Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Nga libri i kujtimeve të një kohe të zymtë
E marte, 26.07.2022, 08:04 PM
Nga libri i kujtimeve të një kohe të zymtë
Nga
Blerim Latifi
Ishte
janari i vitit 1994. Një janar i thatë, por i acartë, deri në kulm. Unë isha 15
vjeçar dhe shkoja në gjimnaz. Serbët na kishin dëbuar nga objekti i gjimanazit
në Skënderaj dhe ne ishim detyruar që mësimet t'i mbanim në objektet e
shkollave fillore në fshatra. Mua më kishte rënë të shkoja në atë të Klinës së
Epërme. Çdo ditë, përjashto vikendin, bëja rreth 20 kilometra rrugë. Kur toka
ishte e baltosur, këto kilometra rriteshin edhe më shumë, ngase më duhej
fillimisht të shkoja në Skënderaj, e prej andej të kthehesha në Prekaz.
Zakonisht krejt ato kilometra i bëja bashkë me disa shokë të katundit, por atë
ditë nuk e di pse mbeta i vetëm. Kisha udhëtuar natën edhe herë të tjera,
prandaj edhe nuk kisha ndonjë frikë të madhe. Sigurinë ma shtonte fakti se e njihja
shumë mirë terrenin nëpër të cilin lëvizja.
Terri
kishte rënë ende pa mbaruar mësimi dhe pasi kalova rrugën Klinë- Skënderaj,
mora drejtimin e Prekazit. Një heshtje absolute mbizotëronte gjithkah, ndërsa
katundi ishte i zhytur në errësirë të plotë nga shkaku se energjia elektrike
ishte ndërpre. Në ato vite të shumtën e kohës i kalonim netët pa energji. Krejt
skenografisë së asaj nate i shtohej acari i madh që të grinte. Kur po merrja
kthesën e rrugës që shpinte në lagjën time, befas pranë meje ndaloi një makinë.
Ishte me drita të fikura, prandaj nuk e vërejtja fare derisa ndaloi m'u tek
këmbët e mia. Unë shtanga nga frika dhe mbeta në vend. Dera e makinës u hap dhe
prej saj doli një burrë me trup mesatar, por të plotë. Kishte çizme në këmbë,
një pallto të gjatë që pothuajse ia mbulonte krejt trupin deri tek çizmet dhe
një kapuç, të cilin e kishe rrasur të tërin në kokë. Nga terri i dendur i asaj
nate, mezi ia dalloja tiparet e fytyrës. -I kujna je o djalë? - më pyeti. Unë i
tregova dhe ai ndërkohë më bëri pyetjen e radhës: - A kish milic
n'Skënderaj? I thash se nuk pashë të
tjerë veç atyre që i shihnim përditë, patrullat e zakonshme që endeshin nga
stacioni i autobusëve, në tregun e bagëtive, deri tek posta e qytetit. - Mirë,
- tha, - me natë t'mirë e t'fala Nurës! Derisa po ulej në makinë arrita të
dalloja poshtë këmbëve të tij një automatik, ndërsa njeriut që ishte në timonin
e makinës nuk ia pashë fare fytyrën. Makina u largua në drejtimin e kundërt me
rrugën time, ashtu edhe siç erdhi pa drita. Pas 15 minutash isha brenda në
shtëpi dhe po ua tregoja ngjarjen prindërve që po më prisnin për darkë.
Burri
quhej Adem Jashari.