Mendime
Enver Bytyçi: Zelensky i Kosovës dhe aleatët e Putinit në Ballkan!
E enjte, 04.08.2022, 06:59 PM
Zelensky i Kosovës dhe aleatët e Putinit në Ballkan!
Nga
Enver Bytyçi
A
do të kishim një vendim të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në dokumente
dhe për targat e makinave me Serbinë, nëse president ose kryeministër i vendit
do të ishte Hashim Thaçi?! Me siguri të plotë se jo. Thaçi e Rama ishin marrë
vesh me Aleksandër Vuçiq që veriu i Kosovës të bëhej pjesë e sovranitetit të
Serbisë dhe më pas Kosova të ndahej. Serbia dhe Shqipëria do të ishin në këtë
rast shtete me kufij tokësorë të përbashkët. Madje marrëveshja midis këtyre tre
liderëve ballkanikë parashikonte që Serbia të kishte edhe një kufi detar të
përbashkët me Shqipërinë.
Që
këtu duhen shikuar arsyet pse presidenti i Serbisë, Vuçiq, është çmendur dhe
kërkon luftë me Kosovën! Ai imiton sot paraardhësin e tij, Sllobodan
Milosheviç! Të dy këta, Milosheviçi i 15 vjeçarit të fundit të shekullit të
kaluar dhe ky Vuçiqi i 15 vjeçarit të fundit të këtij shekulli ngjajnë në
retorikën dhe qëndrimet e tyre anti-shqiptare! Vuçiq e nisi provokimin e fundit
në veri të Kosovës me retorikën e "përndjekjes", "presionit për
shpërngulje" dhe "persekutimit" të serbëve në Kosovë! E nisi
këtë provokacion gjithashtu me retorikën e fajësimit të Albin Kurtit, edhe pse
vendimi i Kurtit për reciprocitet parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar
midis Thaçit e Serbisë para gati 10 vitesh!
Në
gjithë diskursin politik të Beogradit, ku dallohen dy Aleksandër-it, ai me
mbiemrin Vuçiq dhe tjetri Vulin, ka një qasje milosheviçiane dhe putiniane. Me
Vladimir Putin ngjashmëritë janë më të freskëta. P.sh "bota ruse" dhe
"bota serbe", si dy kategori të koncvepteve të shovinizmit serb e
rus, ngjajnë aq shumë midis tyre. Pas kësaj vijnë akuzat vuçiqiane kundër Albin
Kurtit, të cilat i ngjajnë akuzave putiniane kundër presidentit ukrainas
Volodymyr Selensky-t, për "rracizëm", "nazizëm", e
"terrorizëm"! Kurba e kësaj retorike vjen nga viti 1985, kur Akademia
e Shkencave dhe Arteve të Serbisë hartoi memorandumin e "Genocidit të
shëiptarëve kundër serbëve në Kosovë"! Asokohe u mor si shembull i
precedentit vetëplagosja e një të riu me etni serbe me emrin Martinoviç! Tani,
për platformën e "dhunës së shqiptarëve kundër serbëve" shërbeu
vendimi për vendosjen e dokumenteve të reja për targat dhe dokumentet.
Vuçiq
vendosjen e targave të Republikës së Kosovës e konsideron "genocid"
kundër serbëve! Kjo vjen, sepse ai Kosovën e konsideron si "pjesë të
territorit të Serbisë"! Por e vërteta juridike ndërkombëtare është krejt
ndryshe! Në pikëpamje të kësaj të drejte, bazuar në Rezolutën 1244, Kosova nuk
është e as nuk mund të jetë pjesë e Republikës së Serbisë. Ajo rezolutë e ka
nxjerrë Kosovën nga sovraniteti serb dhe e vendosi nën administrimin
ndërkombëtar. Por edhe shpalljes së pavarësisë Kosova sipas Rezolutës 1244, nuk
do të ishte pjesë e Serbisë. Në këtë rezolutë, të votuar edhe nga Rusia, thuhet
se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në kuadër të Republikës Federale të
Jugosllavisë (Serbi e Mali I Zi)! Kjo nënkuptonte që Kosova të ishte një
republikë, me status të barabartë me Serbinë e Malin e Zi brenda asaj federate.
Nuk kishte asnjë klauzolë, e cila të parashikonte që Kosova të kthehej në
statusin e kohës së Rankoviçit e të quhej "Kosovo-Metohi", siç e quan
sot presidenti Vuçiq! Federata u shpërbë me shpalljen e pavarësisë së Malit të
Zi!
Por
nga vjen gjithë kjo kurajo e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, sa të kërcënojë
me filozofinë milosheviqiane e putiniane paqen e stabilitetin në rajon? Së pari
nga presidenti rus, Putin! Ai është peng i Kremlinit dhe kushdo që beson se
mund ta ndryshojë kursin e Serbisë në drejtim të Perendimit, sidomos NATO-s,
gabohet! Së dyti, Vuçiq është peng i eksperiencësdhe mentalitetit në luftrat e
viteve 1990, kur ishte protagonist i dhunës, mizorive serbe dhe masakrave
kundër popujve jo-serbë. Ndërkaq presidenti i Serbisë inkurajohet edhe nga
mbështetja e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit në Kosovë! Janë
shqiptarët shqip-folës ata që më së shumti i japin kurajo presidentit Vuçiq të
adresojë ushtrinë kundër Kosovës! Duke dalë me të njëjtin qëndrim kundër
qeverisë së Kosovës, këta vëllezër shqip-folës
të Vuçiq shndërrohen gjithashtu në aleatë të presidentit rus, Putin!
Por
nëse Beogradi, Serbia dhe Vuçiq me ndihmën e Putinit e të Edi Ramës bëjnë ndonjë aventurë në Kosovë,
atëherë Albin Kurti do të shndërrohet në një "Selensky të Kosovës"!
Dhe sa kohë që Albin Kurti do të mbrojë shtetin, shtetësinë dhe territorin e
Kosovës, aq kohë ai do të jetë një Selensky për vendin e tij! Kjo nuk do të
thotë që Kurti të vetëkënaqet e të kalojë në euforinë e një lavdie
mbinjerëzore! Por kjo do të duhet të shërbejë si nxitje për të ruajtur paqen e
stabilitetin në Kosovë e më pas edhe në rajon. Shtetësia e Kosovës, tërësia e
saj territoriale janë kushte të panegociueshme për ruajtjen e paqes, sigurisë
dhe stabilitetit në Kosovë e në rajonin tonë!