Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sonila Meço: Sot makabriteti arriti shfrenimin katastrofal

| E marte, 02.08.2022, 06:33 PM |


Se më flet njeriu në shpirt para se të më flasë gazetarja dhe racionaliteti më është shkartisur e ndoshta kulluar në fund të mendimit…

Nga Sonila Meço

Kur i tregon “skandalin” shqiptarëve me një qese plehrash braktisur mbi një gur a e di Ministrja gjendjen e sigurisë në turizmin shqiptar? Që po shkaktohen masakra në breg nga mungesa e rregullave, funksionimit të strukturave, rojeve bregdetare? A zbriti ndonjëherë me të njëjtin vrull indinjate të kontrollonte se si garantohet jeta e pushuesve që i numëron me krenari a thua se Joni, Adriatiku, rëra, mali, peshku në det, flora e fauna janë asete të ministrisë që i solli sapo u emërua në atë detyrë?

Çfarë masash mbrojtëse e parandaluese mungojnë o Drejtor në strukturat e tua që duhet të garantojnë jetë, siguri e mbarëvajtje në tokë e det, por edhe breg? Se po vrasin e masakrojnë njerëz të pafajshëm dhe nuk dimë më cili është misioni i institucionit që drejtoni? Të mbroni a të vrisni popull? Të mbillni siguri a drogë?

Po si nuk u ndjeve o Ministër për çdo punonjës policie që mbush rreshtat e kronikës së zezë si vrasës me paramendim? Vriten punonjësit e rendit mes vedi, vrasin të afërm, vrasin të pafajshëm, plagosin njerëz që duhej t’i mbronin me duart e veta, u gjendet drogë në çdo kat shtëpie, astar xhepash dhe organizojnë edhe trafikun.

Jo një, po tre herë kockat e pushuesve u shkërmoqën nën peshën e tmerrshme të gomoneve që u hyjnë pa asnjë pengesë njerëzve në çadra.

Sot makabriteti arriti shfrenimin katastrofal, nuk ka logjikë, vetkontroll, durim e arsye t’i rezistojë shkulmit të shpirtit që sheh trupin e njomë të një 7 vjeçareje të përpihet nën një gomone pushuesi (jo pushtuesi) në mes të një plazhi të shumfrekuentuar.

Zot jepi forcë, fuqi, kurajo herkuliane prindërve të përballojnë gjëmën, por edhe shqiptarëve t’ju ndalin në marrëzinë e shkatërrimit të çdo nocioni shtetëror, të përdhosjes së çdo rregulli, ligji, neni kushtetues e morali shtetar, të talljes e fyerjes që i bëni popullit duke u dalldisur si adoleshentë të vonuar nëpër festa e para aparateve fotografikë.

Kjo quhet karma, karma për shkelmin që i keni vënë njerëzores, shtetares dhe morales, por nuk ka asnjë mekanizëm psiqik, moral, fetar, spiritual të ngushëllojë ndërgjegjen kur ajo ju kthehet me “kurban” një krijesë engjëllore 7 vjeçare.

Dhe mos guxoni të thoni “mos politizoni”, a të krahasoni llojin e krimeve në dy epoka, por sot takoni fëmijët tuaj, shihini në sy, prekjuani fytyrën dhe si prind kini kurajon, paturpësinë e pamëshirën u thoni: ky është vendi ku ia vlen të jetohet!

https://www.facebook.com/sonilamecoA