E enjte, 28.03.2024, 11:09 PM (GMT)

Kulturë

Ziko Kapurani: Vargmali i një romani

E diele, 24.07.2022, 05:51 PM


VARGMALI I NJE ROMANI

(Shënime për romanin “Kali i shalës” i shkrimtarit Theodhoraq CIKO)

Nga Ziko KAPURANI

Ishte vargmali i një jete ku nuk mungonte asgjë.

Atje ngriheshin të gjitha: zgjime e muzgje me zëra burrash e bëlbëzime fëmijësh, natyrë e blertë shtuar me bukuri nazike vashash, me shtegëtime resh, zogjsh e vllehësh, maja nga mund të puthje buzët e Hënës. Se si dhe ato, erdhi një ditë vjeshte, t’i përkasin nostalgjisë.

Jeta vllahe ngrin, si në një përrallë. Atje nis dhe romani i shkrimtarit vllah Theodhoraq Ciko. Si mal i minosur, libri ka së toku dramat rrënuese dhe pikat e larta gjeometrike të patundura (referuese), rreth të cilave orientohet një alpinist (studiues) për të hedhur këmbën (penën) e tij. Nga gjithë ato lëndina të ngarkuara me lule e të papritura, nga blegërima tufash të bardha e vikama baladash, nga gjithë ato shira mbi supet e tyre, unë zgjodha kulmet për t’i pagëzuar.

a)-Romani “Kali i Shalës”, ashtu siç e ka quajtur autori, është një dialog me një kalë, një bashkëbisedim i panjohur deri sot, paçka se është zhvilluar më shumë se gjysmë shekulli më parë. Dialogu nuk është i zakonshëm. Ai ngre dhimbjen e njeriut të zbritur nga kali në mënyrë banditeske. Një pritë rebelësh të errësirës i presin rrugën. Nuk i kërkojnë shumë: pronën e jetës së tij, vetë jetën.

Pikërisht kjo pritë shkatërruese, një nga goditjet më të mëdha të diktaturës së kuqe dhënë popullit shqiptar, me të cilën nisi tmerret gjysëm shekullore, u shkrua së prapthi nga çensura mbi penën. Tregimi dhe përshkrimi te kjo vepër epike janë harmonizuar. Për të ndërtuar karakteret e figurave kryesore, operohet me kujdes me gjuhën e një  komuniteti plot halle, që di të vuajë, por nuk di të vrasë: ka lindur për të mbijetuar mes punës që jep fryt dhe dinjitet.

Hapësira dhe koha janë të shkrira në një, si në mendësinë mitike legjendare. Mali këtu është i hymnizuar, madje e ndjen se është perëndi. A nuk ishte një domosdoshmëri të thuhej e vërteta? Thuhet dhe madje thuhet shumë saktë nga një penë vllahe e kolauduar mirë. Jeta shtegtare merr pamjen e Kapedanit të stanit, i cili, në këtë hapësirë të mjegullt në një udhëkryq pa një shënjë drejtimi, shkund çibukun në pëllëmbë të dorës për ta rimbushur. E mbush dhe e rimbush duke tymosur në heshtje kurthet, intrigat, të cilat venë në mëdyshje nderin e tij. Sikur kjo të ishte pak, i shtohet dhe dialogu me kalin që nuk mund ta hipë më, që e heq për dore si krenari e një të shkuare të largët, të humbur. Ai tani është një hidalgo, nuk i ka më hije këmba në yzengji. Duket se tok me Kapedanin, autori nuk mund ta heqë nga mendja atë të shkuar të blertë, atë dialog ngjethës që i dikton një shpirt i plagosur për vdekje. Para nesh hapen përmasat e një drame prekëse, që shpesh merr klithmat e tragjedisë së pashkruar, mjaft tronditëse. Eshtë një dëbim nga jeta. Dëbim monstruoz, vrasës. Dëbim i verbër ku dielli vonoi shumë. Ndërsa djemtë matnin me njëri tjetrin forcën, ndërsa deshinjtë e shkuar në hej rridhnin shijën e kripur mbi prush, ndërsa vashëzat vllahe matnin bukurinë në një pasarelë në sallonet e çaireve të virgjëra, ndërsa matnin tjerrjen e fillit të leshtë mbi furkat e qëndisura, vijnë kanibalët e kuq dhe u këputin jetën.

