Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Një rrugëtim i suksesshëm aforistik i autorit Halim Hasani Preshevës

| E marte, 02.08.2022, 07:14 PM |


Një rrugëtim i suksesshëm aforistik, i autorit Halim Hasani nga Lugina e Preshevës

(Halim Hasani, “4000 Aforizma” (Fjalë të urta, konstatime, shprehje frazeologjizma etj.), Shtëpia Botuese “Kurora”, Gjilan, 2022)

Nga Sevdail Hyseni

Java e fundit e korrikut, të këtij viti, adhuruesve të fjalës së shkruar artistike, në Luginë të Preshevës dhe më gjerë në rajon, i solli librin e radhës së autorit Halim Hasani me titull: “4000 Aforizma” (Fjalë të urta, konstatime, shprehje frazeologjizma etj.), një vepër kapitale, që brenda kopertinave të saj, përmbledh, jo më pak se 10 libra me aforizma të botuara nëpër periudha të ndryshme kohore.

Për tri dekada rresht, autori i aforizmit shqiptar, Halim Hasani, bëri një rrugëtim maratonik, duke shkruar e botuar një-pas një vepra kushtuar këtij zhanri letrar, nga më të kërkuarit në hapësirat e letrave shqipe. Jo, më kot disa nga kritikët letrarë, këtë krijues aforizmash e quajtën pa ngurrim: Hipokrati shqiptar, legjenda dhe maestro i aforizmit, një krijues, që tashmë ka kapërcyer kufijtë nacional me përmasa evropiane.

Kritiku letrar Hysen Këqiku, redaktor i librit dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Kurora”, nga Gjilani, në parapëlqimin e rrafshit vlerësues, të këtij libri, nuk lë pa vijëzuar se “Aforizmat e sajuara nga Halim Hasani, janë shumë praktike, të kapshme dhe të rrjedhshme”, duke shtuar në vazhdim se “Po aq sa janë të bukura, të vlefshme dhe të përdorshme, po aq ka qenë interesimi i njerëzve me mendje të ndritur për të mbledhur dhe për të krijuar aforizma, prandaj letërsia shqipe është shumë e pasur me të tilla krijime”, shkruan redaktori i librit z. Këqiku.

“Halim Hasani ka shkruar edhe vepra të tjera historike dhe monografike, por hulumtimi i tij mendor, logjik dhe fisnik është gjetja, një nga një, e aforizmave, punë kjo e cila tregon seriozitetin, vullnetin dhe durimin e pashoq të tij dhe se këto aforizma, janë vazhdimësi e një pune shumëvjeçare të shkrimit dhe botimit të aforizmit shqiptar, të cilat për vlerën që kanë, është një sukses i madh, për t’u admiruar. se këto aforizma, janë vazhdimësi e një pune shumëvjeçare të shkrimit dhe botimit të aforizmit shqiptar, të cilat për vlerën që kanë, është një sukses i madh, për t’u admiruar”, konstaton shkrimet e tij redaktorale, drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Kurora”, Hysen Këqiku.

Ndërkaq, recensenti i librit, Sevdail Hyseni, publicist dhe drejtues i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Bujanoci,  tha se kritika letrare dhe lexuesit i kanë mirëpritur mirë botimet e librave me aforizma të Halim Hasanit, katërmbëdhjetë sish, të cilat arritën të grumbullohen brenda kopertonave të një libri me 4000 aforizma, 672 faqe e rreth 10 mijë vargje.

“Motivet e ndryshme të shkrira nëpër mendimet filozofike të autorit, i japin veprave të Hasanit, një dimension shumëdimensional. Ai, është një njohës i mirë i thesarit popullor, dokeve dhe zakoneve shqiptare. Si njohës i mirë edhe i rrethanave shoqërore-politike, autori, ka krijuar aforizma me domethënie të lartë, duke i ofruar lexuesve shprehje të bukura dhe joshëse. Nga këto aforizma na del porosia e shprehjes edukative, moralizuese me një gjuhë të pasur e të kulluar shqip, me figura të zgjedhura stilistike. Përdorimi i ironisë, alegorisë, metaforës, krahasimit, i bëjnë aforizmat e autorit, të këndshëm për lexim dhe komentim. Duke shfletuar librat me aforizma të Halim Hasanit, na dalin përpara: dashuria, njerëzia, virtyti, miqësia, lumturia, smira, xhelozia, armiqësia etj”, shprehet nga këndi i recensentit kritiku letrar Sevdail Hyseni.

Nga korpusi letrar, rreth tridhjetë vjeçar, Halim Hasanit, ka publikuar, 10 libra me aforizma e disa të tjera nga fusha e publicistikë.

Libri i parë i tij mban titullin “Aforizma të kohës”, që e pa dritën e botimit, në vitin 1993, për të vazhduar me librin e dytë “Dobrosini kështjellë e rezistencës kombëtare” ( 2003), më pas me “200 aforizma” (2005), “Në mes historisë dhe legjendës, Dobrosini, skicë monografike” (2006), “Aforizma bashkëkohor” (2008), “Yjet e lirisë” (2010), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “Ylli i vogël” (2012), “1021 aforizma” (20012), “Fjali pa mahi” (2013) dhe “Aforizma 2400” (2016), për të vazhduar me librin e radhës në vazhdim “ 3000 aforizma” (2019) dhe i ky i fundit “4000 Aforizma” (Fjalë të urta, konstatime, shprehje frazeologjizma etj.),(2022)

Autori Halim Hasani, në cilësinë e mësimdhënësit, është në prag të pensionimit, por rruga e tij maratonike e shkrimit të aforizmit do të vazhdoj. Ai, nuk heq dorë lehtë nga shkrimi i këtij zhanri letrar për të arritur numrin rekord të aforizmave deri në 5000, që rrallë kush ka shkruar aq shumë si Halim Hasani i kalibrit evropian.

Sinteza e jetësore

Halim Hasani, lindi, më 22 dhjetor të vitit 1957, në Dobrosin të Komunës së Bujanocit.

Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollimin e lartë pedagogjik, Dega Histori dhe Gjeografi në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollimit të lartë angazhohet arsimtar i historisë në shkollën e fshatit e cila e mbanë emrin e Sami Frashërit, ku vazhdon edhe sot ta jap kontributin e mësimdhënësit.

Me veprimtari letrare merret që nga vitet e 90- ta.

Halim Hasani, jeton dhe vepron në Dobrosin Komuna e Bujanocit (Lugina e Preshevës).