E shtune, 20.04.2024, 08:47 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika

E enjte, 28.07.2022, 07:59 PM


Blerim Latifi:

Nuk e di nëse është histori e vërtetë apo e sajuar, por domethënia e saj flet shumë për raportin tonë psiko-politik me Amerikën.

Historia u përket viteve '90 të shekullit të kaluar.

Kryetarët e degëve të LDK- së ishin mbledhur në Prishtinë. Do të takoheshin me Rugovën, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në SHBA. Pas takimit ata u shpërndanë nëpër komunat e tyre. Të nesërmen, në mbledhjen e një dege, kryetari i saj u ballafaqua me shumë pyetje kureshtare të anëtarëve të kryesisë mbi vizitën e Rugovës në SHBA. I zënë ngushtë nga fakti se Rugova pak ose asgjë nuk u kishte treguar, kryetari ju drejtua kureshtarëve: - Mos boni za, punët janë mirë, se presidenti kish qesh kur ka zbritë nga aeroplani; mbledhjen e deklaroj të mbyllur!

Ajo është koha kur vizitat e përfaqësuesve tanë politikë në Amerikë fituan një përmasë gati mistike, religjioze. Ato nuk shiheshin më vetëm si vizita politike, por si ngjarje dhe përvojë e veçantë religjioze. Udhëtimi në Amerikë përjetohej si njëlloj pelegrinazhi në një vend të shenjtë.

Dhe që nga ajo kohë gjërat në këtë drejtim nuk kanë ndryshuar. Çlirimi i Kosovës dhe krijimi i shtetit të pavarur të saj- dy procese këto që mbajnë vulën e Amerikës- e kanë bërë edhe më të fuqishme mistikën e raportit tonë me të.

Sot e gjithë ditën në Kosovë nuk mund të qeverisësh i qetë, nëse nuk i ke dyert e hapura në Uashington.

Edhe Vetëvendosja dhe lideri i saj, që në fillim të veprimtarisë së tyre politike e përçmonin raportin politiko-mistik të Kosovës me SHBA- të, tanimë sillen njësoj si parardhësit e tyre në pushtet. E kanë kuptuar më në fund se barra e "mallkimit" që mund të u vij nga "tempujt e Uashingtonit", është e papërballueshme.

Ne shpesh grindemi për besimet tona tradicionale fetare, derisa harrojmë se besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika. Dhe krejt kjo e ka një logjikë shumë të kuptueshme: njeriu adhuron atë gjë prej të cilës merr kuptim ekzistenca e tij. Dhe kuptimi i ekzistencës sonë si njerëz të lirë të një shteti të pavarur, nuk qëndron dot në këmbë pa shënjuesin e madh që quhet The United States of America.

_________

Si sot, 108 vjet më parë, me 28 korrik 1914, nisi Lufta e Parë Botërore. Fillimi i kësaj lufte pati dy pasoja fatlume për shqiptarët: ai e ndërpreu procesin e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilin Serbia e kishte nisur në fund të vitit 1912, dhe ia humbi mbështetjen rebelimit islamist të Haxhi Qamilit, rebelim i cili, me nxitjen e serbëve dhe grekëve, synonte ta mbyste ende pa lindur mirë shtetin e ri shqiptar. Rastësia fatlume (term i Konicës), edhe njëherë do t'i shpëtonte shqiptarët nga katastrofat e zhdukjes kolektive.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora