Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flora Sela - Kastrati: Raportet e krijuesve të rrejshëm me krijueset rebele

| E marte, 02.08.2022, 07:18 PM |


RAPORTET E KRIJUESVE TË RREJSHËM

                              ME KRIJUESET REBELE

NGA FLORA SELA – KASTRATI

Nuk ka pasur periudhë që mos të ketë shenja të vulosura se krijuesit kanë shfaqur shumë interesim për krijuesen rebele, domethënë në pamundësi për të pasur shumë krijuese. Numri i tyre edhe sot e kësaj dite është shumë i vogël, numrohet në gishta. Dhe, me këtë numër të paktë, edhe temat e tyre, në krahasim me krijimtarinë e krijuesve meshkuj, janë më të zbehta. Përse ka ndodhur kjo? Si ka mundur të jetë ky fenomen kaq i theksuar për nga krijimi i vlerave të krijueseve femra shqiptare?

Nga ana tjetër, pothuajse gjithë krijimtaria e krijuesve është e stërngarkuar me deklamime shfaqëse, se si ata iu përfalën të dashurave. Në këto momente të analizave mund të shfaqim sa e sa shkrime, ku për hir të të dashurave personazhet janë çmendur. Dhe, nëse kjo ndërlidhet me pjesën autobiografike të krijuesit, do të thotë se krijuesit kanë treguar gatishmërinë e tyre që, për hir të dashurisë ndaj së dashurës, kanë qenë të gatshëm deri në vetëflijim. Dhe, me këto rastësi ata jo vetëm që kanë arritur të bëjnë krijime të mrekullueshme, por po mos të kishte qenë kjo prekje krijuese Muzë, nuk do të kishim sot asnjë përmbajtje të studimeve për dashurinë.

Kjo temë e mbajtur në agjendën e studimeve, pothuajse kurrë nuk e mori fjalën përfundimtare. Për dashurinë si fenomen në gjithë dimensionet e trajtimeve, jo vetëm që janë bërë shumë shkrime, por gjithë ato që janë bërë nuk mjaftojnë, sepse shkrimet për të, në çdo brez, bëhen po aq të vlefshme, madje edhe janë në agjendën e trajtimit si pjesa më kryesore e jetës. Në realitet kanë bërë shumë për ta trajtuar këtë temë. Unë jam e një qëndrimi se kjo temë ka pasur pasoja të ndryshme në trajtim, ashtu siç kanë pasur trajtime të ndryshme krijuesit dhe krijueset që janë marrë me këtë temë. Sepse, vetë trajtimi i dashurisë nuk i takon vetëm botës intime të individit. Ajo është shtrirja më racionale, nëse arrihet të trajtohet drejt. Për të nuk mund ta japin fjalën e fundit gjithfarë krijuesish dhe krijuesesh. Janë bërë shumëçka për të dhe themi se asgjë nuk është bërë, edhe pse për trajtime të tilla kurrë nuk kanë munguar lexuesit, opinionet, kritikat, vështrimet, esetë.

Sot, kur duam të ndriçojmë relacione të tjera të raporteve të krijuesit dhe krijueses, bota e tyre shfaqet po aq e mjerë në horizontin e dritës krijuese. Shumica kanë përjetuar katharsisin. Ato kanë në doktrinë të krijimit gjithë të keqen shoqërore: rrënimet, luftërat, transformimet, imitimet, rënkimet, dhimbjen e urrejtjen, si dhe shumë të tjera vese negative. Ato më përpara, në botën e trajtimit, për të rrumbullakosur veprën e tyre janë mbështetur mbi binarët e trajtimit të një aspekti shoqëror, që nëpër shekuj brezave më shumë u ka hapur varrin e vdekjes, se sa u ka shtruar sofrën e mirëqenies dhe shtratin e lumturisë me lule.

Nëse nisim të analizojmë krijimtarinë, thirravajet që kanë ushtimë dhe jehojnë deri në kupën e qiellit, themi se janë bërë për luftëra, për beteja, për pranga, për të vrarë. Pastaj, pas saj i kanë kënduar gjakut të derdhur, martirëve që vdiqën kot, ngritjes së lapidarëve për të imituar jetëgjatësinë e atyre që kot lindën dhe e përfunduan jetën në rrethana misterioze. Dhe, po në këto thjerrëza janë bërë ndërhyrjet brutale, pa lejuar të shkruhet bukuria, imagjinata e shijes së dashurisë, dashuria si kapitull i përhershëm që duhet të dominojë në mendjen e njeriut.

Po, dashuria vetëm koncept i përkushtimit është. Dashuria është botëkuptimi i një rrëmbimi të dy vetëve? Jo. Përderisa gjithë kjo krijimtari, me personazhe që kanë defiluar në përballje dyluftimesh, lirisht mund të dëshmojë faktet se mbi tokën e Adamit dhe Evës ka dominuar urrejtja, ka dominuar xhelozia, ka dominuar prapësia. Mbase kjo rrjedhë e tillë i ka gjurmët qysh nga Kabili dhe Habili i vrarë. Parashtrohet pra pyetja: Mos jemi ne bijtë e Kabilit? Mos jemi ne vazhdimësia e atij që ngriti dorën të bëjë krim dhe për të u angazhuan pasardhësit e tij që të shkruhet një histori e tragjedive, e luftërave, e rrënimeve?

