Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Poetja arbërore Isabella Kastrioti Skanderbeg (1704 – 1749)

| E merkure, 27.07.2022, 09:00 PM |


POETJA ARBËRORE

ISABELLA KASTRIOTI SKANDERBEG

1704 – 1749

Nga Lutfi ALIA

Dinastia e Kastriotëve ka dhënë kontribute të shquara në historinë e Shqipërisë, të Italisë dhe të vendeve të tjera europiane. Në Itali, Kastriotët janë me prejardhje nga dy degë, e para dhe më e gjëra, janë pasardhësit e familjes të Gjergj Kastriotit me Andronika Ariantitin dhe djalin e tyre Gjon Kastrioti; ndërsa linja e dytë janë pasardhësit e Vrana Kontit, kushëri i Gjergj Kastriotit. Sipas censimentit të vitit 2020, në Itali janë 160 familje me mbiemërin arbëror Kastrioti, shumica në Napoli dhe në Pulja. Pasardhësit e familjeve Kastrioti kanë tituj fisnikërie si princ, duka, baron, kont, markez, kavalier dhe janë shquar në jetën italiane jo vetëm si feudatar por dhe në veprimtari politike, ushtarake, adminsitrative, fetare, kulturore, letrare, artistike, në shkencë dhe në gazetari. Ndër figurat e shquara në krijimtarinë letrare të Kastriotëve në Itali janë dy poete Giovanna Kastrioti Granai Karafa (1515 - 1592) dhe Isabella Kastrioti Skenderbeg (1704 - 1749).

Giovanna Kastrioti Karafa ishte pasardhëse e linjës të Vrana Kontit (Granai Kastrioti). Krijimet poetike të saj botuar në vitin MDXXCV (1585) dhe ribotuar në vitin 2017 me titull “Rime in lode della illustratissima et eccellentissima Signora Donna Giovanna Castriota Carafa, duchessa di Nocera e marchesa di Crosia Santo Angelo (botim i Rubettino)”.

Isabella Kastrioti Skenderbeg, e linjës të Gjergj Kastriotit, është personazzh historik i provincës së Leçes, e shquar për krijimtarinë e saj poetike dhe e përfshirë në disa enciklopedi italiane dhe në vëllimin me poezi të “Akademia degli Spioni di Leçe”, botuar në vitin 1747. Biografët dhe kritika letrare italiane e kanë vlerësuar Isabella Kastrioti Skendebeg, poetia mendjendritur, me formim intelektual në krijimtarinë poetike, në shkrimet filozofike dhe protagoniste e emancipimit të femrave në shekullin XVIII në shoqërinë leçeze.

Isabella Kastrioti Skenderbeg

Gjoni II Kastrioti, Duka i parë i Galatina dhe Konti i Soleto, me gruan Irena Brankoviç, kishin katër djem dhe vajzën Maria.  Djali i dytë Ferdinandi Duka i dytë i Galatina dhe Konti i Soleto, u martua dy herë dhe nga këto martesa lindën: Akile, Federiko, Alfonso, Pardo dhe Erina. Pasardhësit e kontit Pardo Kastrioti Skender-beg, ikën nga Kopertino dhe u vendosën në Leçe, kryeqendra e Terra D’Otranto, nga mori zanafillën dega leçeze e Kastriotëve. Don Aleksandër Kastrioti, djali i don Vitantonio (nipi i Pardo Kastrioti), në mbarim të studimeve në shkollën Nardò, fitoi një formim kulturor, që e bëri të njohur në jetën e re në Leçe.

Ai mbante ditar me kujtimet e tij, fillimisht të shkruara me shpirt rinor e më pas me karakter të paqartë dhe me dorën që i dridhej nga pleqëria. Në ditar ka shënuar gjithëçka rreth jetës së tij, llogaritë e aktiviteteve financiare, takimet me personalitete dhe klerikë, lajmet rreth ngjarjeve politike, lista dokumentash, pergamena, diplomën e shpalljes të Gjon II Kastrioti patric i Serenissima, plot akte notarile si ai i pronave të Pardo Kastrioti që kishte trashëguar, si dhe shumë të dhëna lidhur me jetën dhe aktivitetin poetik të Isabellës, vajzës së tij, mbi bazën e të cilave është ndërtuar jeta e saj private dhe letrare. Këtë ditar e shfrytëzoi Nikolla De Simone Paladini, i cili shkroi monografinë për Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe Pietro Belli dhe më pas u shfrytëzua nga Rosella Barletta për monografinë “Isabella Castriota Scanderbeg: espressione di emancipazione feminile”.

