Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Satira nga Sevdail Hyseni

| E diele, 24.07.2022, 05:19 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Fondet e Luginës…

Kur Ballkani digjet

Nga një verë e thatë,

N’Luginë të Preshevës

T’mirat vijnë me natë!

Askush nuk ka pritur

Se në këtë krahinë,

Hapen kaq bunarë

Që sjellin freskinë!

Një Fond nga Kosova

Dhe një nga Shqipëria,

Një nga Diaspora

Si dhe nga Serbia!

Me Fonde zhvillimi

S’do të ngelim bosh,

Veçmas këta liderët

Me barkun si kosh!

Fondet e majme

E themi pa spica…

Janë sikur një lopë

Plot me katër sisa!

Një sisë e thithë

Deputeti me një fjalë,

Dy tjerat kryetarët…

Dhe Këshilli Nacional!

Të katërtën rezervë

E thithin n’varg t’gjatë,

Kujt i bie në gojë

Ka lindur me fat!

Vallëzon e llastuar

Kjo Lugina ime,

Me këngën popullore:

-A kanë ujë ato burime?!

Receta

Malësori n’mishtore

Hyn për t’bërë tregti,

Merr një kofshë viçi

Të kuq si shalqi!

Ç’bënë i thotë shitësi

Me kaq mish zotëri?

-E ziej në kazan

E ha me fëmijë!

Sa më vjen keq

Që s’keni recetë,

Me mish të bëni

Gjella me lezet!

Si: gullash e çervish

Sarma, jani e byrek,

Pastaj dhe në skarë:

Suxhuk, qebapë, biftek!

M’i shkruaj në letër

Të lutem lum burri,

Kam zënë të plakem

Më ka ikur truri!

Kur del në rrugë

Shqiponja si erë,

I rrëmben mishin

Malësorit fatprerë!

Kot e ke shqiponjë

Mos u gëzo aq shpejt,

S’di ta hash mishin

Nuk keni recetë?!

Laramania

Një fushë me qenë

Mblidhen n’Kuvend,

T’u shpallin luftë

Ujqërve me gjithë mend!

Me mend e me forcë

Në një stil qenqe,

T’i fusin të gjallë

N’gropa e hendeqe!

Ujku nga kodrina

I pa me trishtim,

Kthehet t’i njoftoj

Ujqërit me nxitim!

O vëllezër mbaruam

Nga qentë endacakë,

E pat puna jonë

Jemi fare pak!

Ujku plak u ngrit

Na çmende o mik,

Dil e shih si duken

Mos përhap panik!

Doli dhe njëherë

Çfarë t’i shohin sytë?

Një orgji me qenë

Lloj-lloj e çeshit-çeshit!

Qenë të zi e të kuqë

Të bardhë e laramanë,

Bishtcubel e veshprerë

Që lypin belanë!

Vëren dhe të tjerë

Langonj e zagarë,

Llaskuc dhe zangoqë

Tepër të paparë!

Kthehet me vrap

Te të afërmit e tij,

T’u tregoj me rend

Ç’kish parë me sy!

Mirë na qenka puna

Tha ujku qafëtrashë,

Për t’fituar luftën

Nuk kemi telash!

Ata kur plas lufta

Bëhen copë e thërrime,

S’e njohin njëri tjetrin

Nuk janë të një qime!

Kameleoni

Thonë kameleonët vdesin,

Duke ndërruar ngjyra…

Por, jo sa politikanët

Me një mijë fytyra!

Këta të parët ngjyrat

Nuk i humbin kurrë,

Çdo ndryshim të tyre

E lajnë me lëkurë!

Ndryshimin e ngjyrës

Në lëkurë të vetë,

Kameleonët e bëjnë

Për t’shpëtuar jetë!

Ndërsa, këta t’politikës

Ngjyrat n’f’tyrë, prore

I ndërrojnë për të joshur

Një jetë sulltanore!

Nganjëherë nxitojmë

Kur japim vlerësim,

Politikani si kameleoni

Thjesht, është, keqkuptim!

Mos ta marrim n’qafë

Hardhucën zvarranike,

Nuk i shkon për shtati

Ngjyra politike..!