Në cilin kapitull nuk ka filluar rrëfimi me këto përballje të vrazhda? Në cilin libër të shenjtë nuk është shkruar deri në thirrore që njeriu ta respektojë njeriun? Nuk ishte viktimë e një padije të rëndë edhe Shën Mëria për lindjen e Jezusit? E për çka i ngrihej padia asaj? Nuk ishte në shënjestër dashuria?

Nëse për këto absurde njerëzit arritën të bëjnë gjithë këto krijime të turpshme, sot akoma në binarët e së keqes më të madhe është në shënjestër dashuria. Kush e ka vënë gishtin duke akuzuar se dashuria mungon në hapësirën e kësaj toke dhe ajo luftohet sa herë në përmasë dalin rrezatimet që sjellin mjegullim? Në kohën e divorceve, të ndarjeve, të braktisjeve, sërish ka pengesa në gjetjen e një gjuhe të përbashkët, në mendësinë e atyre që duan të krijojnë harmoni. Sepse, po atyre u pengohen rrjedhat për të nisur jetën që i shpie drejt lumturisë. Por, lumturia nuk është as gëzim që ndihet nga arti, as mirëqenie e krijuar nga kapitalizmi i atyre që do të jenë bashkë në jetë. Ajo është një sfidë e gjallë e akteve që gjithmonë kanë synim shprehjen e një misteri i cili është i pranishëm te prishja e relacioneve të jetës. Prej aty nis thirravaja për moskënaqësi, për krijime hapash për një largesë.

Prandaj, synimet e kërkesës për dashuri nuk ishin vetëm dashuri. Ato kërkonin lumturinë të instalohej në binarët e atij dimensioni. Prandaj, krijueset duke dashur të grisin veprat e tyre, harruan shpesh të ngjizin një lumturi të përjetshme në binarët e asaj qenësie. Dhe, hë për hë, sot në dimensionin e trajtimeve ka shumë vepra të mëdha që u ngjajnë kalave të cilat janë ngritur prej guri, por përbrenda tyre ka ftohtësi dimri. Ashtu si te kullat e mbyllura të cilave nuk u hapen portat, edhe te veprat e krijuesve ka shumë arsye të thuhet se janë të asaj natyre. Personazhet kanë një komunikim të ngrirë, skenat kanë një boshatisje, një heshtje mortore.

Si mund t’i motivojmë idetë frymëzuese te krijuesit dhe krijueset që t’i qasen fenomenit krijues ndryshe? Ashtu siç kanë ndërruar modelet e teknologjisë, ashtu siç kanë ndryshuar pamjet e modës, ashtu siç kanë ndryshuar menytë e ushqimit dhe nivelet e të qenit imun, të ndryshojnë dhe variacionet e të shprehurit dhe të marrin një notë sa më ekspresive për të prekur ndjenjat dhe pushtuar zemrat e njerëzimit, që të dominojë mbi hapësirën e këtij globi mirëqenia, pranimi real i vlerave, pranimi racional i dashurisë. Mos të ketë diferenca dhe tutorizime, siç ndodhin shpesh tutorizimet prindërore. Siç ndodh shpesh që nëna e mëson të bijën që mos të marrë burrë fshatar nga katundi, se qytetari ka veti të tjera, se është rritur në qytet.

Këto pretekste të të shfaqurit të pakënaqësive kanë krijuar bisturinë që ka prerë gjymtyrët e nevojshëm të krijimit harmonik të rrjedhave për aspektin e trajtimit të drejtë të dashurisë dhe prej kësaj rrjedhe ka dalë lumturia si shkas. Prandaj, krijimtaria e krijuesve dhe krijueseve ditë përditë është shtypur nga kokëfortësia e tendencave tradicionaliste që kanë dominuar dhe kanë shkaktuar pasoja në jetë dhe shoqëri.

GJENI APO VIKTIMA TË KANGJELLAVE SHTETËRORE

Kjo hapje e këtij kapitulli, ku do të përfshihen të arriturat krijuese të femrës në përgjithësi, e veçmas të femrës shqiptare, ka të bëjë me zbërthimin e një çështjeje që ose nuk është prekur fare, ose është harruar të hyjë në rendin e ditës, përse është krijuar kjo gjendje?! Kemi parasysh talentin që posedon femra, veçmas femra krijuese, që me një përgjegjësi të madhe ka nisur të krijojë dhe ka krijuar pozicionet më të favorshme gjithmonë kur ka dalë në arenë. Për këtë jo vetëm që kanë shkruar në analet e krijimtarisë, por dhe është bërë jehona më e madhe që ka shënuar shenjën për të mbetur në kulmin e një lavdie ku ende mashkulli bënë përpjekje për të arritur një ditë të nesërme.

Nëse në historiografinë shqiptare shkruhet me të drejtë për shumë tribune që kanë bërë vepra të një lavdie të madhe, po ashtu janë theksuar dhe bëmat e femrës, që vërtet ka vënë një hap të lartë në valëvitjen e flamurit shqiptar. Janë trille apo lapidarë krijues këto? Mbetet t’i shqyrtojmë me theksime disa ndodhi. Fjala bie, sot kur në shqyrtime merren opsionet e çështjes shqiptare, nuk mund të flitet akoma për një plotësi të saktë të opsionit që pati Teuta. Kjo mbretëreshë shqiptare shtriu krahët dhe mbërtheu mbretërinë e asaj kohe nëpër shumë territore që sot ose krejtësisht janë asimiluar, ose kanë rënë në prehërin e përjetshëm të shtetësive të tjera, pa pasur kurrë synim që të rikthehen në shtratin e mëparshëm të bashkëjetimit me gjymtyrët e kohës kur jetonte Teuta.

Mbase, kjo largësi e mbetur ka krijuar dhe ngarkesa të tjera që nuk përkojnë me mundësitë që duhen vënë në shqyrtim. Qysh atëherë, nëpër qiellin e shqiptarëve jehoi si vetëtimë, gjithmonë nga një befasi e këndshme, heroizmi. Gjithçka u pranua si e tillë sepse ishte edhe unike, por edhe me bazë heroike, që nuk ke si t’ia mohosh vlerat. Të gjitha u lidhën pas një boshti të trashëgimisë, sepse bartin gjenin e Mbretëreshës Teutë. Dhe, ashtu me atë lidhje të fuqishme, u kënduan brezave, u kënduan djepave, duke krijuar ninulla që nuk i ka Ballkani. Nëse marrim ritet, doket, pastaj veshjet dhe gjithë kuzhinën që kultivuan, mund të themi se shqiptarja si krijuese gjithmonë ka arritur të bëjë një veçori me të cilën mund të magjepset bota. Në këtë mrekulli të njerëzimit nuk kishte sforcime që do ta shpinin bëmën e saj, por kishte vërtet një bazë qëndrese, që i bënte ballë edhe konkurrencës, po edhe në kohë rrezatonte mirësinë e tepruar që vetë bota mësonte nga ajo si valltare.

Kjo urë ndërlidhëse mes femrës krijuese dhe femrës në përgjithësi ishte e ujësuar, sepse vepra e tyre, ashtu siç bartej në jetën e përditshme, bartej edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Ajo ngrihej deri në kulmin më të lartë të një tendence që, për të kaluar problemin, ishte e gatshme të flijohej. Dhe, flijimi nuk ishte vetëm pranimi i saj për t’u murosur në muret e Urës së Shenjtë, ku do t’i rridhte një gji tambli për të mëkuar vogëlushin. Ajo lidhej edhe me besën e dhanë se do të nisej nga një largësi e madhe, siç do të nisej Doruntina, për të bërë betejën ku nëntë vëllezërit ia kishte marrë vdekja, se në trojet e atësisë së saj kishin arritur barbarët dhe kishin vrarë e kishin shuar gjakun për të mos tymuar ai oxhak i kullave të ngritura në shekuj mes maleve.

Gjithë kjo nuk është nisma që tregon se femra krijuese ka pasur një temë të madhe përpara vendit që të trajtonte dhe krijonte veprat kolosale. Ajo krijoi sofrën e përditshme për të pritur edhe miqtë, por dhe për të kapërdirë ditët e vështira kur u mungonte buka. Dhe, përpara syve të fëmijëve që zgurdulloheshin nga uria, femra në përgjithësi nuk i lidhi duart për brezi dhe nuk e boshatisi shpirtin.

Ajo gjithmonë rrezatoi një shpresë, një mirësi dhe një uratë. Rikujtoni ditët e gjysheve tona të ndritura, se me sa dashamirësi na bënin përkëdhelje për t’u bërë një gisht më të lartë e për të shkuar përpara në jetë. Po, për të arritur deri tek ajo që ato e parashikonin, paramendonin uratat, madje edhe një lot gëzimi, sa herë që u binte të ndaheshin e të takoheshin sërish nga shkuarje - ardhjet në miqësi.

Nëse në arenën e këtyre ndriçimeve mund të nxjerrim vetëm disa imazhe të kërkimit të femrave krijuese, do të shikojmë se botës nuk arriti t’i japë asnjë femër të profilit të Teutës. Po përse të mos e theksojmë spikamën e Nënës Terezë që pas shumë peripecive të jetës dhe të veprimtarisë së saj arriti të bëhet e përjetshme me bëmën e saj? Kjo nuk është një spikamë unike se në botë nuk është bërë ndonjë femër e shenjtë, por për Nënë Terezën, me një dashamirësi e gjithë bota e pranoi këtë kumt, edhe pse ajo i kishte bërë qysh përpara bëmat e saj dhe vepra e saj u nderua me çmimin “Nobel”. Janë këto vetëm disa rrezatime se si në procesin e zhvillimit dhe në hapjen e kapitujve të krijimit akoma mungojnë temat që do t’i shqyrtonin këto femra kolose, për të cilat bota ka më shumë interesim për t’i lëvduar, sesa vetë shqiptarët.

Nuk mund të mbetet pa një njollë të kuqe kjo ndodhi që kalon përpara nesh dhe ne mbyllim edhe gojën që të bjerë heshtja, mbyllim sytë të bjerë errësira, shurdhojmë veshët të mos dëgjojmë, se bota tronditet nga këto kulte, që me xhelozi ua ngriti namin deri në përvetsim. Ne akoma jemi në trasenë e ngecjes për të nisur një jehonë mbarësie, se një vepër sado e vogël e femrës është vula më e madhe e shekujve që u flet. Nuk kishte bota Shotë Galicë që dilte të mbronte kufijtë të cilët dikur i maste me sy dhe i mbronte me pushkë Azem Galica. Por ne ose kujtohemi t’ia bëjmë një respekt shkarazi, i cili merr një orë përkujtim në vit apo në përvjetorë dekadash, ose edhe atëherë kur ia bëjmë, e bëjmë me shumë dobësi, pa bërë të plotë hijen e saj, sepse për gjymtyrët dhe qëllimet e saj akoma nuk janë bërë nisma.

Nuk dua të pohoj se nuk është bërë gjë në letërsi, por fatkeqësisht femra krijuese shqiptare është larg një poeteje si Safo, Virgjinia Vulf, Fransua Sagan, Ana Ahmatova, Marina Cvetajeva. Por, këmbëngul se duhet bërë më shumë në të ardhmen. Ne akoma jemi në nismën e formimit të iniciativave se, kush do të thotë diçka për ato që kemi borxh, për ato që patjetër duhet të kemi. Si mund të kalojë në heshtje një heroinë si Sulltana e Qafës, bija e Mazllamit, e cila për të dalë në ndihmë ndaj babait dhe për të parandaluar projektin strategjik të komitës së Brodit, Mikailit, me gërshërët e dhenve arrin të zmbrapsë gjithë çetën e tij, duke lënë të vrarë udhëheqësin e çetës së komitëve dhe tre luftëtarë. Të tjerët marrin arratinë, pasi me pushkë e plagosin dhe e shtrojnë për vdekje Sulltanën, që akoma nuk kishte mbushur të tetëmbëdhjetat.

Në dimensionin e pamjes sonë, femra krijuese është objekt shqyrtimi. Por, si të flasim për bëmat e saj, kur muri i pengesave nëpër të cilin kalonte ajo ishte më i lartë, më i gjerë dhe më i trishtë se Muri Kinez?

Përse mund të rrëzohet parashtrimi?

E para, sepse pengon tradicionalizmi i mbrapshtë i zhvillimit, që femra të jetë një banore e përhershme e katër mureve, që të lindë fëmijë, t’i rrisë ata dhe pastaj të jetë ajo që duhet të përkujdeset për shtëpinë, se për të tjerat ka kush kujdeset, burri. Janë shumë pak vite, prej ku femra shqiptare, jo plotësisht e barabartë, por me një përqindje të përmirësuar të pjesëmarrjes së saj, është prezente në krijimtari. Ajo sot ka hedhur shtatin e strukturave si mësuese, si mjeke, si ligjëruese, si krijuese, si shkencëtare. Me një kuotë jo shumë të përshtatshme është prezente në Kuvend për të dhënë mendimin për përbërjen e ligjësisë. Por edhe në krijimtarinë e veprave, qofshin ato letrare apo shkencore, ka bërë një simbolikë se është e gjallë dhe se ka prirje për të krijuar. Se sa dhe si, se ku dhe prej cilit nivel është nisur e deri ku ka arritur, le të mbesë kjo temë e përmbyllur si trill apo si mundësi për shpalosje të lapidarëve krijues.

Intelektuali i sotshëm, qoftë ai politikan, artist, shkrimtar, shkencëtar etj., në jetën dhe kohën e tij, me veprimtari shoqërore - politike, ashtu edhe me krijimtari vlerash njerëzore, duhet të jetojë në mënyrë intensive me ngjarjet dhe zgjidhjen e problemeve të ditës, të mbajë anën e së resë përparimtare, anën e progresit njerëzor dhe demokratik, të luftojë në çdo hap për triumfin e tyre në kushtet reale të vendit dhe shoqërisë shqiptare. Historikisht, intelektualët e vërtetë shqiptarë, e sidomos ata të luftërave dhe revolucioneve për liri e demokraci, të krijimtarisë në të gjitha fushat, nuk e kanë dhe nuk e shkëpusin edhe sot veten e tyre nga interesat e popullit, nga çështjet madhore që preokupojnë shoqërinë e sotme shqiptare dhe hap pas hapi, në çdo kohë dhe sistem politiko - ekonomik, kanë luftuar me të gjitha forcat e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, individit dhe kombit. Ata, edhe sot në kushtet e reja, ndjekin procesin demokratik shqiptar, në mënyrë që të ecë përpara në luftë me të vjetrën dhe në përpjekje për triumfin e së resë progresive bashkëkohore. Nëpërmjet veprimit aktiv të ditës ndjekin aktivitetin, duke e pasqyruar atë në krijimet e tyre artistike, shkencore, filozofike etj., si subjekt progresist të zhvillimit të shoqërisë së sotme demokratike. Intelektualët produktivë të çdo epoke u kanë qëndruar dhe vazhdojnë t’u qëndrojnë viteve, sistemeve politike dhe ekonomike për vlerat e tyre historike, politike, shpirtërore dhe emocionale.

