Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: 29 korrik 1913, dita e formimit të shtetit shqiptar

| E premte, 29.07.2022, 07:26 PM |


29 korrik 1913, dita e formimit të shtetit shqiptar

Nga Kastriot Dervishi

Në tetor 1912 nisi lufta e parë ballkanike, prej së cilës pothuaj i gjithë territori europian i Perandorisë Osmane u pushtuar nga ushtritë ballkanike, serbe, bullgare, greke, malazeze. Territori shqiptar u pushtua gati i gjithë, përjashto trekëndëshin Vlorë-Berat-Kavajë. Për këtë arsye, fuqitë e mëdha: Austro-Hungaria (AU), Italia, Gjermania, Franca dhe Rusia (Japonia nuk mori pjesë), më 17.12.1912 nisën në Londër një konferencë ambasadorësh, e cila do zgjidhte juridikisht gjendjen e re të krijuar në Ballkan. Në konferencë, dy fuqitë e para, ishin me Shqipërinë. Synimi i tyre ishte kontrolli i Adriatikut dhe të pengonin sllavët të kapnin këtë kontroll. Qeveria e Vlorës kërkoi një territor prej 57 mijë kilometrash katrorë, ndërsa AU prej 48 mijë kilometrash katrorë. Rusia kërkoi një shtet të vogël shqiptar, në hapësirën Mat-Berat. Pas debatesh të ashpra, konferenca mori vendime kohë pas kohe. Më 22.3.1913 u caktua kufiri verior i Shqipërisë, sipas së cilit Shkodra i ngeli Shqipërisë sepse atje luftohej ende. Më 15.7.1913 AU dhe Italia paraqitën një propozim të ri për formimin e një principate autonome të trashëgueshme nën garancitë e fuqive të mëdha, shkëputjen e çdo lidhjeje me Perandorinë Osmane, administrata dhe forcat e armatosura i besoheshin komisionin ndërkombëtar të kontrollit me mandat fillestar 10 vjeçar, etj. Më 29.7.1913, në bazë të këtij propozimi, fuqitë e mëdha dhanë vendimin përfundimtar me 11 pika. Kryetari i shtetit do zgjidhej për 6 muaj nga fuqitë e mëdha.

Më 11.8.1913 u caktua kufiri jugor i Shqipërisë e më pas nisi puna për caktimin e kufijve në terren. Në bazë të vendimin të konferencës, ushtritë e huaja u larguan nga territori i njohur i shteti shqiptar. Përfundimisht me protokollet e viteve 1925 dhe 1926 në Firence, mori fundi formatimi i shtetit shqiptar.