi. Persona të tillë gjatë shekullit XX kanë qenë të shumtë edhe në letërsinë shqipe. Shumica e tyre ose do të burgoseshin, ose do të vriteshin, ose do të detyroheshin të braktisnin atdheun. Edhe pse, veprat e tyre do të dëshmonin një profesionalizëm natyralist, ata nuk u përfillën nga pushteti. Por gjithsesi, edhe njerëz të tillë si Bilall Xhaferi, Martin Camaj, Kasam Trebeshina. Arshi Pipa, Frederik Rreshpja, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Adem Demaçi, Visar Zhiti, Sadudin Gjura etj. e patën të ngjashme jetën për vuajtjet dhe përndjekjet që ju bënë në atë kohë moniste. Gjithashtu, përmendim këtu edhe Teki Dervishin, Mehmedali Hoxhën, Fadil Bekteshin, Vahit Nasufin, Daut Gurrën, Shaqir Sadikun, Rexhep Elmazin, Ymer Shkrelin, Qerim Arifin, por pa harruar se në këtë jehonë të vrazhdësisë makabre e përfunduan jetën edhe martirët e idealit, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.

Shoqëria e asaj kohe shqiptare, e robëruar në ato sisteme që kishin për qëllim të ndikonin sa më shumë në dëm të krijimtarisë së pastër e të çiltër, nën pelerinën e së vërtetës, i përjetoi këto goditje njëpartiake. Pushtete të tilla godasin thellë deri në palcë, duke shkatërruar raportet e krijuesit dhe shoqërisë. Pikërisht nga këto rrjedha nis edhe fushata policore se, si krijuesi do të etiketohej nga bashkëvendësit e vet, sllavo-shqiptarët duke u trajtuar nga elitat udhëheqëse të pushtetit si person non-grata.

Termi krijues përfshin një gjerësi me profile krijuesish, siç janë: shkrimtarët, piktorët, këngëtarët, arkitektët, filozofët, dijetarët, teologët - qofshin ata të krishterë, ortodoksë, bektashinj apo besimtarë në islam - të cilët shprehën pakënaqësinë ndaj një realiteti shtypës kundër shoqërisë dhe u përpoqën për mbijetesën e asaj kohe. Për këtë arsye, ata gjendeshin diku në kthetrat e robërisë të “vëllazërim-bashkimit” jugosllav. Në këto përmbysje goditëse pa kod të mbrojtjes mbetej numri i paktë i intelektualëve disidentë, që më së shumti i duheshin shoqërisë përparimtare. E përse pjesa më e madhe e shoqëririsë, nuk arriti të kuptojë se njerëz të tillë, si këta krijues, duheshin dëgjuar, pri në ardhmëri? Shkaku se, njerëzve të tillë u duheshin krijuar kushtet dhe rrethanat për të shprehur idetë e tyre e për të shpjeguar gjithë misterin që binte mbi kurriz të shoqërisë, pa e treguar diagnozën e vuajtjes shekullore. Sepse, individët e pushtetshëm, ata mesatarët, që e ndjenin veten të sigurt si të përhershmit dhe sovranët, kishin arritur të krijonin bazën e fortë partiake e klanore, dhe me të e kishin shmangur përgjithmonë mundësinë e konkurrencës. Krijuesve, edhe gjithë atyre që do të rrezatonin përkrahje të ideve krijuese për një rend të ri shoqëror. Dhe, me tiraninë e tyre të praktikuar në sistem, krijuesve të papërmisueshëm u kishin siguruar vendin e përmisimeve - burgjet: Idrizovën dhe Goli Otokun. Që, shumica e shqiptarëve gjatë ndryshimeve demokratike, do të harronin se ato ishin shtëpi përmisimi e jo universitete të shqiptarëve. Shumica nga ato burgje dolën spiunë, të zvetënuar e pak vetë të çmendur e normal për t’i përballuar torturat e tmerrshme të atij sistemi  edhe përtej varrit.