Natyrisht, një intelektual i një kohe të caktuar, qoftë edhe i së sotshmes, matet me kontributin e kohës në të cilën jeton, vepron dhe krijon, në bazë të të cilit përcaktohet edhe karakteri i tij nëse është përparimtar ose jo. Intelektuali shqiptar ka qenë dhe vazhdon të qëndrojë në radhët e intelektualëve më përparimtarë të shekujve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën, duke qëndruar afër problemeve të shoqërisë, duke luftuar për lirinë, për popullin, për demokracinë dhe progresin. Ai e quan veten njeri si gjithë njerëzit e tjerë me problemet e tyre e të natyrshme njerëzore, duke i përjetuar ato dhe ngjarjet e kohës dhe, në të njëjtën kohë, bëhet i ndërgjegjshëm për rolin e tij aktiv që duhet të luajë si qytetar dhe luftëtar i së mirës njerëzore të përgjithshme.

Për intelektualin e sotshëm shqiptar do të ishte i pafalshëm fakti i mbivlerësimit të vetes mbi interesat e përgjithshme dhe kombëtare, të qëndronte indiferent ndaj jetës së madhe shoqërore, e cila është shumë e ngarkuar me padrejtësi dhe kriza sociale. Realiteti i sotshëm njerëzor po i përjeton me shumë dhimbje dhe drama. Revolucioni demokratik në Shqipëri, që përmbysi sistemin komunist, solli për gjithë shoqërinë dhe intelektualët një faqe të re më përparimtare në rrjedhën e historisë së popullit shqiptar, por realisht dhe praktikisht nuk ka realizuar aspiratat e shtresave më të gjera popullore. Ky, sot për sot, është fakt dhe zhgënjim.

Klasa e re borgjeze apo politike e sotshme në Shqipëri, para syve të të gjithë shoqërisë shqiptare ka vënë në radhë të parë interesat e saj të pasurimit ekonomik me anë të përvetësimit të pasurisë së individit dhe popullit, mundit dhe djersës së tyre për pesë dekada të derdhura në sistemin social - komunist në Shqipëri. Këtë fat e ka edhe intelektuali i sotëm shqiptar, i cili është i braktisur, i papunë ose i vlerësuar pak apo aspak, dhe për të siguruar jetesën është detyruar të emigrojë në botë. Janë shumë artistë, shkencëtarë, inxhinierë, krijues etj., që kanë ikur duke krijuar një vakum të madh intelektual shoqëror në Shqipëri, me pasoja për fatet e progresit shoqëror, ekonomik dhe qytetërim të mëtejshëm.

Vlerat elitare të shoqërisë nuk vlerësohen nga politika dhe qeverisja si vlera të mirëfillta të progresit shoqëror, sepse nuk ju vjen në interesat e tyre të ngushta politike dhe ekonomike, por përkundrazi janë në oponencë interesash deri në konflikte të hapura. Për më tej, në këto raporte ekstreme të tensionuara zhvillohet edhe procesi i rritjes së papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë individ me individ, individ me shoqëri, që do të thotë padrejtësi e hapur dhe ajo më e rëndësishmja: krijohet një shtresë (klasë) shoqërore e pakënaqur, e varfër dhe e ndërgjegjshme për të shpërthyer në revolucion. Çdo gjë i faturohet pikërisht kësaj shtrese që të paguajë të gjitha shpenzimet e borgjezisë ose aristokracisë së re shqiptare, qoftë ajo në pushtet e kudo. Këto situata të krijuara në realitetin e sotëm shqiptar sjellin kontradikta jetike midis të pasurve dhe të varfërve, të cilat janë prezente në sytë e të gjithëve. Në këto rrethana, intelektuali me zemër të madhe nuk mund të qëndrojë i fjetur kur shikon gjendjen e mjeruar të njerëzve, por shqetësohet, përpiqet të bëhet njësh me ta për zgjidhjen e problemeve, kërkon dhe propozon rrugë të reja sociale për njeriun dhe shoqërinë.

