Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lamtumirë Irak, komandot priten në atdhe si heronj

| E diele, 21.12.2008, 02:13 PM |


Familjarë, miq dhe të afërm kanë pritur dje në aeroportin “Nënë Tereza” avionin që kthente në atdhe trupat komando që shërbyen në misionin “Liria e Irakut”. Së bashku me komandot në Tiranë zbriti edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 13:00. Oketa mbajti fjalën e falënderimit dhe u ka shprehur mirënjohjen komandove që ditën të mbanin lart flamurin shqiptar në këtë mision të vështirë. “Patëm mundësi të dëgjojmë vlerësimet maksimale për trupat tona. Në emër të qytetarëve dhe qeverisë i shprehim mirënjohje këtyre ushtarakëve që kanë ditur të mbajnë lart dhe me nder flamurin shqiptar dhe të përmbushin detyrën e tyre”, - tha ministri i Mbrojtjes në fjalën e tij. Më pas ai shprehu mirënjohjen më të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për vendet aleate të NATO-s që përkrahën trupat shqiptare në këtë mision të vështirë. “U shprehim mirënjohje SHBA-ve dhe të gjithë aleatëve të NATO-s për suportin logjistik që i dhanë trupave tona për këto 5 vjet e gjysmë mision, duke bërë të mundur që ky mision të kryhej me sukses”, - vijoi Oketa.

Mosul
 
Largimi i trupave shqiptare nga Iraku u shoqërua me mirënjohje të madhe edhe nga forcat e ushtrisë amerikanë, të cilat zhvilluan në Mosul një ceremoni të veçantë lamtumire për ushtarët tanë që shërbyen në frontin e Lindjes. Për amerikanët kemi një ushtri që mund të përballojë jo vetëm detyra të tilla, por edhe më tepër. Kreu i forcave ushtarake amerikane në Irak, gjeneral Austin bëri nderime për të gjitha kontingjentet ushtarake shqiptare që dhanë kontribut në Irak. “SHBA ka shumë miq të shkëlqyeshëm në Shqipëri për disa vite, shqiptarët kanë demonstruar përmes veprimeve se ata mbështesin përpjekjet tona për të sjellë stabilitetin dhe sigurinë në Irak. Ne iu jemi shumë mirënjohës shqiptarëve që siguruan një forcë mbrojtëse për bazën e Marezit, aeroportin e Mosulit dhe forcën shumëkombëshe. Unë dua të falenderoj popullin dhe qeverinë shqiptare për shërbimin e palëkundur për Irakun dhe koalicionin. Ju keni sjellë siguri dhe shpresë për popullin irakian”, - u shpreh gjenerali Austin, shefi i forcave aleate në Irak. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i ftuari i nderit i komandës amerikane në ceremoninë përcjellëse të trupave shqiptare, theksoi nga ana e tij se “konstatoj me kënaqësi në të gjitha takimet se kontributi i ushtarëve shqiptarë ka marrë vlerësime maksimale dhe u shpreh përgëzimet e mia ushtarëve tanë”, - u shpreh Oketa. Eksperienca e amerikanëve, veprimet në terren, patrullimet, mbrojtja e aeroportit të Mosulit u kanë dhënë ushtarëve shqiptarë një mundësi më shumë, që jep sigurinë se ata janë pjesë e një aksioni kurdo që të kërkohet. Trupat shqiptare largohen nga Mosuli pas 6 vjetësh. Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në prill të vitit 2003, me dërgimin e kontingjentit të parë paqeruajtës, bazuar në ligjin Nr. 9025, datë 13.03.2003. Në misionin “Liria e Irakut” kontribuuan kontingjente të Regjimentit Komando. Aktualisht në Irak vepron SHBA me 143 mijë trupa, Britania me 4100 trupa, Rumania me 600 trupa, Australia me 300 trupa, El Salvador me 200 trupa, Bullgaria me 155 trupa, Danimarka me 55 trupa, Lituania me 53 trupa dhe Estonia me 38 trupa.

G. Shqiptare