Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Hartë e atdheut

| E diele, 24.07.2022, 06:23 PM |


Visar Zhiti, “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, botimet “Onufri”, Tiranë 2021.

HARTË E ATDHEUT

Nga Visar Zhiti

Kjo poezi u shkruajt në një nga dimrat e ashpër të Qafë-Barit dhe ndoshta mungesa e Atdheut në burg bëri që me vargjet të formoja dëshpërueshëm hartën e Shqipërisë. Pasi e hodha në fletoren e poezive, e fsheha për siguri në një tjetër vend, jo në kashtën e shtratit, gjithsesi duke mos besuar se do të mund të botohej ndonjëherë. E pse shkruanim? Për t’u mbrojtur nga djajtë duke rrezikuar më shumë?

Dhe ndodhi ajo që s’guxonim ta ëndërronim, përmbysja e madhe.

Ndryshoi dhe fati i poezisë…

Së pari ajo doli në librin tim, “Kujtesa e ajrit”, viti 1993, por në titull shtova fjalën “e përgjysmuar”. Do të përkthehej në italisht nga Prof. Elio Miracco, por unë kërkova që fjalën e shtuar në titull, ta bënte “addentata” (e kafshuar), pse apo ndjeja dhëmbët? Poezinë e futëm në përmbledhjen time, “Croce di carne” (Kryqi prej mishi), doli në Itali në vitin më të rëndê të Shqipêrisë postdiktatoriale, në 1997. Libri pati sukses. Kujtoj që në një takim me lexuesin një studente italiane më tha: “Më mëso dhe mua ta dua ashtu Atdheun!…”. Sytë i kishte plot me lotë të bukur.

Poezinë në gjermanisht e përktheu Hans-Joachim Lanksch, teksa përgatiste librin tim, por nuk mundi ta përfundonte dot… Është dhe në anglisht… etj.

Dhe ashtu e shkruar me dorë doli së fundmi në botimin anastatik nga “Onufri” 2021, në librin me të gjitha poezitë që kisha shkruar në ferr “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”. Poezitë tona ecin përmes vështirësish të pazakonshme, janë dhimbje dhe dashuri dhe nuk presin një gjë të tillë nga kurrkush…

Visar Zhiti, “Kujtesa e ajrit”, botimet “Lidhja…”, Tiranë, 1993.