Ai, në këtë hapësirë plot drama të mëdha, jeton dhe vepron si njeri i shqetësuar. Veprimi i tij ecën me kohën e sotme shqiptare, me ide dhe vizione objektive të zhvillimit të shoqërisë demokratike. Këtë shpirt evoluimi e kanë më shumë intelektualët krijues si shkrimtarët, artistët, piktorët, aktorët, muzikantët jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën, të cilët, në veprat e tyre kanë si bosht jetën e njeriut të thjeshtë, të varfër, njeriut të punës, që trajtohen dhe shfrytëzohen padrejtësisht nga të pasurit e shoqërisë kapitaliste ekzistuese në pjesën më të madhe të shoqërisë. Sfondi shoqëror, përplasja e ideve, e kontradiktave klasore, e kushteve ekonomike etj., janë subjekti që merr krijuesi përmes ngjarjeve reale dhe përbën karakterin e veprës së tij si vlerë shoqërore të një realiteti të gjallë njerëzor.

Inteligjenca e krijuesit futet thellë në shtresat e ndryshme të shoqërisë, që përbëjnë shumicën e saj. Galeria e saj i jep (na jep) njeriun e thjeshtë, që punon e robtohet për të mbajtur gjallë veten dhe fëmijët. Ai e ka zemrën dhe shpirtin të mbushur me hidhërime kundër varfërisë dhe mosbesimit ndaj politikës e qeverisjes që nuk mendon aspak për të. Kjo pakënaqësi atij i shtohet akoma më shumë kur sheh se edhe në demokraci asgjë s’ka ndryshuar, se ai është një i varfër edhe sot, i dënuar përjetë me vulën e varfërisë. Në këto kushte, i rraskapitur siç është, ai rrezikon të bëhet një kërcënim për individin dhe shoqërinë, të bjerë poshtë si njeri dhe të kthehet në hajdut dhe kriminel. Por, sakrificat e jetës së përditshme e kanë bërë të fortë dhe me moral këtë njeri të ndershëm, që vjen nga populli. Ai gëzon vetitë dhe cilësitë më të mira të popullit shqiptar dhe në karakterin e tij shpërthen e mira dhe e ndershmja, sakrifica dhe djersa e kripur. E keqja dhe varfëria nuk luftohet me mjetet e së keqes, por me shumë punë, dituri, arsim, kulturë etj., dhe me shembullin e mirë nga vetja dhe ndaj të tjerëve.

Shembulli i mirë i njeriut në përmasat reale përbën një rol të madh në ecjen përpara të gjërave jetike. Me portretin e këtij njeriu, shumë shkrimtarë, artistë etj., me shumë intuitë dhe inteligjencë kanë arritur në mendimin se njeriu i thjeshtë i ditëve tona ka forca dhe energji të brendshme të bëhet njeri i mirë, i dobishëm për veten dhe shoqërinë, për njerëzit që e rrethojnë, ndonëse padrejtësisht vuan jetën e mizerjes, skamjes nga korrupsioni galopant i pushtetmbajtësve. Artisti, shkrimtari dhe intelektuali i të gjitha fushave, jo pa arsye vë si protagonist të veprës së tij (qoftë ai portret apo roman) njeriun e thjeshtë, nga shtresat më të varfra të shoqërisë, qoftë ajo shqiptare, dhe e ngre në maja të larta të virtyteve njerëzore dhe shoqërore. Kjo tregon, sidomos në ditët e sotme demokratike në Shqipëri, simpatinë e krijuesve të mëdhenj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë për njerëzit e thjeshtë të popullit, për të varfrit zemërbardhë dhe bindjen e tyre se janë pikërisht këta njerëz fisnikë njerëzit e punës, të vuajturit e sistemit të kaluar diktatorial komunist, por edhe të sotëm, të sistemit demokratik; që kanë forca të mëdha shpirtërore, të cilat u mungojnë njerëzve të sotëm të shtresave të pasura, qofshin në qeverisje e kudo.

Nëpërmjet figurës së njeriut të thjeshtë, intelektuali krijues, shkrimtar, piktor, muzikant etj., në krijimtarinë e tij artistike me shumë dashuri ka përqendruar forcën, vullnetin, shpirtmadhësinë, bujarinë e shtresave të thjeshta, ndonëse edhe të varfra, të popullit që punon e ndërton jetën dhe mirëqenien e të gjithëve në kohën e tij dhe për brezat e ardhshëm. Krijuesit e mëdhenj të vlerave artistike e shoqërore jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën e qytetëruar, njeriun e thjeshtë popull e ngrenë në shkallën e njeriut që përfaqëson dhe zbaton idetë e demokracisë dhe demokratëve, në këtë rast, shqiptar; njeriu demokrat i vërtetë mundohet t’u japë liri dhe drejtësi njerëzve të tjerë, t’i ndihmojë e t’i bëjë të kënaqur, të zbatojë ndaj tyre drejtësi ekonomike dhe shoqërore në mënyrën e konceptuar nga sistemi demokratik.