Romanin e përshkon metafora befasuese.

b) “Nderi i përfolur”. Përgojohet Kapedan Toli, emri i të cilit lidhet me krenarinë vllahe, me zgjuarsinë, me burrërinë, me nderin. Ai preket atje ku jeta e stanit ka pikën e saj më të vyer. Një kalli bari nga buzët e botës, i kalon për t’i ngelur në grykë. Nuk mund ta gëlltitë dhe as ta nxjerrë jashtë. Në kurriz të tij thurret një intrigë përdhunimi. Këtu romani merr nota të veçanta gozhduese.

Ky burrë i njohur ndër burrat, ky reliev i ashpër mali, vjen e kthehet në një kokulje, që nuk ka më dëshirë të jetojë. Dhe nuk zgjedh rrugën e qenit të goditur, i cili me angullime fshihet pas një shkurreje pak më tej për të lëpirë plagën. Mandej, kur i vjen çasti delikat, çast ku ai mund të hakmerret me intrigën, bën të kundërtën. Mbyll përgojimin në një mënyrë tragjike, që predikon pendimin tek intrigantët.

c) “Akuza”. Një jetë e ndërtuar me zemër e krahë, një zë i lirë që kumbon nëpër qiell e shtigje baladash, një shtëgtim ndërshekullor me shi e mjegull nëpër grindjet e vjeshtës, por dhe nëpër rreze e lëndina maji, pritet në mes.

Vllehët, këta nikoqirë të mëdhenj të pronës e të fjalës, këta ndërtues veprash e shtetesh në Ballkan e më tej, akuzohen për shfrytëzues. Pika të kuqve! Nga fluturimi mbi kuaj me shalë, nga çelnikë e gurë stralli, nga zotërinj të nderuar nëpër maja malesh e oda ballkanike, ata u gjendën më këmbë në shokë të vegjël, që kalonin pa u vënë re. U kthyen në hije. Akuza e tyre merr forma nga më të ndryshmet, herë duke kundërshtuar, herë duke heshtur dhe herë duke puthur  atë dorë, që nuk mund ta kafshonin. Igrasia dhe graham e fëlliqur e qelive dhe frymës qelbashe, kanceroze komuniste, grin dhe përtyp vazhdimisht kockat e tyre.

d) “Vllehët”. “Rëmënët”. Ata janë personazhet tipike të romanit. Janë një majë tjetër e kapur me njohje të vërtetë të monopateve vllahe nga autori. Paçka se në pamje të gurtë, ata janë të lexueshëm, të mirë, të dialogut, vetë mençuria e dhimbja. Padyshim që Toli Kapedani të bëhet mik, por edhe Janulla e bukur nuk të ndahet me bukurinë gjarpërore. Të ngjitet aq sa dhe të shtyhet. Ndërsa Loni katrigari, qeni dembel i stanit, tek i cili, e bredhura shkolluese ka ndikuar për keq, të bën t’i pështysh të lehurat e së keqes. Në të kundërt, te poeti popullor Xhimo, mëshirohet më së miri talenti vllah. Ai është një figurë karakteristike, i cili, me vargjet e tij, kap që në ajër çdo lëvizje vetulle të stanit. Tepër domethënës fundi i tij krijues. Qyshsa  jeta vllahe goditet brinjë më brinjë e mbetet në rrugë e papërkrahur, ai hesht. Edhe këngët plagosen.

e) “Pena Ciko”. Ndoshta këtë emërtim duhej ta vija në rreshtin e parë. Kjo, nuk është një penë kalimtare në jetën vllahe, ashtu siç kanë bërë shumë të tjerë për ta anashkaluar atë. Th.Cikoja ka shtegëtuar me stanet vllahe i ngjitur pas shigunës palë-palë të gjyshes, ose mbi vithe të mushkës, apo në mes të hararëve të karvanit, apo pas hapit të bardhë të gjyshit nëpër shtigje. Duke qënë një vllah i thekur për rrënjët e tij, temë shumë e preferuar e të njëjtit, e përshkruan këtë jetë ashtu siç mund ta përshkruajë vetëm ai. Tepër origjinal. Kuptimplotë. Jo vetëm vllehët, por të gjithë ballkanasit e më tej, duhet të njihen me këtë roman interesant ku rrjedh një jetë e çuditshme. E vrullshme si një përrua malor. Libri i Cikos të sjell para syve një stan të vërtetë vllah, ku nuk mungon gjalpi i mikpritjes, nuk mungon fjala e befasuar që të mban frymën. Romani “Kali i Shalës”, ka trokun e tij në revanin mjeshtëror të letërsisë së mirëfilltë shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora