Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Legjenda e qëndresës në burgjet komuniste dënon qëndrimin absurd të opozitës së majtë

| E diele, 21.12.2008, 02:59 PM |


Aliko: Persekutorët tanë nuk mund të vazhdojnë si prokurorë e gjykatës

Tomor Aliko, njëri nga intelektualët që provoi burgjet e diktaturës shprehet, se persekutorët e djeshëm që i shërbyen me zell diktaturës komuniste nuk mund të jenë sërish në funksione drejtuese në Prokurori e në Gjykata. Skenaristi i filmit dokumentar skenarist i dokumentarit "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist" dënon qëndrimin absurd të së majtës shqiptare në mbrojtje të ish-agjentëve të sigurimit famëkeq të Sigurimit të Shtetit. Legjenda e qëndresës në burgjet komuniste e konsideron tronditës faktin që edhe pas 18 vjetësh të përmbysjes të sistemit të diktaturës, sërish ish- agjentët e Sigurimit famëkeq janë mobilizuar si asnjëherë për ta penguar hapjen e dosjeve dhe për të mos dënuar krimet e komunizmit.

-Zoti Tomor, këto ditë në Parlamentin shqiptar po shqyrtohet Ligji për hapjen e dosjeve, ligj, që po pengohet nga mazhoranca e majtë. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Ligji për hapjen e dosjeve, jo vetëm që është i vonuar, por ka ndikuar negativisht në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri. Mbas përmbysjes së mortajës komuniste, e cila për të mbajtur shtetin e diktaturës më këmbë asgjësoi trurin e kombit, atdhetarizmin, fisnikërinë, vlerat intelektuale, hapja e dosjeve dhe ndëshkimi i atyre që i shërbyen me zell atij sistemi ishte domosdoshmëri. Është vërtetë tronditës fakti që edhe pas 18 vjetësh të përmbysjes të sistemit të diktaturës, sërish ish-agjentët e Sigurimit famëkeq janë mobilizuar si asnjëherë për ta penguar hapjen e dosjeve dhe për të mos dënuar krimet e komunizmit.

Ne ish-të burgosurit politikë jemi të bindur tashmë se pengesë në këtë drejtim janë bërë dhe vazhdojnë të mbeten pikërisht ata që i shërbyen me zell atij sistemi. Dhe fatkeqësisht ata kanë mundur të dominojnë politikën sa herë është diskutuar hapja e dosjeve. Mazhoranca demokrate, pas fitores së demokracisë më 1992 bëri disa përpjekje për të miratuar një ligj të tillë, por siç dihet nuk u arrit ajo që kërkohej nga ne ish-të burgosurit politikë. Sipas mendimit tim në atë periudhë '92-'95 ishte plotësisht e mundur të bëhej dhe miratohej qoftë ligji për ndëshkimin e krimeve dhe të genocidit komunist, qoftë ai për hapjen e dosjeve. Ne nuk kemi kërkuar hakmarrje, kemi falur për hir të interesave kombëtare, por kjo nuk do të thotë që ligji të mos vepronte mbi ata që masakruan ajkën e kombit dhe që kryen krimet më monstruoze ku mijëra shqiptarë u ekzekutuan me e pa gjyqe. Nëse do të veprohej që në fillim, xhelatët e Sigurimit famëkeq nuk do të kishin më mundësi të organizoheshin e të përgatisnin rebelimin e armatosur mafiozo-komunist siç bënë në '97. Por këtë të keqe e kemi prezent edhe sot, kur Ramiz Alia e suita e tij gëzojnë liri e të drejta të plota, madje edhe ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krimet montruoze si Femi Abdiu e këlyshët e Aranit Çelës, Spiro Kolekës e të ndonjë tjetri. Ne habitemi se si në këtë vorbull dhe në mbrojtje të mbeturinave të atij sistemi janë shfaqur ditët e fundit edhe disa diplomatë të huaj në vendin tonë.

-Si e vlerësoni nismën për ngritjen e një Instituti Kombëtar për zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit?

Para një viti kryeministri Berisha deklaroi se, qeveria do t'i propozojë Parlamentit ngritjen sa më parë të një Instituti për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe që do të shërbejë si dëshmi e gjallë për dënimin e tyre. Gjithashtu për të përkujtuar gjithë ata persona që u vranë e persekutuan. Ne ish-të burosurit politikë e kemi përshëndetur dhe mbështetur këtë nismë të kryeministrit dhe urojmë, që ky institut të ngrihet sa më parë. Në këtë drejtim vlerësojmë dhe angazhimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

-Zoti Tomor, ju jeni skenarist i dokumentarit "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist". Si është pritur nga publiku shqiptar dhe ai i huaj ky dokumentar?

Ideja për filmin ishte e hershme, por dhe pengesat ishin të shumta, megjithatë dëshira ime u realizua. Falenderoj TVSH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve për gatishmërinë që treguan dhe mbështetjen që më dhanë për realizimin e këtij filmi që hedh dritë mbi genocidin e pashembullt komunist në vendin tonë. Filmi hedh dritë mbi krimet barbare që u kryen nga fundi i vitit '44 deri në vitin 1951 kur u eliminua truri i kombit shqiptar me gjyqe të montuara politike. Pas promovimit në Tiranë në prani të personaliteteve më të larta shtetërore dhe trupit diplomatik, filmi u shfaq dhe në disa rrethe kryesore të vendit, si Shkodër, Gjirokastër e Vlorë. Është për t'u evidentuar fakti se, pikërisht kur nostalgjikët përpiqeshin të festonin 100-vjetorin e diktatorit Enver Hoxha, ne u gjendëm me këtë film në Gjirokastër, ku morëm urimet më të mira për suksesin e filmit. Dhe jo vetëm kaq. Filmi ka patur jehonë edhe në Perëndim.

Me ftesën e Institutit Kombëtar të Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e RSH, në Bruksel u organizua shfaqja e filmit dokumentar "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist", film ky që u mirëprit nga bashkëatdhetarët tanë edhe për faktin se u shoqërua me një ekspozitë fotografike me të njëjtën temë. Ne zgjodhën Brukselin, pasi institucionet më prestigjoze europiane që veprojnë atje kanë inicuar dhe miratuar dy Rezoluta që dënojnë krimet e komunizmit.

-Ç'farë synoni për ta ardhmen?

Jemi në përgatitjet e fundit për të realizuar shfaqjen e filmit edhe në disa vende të tjera. Kemi ftesa për këtë nga Kosova, Maqedonia, SHBA e Kanadaja. Sigurisht që ky film do të shfaqet edhe në qytete të tjera të vendit dhe ajo që është më me interes është shfaqja e tij në sallat e universiteteve e shkollave për studentët e nxënësit.

Përgatiti: Halil RAMA - RD