Shumë intelektualë shqiptarë, gazetarë, shkrimtarë, artistë etj., nëpërmjet shkrimeve, komenteve, analizave, refleksioneve dhe opinioneve të ndryshme në faqet e gazetave shqiptare, ekraneve televizive dhe librave artistikë, kritikë e shoqërorë, vënë në dukje shumë probleme sociale si: varfërinë, papunësinë, padrejtësinë njerëzore dhe se si qeveria (qeverisja), politikani, për të shtuar fitimet e veta, ka arritur deri atje sa të vërë taksa për çdo cigareshitës e lypës rrugësh. Ata, me krijimet e tyre intelektuale, njerëzore dhe qytetare, ngrenë zërin e protestës ndaj qeverisjes, politikanit dhe klasës politike në Shqipëri, që mashtrojnë në sytë e të gjithë njerëzve, se “po punojmë për të mirën e shoqërisë, të njeriut dhe kombit”, duke servirur lëmosha ekonomike dhe jo garanci për jetën dhe mirëqenien njerëzore. Këto i bëjnë për t’u dukur dhe për të fituar kredi politike sot për sot dhe në të ardhmen. Të gjitha marrin emrin e një aktakuze therëse ndaj njerëzve të thjeshtë me zemër të madhe në realitetin e sotëm shqiptar.

Krijuesi intelektual shqiptar, i ndodhur brenda këtij realiteti të dhimbshëm, e ndjen dhe e pranon se një mendje e gjallë njerëzore si ai kërkon të thellohet në të vërtetat e jetës së përditshme shqiptare deri në çështjen e fëmijës, gruas, të rinisë, të ngujimit të fëmijëve dhe grave, moralit njerëzor, përparimit dhe qytetërimit mbarëshoqëror. Çështjet e femrës si femër, e gruas si nënë etj., marrin një rëndësi parësore në shoqëri, politikë dhe individ. Për shkak të papunësisë, varfërisë dhe rënies morale, femra shqiptare kërkon ngritjen e saj në shkallën e dinjitetit njerëzor dhe gjinor femëror. Sistemi i sotëm shoqëror mban përgjegjësi për të si gjënë më të shtrenjtë të riprodhimit të jetës njerëzore si njeri dhe të vetë njerëzimit. Fatkeqësisht, në sytë tanë shikojmë femra që e kanë humbur lirinë, nderin, dinjitetin, vetitë e tyre morale, të përdhosura fizikisht dhe shpirtërisht. Një fatkeqësi dhe humbje e madhe. E megjithatë duhet thënë se kjo femër e thjeshtë shqiptare, por burrërore dhe fisnike, bijë e këtij populli të shumëvuajtur, nuk pranon ta shesë virtytin e saj moral, shpirtëror dhe trupor. Përkundrazi, ajo kundërvepron me mjetet e saj edhe ndaj dhunës brutale të individit dhe të shoqërisë dhe ngrihet mbi to falë atyre vlerave të larta morale që as shiten e as blihen, qofshin ato edhe miliona para. Realisht, të gjithë prekemi thellë nga vuajtjet dhe sfilitjet e sotme që ajo heq në të gjitha aspektet jetësore.

Figura e femrës shqiptare, kur e shikon gjithë ditën në treg, në trotuar, në pluhur e në baltë, qëndron mbi jetën e zymtë dhe vdekjen e pritshme, por në të njëjtën kohë bëhet një akuzë kundër individit, shoqërisë së shtypjes dhe shfrytëzimit antinjerëzor. Krijuesi artist, shkrimtar, intelektual akuzon shoqërinë borgjeze, sistemin e kapitalit në veprat e tyre artistike, që e kanë përdhosur gruan në skllave të vërtetë e të shtypur. Fatin e gruas nënë, të uritur e të varfër, e pësojnë edhe fëmijët e familjeve të varfra, që i shikojmë çdo ditë në trotuare, lokale publike e kudo, duke lypur, duke vjedhur e duke mashtruar. Të dhëmb shpirti e të dridhet zemra.

Shoqëria ka në radhët e tyre lypsa e vjedhës që nuk janë si gjithë të tjerët, por që mishërojnë tipin e fëmijës endacak të qytetit, të zgjuar, me zemër të madhe, trim dhe të gatshëm për sakrifica deri në jetën e tij. Figura e këtij tipi është pikturuar nga piktori, është gdhendur nga skulptori, është shkruar nga shkrimtari dhe kënduar shumë bukur në pentagramin e muzikantit, sepse në qenien e tij ka ngjyra të gjalla reale të jetës së përditshme dhe virtyte të larta njerëzore. Kur shikon këtë tip fëmije, ke parë të gjithë fëmijët e varfër të qytetit të pasur.

Të gjithë i shohim. Janë të braktisur nga prindërit, e pse jo edhe nga shoqëria, politika, shkolla dhe individi. Kanë një zgjuarsi natyrore, vëzhgues dhe të mprehtë. Me intuitën dhe logjikën e tyre të pjekur nga jeta, ata kuptojnë se në këtë realitet të sotëm shoqëror ka padrejtësi njerëzore, shumë të pasur, por më shumë të varfër, ka njerëz që pa punuar fare, pa derdhur asnjë pikë djerse, hanë e pinë sa të duan e si të duan, vishen me gjëra të shtrenjta, rrojnë në një luks të paparë, mësojnë dhe studiojnë jashtë shtetit etj. Nga ana tjetër, ai sheh se në rrugët e lagjet e Shkupit, Prishtinës e Tiranës jeton dhe rropatet një kategori tjetër njerëzish, burra, gra, pleq, të rinj e të reja, fëmijë të mitur e të uritur si ai, që vuajnë, punojnë e robtohen ditë e natë e përsëri jetojnë në një mjerim të paparë demokratik.

