Kulturë
Hamza Halabaku: Prof. Dr. Ismet Salihu, intelektuali i pathyeshëm që punon vazhdimisht
E merkure, 27.07.2022, 06:51 PM
Prof. Dr. Ismet Salihu intelektuali i pathyeshëm që punon vazhdimisht
Pedagogu
dhe studiuesi i pasionuar, Prof. dr. Ismet Salihu, i takon plejadës të brezit
më të fuqishëm të studiuesve tanë elitarë në fushën e jurisprudencës dhe emri i
tij radhitet ndër studiuesit e pedagogët më eminentë që kishte Kosova
Nga
Hamza HALABAKU
Prof. dr. Ismet Salihu është një nga profesorët
universitar që emrin e vet, me punën si pedagog, studiues e veprimtar, e ka
ngritur në piedestal, aty ku tani e ka vendin e merituar. Ai i takon plejadës
të brezit më të fuqishëm të studiuesve tanë elitarë në fushën e shkencës së të
drejtës penale dhe emri i tij radhitet ndër studiuesit e pedagogët më eminentë ndër shqiptarët e Kosovës dhe të
Shqipërisë.
Ai është një
intelektual i pathyeshëm, me kulturë e njohuri të gjëra, por si njeri shumë
modest, i thjesht e me zemër të madhe deri në madhështi.
Nuk më kujtohet
saktësisht dita kur në pranverën e këtij viti, rastësisht, u takuam me
profesorin tim, Prof. dr. Ismet Salihun, aty ku fillon Sheshi “Zahir Pajaziti”,
afër Hotelit “Grand” në Prishtinë. E di se u përshëndetëm përzemërsisht me
njëri-tjetrin, por nuk patëm mundësi për të ndenjur bashkë meqë atë ditë
profesori kishte në program angazhime të tjera. Pasi i kishim numrat e
telefonit të njëri - tjetrit, u dakorduam për një takim në ditët në vijim.
Gjithnjë i përpiktë në punë dhe takime
Ishte mesi i
qershorit të vitit 2022 dita kur do të takohesha me profesorin tim, Prof. dr.
Ismet Salihu, sipas marrëveshjes që kishim bërë me telefon. Këtë takim e prisja
me padurim, i bindur se njeriu mëson edhe në moshën e shtyrë gjëra të dobishme
e interesante nga njerëzit e ditur, siç ishte profesor Salihu, një pedagog i
urtë, i cili rrezatonte dashamirësi te studentët, humanizëm, kulturë e
sinqeritet. Me këto virtyte që kishte ai, gjithsesi impononte respektin e
studentëve.
Në ndërkohë derisa
po prisja profesorin te kafeteria “Monako” që është para Pallatit të Rinisë,
respektivisht menjëherë pas “NJUBORN”- it, në Prishtinë, më lindi ideja që me
profesorin ta zhvillojë një bisedë që do të ishte bazë për një shkrim timin
kushtuar atij. Në kokë po bluaja idenë se nga t’ia fillojë bisedës dhe zilja e
celularit ma ndërpreu mendimin. Ishte profesor Ismeti, i cili më paralajmëroi
se mund të vonohet 3 – 4 minuta, pasi kishte vështirësi të gjejë vend për ta
parkuar veturën.
- Në rregull është
profesor, - i thash, - mos u ngutni! Kam kohë të mjaftueshme për takimin tonë.
Që të mos rrija
kot, e hapa celularin për të parë të rejat që kishin ndodhur apo ndodhnin, së
pari në Prishtinë e pastaj edhe më gjerë. Nuk doja të rrija kot deri sa të
vinte profesori. Tani në portalet e kohës së tashme njeriu lexon e dëgjon
gjithfarë ngjarjesh. Ngjarje të vërteta edhe aso të shtuara apo të ekzagjeruar
a e shpesh herë edhe mashtruese, mos të them ashtu si e dini edhe ju që i
lexoni portalet tona. Jo vetëm ato që shkruhen në Prishtinë, e gjithandej ku
shkruhet e flitet shqip, po edhe në tërë nënqiellin e Ballkanit e më gjerë...
Pikërisht në orën
dymbëdhjetë e katër-pesë minuta profesori Ismet Salihu erdhi. E filluam bisedën
me fjalët e zakonshme, natyrisht, unë duke e ruajtur distancën si duhet ta ruaj
ish studenti me profesorin, e profesori duke u përpjekur që ta fshij atë
distancë, jo pse unë kam qenë ndonjë student shumë i mirë, por për shkak të
modestisë së vet profesorit.
Gjatë bisedës,
edhe në këtë kohë, mësova shumë gjëra nga profesori im. Ai fliste për kushtet
dhe rrethanat e punës në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të
Prishtinës. Përmendi kohën e fillimit të punës së tij në Fakultetin e
Drejtësisë, si asistent i lëndës e Drejta Penale, në vitin 1967, si dhe foli
për karrierën e tij që kur ishte avancuar në titullin e profesorit ordinar, për
kohën kur është zgjedhur dekan në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të
Prishtinës dhe nuk la pa përmendur edhe kohën prej kur është pensionuar dhe
angazhimin e tij prej një personaliteti të padiskutueshëm intelektual e
shkencor.
Koha më e rënd,
sipas profesorit, ishte koha e diferencimeve politike pas demonstratave të
marsit të vitit 1981, sepse “aq sa ishte obligimi ynë moral e kombëtar t’i
mbrojmë studentët, aq ishte obligimi ta mbrojmë edhe universitetin dhe stafin
akademik. Mbisundonte mendimi se puna e profesorëve ishte shumë më e dobishme
të ishin duke ligjëruar nëpër amfiteatrot e sallat e ligjërimeve të fakulteteve
se sa të ishim atje ku na i kishin marrë shumë të ri e të reja dhe studentë e
studente...
Ne profesorët
kishim dëshirë që Kosova të avancohej në statusin e republikës. Dëshironim që
tërësisht Kosova të ndahej nga Serbia. Përpiqeshim përherë që Kosova të ishte e
barabartë me njësitë e tjera federative në Jugosllavinë e atëhershme.
Kishim njohuri të
bollshme nga leximet që kishim bërë nëpër libra dhe nga dokumentet që i kishim
gjetur nëpër arkiva në njërën anë, e në anën tjetër kishim dëgjuar gjëra të
vërteta e të trishtueshme nga prindërit se sa e vështirë kishte qenë jeta e
paraardhësve tanë, e stërgjyshërve, e gjyshërve dhe e baballarëve, me shekuj”.
Profesori im, me
modesti, fliste për punët e tij intelektuale që i kishte bërë gjatë kohës sa
ishte ligjërues në universitet. Tregonte se që nga koha kur ishte zgjedhur
asistent asnjëherë nuk kishte qëndruar duarkryq. Nga biseda shpalohej vullneti
dhe këmbëngulësia e një studiuesi të përkushtuar, të cilat ishin më të forta
sesa sfidat e imponuara nga pushtuesi.
Takimi që më ngjall emocione të caktuara
Ishte dëshira ime
e përhershme që të takohesha me profesor Salihun, sikur edhe me disa profesorë
që më kanë ligjëruar gjatë shkollimit të mesëm dhe shkollimit të lartë. Takimi
me profesorin tim të lëndës së të Drejtës Penale, Prof. dr. Ismet Salihu,
gjithnjë më ngjall emocione të caktuara, jo vetëm se është pedagogu dhe
eksperti më i mirë i të Drejtës Penale në Kosovë, por në radhë të parë më
kujton edhe atë provimin më të vështirë të vitit të dytë të Fakultetit të
Drejtësisë në Prishtinë, të cilin e kam dhënë me sukses të mirë para tij,
pastaj më rikujton atë pedagogun e qetë e të qartë gjatë ligjëratave në
Amfiteatrin e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës.
Mbaj mend edhe sot
shumë nga këshillat profesionale të profesor Ismetit, që na i jepte me urtësinë
e një pedagogu shembullor, e që ishin të dobishme për të ushtruar punët tona
profesionale qoftë në administratën e shtetit, në atë ligjvënëse apo
ekzekutive, në administratën gjyqësore, në sektorin e ekonomisë apo atë të
kulturës, në prokurori, në gjykata e në punë e profesione të tjera, ose ato
këshilla se ku mund ta gjenim literaturën e nevojshme për tu pajisur me dije të
nivelit më të lartë profesional. Atëherë nuk kishim literaturë të mjaftueshme
si në kohën e tanishme.
Nuk më vjen keq
asnjëherë, ti tregoj brezit të tanishëm, se atë kohë kishim shumë pak
biblioteka të pasura me literaturë të lëmit të drejtësisë në gjuhën tonë
amtare. Atë botë, nuk ishte si tani, kur studenti, ka nevojë për literaturë të
nevojshme plotësuese, e hap kompjuterin
“e shtyp sustën” për tekstin që i nevojitet dhe e ka në ekranin e
kompjuterit. Atëherë, nuk ka pasur kompjuter gjëkundi, e brezi im as që ka
ditur gjë për internetin...!
Mendoj se këtu
paraprakisht duhet cekur se më 23 mars të vitit 1989 regjimi i Serbisë e
suprimoj autonominë e Kosovës që e kishte sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Serbia insistonte që Kosova në vend të Kushtetutës, si akt më të lartë juridik,
të ketë Statutin e jo Kushtetutën. Lidhur me këtë, më 4 dhjetor të vitit 1990,
Kuvendi i Kosovës zgjodhi dhe emëroi anëtarët e Komisionit Kushtetues në përbërje të së cilit ishin
trembëdhjetë anëtarë, delegatë nga të tri dhomat që atëherë i kishte Kuvendi i
Kosovës, shatë delegatë ishin nga radhët e shqiptarëve, ndërsa pesë, serb e
malazez. Në përbërje të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje
Kushtetuese nga radhët e shqiptarëve punëtorë shkencorë e profesional dhe
publik, u emëruan: prof. dr. Kurtesh Saliu, prof. Dr. Ejup Statovci, prof. dr.
Ismet Salihu, mr. Fatmir Fehmiu, dhe prof. dr. Riza Smaka.
Dy mbledhjet e
para të Komisionit Kushtetues u mbajtën së bashku me anëtarë serb, malazez e
shqiptarë në Sallën e Kuvendit të Kosovës të cilat i udhëhiqte kryetari i Kuvendit Gjorgje Bozhoviq. i cili
sipas pozitës ishte edha kryetar i Komisionit Kushtetues. Gjatë këtyre dy
mbledhje, tregonte profesori Ismet Salihu, u konfrontuan anëtarët shqiptarë me
ata serbë e malazez, nga se pala serbe e malazeze insistonin që Kosova aktin më
të lartë juridik të kishte Statutin e jo Kushtetutën .
Pas shpalljes së
Deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 2
korrik 1990, Serbia me 5 korrik 1990 e suprimoj Kuvendin e Kosovës,
qeverinë dhe të gjitha organet e tjera administrative të cilat funksiononin
sipas Kushtetutës së vitit 1974 dhe i futi masat e dhunshme në tërë territorin
e Kosovës. Anëtarët shqiptarë të
Komisionit Kushtetues nga radha e punëtorëve shkencorë e profesional dhe
publikë, vazhduan punën në përgatitjen e tekstit të Kushtetutës së Republikës
së Kosovës në ilegalitet. Puna ka vazhduar në konspiracion të plotë. Është
punuar gjatë tërë muajit korrik dhe gusht të vitit 1990 në shtëpinë e profesor
dr. Ismet Salihut.
Është edhe një
fakt që më bënë të ndihem mirë kur takohem me Prof. dr. Ismet Salihun, sepse ai
ishte njëri nga anëtarët e Komisionit për Çështje Kushtetuese të Kuvendit të
KSA të Kosovës nga radhët e punëtorëve shkencorë e profesional dhe publikë, që
gjatë verës së vitit 1990, korrik dhe gusht, kishte punuar pareshtur në
hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në bazë të Deklaratës
Kushtetuese, të miratuar me 2 korrik të
vitit 1990. Siç dihet me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990,
përfaqësuesit legjitim të popullit, Kosovën e shpallën njësi të pavarur dhe të
barabartë, me njësitë e tjera, në kuadër të federatës – konfederatës së
Jugosllavisë së asaj kohe.
Në Komisionin e
përmendur, bashkërisht kishin punuar Prof. dr. Kurtesh Salihu, Prof. dr. Ejup
Statovci, Prof. Dr. Ismet Salihu, Prof. dr. Riza Smaka dhe mr. Fatmir Fehmiu,
derisa e kishin përfunduar hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Komisionin e kishte ndihmuar edhe Halit Muharremi, që atë kohë ushtronte
detyrën e sekretarit të Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës. Grupi i profesorëve,
që u përmendën më lart, ishin pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë
që lirisht mund të them se ishin shkencëtarët e sofrës së parë të kësaj fushe.
Ky grup i profesorëve të Universitetit të Prishtinës e kishin dijen
profesionale dhe guximin intelektual të punonin në hartimin e Kushtetutës së
Republikës së Kosovës në vitin 1990. Besoj që kolegët e kësaj fushe, po edhe
intelektualët e tjerë, e dinë mirë se sa e rrezikshme ishte atë kohë të
përmendet Kosova Republikë e le më të hartosh Kushtetutën (e parë) të
Republikës së Kosovës.
Prof. dr. Ismet
Salihu është i vetmi ndër të gjallët nga radha e punëtorëve shkencorë e
profesionalë dhe publikë, që ishin anëtarë të Komisionit për Çështje
Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, e që kanë punuar në hartimin e Kushtetutës
së Republikës së Kosovës që ndryshe njihet si Kushtetuta e Kaçanikut, me që ajo
u miratua në Kaçanik, me 7 shtator të vitit 1990. Në ato vite të qëndresës, të
përpjekjeve, të vuajtjeve dhe rreziqeve të papërshkrueshme, shkëlqeu një
plejadë e veprimtarëve të Kosovës, mundi, dija e përkushtimi i të cilëve
kontribuoi shumë të vijmë te liria që e gëzojmë sot të gjithë. Në atë periudhë
të paharrueshme të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Lëvizja
Kombëtare e Kosovës në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Dr. Ibrahim
Rugovën shkëlqeu në të gjitha ngjyrat që shkruhet e regjistrohet historia e një
populli, la gjurmë të ndritshme edhe profesori im i të Drejtës Penale, Prof.
dr. Ismet Salihu.
Për rëndësinë e
Deklaratës së pavarësisë të 2 korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut më së miri
flet edhe fakti që Gjykata Ndërkombëtare
e Drejtësisë në verdiktin e vet pesë herë e cek edhe Kushtetutën e Kaçanikut si
shprehje legjitime e vullnetit të shqiptareve të Kosovës për shpalljen e
pavarësisë.
Edhe pse në moshë profesor Salihu nuk ndalet së punuari
Të rikujtojmë
lexuesit se Prof. dr. Ismet Salihu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik
në Prishtinë, ka mbaruar studimet e magjistraturës në Zagreb ndërsa ka
doktoruar në Fakultetin Juridik në Lubjanë me 1982. Në vitin 1975 ka përfunduar
studimet e postdoktoratës në Universitetin e Sorbonës në Paris. Si pedagog dhe
ekspert shumë i mirë i të Drejtës Penale në Kosovë ka qenë ligjërues i kësaj
lënde në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës deri në
pensionim, ndërsa në dy mandate 1991-1996 ka qenë dekan i këtij fakulteti, në
kohën kur regjimi i Millosheviqit i dëboj të gjithë studentët dhe profesorët e
Universitetit të Prishtinës nga objektet e Universitetit.
Në cilësinë e
ekspertit të së Drejtës Penale, Prof. dr. Ismet Salihu ka marrë pjesë aktive në
grupin punues në përpilimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjit
Penal për të Mitur, Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe në shumë
ligje të fushave tjera. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës për të Drejtën penale dhe
Kriminologji të Kosovës dhe prej vitit 1987-1995 ka qenë kryeredaktor i
revistës “E drejta”. Është bartës i
shumë mirënjohjeve, çmimeve e dekoratave për punën dyzetvjeçare pedagogjike dhe
shkencore në ngritjen e kuadrove të juristëve të Kosovës, si dhe kontributin në
ndërtimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
Një kontribut të
madh profesor Salihu e ka dhënë edhe në Institutin për hulumtime e krime të
luftës, por ai ndihet i brengosur që ky institut u mbyll, në marsin e vitit
2018, gjashtë vite pas punës së tij jo të pa rëndësishme, edhe pse u punua në
kushte minimale.
“Instituti për
Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili u mbyll gjashtë vite pas punës së tij
dha rezultate edhe pse u punua në kushte shumë modeste, për të mos thënë tejet
minimale. Gjatë atyre gjashtë viteve kemi bërë hulumtimin e të pagjeturve. Unë
edhe profesor Pajazit Nushi, kemi bërë hulumtimin e vrasjeve. Është botua
vëllimi i parë i një libri të vrasjeve. Kemi bërë hulumtimin e krimeve ndaj
trashëgimisë kulturore dhe janë botuar dhjetë vëllime librash. Këto botime janë
bërë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Janë organizuar afër dhjetë
ekspozita, në Kosovë, në Shqipëri, në Turqi dhe në Austri, në të cilën janë prezantuar
krimet që janë kryer nga forcat policore, paramilitare e ushtarake serbe.
Posaçërisht vlen të përmendet një hulumtim që ka bërë zonja Fitnete Ramosaj, me
titullin “Kundër harresës ku janë evidencuar një numër i madh i krimeve mbi
shqiptarët”, thotë profesor Salihu.
Ai shprehu
pakënaqësi me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Profesori është i
bindur se pa drejtësi të mirëfilltë Kosova nuk do të ketë jetë normale,
përparim dhe zhvillim. Prandaj edhe është përkrahës i një lloj vetingu në
sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Edhe pse në moshë
Prof. dr. Ismet Salihu nuk ndalet së punuari. Bibliografinë e tij ai e ka të
pasuruar me dhjetëra shkrime shkencore dhe profesionale nga lëmia penale, në
mesin e tyre edhe këto monografi dhe libra:
-Vrasjet në
Kosovë, Prishtinë 1985, 357 faqe;
-E drejta penale,
Pjesa e posaçme, (botimi i tretë) Prishtinë, 2014, 688 faqe;
-Komentari i Kodit
Penal të Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2014, 1285 faqe; (koautor dhe
koordinator);
-Personat e
zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99, botuar në gjuhën shqipe dhe anglishte,
Prishtinë 2015, 135 faqe (koautor);
-Kodi Penal i
Republikës së Kosovës, teksti integral - me parathënie dhe shpjegime të
shkurtra, Prishtinë 2016, 355 faqe;
-E drejta penale
ndërkombëtare, (botimi i tretë), Prishtinë, 2016, 510 faqe;
-E drejta penale për të mitur, (botimi i dytë),
Prishtinë. 2018, 241 faqe;
-E drejta penale,
Pjesa e përgjithshme, Prishtinë 2021, (botimi i shtatë) 573 faqe;
-Prof. dr. Ismet
Salihu, për katër vite pune intensive ka arritur që këtë vit (2022) ta hartoj e
ta botoj Leksikonin e së drejtës penale në të cilin në 911 faqe, shpjegon 2800
terme, nocione e institute të së drejtës penale. Ky Leksikon është i pari i
këtij lloji në Kosovë, mbase edhe në Shqipëri.
Në përfundim të
kësaj përpjekje modeste për të prezantuar kontributin e çmuar të Prof. dr.
Ismet Salihut, mund të konstatohet se veprimtaria e tij si profesor e
shkencëtar, por edhe si veprimtar i çështjes kombëtare, është e mirënjohur jo
vetëm në hapësirën shqiptare, po edhe më gjerë. Kontributi akademik i profesor
Salihut në arsimin dhe shkencën shqiptare është tepër i gjerë për t’u
përshkruar në një shkrim të këtillë, sepse emri, studimet dhe vlera e veprës së
tij janë ato të një kolosi, emri të cilit ka zënë një vend të nderuar në
panteonin e personaliteteve tona kombëtare dhe është njeri nga ata që Kosova
dhe populli i saj u detyrohet përgjithmonë.