(Lecce, Edizione Griffo 2021).

Ditari i Aleksandër Kastrioti fillon më 25 shtator 1682 me martesën me fisniken Katerina Giustiniani, nga familje leçeze e pasur, me origjinë gjenoveze: “Addì 25 settembre 1682 si fecero li capitoli matrimoniali tra me D. Alessandro Castriota e la Donna Caterina Giustiniani, fatti in Lecce da notar Staibano”.

Aleksandri me Katerinën nuk patën fëmijë. Më 20 nëntor të vitit 1702, vdiq Katerina Giustiniani.

Një vit më pas, më 17 dhjetor 1703, Aleksandri u martua me Irena Pieve-Sauli, nga një familje fisnike në Gallipoli, me origjinë gjenoveze. Me martesën e dytë lindën dy vajza binjake, si shkruan Aleksandri në ditar: “Ditën e hënë të 1 shtatorit 1704, Irena lindi dy vajza binjake, njera vdiq, ndërsa tjetra jetoi dhe e pagëzuam me emrin Isabella Giuseppa Maria Petronilla”.

Shtatzania me binjakët e rëndoi shëndetin e Irenës, e cila u sëmurë me ethen puerperale. Kur gjendja u përkeqësua Irena firmosi testamentin duke ia kaluar tërë pasurinë Isabellës foshnje. Tetë ditë pas lindjes më 9 shtator 1704, vdiq Irena Pieve – Sauli dhe Aleksandri përsëri mbeti i vè, me Isabellën e porsalindur, që ia besoj mendeshës Saveria Buttazzo nga Shen Pietro në Lama.

Sipas mentalitetit të asaj kohe, Aleksandri dorështërnguar dhe i pasur, pretendonte një djal që t’i trashëgonte pasurinë, titujt dhe nderet, ndërsa vajzën e priste jeta në manastir. Në gjendje dëshprimi, Aleksandri iu drejtua një fallxheshe. Profecinë e saj e përshkruan në ditarin e tij: “Isabellën dërgoje në manastir, kur të mbushi 18 vjeç do të jetë murgeshë, 42 vjeçe do të bëhet badessa e në vazhdim do të marri nderimet e tjera ... do të jetë shëndetligë, do të vuaj nga dhimbjet e kokës, do të jetë e thjeshtë dhe hokatare, do të krijojë miqësi me personalitete etj”. Natyrisht këto profeci nuk u realizuan, veç asaj që shumë vite më pas, Isabella krijoi raporte miqësie me personalitetet e artit dhe të kulturës leçeze.

Aleksandër Kastrioti më 13 qeshor 1706 u martua për të tretën herë me Giuseppa de Torris nga Trani nga një familje fisnike me origjinë spanjolle dhe mbesa e ipeshkëvit të Trani. Bashkëshortja Peppa, lindi dy djem Françesko Paolo dhe Vitantonio, ndërsa për Isabellën e vogël, njerka zemërgurë përgatiti valixhet me veshjet e nevojshme dhe e mbylli në manastirin e Shen Giovanni Evangjelista i murgeshave benedektine në Leçe.

Për rritjen, edukimin dhe arsimimin e Isabellës së vogël u impenjuan murgeshat. Isabella kaloi një fëmijëri të vështirë, rrethuar nga mistiçizmi, rregullat e rrepta dhe mësimet fetare, pa dashuri e pa përkëdhelje prindërore, pa lojra fëminore me shoqe dhe shokë. Kur Isabella mbushi moshën 11 vjeçe, daja i saj Giambatista Pieve-Sauli vendosi ta largoi nga ky manastir. Giambatista ishte mashkulli i fundit i familjes Pieve – Sauli, ishte i pasur, por nuk kishte fëmijë, andaj vendosi ta merrte pranë Isabellën, si trashgimtare të pasurisë. Ky veprim i Giampatista ishte djallëzor, sepse ai nuk e mori në shtëpinë e tij, por e mbylli përsëri në një tjetër manastir në Gallipoli.

Isabella Kastrioti në manastirin Shen Kiara në Gallipoli.

Më 15 janar 1715, Isabella adoleshente doli nga manastiri Shen Giovanni Evangjelista, iku nga Leçe dhe nga shtëpia atërore, ku nuk u kthye më kurrë. Isabella shkoi në Gallipoli me dajën Giambatista, i cili e mbylli në manastirin e Shen Kiara, ku shërbenin murgesha dy mikeshat e tij, të cilat e pritën dhe ia trajtuan me dashuri mbesën. Ndonëse e privuar nga dashuria prindërore, e braktisur dhe e izoluar në manastir, Isabella e përballoi këtë fat mizor duke iu përkushtuar shkollimit dhe thurjes të poezive të para. Isabella adoleshente iu dedikua krijimtarisë letrare, me poezi që shprehnin gjendjen e saj shpirtërore, çka ndikoi që gratë leçeze të njiheshin me kushtet e vështira të jetës së asaj kohe, me poezi që shprehnin idetë për t’u çliruar nga jeta e ndrydhur nga padrejtësitë familjare dhe shoqërore. Të kësaj kohe janë dhe sonetat e para. Jetesa në mjedis të mbyllur nga fanatizmi fetar dhe nga paragjykimet, nuk e thyen shpirtin e saj të lirë, që e shprehu fuqishëm me krijimtari poetike, që synonte emencipimin e femrave të asaj kohe të vështirë. Në manastirin e Shen Kiara, Isabella qëndroi deri në shtator të vitit 1720, kur mbushi 16 vjeç.

Martesa e Isabellës me baronin Filippo Guarini.

Më 11 shtator 1720, daja Giambatista Pieve – Sauli e nxorri Isabellën nga manastiri i Shen Kiara, me justifikimin se do ta merrte në shtëpinë e tij. E ashtuquajtura mbrojtje nga daja Giambatista, ishte një kurth djallzor, sepse ai pa biseduar dhe pa miratimin e Isabellës, kishte përgatitur martesën e saj me një burrë të moshuar. Giambatista e martoi mbesën 16 vjeçare me feudalin e Tuglie, baronin Filippo Guarini 60 vjeçar, që kishte mbetur beqar. Kjo martesë e detyrushme për Isabellën, u krye me qëllim, që fëmijët meshkuj që do të lindnin nga kjo lidhje martesore, të merrnin mbiemërin Pieve - Sauli dhe të trashgonin pasuritë e mëdha, që dispononte Filippo Guarini. Martesa u celebrua po më 11 shtator 1720, në shtëpinë Giambatista, që ishte dhe kryetar i Bashkisë të Gallipolit. E detyruar të martohej me një burrë, që nuk e donte e për më tepër shumë i madh në moshë, për Isabella Kastrioti ishte zhgënjim, ishte fyerje, që i krijuan vuajtje shpirtërore, por dhe

zëmërim ndaj Giambatista, që e kishte poshtëruar duke e martuar me një të moshuar për përfitime personale.     Baroni Guarini e konsideronte fat të madh që u martua me një fisnike të familjes Kastrioti dhe trashëgimtare e pasurive të Giambatista, andaj që në fillim u tregua zemërgjër, i sjellshëm dhe respektues ndaj nuses së re.

I ati Aleksandro Kastrioti, i cili prej gjashtë vite që Isabella kishte qëndruar e mbyllur në Manastirin e Shen Kiara nuk e kishte takuar asnjëherë, nuk mori pjesë në ceremonin martesore, por në ditarin e tij shkruan: “Më 11 shtator 1720, Donna Isabella doli nga kuvendi i Gallipolit dhe pas dy orësh, në shtëpinë e Giambatista Pieve – Sauli, u martua me baronin Filippo Guarini i Tuglie”.

Pak kohë pas martesës, i ati Aleksandri i kërkoi Isabellës të hiqte dorë nga e drejta e pronave të trashëguara nga nëna dhe ajo me urtësi dhe zemërgjërësi pranoi t’i kalonte të atit, si rezulton në aktin noterjal të 2 tetorit 1725 të firmosur me noterin Mangia në Leçe. Nga ana tjetër Don Aleksandri, i bindur se për moshën e madhe Guarini nuk do të kishte fëmijë, synonte që pas vdekjes të baronit pasuria e tij t’i kalonte Kastriotëve.

Ky fat mizor e shoqëroi Isabellën fisnike gjatë tërë jetës së saj të shkurtër të mbushur me plot dhimbje. Ajo nuk njohu dashurinë dhe përkëdheljet e nënës, por që e vogël u përballë me ftohtësinë dhe mllefet e njerkës, u rrit larg familjes atërore, iu thyen ëndërrat për të takuar princin e kaltër, ndërsa daja mizor e detyroi të martohej me plakun Guarini dhe jo vetëm kaq, por iu desh të përballej dhe me lakmitë e të atit dhe të kushërinjëve që kërkonin t’i merrnin pasuritë që kishte trashëguar nga nëna dhe ato që i përkisnin nga martesa me Guarinin.

Jeta e Isabella Kastrioti Skenderbeg rridhte trishtushëm në qetësinë e humbëtirave të Tuglie të baronit Filip Guarini. Ajo rrinte duke vështruar nga ballkoni detin e Gallipolit dhe në thellësi ishullin e Shen Andrea e ndërkohë në shpirtin e Isabellës rinushe vërshonin ëndërra dhe fantazia për lumturinë, që gjithmonë e kishte imagjinuar, e kishte kërkuar, por kurrë nuk e kishte gjetur. Më e trishtuar se heshtja në manastiret, që ndërpritej nga këngët liturgjike, Isabella përjetonte në vetmi ftohtësinë e pallatit Guarini dhe e kalonte kohën në shoqërinë e zogjëve të kopështit e të mendeshës së saj, si dhe duke thurur poezi si këngë zemre dhe soneta për të thyer ritmin monoton të ditëve të trishta dhe për të larguar ankthin mundues të jetës bashkëshortore. Në dhomat e zymta të pallatit, nuk arrinin rrezet e diellit për të shpërndarë errësirën, ndërsa shpirti i saj i dlirtë, poetik dhe mistik kërkonte dritë dhe jetë, kërkonte rrugën e shpresës për të gëzuar rininë e saj të mbyllur në kështjellën Guarini, kërkonte shtigjet për të dalë në jetën e lirë. Këtë gjendje shpirtërore të tronditur nga fati mizor, Isabella e pasqyroi në poezitë e saj dhe në letrat e gjata plot dhimbje që i dërgonte vazhdimisht të atit shpirtzi, dajës të pabesë dhe murgeshave të Shen Kiara, duke iu përshkruar vuajtjet që i kishte shkaktuar fati mizor dhe i pa merituar dhe iu kërkonte ta ndihmonin, ta çlironin nga kjo padrejtësi, por të gjithë i dhanë të njejtën përgjigjie, kërkonin që Isabella të respektonte detyrimet e lidhjes martesore, që për atë kohë ishin ligj që nuk shkelej.

Isabella përsëri uli kokën, iu nënshtrua fatit dhe u mbyll në dhimbjen e saj të gjatë edhe për disa vite dhe gjëndjen e saj shpirtërore të tronditur nga fati i pamerituar e shprehu në poezitë e shumta. Kështu kaluan shtatë vite me një jetë bashkëshortore të rreme, të palumtur e me plot sakrifica nga Isabella, e cila më së fundi nuk duroji dhe gjeti forca dhe kurajo t’i kundërvihej fanatizmit, ostraçizmit fetar dhe paragjykimeve shoqërore, duke i kërkuar burrit ndarjen de fakto. Në shtator të vitit 1727, Filippo Guerini pranoi ndarjen de fakto, por me kusht, që baronesha Isabella të hynte në Konservatorin e Shen Anna në Leçe, ku pranoheshin vetëm vajza të rendit fisnik, që i nënshtroheshin një forme jetese manastiriale. Për këtë zgjedhje të Isabellës, Aleksandër Kastrioti me cinizëm shkruan shkurt në ditar: Addì 11 settembre 1727 entrò nel Conservatorio di S. Anna donna Isabella Castriotaditën e 11 shtatorit 1727 Isabella Kastrioti hyri në Konservatorin e Shën Anna”.

Në fakt, Konservatori i Shen Anna nuk ishte manastir, por një pallat ku jetonin të tërhequra femra fisnike, ku çdo njera kishte apartamentin e vet, i përballonin vetë shpenzimet, jetonin në bashkësi sipas rregullave fetare të diktuara nga murgeshat, por kishin të drejtë të dilnin e të vizitonin mjediset shoqërore të Leçes dhe të takonin të afërmit. Gjatë viteve në këtë konservator, Isabella iu dedikua studimeve të literaturës klasike dhe bashkëkohore, formimit kulturor dhe filozofik si dhe krijimtarisë poetike. Në këto vite, Isabella vizitoi disa herë mjediset shoqërore leçeze dhe në ato takime u prezantua me bukurinë e një vajze njëzetvjeçare, me formim kulturor dhe letrar dinjitoz, që shpejt u njoh dhe u miklua nga lajkatarë të shumtë, por që ndikuan dhe të hapi një horizont të ri në realitetin e jetës në shoqërinë e Leçes. Pikërisht në këto takime njohu personin e duhur, me të cilin u dashurua dhe bashkëndanë lumturinë bashkëshortore, që i kishte munguar prej shumë vitesh.

Isabella Kastrioti në jetën aktive të shoqërisë leçeze.

Jetesa në Konservatorin e Shen Anna zgjati pesë vite, si rezulton në ditarin e Aleksandër Kastrioti, i cili shkruan: “A 31 agosto 1732, uscì dal Conservatorio Donna Isabella – më 31 gusht gruaja Isabella doli nga Konservatori”. Si shprehen biografët Paladini dhe Barletta, shumë zgjati jeta e Isabellës e mbyllur në kafazin e artë, por çdo çast e ndjente jetike domozdoshmërinë e lirisë, kërkonte ta gëzonte jetën në esencën e saj,

kërkonte të fluturonte në kaltërsi e të kendonte në liri ato këngë, që për kohë të gjatë i këndoi brenda mureve të manastireve, të kështjellës Guarini dhe të Konservatorit Shen Anna

Pas insistimit të Isabellës, më së fundi baroni Guarini 80 vjeçar e jo pak i matufepsur, ia dha lejen Isabellës të dali nga Konservatori. Dhe i ati Aleksander Kastriot nuk e kundërshtoi këtë vendim, por me shpirtvogëlsinë dhe manipulator si gjithmonë, nëpërmjet noterit të tij, i kërkoi Isabellës që disa nga pasuritë e saj dhe kapitalin prej 500 dukatesh t’ia dhuronte dy vëllezërve nga i ati. Fisnikja zemërmirë dhe e sjellëshme pranoi t’iu dhuroj vëllezërve këto pasuri, si rezulton në aktin e firmosur prej saj më 1 shtator 1732, ditën e nesërme që doli nga konservatori. Ky vendim i Isabellës nuk i pëlqeu dajës Giambatista Pieve-Sauli, i cili i revoltuar i ndërpreu mardhëniet me mbesën, madje paknaqësinë e shprehu në testamentin e tij, duke e përjashtuar si trashëgimtare.

Takimi i dy poetëve: Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe Pietro Belli.

E çliruar nga martesa me Filippo Guarini dhe nga vartësia e të atit zemërgurë Aleksander Kastrioti i cili për dhjetë vjet më pas nuk e permend në ditarin e tij, e shkëputur nga lidhja me Giambatista Pieve – Sauli, tashmë Isabella e bukur, inteligjente, hokatare, e kulturuar, pa pargjykime dhe me krijimtari poetike të admirueshme, u prezantu plot dinjitet dhe me personalitetin e gruas me kulturë të lartë në shoqrinë leçeze. Bazuar në krijimtarinë e saj, menjëherë e pranuan antare në “Accademia dei Spioni” në Leçe, ku shumica ishin burra.

Gjatë takimeve në akademi bashkëbisedohej dhe debatohej për probleme kulturore dhe filozofike, si dhe recitoheshin krijimtaritë poetike. Në rrethin letrar të akademisë, në mbledhjet vetëm me burra të drejtuara nga kryetari Saverio de Blasi, Isabella Kastrioti ndërhynte me diskutime rreth filozofisë platoniane, të gjeometrisë karteziane, të historisë, të traditës letrare klasike dhe të krijimeve poetike, ku ëmbëlsisht e më pasion recitonte sonetat e veta. Historianët dhe kritikët letrar theksojnë se Isabella u prezantua me repertor poetik të stilit Arkadia, që shprehte transfigurimin letrar, si vend i qetë i jetës baritore dhe jetës idilike, të asaj pjese jete që i kishte munguar, andaj poezitë e saj ishin mbushur me vargje që shprehin dashurinë platonike. Krijimet poetike të Isabellës ishin të bukura dhe të rimuara, madje shprehnin sugjestionim kartezian rigoroz dhe racional në planin llogjik.

Isabella Kastrioti Skenderbeg renditet ndër gratë e pakta të shekullit XVIII, që shprehu dhuntitë intelektuale, letrare dhe kulturore duke iu përkushtuar filozofisë dhe krijimeve poetike, në të cilat shprehu pavarësinë dhe ndjenjat e dashurisë në një mjedis të mbushur me paragjykime duke u prezantuar me dinjitet si protagoniste në emancipimin e femrave të Salentos të asaj kohe. Pjesmarrja në mbledhjet e akademisë vetëm me burra, fillimisht u konsiderua skandal nga opinioni, por shpejt ky shembull u ndoq nga katër gra fisnike leçeze si Katerina Belli, markezia Ugento, Teresa Paladini, Mariana Boci e më pas dhe nga të tjera.

Në takimet në rrethin letrar të akademisë, Isabella njohu dhe u miqësua me poetin - filozof Pietro Belli, atë kohë në moshë mature dhe me famë, i cili pas një jete pelegrine dhe aventurave të shumta, vendosi të kthehet e të jetoi në Leçe. Me këtë njohje, Isabella u dashurua me Pietro Belli dhe për atë vashë rinushe ishte dashuria e parë dhe e vetmia në jetën e saj, ishte zjarri dashuror që ia zbukuroi dhe e lumturoi jetën në dy dekadat e fundit të jetës. Për rreth tetë vite, Isabella Kastrioti dhe Pietro Belli përjetuan vetëm dashurinë platonike, të cilën të dy palët e shprehnin me poezitë e bukura të mbushura me ndjenja dashurie. Pietro në atë moshë ishte në kërkim të një gruaje që ta kuptonte, ta dashuronte e të lidhnin së bashku jetën dhe Isabella ende e virgjër, e re me shpirt poetik dhe plot vitalitet, ishte në kërkim të lumturisë, të mrekullisë të jetës bashkëshortore, për të kompensuar vitet e rinisë që ia kishin mohuar. Këtë dashuri Pietro Belli për Isabella Kastrioin e shpreh në një nga poezitë në dorëshkrimin “Canzioniere – përmbledhje lirikash”:

Ti piktor, ne se dëshiron të më bejsh portretin për së gjalli,

më pikturo brenda detin nga era të trazuar,

me lojën e dallgëve, që mbajnë brenda ikanakun,

me tallazet mizore që rrahin shkëmbijtë ...

Pietro Belli përktheu në italisht poemën “Siphilis sive de morbo gallico” shkruar në latinisht nga Girolamo Frakastoro, me një parathënie dedikuar Giampatista Viko, që e kishte inkurajuar dhe nxitur vazhdimisht në përkthimin e kësaj vepre.  Për krijimtarinë letrare të Pietro Belli, për miqësinë me filozofin Viko, për raportet dhe martesën me Isabella Kastriotin ka shkruar hollësisht Benedetto Kroçe.

Në pranverën e vitit 1741 vdiq baroni Filippo Guarini, kështu pas ndarjes de facto të më pareshme, tani u hoq dhe pengesa e fundit e lidhjes martesore, që konkretizoi ndarjen de juro dhe tani Isabella Kastrioti ishte e lirë të realizonte lidhjen dhe të martohej me Pietro Belli.

Më 22 qershor 1741 Pietro Belli u martua me Isabella Kastrioti Skenderbeg, kështu u ligjërua ajo lidhje e ngushtë dashurie deri atë kohë platonike. Jeta e lumtur bashkëshortore u zbukurua me lindjen e dy vajzave, Raimondina në vitin 1742 dhe Katerina në vitin 1745. Jeta e lumtur bashkëshortore e Isabellës u shoqërua dhe me krijime të reja poetike, sidomos me soneta dhe një madrigale. Në një mbledhje të akademisë në vitin 1745 në shtëpinë e kryetarit të bashkisë të Leçes Angelantonio Paladini, të organizaur për nder të mbretit Karli III Borbon, morën pjesë katër gra fisnike, të cilat recituan poezi dhe soneta. Tereza Paladini recitoi në frengjisht “Lutem zotit për madhërinë Karli Borbon”; baronesha Isabella Kastrioti Skenderbeg recitoi sonetën “Maria Amaglia Regina”, zonja Baumont këndoi sonetën “La Reale Infanta”, markeza Ugento recitoi një sonetë dedikuar mbretëreshës, ndërsa Pietro Belli recitoi epigramën latine “Praesagium ad Amaliam”. Shumë nga krijimet poetike të Pietro Belli dhe të Isabella Kastriotit kanë humbur dhe pak prej tyre janë përfshirë në përmbledhjen poetike të “Akademia degli Spioni” të Leçes, të mbledhura nga kryetari i bashkisë të Leçes Domeniko Maria Guarini me rastin e lindjes të trashëgimtarit të parë të mbretit Karli III Borbon dhe të botuara në vitin 1747.

Edhe ne këto pak vite lumturie të përjetuara nga Isabella në familjen e saj, nuk munguan problemet. Pietron e dënuan se nuk kishte shlyer borxhet e vjetra dhe Isabella u detyrua të shesi pjesë pronash, duke e shpëtuar Pietron nga burgu. Kalvari i Isabellës vazhdoi dhe pas vdekjes të Giambatista Pieve – Sauli në pranverën e vititi 1748, i cili në testamentin e tij, e kishte perjashtuar Isabellën nga pronësia.

Vitet e jetuara nga Isabella me braktisjen, izolimin dhe mohimin e të drejtave të pronësisë dhe të lirisë, u shoqëruan dhe me përkeqësimin e shëndetit, që po rëndohej vazhdimisht. Më 4 mars 1749, në moshën 44 vjeçe, në pallatin Belli në Leçe dhe në kulmin e krijimtarisë poetike, baronesha Isabella Kastrioti Skenderbeg, u ngjit në amëshim, Pegasi rendi në lartësi duke mbajtur në flatra madhështinë dhe dlirësinë e Isabellës, kapërceu gurin e fatit dhe e dërgoi në parajsë pranë Atit tonë. Isabella Kastriotin e varrosën në kishën “Shen Pietri i Alkantara” dhe në nderim të jetës dhe veprës së saj, u celebruan mesha në të gjitha kishat e Leçes.

Një ditë para ndarjes nga jeta, Isabella Kastrioti ia dorëzoi testamentin noterit, duke deklaruar trashëgimtarë dy vajzat Raimondina e Katerina dhe burrin e saj të dashur, por duke caktuar dy tutorë të vëllanë Françesko Kastrioti dhe kunatin Karlo Belli, të kujdeseshin për vajzat dhe për bashkëshortin shëndetlig. Në këtë testament nuk harroi të shpërblejë Saveria Gaballo, kamarjeria e shtëpisë, si dhe mendeshën e saj Tereza Butazzo, që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës së saj me plot vuajtje e mundime.

Pas vdekjes të Isabellës, Pietro Belli poeti-filozof përjetoi dy dhimbje të tjera, që e rënduan shpirtërisht, vdiqën e bija Katerina dhe i vëllai Karlo. Pietro i sëmurë mbeti i mbyllur në pallatin e zbrazur i shoqëruar nga vajza Raimondina e vogël. I preokupuar për të ardhmen e të bijës, Pietro Belli hartoi testamentin duke ia besuar Raimondinën Zonjës Giovanna Fiore, gruas të kryetarit te Bashkisë të Leçes Angelantonio Palladini, që ta merrte në shtëpinë e saj ta rriste dhe ta edukonte.

Më 20 gusht 1751 u nda nga jeta Pietro Belli. E varrosën pranë Isabellës në kishën “Shen Pietri i Alkantara”.

Pak vite pas vdekjes të Pietro, Raimondinën e dërguan në manastirin e Shen Giovanni dhe kur mbushi moshën doli nga manastiri dhe u martua me dukën Françeskantonio Guarini. Dukesha Raimondina i ruajti krijimet poetike, epigramat dhe shkrimet filozofike të nënës Isabella Kastrioti dhe të babait Pietro Belli. Raimondina vdiq më 30 nëntor 1804 në Leçe dhe të gjitha krijimet e prindërve që kishte, humbën ose u shkaterruan, madje dhe u përvehtësuan nga të tjerët.

Në vitin 1871, në nderim të poetes arbërore Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe bashkëshortit të saj poetit- filozof Pietro Belli, Këshilli Bashkiak i Komunës Leçe, vendosi që dy rrugë të mbanin emërat e tyre, emëra që janë dhe aktualisht. Shtëpia ku lindi Isabella në rrugën Dei Peroni, krah pallatit Giustiniani dhe kisha Shen Matteo pranë saj janë shembur. Sipas rrëfimeve të dukeshës Venturi edhe kështjella Guarini, e braktisur pas vdekjes të baronit Filippo Guarini që nuk la trashëgimtar, mbeti në duart e shërbëtorëve injorantë, të cilët e keqmbajtën dhe e shkatërruan, hoqën nga kornizat telajot e pikturave, ndër ato dhe atë me portretin e Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe i përdorën si lecka për pastrimin e dyshemeve dhe të enëve të kuzhinës.

Krijimtaria poetike e Isabella Kastrioti Skenderbeg është pasqyruar në botime të shumta si në “Accademia dei Spioni” në vitin 1747, në studime të shumta, së pari nga Nicola De Simone Paladini me veprën: “Due poeti nel travagliato‘700 salentino Lecce” 1871; është vlerësuar nga kritikë letrarë dhe studiues të shumta, dhe nga autorë aktualë si Rossella Barletta me botimin në vitin 2021 të studimit: “Isabella Castriota Scanderbeg. Espressione di emancipazione femminile”, ashtu si dhe me dhjetra studime biografike, skica letrare si dhe me aktivitetete përkujtimore kulturore të organizuara në ditët e sotme, ku krahas prezantimit si protagoniste e emancipimit të femrave leçeze, recitohen dhe sonetat e pakta që janë ruajtur.

Autorja Rossella Barletta, në prologun e këtij studimi thekson: “Shpresoj se kam kontribuar në heqien e asaj perde harrese, që deri tani e kishte mbuluar emrin e Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe t’i kem dhënë lexuesve elemente të mjaftueshëm për ta çliruar nga anonimati”.

Natyrisht arbërorja Isabella Kastrioti Skenderbeg nuk mund të harrohet, sepse renditet ndër gratë e pakta të shekullit XVIII, që shprehu dhuntitë letrare dhe intelektuale, duke u prezantuar me dinjitet në krijimtarinë poetike dhe protagoniste në emancipimin e femrave të asaj kohe. Uroj, që dhe ky shkrim, të ndihmoi lexuesit shqiptarë të njohin arbëroren Isabella Kastrioti Skenderbeg dhe të krenohen me kontributin e saj poetik dhe shoqëror.

Bibliografia

01. Nicola De Simone Paladini. Due poeti nel travagliato ‘700 salentino Lecce,

Rinascenza Salentina 1941, IX, 56 - 160

02. Rossella Barletta. Isabella Castriota Scanderbeg. Espressione di emancipazione femminile. Edizioni

Grifo Maggio 2021, p. 5 - 70

03. Sara Foti Sciavaliere. Isabella Castriota Scanderbeg, nobile letterata del ‘700 salentino.

ADMIN. 17 aprile 2014

04. Angela Pensato. Aspetti, e momenti della civiltà pugliese di Schena editore, maggio 1995

05. Nicola Merola. Isabella Castriota Scanderbeg, in "Dizionario biografico degli Italiani" Roma, vol. 22, 1979

06. Carlo Villani, Scrittori e artisti pugliesi antichi, moderni e contemporanei, Trani 1904, p. 1234;

07. Foscarini Amilcare. Armerista e notiziario delle famiglie nobili, notabili e feudatarie di Terra d'Otranto.

Lecce, 1903

08. Foscarini Amilcare. Genealogia della famiglia Guarini. Lecce, 1928

09. Croce Benedetto. Una dedicatoria e una prefazione di Giambattista Vico. In Aneddoti di varia letteratura.

Bari, 1953.

10. Croce Benedetto. Settimo supplemento alla bibliografia vichiana. “Rivista di Filosofia”, nuova serie,

vol. 10 , n. 2, 3, pagine 19 - 20.

11. Federico Natali. Isabella Castriota Scanderbeg e Petro Belli due poeti leccesi del’700

nell”Accademia degli Spioni”. Docplayer.it 25. 07. 2022

12. Anna Maria Nuzzo. Isabella Castriota, tra le prime intellettuali donna del ‘700 salentino.

A.M.N. 16 novembre 2020.

13. Carmine de Leo. Isabella Castriota, la poetessa protagonista della cultura settecentesca leccese.

22 luglio 2022.

14. Giambatista Vico. Al discreto Leggitore, prefazione alla traduzione italiana del "Siphilis sive de morbo

gallico" di Girolamo Fracastoro, tradotta da Pietro Belli e dedicata "all'eccellentissimo e Reverendissimo

Monsignore Ernesto de' Conti d'Harrach auditore della Sagra Ruota Romana" In Napoli,

presso il Parrino il 1731