Këtë realitet e shikon te vetë jeta, rrugët e trotuaret, dyqanet e punishtet, te njerëzit, të mjerët si ai, motrat dhe vëllezërit e tij të kudondodhur e të braktisur. Ai shikon, dëgjon përditë në “Bit - Pazar” të Shkupit, përpara Hotel “Grandit” në Prishtinë, tek “Ushtari i panjohur” në mes të Tiranës ankesat e punëtorëve për punë, hallet e nënave me fëmijë në gji, që lypin në rrugë, të qarat e fëmijëve të uritur e të zhveshur etj. Dhe, zemra e tij mbushet me urrejtje ndaj padrejtësive njerëzore, ndaj të pasurve dhe përsëri gjen forcë për të mbijetuar e për t’u bashkuar me shtresën e njerëzve të varfër si ai. Ky fëmijë, që sakrificat e jetës e kanë burrëruar dhe pjekur para kohe, është pjellë e prindërve të varfër dhe e rrugëve apo lagjeve të varfra të qytetit të Shkupit, Prishtinës e Tiranës, i cili me shpirtin e lirë të një zogu fluturak kthehet në një akuzë të mprehtë dhe të një gjykatësi me emrin drejtësi. Ai lëshon dritën e së vërtetës së sotme shqiptare, që çan mjerimin, errësirën dhe injorancën. Jeta e këtyre fëmijëve është një subjekt i vërtetë që shumë artistë, shkrimtarë etj., i kanë interpretuar në krijimet e tyre artistike dhe letrare, sepse tek ata shohim të miturin që lufton për bukën e gojës për vete dhe për të tjerët, heroizmin e tyre, të vetëdijshëm si qenie të brishta që shoqëria, politika dhe individi i ka braktisur në mes të rrugës, në mes të Dimrit.

Intelektuali krijues, shkrimtar apo artist shikon te këta fëmijë të ardhmen, luftëtarin e sotëm dhe të nesërm dhe më tej revolucionin e tyre, qytetarin e ri që do të ndërtojë shoqërinë e re demokratike. Intelektuali i sotëm, krijues i vlerave dhe produktit të vërtetë njerëzor, si anëtar i shoqërisë, shkruan e përshkruan me një dashuri të madhe edhe për njeriun e thjeshtë dhe shtresat punonjëse, sidomos për punëtorin që kërkon punë dhe vuan për jetën e përditshme. Kjo është e vërteta dhe fizionomia e vuajtjes, atje ku populli rënkon me dënesën e shpirtit të vrarë. Njeriu i zgjuar intelektual i sotëm shqiptar, i çfarëdo fushe qoftë, i shikon fenomenet negative që sjellin padrejtësitë dhe varfërinë e tejskajshme shoqërore. Varfëria e coptuar e trojeve etnike shqiptare: në Maqedoni, Kosovë, Mali Zi e Shqipëri është një aktpadi e rëndë ndaj politikës, qeverisjes dhe korrupsionit ndaj mohimit të të drejtave të njeriut për të jetuar, ndaj parimeve demokratike, lirisë dhe barazisë së njerëzve në vendin e shqiptarëve.

Ngjarjet e mëdha që kaloi Shqipëria gjatë periudhës së revolucionit për demokraci sollën të papritura e të panjohura, një polarizim të shtresave të ndryshme të shoqërisë së sotme shqiptare dhe të vetë individëve. Ato janë komplekse dhe të ngjeshura si probleme të akumuluara vite me radhë edhe nga sistemi totalitar komunist, që prekin një varg çështjesh jetësore për shoqërinë, probleme të pronës, të burgosurve politikë e shumë të tjera si këto. Por, në realitetin shoqëror demokratik shqiptar vazhdon ende personazhi më negativ me emrin politikë dhe klasë politike, që ka vendosur një regjim në fuqi, regjimin korruptivo - pangopësi, një regjim kolektiv interesash sa majtas e sa djathtas. Ky regjim është i ndarë në dy krahë, por që ka një trup të vetëm, atë të sistemit të zhvatjes e të pasurimit të pamëshirshëm për njeriun popull, për faj të të cilit intelektuali i sotëm përdhoset, njeriu i burrëruar poshtërohet si i pavlerë, gruaja poshtërohet në moralin e kurvërisë dhe fëmija mbetet në injorancë dhe pa perspektivë.

Vërtet një akuzë e rëndë dhe therëse:

-Zoti na ndihmoftë ne shqiptarëve!...

Fund

Strugë - Tetovë, 2011

Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).