Momenti i caktuar historik i shekullit XX është bërë një përmbajtje shumë e nëpërkëmbur e njerëzimit. Nëse nga njëra anë ka lindur dhe është zhvilluar një hap i madh i zhvillimit teknologjik, teknik dhe informatik, nga ana tjetër ka pasur po aq ngecje që shfaqen me nuanca shumë të errëta. Nëse, nga njëra anë mund të quhet shekulli i dritës, pa dilema mund të emërohet dhe kreu i errësimit të një rilindjeje, sepse njëkohësisht vijnë e zhvillohen edhe të mirat materiale dhe mirëqenia, siç rriten edhe të këqijat e rrënimeve dhe shtypjeve. Në këtë relacion të të kundërtave ka vazhduar jeta e një dinamike të madhe e ka lulëzuar marshi i dirigjimeve për të vazhduar synimi i mbijetesës: nga njëra anë të ngrihen dhe sofistikohen barrierat e pushtetit, ndërsa nga ana tjetër të hermetizohet metafora. Dhe, në këtë kërkim të idesë, krijuesi gjithmonë ka hapur horizontin për të shpalosur dijen e tij, për të ngritur idenë në çështjen e luftës ndaj pushtetit që po dëmtonte shoqërinë deri në themele.

Nëse, në këto raporte të ndërgjegjes së krijuesit dilte burimisht ajo ide dhe me këtë etikë kalonte në horizontin shoqëror, si një rreze që synon sjelljen e pranverës nga dimri sistemor dhe tiranik, nuk do të thotë se sistemi rrinte duarkryq në institucione. Ai bënte plane dhe gjithçka për të ndrydhur krijuesin. Fjala vjen, pushteti i Zogut, për përmbysjen e Nolit krijues dhe vrasjen e shokëve të tij, pushtetit tiranik të Pashiqit në atë kohë i dha shumë dhurata. Shembull, Shën Naumi, me gjithë bukuritë natyrore dhe me atë potencial vlerash shpirtërore, jepet dhuratë për vrasjen e Bajram Currit; ose paguhet dora vrasëse që ngrihet kundër Luigj Gurakuqit, i cili ishte përkrahësi i ideve liberale e demokratike, që Shqipërisë i hapnin një horizont dhe e rreshtonin te vendet e para me një domethënie përparimi në ide dhe demokraci.

Qëllimi i paraqitjes së kësaj pasqyre nuk është të ripërsërisim faktet e njohura, të cilat i përmend gjithmonë kronika historike për ngjarjet e shekullit XX, por ringritja e dilemave për arsyet, pse nuk arriti një shoqëri e tillë që të bënte të mundur përmbysjen e këtyre tiranëve, që kishin pjellë gjithë këto ngrehina të zezonave. Qëllimi është të ndërgjegjësojmë të ardhmen, se në Panteonin e rralluar nuk arritën të bëhen banorë një numër i madh i krijuesve, sepse drejt tyre, dikush tjetër që nuk kishte mundësi as të bënte një hartim shkollor, mbante frerët qeverisës të shoqërisë. Pra, qëllimi jonë është të bëjmë një kuvendim sa më racional, se pushtetarët me ndjenjën e mediokrit kalërojnë përpara hundëve të shoqërisë, trumbetojnë dhe mashtrojnë, pastaj, sapo marrin pushtetin, turren të shtypin dhe shtrydhin idetë përparimtare. Qëllimi ynë, është të bëjmë një ndarje të shekullit XX, por duke qenë të vetëdijshëm se shpirti tiranik gjithmonë ka qenë faktori ndikues që numri i krijuesve disidentë të jetë shumë i pakët edhe në këtë kohë të ndryshimeve “demokratike”.

MARSHI I TRUSAKATËVE ME “VEPRA” TË ARNUARA LETRARE

Krijuesit kanë një lashtësi. Nisma e tyre krijuese ka rrezatuar vlera të arrira artistike njerëzore. Ata kanë qenë prijës shpirtëror në ballë të një populli. Edhe në Greqinë antike të tillët i kanë cilësuar si hyjni. Prandaj, dija e tyre është përhapur gjithkund dhe prej tyre, shoqëria e asaj kohe ka pritur ashtu si dita që pret të dalë dielli mbi male. Madje, dijet e krijuesve të asaj kohe nuk kanë qenë të kufizuara, por as i ka kufizuar kush në jetë. Veprat e tyre artistike me shpejtësi marramendëse janë përhapur në vende të ndryshme e në gjuhë të huaja botërore. Por, një hap të tillë e kanë bërë me një marshim shumë të shpejtë dhe vlerat mesatare edhe mediokrët. Ata, me një ngjashmëri vepruese, kanë vepruar si sot kesulëgrisurit e kollarisur. Edhe vetëm me një vështrim artisti të mprehtë dallohet marshi i vlerave sakate që e kanë mbushur tregun: universitetet, shkollat, vitrinat e librarive, bibliotekat, stendat e panaireve tradicionale me kopertina të bukura, me tituj të shkruar mjeshtërisht dhe me përmbajtje të dyshimta e fare pa vlera të arrira letrare - artistike.

Ku na udhëheqin sot hapat e një marshi të tillë të trusakatëve?

Përpara nesh janë institucionet me një stërmbushje të madhe të jovlerave, që gjithçka mund të kenë nga tregtia, nga aftësitë e menaxhimit për të arritur një kapital personal brenda natës, për të bërë akrobaci të ndryshme në ndryshimin e rreshtimeve politike, për të marrë një post, por jo për të krijuar nivele vlerash, që do të dëshmojnë se i ndihmojnë çështjes sociale e jo shkencore. Vështirë dëshmojnë se, mund të bëjnë një projekt - program për të ringritur proceset arsimore e kulturore që kanë stagnuar në vend nëpër institucione. Ende nuk mund të harmonizojnë gjendjet për të dhënë një pasqyrë reale se çfarë do shoqëria demokratike dhe çfarë i jep pushteti. Nëpër këto mistere, dita - ditës krijohet një veprimtari kolektive pa vulën e vet të identitetit, e cila nuk mund të mbrojë dhe manifestojë njëkohësisht vetveten dhe aftësitë e shoqërisë, që janë shtysa dhe përkrahja e përhershme intelektuale.

Soji i krijuesve të këtillë, padyshim kjo kope me zgjebe mediokrish, kjo Ekzamë Letrare ka krijuar vepra teknefese. Klani i tyre nën direktiva të doktorzive prangosës, ka bërë sakatime në sjellje vendimesh, por duke qenë një shtresë e gjerë tiranike, kanë krijuar një superstrukturë gjysmakësh të koperativave të sotshme bujqësore. Edhe sot si dje, kanë pasur një fuqi nëpërkëmbjesh në rendet diktatoriale, mirëpo edhe në shoqëritë “demokratike” nuk kanë rënë nga “flijimet artistike” e të bërit famë të rrejshme.

Dr. R. Qosja thekson në veprën e tij: Kështu, fjala vjen, mund të thuhet se mediokritete ka pasur nën sundimin e Çezarit dhe në ditët e pakta të Republikës së Brutit; nën sundimin e Sulltan Hamidit dhe në kohën e Ataturkut; nën sundimin e Ekaterinës dhe në vitet e Revolucionit të Tetorit. Në vazhdim, do të shtoja për të sjellë një konstatim, se fushata e tyre është mbase edhe më e fuqishme në ditët pas Revolucionit të Tetorit. Nga pasojat e mediokriteteve e pësoi një numër i madh prej miliona njerëzish në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj, pas vënies së rendit socialist, e kanë pësuar breza e breza të tërë krijuesish. Po të sjellim pasqyra të tilla, do të kishim një gjendje shumë tmerruese, që njerëzimi, apo drita e njerëzimit në tokë, ka jetuar shumë pak në atë kohë. Gjithçka që ka kaluar nëpër këta shekuj mund të trajtohet dhe emërohet si një Mesjetë, si errësirë, si luftë kryqëzatash.

Përhapja e tyre nëpër gjithë shtresat e njeriut dhe në gjithë hapësirat e sistemeve shoqërore është bërë dhe bëhet për disa shkaqe:

E para bëhet se shoqëria, duke rendur pas nevojave që të nisë proceset, ka humbur përkujdesjen për të përgatitur njerëz adekuatë për një të nesërme. E dyta, se duke hyrë në garën për të qenë i pari në pushtet dhe për të pasur një lukuni të përhershme përkrahësish, ai ka shpikur me mendjen e tij gjeniale mekanizma që e kanë penguar shoqërinë të ringrihet në kulmet e saj botërore. Dhe, e treta: sa më e varfër me dije të jetë një shoqëri, aq më e nënshtruar dhe më dinjitoze del në shërbim të lartmadhërive. Kjo bindje ndaj atyre që mbajnë sistemin është ende në modë dhe e preferojnë liderë që rreth vetes duan njerëz servilë, që t’u shkojnë përshtat e të mos ua paraqesin realitetin sipas bindjeve dhe kritereve vlerësuese reale popullit.

Prezenca e mediokritetit në përmasën tonë shqiptare, që njihet si një hapësirë shumë e ndërlikuar dhe e veçantë, ka një natyrë shumë përçudnuese. Ajo ka rrëmbyer me fuqi e ngulm udhëheqjen, dhe nuk ka lejuar që nga kornizat e saj të dalë lirshëm ideja krijuese. Më së shumti evoluimin e saj e ka mundësuar çështja jo adekuate e zhvillimit dhe pushteteve që e kanë qeverisur. Por fundja, edhe si e tillë, në këtë hapësirë të ndodhive të ndryshme, krijimtaria e mediokërve ka arritur të ketë interesim nga shtresat e gjera lexuese. Fjala bie, sot më me ëndje ndiqen trumbetimet e mediokërve, sesa një krijues i vërtetë disident.

Është evidente se mediokrit, rastësisht prej momenteve, turren të bëjnë imitime, arnime të librave. Ata i përshtaten gjendjes shoqërore, për ta vënë në shërbimin e tyre, për të përfituar nga ajo poste dhe mjete materiale.

Kush do të mund ta bënte atë përshtatje arnimi, përveç trusakatëve?

Nëse krijuesi i vërtetë synon të krijojë për të ndërgjegjësuar popullin, që ai të jetë në të njëjtin hap me kohën, që ai të luftojë moszhvillimin, të gjejë trendin me të cilin është aktuale si shoqëri, mediokrit gjithmonë bëjnë të kundërtën. Ata me elozhe për udhëheqjen ia shuajnë shoqërisë ndërgjegjen, ia lustrojnë të këqijat, ia pudrosin mirëqenien, që të duket e bukur në pasqyrë. Nëse shoqëria nis rrugën e mbarë të kërkojë realizimin e aspiratave për të cilat i orienton krijuesi i vërtetë, mediokrit me një shpejtësi lakuriqi nëpër errësirë, vënë në skenë dramat teknefese për të përfituar opinionet, përurojnë “veprat letrare” për të krijuar vulën e renesancës, krijojnë ngjyrat e autoktonisë, edhe pse janë vetëm kopjues dhe kope të përshtatshmërive politike.

Nga një avangardë e tillë prej skribomanësh e ka pësuar dhe do ta pësojë krijimtaria e vërtetë artistike. Kjo dukuri e ka përcjellë me vite në përgjithësi krijimtarinë shqiptare. Edhe në Shqipëri, krahas nivelit të lartë të një elite shkrimtarësh, kopeja e mediokërve hyri krah për krahu në valle dhe priu pas vitit 1990, gjatë ndryshimeve demokratike. Po e njëjta dukuri, me krijimin e rrethanave, u dha mundësinë mediokërve që të mbjellin frytet e tyre duke u dhënë mundësinë që të shtresohen nëpër rafte të librarive e bibliotekave. Një gjendje e tillë ka stërkeqësuar dimensionet e krijuesit. Sot, me të drejtë mund të thuash se, në çdo katër qytetarë, njëri është poet, është romancier, filozof, është… Ose: një katund i Tetovës i ka njëqind krijues, që kanë botuar nga një, dy e më tepër libra.

Në realitet, jemi varfëruar dhe po të vëmë në dioptrinën e pamjeve dhe të një analize të mirëfilltë krijimtarinë e këtyre viteve, me të drejtë do të mund të mbusheshin shumë e shumë deponi me fletore - librat e shkarravinave të këtij niveli krijuesish. Mediokrit, duke dashur të spikasin unin e tyre të gjenezës, me një provincializëm stereotip duan të duken heronj në ditët e sotme. Ata, por edhe prijësit e politikës, duke qenë të kufizuar nga aftësitë e të qenit intelektualë përmasash, kultivuan bashkërisht një hendek ku do të notonin në territoret provincialë si të parët e katundit. Ata, ashtu si dhe politikëbërësit, me anën e propagandave provinciale në elektorat përshtatën edhe përurime veprash provinciale për të befasuar mesin ku jetojnë si krijuesë me perspektivë. Dhe, me një krenari, gjegjësisht me një veçanti të madhe, pa i matur dhe llogaritur aftësitë e tyre në përmasën shqiptare, shpikën licencën e të parëve provincial në Katund.

Është shumë e panevojshme, sipas këtij klani, që në tabanin mbarëshqiptar të ketë një sinkronizim. Po të bëhej e mundur një ligjshmëri e tillë - për shembull: bie fjala për krijuesit e Llapit apo të Gjakovës, ashtu siç mund të flitet dhe për krijuesit e Tetovës e të Strugës, se për krijuesit në Shqipëri mundësohej dalja në dritë e veprave të arrira artistike, atëherë si do të kishin mundësi mediokrit ta përshtatnin arkitekturën e arnimit të “veprave” të tyre në dimensionin kombëtar? Ku do të mbesnin provincialët, ata që lindin e rriten në batakun e lokalizmit mes plehrave dhe gjatë gjithë kohës, për një ambient lokal bëjnë gjithçka që mos ta grisin murin e errësirës, që mos të depërtojë asgjë nga gjithë shqiptaria...

Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora