E premte, 29.03.2024, 09:40 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Konflikti i ngrirë

E marte, 02.08.2022, 07:55 PM


Blerim Latifi:

Një leksion vazhdimisht na e jep historia e diplomacisë: ajo është reaktive, e jo proaktive; vihet në lëvizje vetëm pasi të ketë filluar zjarri diku. Ka qindra shembuj historikë që e konfirmojnë këtë.

Në mesin është edhe shembulli ynë. Po të mos fillonte zjarri në Kosovë në vitin 1998, shekulli 21 do të na gjente me policët serbë nëpër rrugët e Kosovës. Trazirat e vitit 2004, pavarësisht motiveve e shkaqeve të tyre, e rizgjuan nga gjumi diplomacinë ndërkombëtare dhe ia rikujtuan se Kosova nuk do të mund të vazhdonte pafundësisht me pasigurinë e statusit të pazgjidhur.

Ngjarjet e djeshme në veri patën jehonë të menjëhershme mediale e politike gjithandej botës. Kjo jehonë e rikonfirmon leksionin e vjetër të historisë së diplomacisë për të cilin po flasim. Bota reagon në atë që sheh me sy, jo në paralajmërimet. Gjithmonë ka qenë kështu. Kasandra i paralajmëronte trojanët për planet e fshehta të grekëve kundër tyre, por askush nuk e merrte seriozisht. Kur fjalët e saj dolën të vërteta, ishte bërë shumë vonë.

Problemi kryesor në Ballkan vazhdon të mbetet problemi Kosovë - Serbi dhe nëse ky problem nuk trajtohet urgjentisht dhe me seriozitet maksimal nga Perëndimi, gjërat fare lehtë mund të marrin të tatpjetën e pakontrollueshme.

Stabilokracia e vendosur nga prezenca e NATO's dhe koncepti i BE- së për normalizimin abstrakt të raporteve Kosovë- Serbi nuk çojnë askund tjetër, përveçse në gjendjen e konfliktit të ngrirë, i cili një ditë do të shkrihet nga temperatura e zjarrjeve të papritura që rastisin të ndizen nëpër botë. Ja si zjarri që po e kthen në gërmadhë Ukrainën e shkretë.

________________

Në bregdetin shqiptar nuk ndodh të shfaqen peshkaqenë që të tmerrojnë apo sulmojnë pushuesit, por ka disa peshkaqenë të tjerë, me fytyra njerëzore, që të hipur mbi skafe apo skuterë uji tërë kohën bëjnë numra nëpër det, m'u pranë pushuesve.

Sot një prej këtyre peshkaqenëve me fytyrë njerëzore i paska marrë jetën një voglusheje dhe për pasojë edhe shkatërrimin e një familje.

Kjo tragjedi është vetëm njëri nga treguesit e shumtë të faktit se ka tridhjetë vjet që shteti shqiptar nuk ia del dot t'i japë fund anarkisë bregdetare, e cilat në çdo sezonë shkakton edhe viktima.

Dhe kur përballesh me këtë anarki nuk ka se si të mos kujtohet mendimi i Faik Konicës:

"Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukuri, por i shkelur nga një turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj të bukurës".

________________

Dështimi në vizitën e parë në SHBA, me gjasë Kurtit do t'i ketë shërbyer për ta marrë leksionin e domosdoshëm, të cilin e dinin të gjithë paraardhësit e tij: Nuk mund të qeverisësh në Kosovë duke injoruar qëndrimet dhe kërkesat amerikane.

Në vizitën e dytë Kurti duhet t'ua ketë bërë të qartë amerikanëve se tanimë e ka kuptuar mirë leksionin në fjalë. Testi i parë provues për këtë ishte pardje në veriun e Kosovës. Opozita vrapoi ta akuzojë Kurtin për moskoordinim me amerikanët. Sot ambasadori amerikan doli e tha se çdo gjë ishte e koordinuar me zyrën e tij.

Pasojat e këtyre zhvillimeve janë të qarta: opozita nuk mund të llogaris edhe më tutje në raportet e ngrira midis Kurtit e Uashingtonit. As në tregimin për antiamerikanizmin e tij. Ajo duhet të kërkojë fusha të reja të opozitarizmit. Nëse veç është e interesuar për këtë punë.

________________

Ky kafsha e Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, paska mendu që pas largimit të amerikanëve nga Afganistani mundet me u rehatu sërish në Kabul dhe me e rifillu punën e dikurshme të ish shefit të tij Osama Bin Ladenit.

Por, amerikanët janë të tillë: rikthehen bash kur hiç s'ta merr mendja, rishfaqen aty ku as imagjinata s'ta thotë, dhe me një dron simpatik ta kallxojnë vendin dhe fatin që e meriton.

________________

Lufta pat shpërthy në vitin 1998 e shqiptarët nëpër çajtore të qyteteve e katundeve përlaheshin e shaheshin me njëri tjetrin se a duhet me vazhdu luftën a me heq dorë prej saj,  e s'po përlahen e shahen tash për një aksion policie në veri!

Budallaku tragjik i shqiptarëve, siç shkruan Eqrem bej Vlora, qëndron në faktin se n'parim ata gjithmonë janë të nji mendimi, por kur vjen puna të veprimi praktik secili shkon udhës së vet dhe qysh t'ia thotë kaptina.

________________

Në një kafe në Paris disa njerëz po grindeshin për një histori. Me aq pasion grindeshin saqë ishin gati t'i nxjerrin shpatat për të zgjidhur çështjen se kush ka të drejtë. Pak më tutje qëndronte filozofi Zhan Zhak Rusoi me disa miq të tij. Derisa po vështronte sherrin, Rusoi u tha miqve: Ka vetëm një rrugë për të vendosur paqen mes këtyre kokëkrisurve: ata duhet të kuptojnë se gjithmonë ka katër anë të një historie: ana juaj, ana e tyre, e vërteta dhe ajo që ka ndodhur realisht.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora