Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha III)

| E diele, 21.12.2008, 12:32 PM |


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Berisha :” Jo, Nano nuk e dogji Shqipërinë”

Nuk kishin kaluar as pesë muaj kur Nano hypi në fuqi kushedi për të satën herë, ndofta këtë herë edhe me lejen e Berishës. Unë, natyrisht, nuk mund të rrija e të bëja sehir se si pushtetit i Nanos po gëlltitste gjithcka; fondet, institucionet e pavarura kushtetuese,etj. Reagova fort në parlament e në media.Filloi sulmin shtetror ndaj meje. Kontrolle dhe paralajmëroi se do të shkohet drejt penalitetit. Ashtu dhe vertet ndodhi siç tashmë e di opinioni shqiptar. Në përvjetorin e themelimit të PD, në dhjetor 2002, Berisha ftoi mikun e ri Fatos Nano, tashmë në cilësinë e kryeministrit . Nano shkoi me një shpurë njërëzish, aq sa në përvjetor kishte me shumë socialistë se sa demokratë. Ishte koha e dashurisë mes tyre. Për ti bërë qejfin kreut të PD-së shkarkoi me zhurmë Fatos Klosin ,shefin e Sherbimit Sekret. Ti shaje Nanos zotin Berisha të nxirrte jashtë zyre. Po kështu ti flisje keq për Nanon kreut të PD shtrembëronte buzët. Në atë motmoti kur këta dy liderë historikë që e kanë ndërtuar dhe shkatërruar bashkë Shqipërinë nuk ishte e udhës që të thoje ndonjë fjalë të pavend për ndonjerin, pasi mënjëherë e merrte vesh tjetri. Meqënëse politikën e kam edhe “si punë loje” siç thotë Preç Zogaj me shkoi mendja tek një djallëzi . Ma kishin thënë se po ti shaje Saliut kryeministrin Nano pas zgjedhjes së Presidentit Moisiu nuk e kishe të gjatë karrierën ndaj nuk e besova, por më mirë mendova ta provoj vetë . Ishte dhjetor 2002. Nano ishte në përvjetorin e themelimit të PD. Të nesermen shkova në parlament. U futa në kafen e Kuvendit dhe kur vjen Fatos Nano. Nuk gjeti vend bosh dhe kur mu ul në tavolinë. Sapo kishim filluar të “kruheshim “ me njeri tjetrin në parlament dhe në gazetë. Por nuk kishte ardhur koha për “luftë” me njeri tjetrin.

-Ç’kemi ? – mu drejtua direkt Fatosi dhe porositi një xhin.

- Si shumë je shendoshur tash që je martuar ! Dhendërat sikur dobësohen 6 muajt e parë !- e ngacmova, duke e ditur se do të jepte ndonjë përgjigje me të njëjtën ironi.

- A më ha k…. !- foli dhe vazhdoi – Pse të ha b… me mua ? Rri ore rehat. Rruaj ndonjë gjë sa ta kem unë në dorë – dhe sakaq e rrufiti xhinin që i erdhi.

- Nuk na lë Saliu !- e ndërpreva kryeministrin.

-Është burrë i mirë Saliu. Kot i kemi rënë në qafë- foli dhe ndërkohë erdhi gota tjetër me xhin.

-Ç’burrë i mirë ?! Ai dogji Shqipërinë- e ngacmova për të parë deri ku kishin arritur ky burrë me Saliun në “dashurinë e re”.

-Çfarë dogji Saliu ?!

-Shqipërinë !- iu përgjigja.

-Ç’rrota që jeni ! Atë e dogji dikush tjetër, po ku merrni vesh ju- tha dhe u ngrit. Shkoi tek tavolina e Makbule Çeços. Seanca parlamentare akoma nuk kishte filluar. Deputetët ishin të gjithë në kafene ose koridoreve. Mendja e djallëzisë më pushtoi të tërin. Trokita tek dhoma ku rrinte Saliu në parlament. Sapo futesh në Kuvend, majtas, dera e parë është e Saliut. E gjeta me Shaban Meminë. I tha Memisë që të na linte vetëm. Porositëm nga një kafe dhe filluam kot së koti muhabet. Ende nuk ishim miqësuar.

-Ç’bëhet më këtë Nanon ?- iu drejtova.

-Pse çka ?- foli dhe më pa në sy këtë herë.

-Është hajdut i madh. Vetëm për të vjedhur e ka mendjen, ta rrëzojmë !

-Jo Nikollë ! Tani e kam njoftë mirë. Është politikan me vizion dhe janë të tjerë që kanë vjedhë nën emrin e tij. Ai nuk vjedhë Nikollë !- foli me një vendosmëri a thua se ishte në miting. Më pas folëm për gjëra koti dhe ra zilja e parlamentit. Duhej të futeshim në sallë. Më iku mendja. Ishin bërë miqë për kokë Nano dhe Berisha.

Berisha: “Nano kupola e krimit të organizuar”

Nuk kaluan shumë muaj dhe , ata të dy, ishin prishur në pazaret e tyre politike. Sapo kryeministri Nano në prill 2003 bëri në panoramë të arritjeve të qeverisë së tij nuk vonoi dhe në foltoren e parlamentit kur del pa leje Berisha.

Ky njeri krimit, ky njeri që nuk ka skrupuj moralë dhe as shpirt shqiptari dhe që e ka zemrën të zezë duhet të ikë . Të ikë dhe shporret , pasi po vjedh shqiptarët, po shkatërron vendin- e hapi me sulm Saliu. Të gjithë shtangën në sallën e Kuvendit. Edhe vetë deputetët e PD-së , të cilët nuk e dinin se kishte ndërruar pllakë Berisha. Siç duket diku i kishte dalë nga fjala Nano. Kur kalon lumin Fatosi nuk të njeh fare. E njihja mirë atë. Por ende nuk njihja nga afër liderin e PD-së.

-O fati im !- iu drejtua Nano liderit të PD-së në sale - Unë do të qëndrojë në pushtet sa kohë ti të jesh kryetar i opozitës- filloi gjithë pordhë Fatosi. Ishte akoma në majë kalit të pushtetit, kalë që i vraponte mes turrave të parave dhe pronave të pafund që ti jep pushteti. U ul shefi i socialistëve në podiumin e kryeministrit dhe filloi të mbllaçiste një çamçakiz sikur të ishte Zot i shqiptarëve. Ishte koha që kishte filluar të ushtronte presion shtetror ndaj meje dhe medias time. Por akoma jo në “gjendje lufte”. Kishte filluar ndonjë reagim nga keshilli i Europës dhe organizata ndërkombëtare e Gazetarëve kundër presionit qeveritar ndaj gazetës “Koha Jonë” e cila sa vinte po bëhej më kritike ndaj tij. Gazeta po vazhdonte të botonte dokumenta zyrtarë komprementues për familjen Nano dhe vetë kryeministrin. Dhembët e Nanos sapo ishin nxjerrë publikisht kundër meje si deputet dhe si botues. Saliu që rrinte në roje të sherrit tim me Nanon sapo hynte në parlament vinte e më jepte dorën para të gjithëve si për t’ju thënë se “ Lesi ka mbrojtjen time !”. Ai si mjeshtër për tu rikthyer në pushtet shfrytëzonte çdo element antiNano në politikë e aq me tepër në media. Ndërkohë kreu i Ekzekutivit e thumboi përsëri si për ta acaruar . Ngrihet nga vendi në sallë dhe me vrik e me një hap të gjatë sulet kah vendi ku flasin deputet në podium.

- Ti je një antivlerë kombëtare- iu drejtua Fatosit i cili qeshte e karikonte deputetët e tijë që ti bënin zhurmë Berishës, kur fliste. Gazmir Bizhga dhe Taulant Dedja , deputetë të PS ngrihen nga podiumi duke ia bërë me gisht atij që po fliste.

-Ti je kriminel ! – dhe shajnë Saliun. Plas turra e deputetëve të PD-së që rrethojnë kryetarin e tyre. Nano qeshte. Forcat e Gardës hyjnë në sallë për të ndarë sherrin. Seanca parlamentare u pezullua. Pas një orë rifillon prapë sherri.

- Ti po sulmon njeriun me të pavarur në median shqiptare Nikoll Lesin !- fliste Saliu- Ti po prek pavarësinë e medias- vazhdonte prapë. Unë kisha ulur kokën , pasi disa deputetë pas meje me thonin më zë të ulët “ E paske rregulluar me Saliun ! Shiko si po të mbron ?!”- më pëshpërisnin në vesh. Ndonëse kishte të drejtë në ato çka thoshte, por ndjeja se vetë Saliu e bënte për të goditur liderin e mazhorancës. Shumë nuk i plaste për mua. Megjithatë në thelb duhej falenderuar për atë mbeshtetje e cila nuk ishte e vogël përballë pushtetit të Nanos që sa vinte e kriminalizohej.

- Nikoll ! A po vjen pak në zyrën time ?- ishte Saliu. Pas seancës së sherrit në Kuvend po më telefonte. Kisha qenë vetëm një herë në zyrën e tij në kohën e Luftës së Kosovës bashkë me Ylli Rakipin, botuesin e gazetës “Albania”. Asokohe për Kosovën duhej përbashkimi kombëtar pa dallim feje e ideje . Duhet të bënim një miting në sheshin “Skenderbej” ku të ishin edhe pozita , edhe opozita. Asnjëra nuk i shkonte tjetrës. Atëhere e morëm përsipër unë dhe Rakipi. Kishim rënë dakort për mitingun me Presidentin Meidani dhe partitë e majta, por duhej edhe fjala e Saliut. Ndryshe nuk kishte kuptim mitingu.

- Po Nikollë ! Do të vijë në miting për Kosovën. E kush vjen prej atyne ?- më pyeti për të majtët.

- Besoj Meidani si president , Majko, Gjinushi etj.

-Mirë, mirë ! Qenka dhe Skenderi ?!- tha me inat.

-Është miting për Kosovën !- fola.

-Do të vijë !- tha prerë. Dhe vertet erdhi, ndonëse me Yllin prisnim para sheshit Skenderbej para mitingut me mendimin se na genjeu.

Pas kësaj telefonate bëhej hera e dytë që hyja në zyrat e PD-së. Në të vertetë kisha plot miqë demokratë dhe në selinë blu. Ata më kishin shikuar si “armik” që iu kisha marrë pushtetin. Ishte krejt ndryshe nga ajo çka mendonin militantët e tyre. Unë kisha kritikuar të këqijat e pushtetit të Berishës dhe nuk heq asnjë presje nga ato që kam shkruar. Ia kam thënë në sy Saliut se gaboi në vitin 1996 me zgjedhjet dhe piramidat. Ato e rrëzuan. Unë vetëm sa i dhashë të shtyrën… Hyra në selinë blu. Roja nuk më pyeti fare pasi ishte lajmëruar në sekretarja e Saliut. U ngjita sipër. Po më priste në paradhomë.

- Do kafe ?

- Po !- u përgjigja. Dhe ndërkohë mbërrin pas telefonatës së brendshme të tij sekretarja me kafe në dorë.

-Më shumë sheqer e pi !- prapë pyeti.

-Po!

- A do ujë me gaz apo pa gaz ?- vazhdonte ai.

-Me gaz !

Dhe mënjëherë i hodha një sy zyrës së tij. Një pikturë e madhe ishte përballë karrikës ku ai punonte. Zyra ishte e vogël, por mjaft e mobiluar me shije nga Saliu.

- Nikollë !- e theu heshtjen e krijuar në moment- Qëndrimi jot është mjaft kurajoz. Të vlerësoj . Prandaj të mbeshteta sot në Parlament. Ti duhet të futesh në Koalicionin e djathtë, zyrtarisht.

- Këtu jam !- fola- përderisa kam pranuar të futem në Partinë Demokristiane e cila është parti e qendrës së djathtë nuk ka se si të luaj ndryshe- fola furishëm.

-Po, Po ! E di ! Por duhet të shfaqesh në publik dhe në parlament sa më shumë afër meje që t’ju tregojmë se po forcohemi – dhe mënjëherë u çua në këmbë.

-Ti bën luftë me një klikë mafioze. Nano është kupola e krimit të organizuar. Kam plot dokumente këtu në kasafortë- dhe shkoi e hapi një kasafortë. Më nxori një mori dosjesh me letra, por nuk mi dha mua. I futi prapë në kasafortë. Nuk e di se çfarë kishte brenda atyre, dokumenta për Nanon apo dokumenta të PD, hajde e merre vesh. Mbarova kafen dhe e pyeta.

-Përse nuk organizon një takim të partive të opozitës?

-Do ta bëj javën tjetër. Ti do të vish patjetër në këtë takim- nxitimthi fliste dhe më shikonte se si po reagoja.

- Tregohu konkret !- vazhdova pa e ditur se nuk e donte ashtu bisedën për ti dhënë mend atij.

-Nikollë ! Atë e di unë ! Ti hajde. Hajt mirëupafshim !- tha dhe u çua sikur ta pickonte gjë në kolltuk. E kuptova se nuk duronte ti jepje mendje. Ika . Javën tjetër nuk i shkova në mbledhjen e partive të djathta për ti thënë se me respekto dhe mos shiko si sherbetor. Kisha dhënë prova që nuk isha sherbetor, të paktën me vetdije. Me merrte në telefon nga mbledhja ku ishte në hotel Tirana dhe nuk ia hapja telefonin. Thashë që ti jap të kuptojë se duhej të na trajtonte si të barabartë dhe jo vasalë të tijë. Pas dy ditësh shkova në parlament. U ula në rradhën e parë dhe po shkruajë diçka mbi një projektligj që na kishte ardhur për miratim. Majtas kisha Arben Imamin dhe Preç Zogajn.

- Erdhi Saliu !- me ushti Preçi me bërryl. Zogaj po ofrohej përditë e drejt Saliut. Ndjehej ngushtë vetëm kur Berisha fliste kundër dushkarëve. Preçi ishte me Imamin dy prej atyre që erdhën nga Dushku. Por natyrisht që ishin vlera të politikës. Dhe vlera si intelektualë. Nuk e ktheva ktheva kokën fare nga Saliu. Nuk doja ti jepja të kuptonte se lakohesha para tij. Aspak. Unë po bëja luftë me kryeministrin e jo më të përulesha tek Berisha. Po të donte partneritet, isha dakort. Ndryshe nuk pranoja. Saliu ishte dhe mbetet mjeshtër për disa punë ose më saktë kur ka punë interesi partiak.

- Ku je Nikollë ?- tha me dha dorën.- Ishe me gripë ?- pyeti si për të më thënë se e di që ke qenë mirë me shendet.

-Paksa ...!- thashë . Na kërkoi të pinim kafe. Me ne erdhi dhe Sokol Olldashi. Sokolin e donte dhe i besonte se ai nuk e genjente si disa të tjerë. Folëm e folëm.U bëmë pothuaj miq. Vetëm për të rrëzuar Nanon si fillim.


“Nano ik” dhe përplasja para kryeministrisë

Atë ditë të 7 shkurtit 2004 jam ndjerë si kurrë më keq mes një turme që donte të shqyente kryeministrinë si me 14 shtator 1998. Kishte pak muaj që kishte dalë parrulla “Nano, ik !”. Mitingje kudo dhe deri diku ishte paralizuar jeta politike dhe ekonomike në vend. Nano kur kishte supërmitingje ikte jashtë shtetit me pretekste nga më të ndryshmet. I kujtohej 14 shtatori i vitit ’98, kur i kishin hyrë turmat e egërsuara demokrate në zyrën e kryeministrisë e ai kishte ikur për në Maqedoni i veshur si grua. Disa thonë i veshur si fshatar, me mustaqe. Por sa herë i kujtohej ajo ditë, drithërohej. Jemi pra në vitin 2004. Saliu kishte bërë thirrje që e gjithë Shqipëria të vinte në Tiranë. Sheshi “Skenderbej” ishte tejmbushur diku tek 100 mijë veta. Ishte pak a shumë si mitingu kur erdhi sekretari Amerikan i Shtetit zoti Bejker në vitin 1991 . Plot e përplot. Forcat sampiste kishin rrethuar Tiranën dhe në veçanti zonën e kryeministrisë. Armët luftarake kishin dalë nga strehimet. Tanket ishin në gadishmëri. Por përballë asaj turme stërmadhe nuk kishte ushtri që ia dilte. Vetëm gjakderdhja. Po ecnim nga pak e nga pak drejt nga sheshi “Skenderbej” drejt kryeministrisë. Para hotel Dajtit afër Berishës, Mediut dhe Spahisë fillova të kundroj turmën varg pas nesh. Kishim arritur diku afër dy kullave binjake të cilat sapo kishin filluar konturimin. Edhe 50 metra dhe ishte dera e kryeministrisë. Turma u egërsua. Saliun e rrethuan një shpurë trupgjatësh dhe nuk e pashë më. Mua me mori masa e madhe e njërëzve dhe më levizte si levozhgë. Kisha përveç Myslimit, shoqëruesit që punon prej 12 vitesh me mua edhe tre shoqërues të tjerë që kishin ardhur për atë ditë. Isha në mes tyre, por edhe ata mes turmës. Turma ngushtonte lakun edhe rreth meje. Papritmas e shoh vetën tek telat me gjemba të kryeministrisë. Rrjeshti i parë i telave me gjemba kaloi. Britmat “Nano. Ik !’ me ushtonin në vesh si bori makine.” Fatos Nano o zagar, do të varim në litar !”, ishte parulla tjetër më për zemër e turmës. Ushtarët e Gardës dhe forcat speciale ishin nja pesë rrjeshta njeri pas tjetrit me armë zjarri gati. Doja të nxirrja celularin dhe të merrja Saliun që ti tërhiqte, por as që bëhej fjalë për të futur dorën në xhepin e xhaketës. Shoh Pjetër Arbnorin që dy zdapa të mëdhenj e ngritën peshë dhe për pak sekonda e vunë tek dera me gjemba ngjitur me rrethimin e dytë, mua para derës kryesore të kryeministrisë. Komanda e gardistëve u dëgjua :” Gati për të qëlluar !”. Oshëtimat e turmës pas nesh dhe mes nesh ishin për tu futur në kryeministri dhe djegur gjithçka. Në të vertetë dukej si grusht shteti. Por ku kishte kohë aty dhe në atë moment të mendohej si është grushti i shtetit. Mu para meje një djalë i ri nxjerr dy granata. Me sa dukej ishin me rreze të gjatë veprimi pasi ishin gjithë pulla-pulla jeshile.

-Hidhi !- bërtiti anash meje një protestues- Vriti këta qena të Fatos Nanos !- vazhdonte ai dhe nxiste djaloshin para meje. Bodigardi im kishte mbushur pistoletën të cilën e kishte me leje dhe e mbante në dorë në xhepin e xhaketës në gatishmëri nëse shikonte ndonjë rrezik për mua. Nuk flitej më për djersë në atë çast. Ishmn të gjithë qurkë nga djersët. Thonë se ishin djersë vdekje. Për tu kthyer dhe dalë nga rreshti i parë as që bëhëj fjalë. Pyeta atyr afër nëse shikojnë ndonjë drejtues të selisë së PD , por më thanë asnjë nuk duket. Turma nga pas shtynte me sa fuqi kishte që të futeshin brenda në kryeministri. Gardistët dhe forcat speciale qëlluan në ajër. Një tmerr i vertetë. Ishte paralajmërimi i fundit i tyre. Mitingashi para meje me dy bombat gati për t’iu hequr siguresën më shikoi mua në sy .

-A ti hedh ,shef ?!- mu drejtua dhe priste që vetëm të thoja “PO”. Me thotë në vesh Myslimi se “ të gjithë rrotull nesh kanë nga një bombë në xhep dhe armë”. Bombaxhiu me dy copë në dorë me ngjiti nofkën “shefi”. Të gjithë u karikuan dhe brohoritën “Lesi ,Lesi !”. Eh, ç’mu desh !”-thashë me vete. Më ngritën në krye të turmës duke brohoritur. Pashë Pjetër Arbnorin që një tullac dhe një tjetër me mustaqe e ngrinin si mua këta të tjerët. E tundnin para ushtarëve me armë. Unë isha katër metra pas Pjetrit. Dera e madhe e kryeministrisë mu duk si dera e ferrit. Myslimi, shoqëruesi më dha sinjal se duhet të gjejmë mënyrën për të dalë nga rreshti i parë i luftës, ku na kishte futur turma. Mund të plaste nga casti në cast përleshja me armë. Kishte mbi një orë që turma donte të hynte në kryeministri, ndërsa gardistët dhe ushtria rezistonin pa qëlluar direkt e në mish njeriu. Pyeta për Saliun se mos e shikonin gjëkundi. Më thanë se nuk e shohin. Diku nga rrjeshti tjetër që ishte një hap murin të kryeministrisë nga ana e hotel Rongerit shoh Ei Palokën shoqëruar nga Dem Dollapi, një militant historik në PD. Ata bënin ta shtynin turmën jo kah kryeministria. Ngrita sytë për të parë mbi tarracën e kryeministrisë, aq sa mund të shihej prej atij pozicioni të vështirë dhe afër derës së kryeministrisë. Shoh dhjetra ushtarë me mitraloz me tyta nga turma. Po vrisja mendjen se si ti tërhiqja nga hyrja brenda kryeministrisë, por dhe pa më qëlluar mua në shenjë revolte ndaj mos djegies së kryeministrisë. Pjetri akoma ishte “varur” para telave me gjemba mu para derës kryesore. Prapë ata dy mitingashët e mbanin në krah Arbnorin e shkurtër. I dukej koka plot djersë. “Nano ik !” bërtiste Pjetri dhe me zor mbushej me frymë. Nuk priste më puna. Nga çasti në çast mund të thyhej dera kryesore. Më pas e merrnin vetë me mend se çfarë ndodhte. Por këtë rradhë të vrarët do të ishin me qindra. Dikur arrita të nxjerr celularin dhe lexova një mesazh të Berishës:” Largoji nga dera e kryeministrisë!”. Nuk prita më. Mendova djallëzinë për ta shpëtuar kryeministrinë , por dhe turmën nga gjaku. T’iu thoja se më ka dërguar mesazh Berisha nuk besonin. Ti bindja , nuk bindeshin pa hyrë dhe djegur. Atëhere hyra në një lojë që vetëm unë e di se si më doli me sukses. Nxora celularin me zor nga xhepi. I bëra shenjë bodigardit që të thërriste që të mos bërtasin sa të flasë pak me Saliun. Mendova ti bind skur po flisja me Saliun. Nuk do ta harroj atë lojë aktori për shumë vite. As Ndricim Xhepa nuk mund ta luante më bukur në atë moment. Kur sheh përballë e përreth vdekjen bëhesh aktor i madh !Nëse nuk do të bëhesha “aktor” atë çast sot me siguri lulet për numrin e të vrarëve do të ishin stivë e madhe. Ndofta dhe unë me ta.

-Pushoni, pushoni ! Po flet me Berishën ! –u dëgjuan thirrje. Më ngritën në krahë mes turmës.

-Alooo ! Doktooor !- thirra me sa fuqi kisha. Doja që sa më shumë të dëgjonin se po flisja me Sali Berishën. U vendos një farë qetësie. Granatat ishin prapë në duart e atij djalit para meje. I hodha një vështrim nga sipër. Gardistët hoqën mburojën para fytyrës dhe shikonin edhe ata me një shpresë. Nuk donin të shkrepnin kembezën. Më njohën . Më kishin parë në televizor. Pjetër Arbnori me hodhi një vështrim që sikur lutej “Aman!”. Ai vazhdonte i varur mes telave me gjemba për tu bërë therror për PD.

-Doktor ! A të futemi brenda ta djegim kryeministrinë ?!- gërthita sa fuqi kisha , sikur nuk e degjoja.

Ta djegim ! Ta djegim ! – bërtiti turma. Mos thashë me vete. Më duket ia vura zjarrin asaj dhe vetes. Unë doja të dilja diku tjetër, por turma e mori si përgatitje për sulm. Gardistët ulën mburojat e fytyrës dhe drejtuan automatikët drejt nesh.

-Si ? Si ? Nuk degjoj doktor !- fola prapë me zërin në maksimum- Çfarë të bëjmë pra ? –vazhdoja sikur komunikoja me Berishën. Në të vertetë ai kishte ikur diku në një qoshe dhe vështronte ne , por unë nga të dija se ku rrinte ai. Më vonë e mora vesh se ishte shumë larg meje dhe Pjetër Arbnorit.

-Si ? Ta lemë për herën tjetër ?! Të kuptova ! Dakort ! Po, po ! Iu them unë këtyre- volumin e zërit e kisha ngritur në kulm. Duhej ta degjonin “bisedën” shumica e atyre që ishin për luftë. Në moment turma filloi tërheqjen. Mora frymë lirshëm. Pjetrin e kishin lenë vetëm. Me zor e mbanin kembët.

-Burrë i keq ! Frikacaku !- shfrynin për Saliun me të vendosurit e asaj dite për luftë dhe gjak. Kaluam me njërëzit që më ruanin vilën kryeministrore dhe në këmbë arrita tek Grand Hotel. Piva një kafe. Pas 10 minutash vjen një oficer garde që dikur e kisha ndihmuar për tu punuar në Gardë në kohën e kryeministrit Meta.

-Festoje sonte !- më tha.

-Pse ?

-Ti dhe Pjetër Arbnori shkonit në atë botën e përtejme sot !- foli me një drithërimë zëri.- Ishit në shenjestër nga disa pjestarë të turmës afër jush për të patur pretekstin për të rrëzuar pushtetin- më tha sikur do ta dëgjonin ata të Bathores. Atë natë e festova me dy djemtë , Elvisin , Julin dhe bashkëshorten, Natalinë. Piva verë të kuqe. Nëse nuk tërhiqja atë pjesë të turmës së ekzituar nga vija e sulmit e kuqja do të mbulonte sheshin para kryeministrisë. Gjak dhe të vrarë do të kishte atë natë. Ndërsa Arbnori dhe unë do të ishim shpallur “Deshmorë të Atdheut “!