| E diele, 24.07.2022, 07:49 PM |
NJË MOLLË “SHQIPTARE” NË VISHEGRAD
NGA
NDUE DEDAJ
Historitë
njerëzore lartësohen gjithnjë mbi ato politike. Kështu dhe me fqinjët, sado
konflikteve të natyrave të ndryshme përgjatë historisë. Ato zhvillohen përherë
larg butaforisë politike, kamerave dhe fjalimeve. Ne pikasëm njërën sosh, por
jo të vetmen dhe menduam ta sillnim për lexuesin. Gjashtë vite më parë, bashkë
me mikun tonë Prengë Pepa, trokitëm në portën e shtëpisë së njohur “Fusha” në
fshatin Fang, vetëm pak kilometra nga Rubiku. Na priti i zoti i shtëpisë Zef
Fusha, mbi të 75-at, i cili kishte hequr jo pak mundim për të sjellë nga
Vishegradi në atdhe eshtrat e xhaxhait të tij Frrokut, ku ai kishte qenë vrarë
më 1945 në muajt e fundit të Luftës Dytë Botërore teksa ishte partizan.
Si
kishte ndodhur? Frrok Zef Fusha, lindur më 1913, bir e një familje të dëgjuar
të Bulgrit, çka e tregon dhe fakti se ishte ndër të paktët djem që kryen
arsimin e mesëm në konviktin “Malet tona” në Shkodër dhe më pas studion në një
akademi ushtarake në Itali, me gjasë në Modena, ku diplomohet për xhenio.
Asokohe aty ishin diplomuar dhe Mark Arapi nga Selita, Mark Doçi nga Kthella,
Shahin Toçi nga Mati etj. Frroku u përfshi në Brigadën e VII Sulmuese dhe pas
shumë betejash në Veri, përfshi dhe atë për çlirimin e Shpalit (Mirditës),
lufton në Kosovë, Mal të Zi e në Bosnjë për çlirimin e Jugosllavisë, pasi qe
krijuar një front i përbashkët e ballkanasve kundër pushtuesit nazist.
Pikërisht kur Frroku ndodhej në Vishegrad, papritur nis drama e tij, që në
mënyrë të pabesueshme përfundon në tragjedi. Asgjë nuk dihet saktësisht se si
janë zhvilluar ngjarjet atë dimër të ftohtë boshnjak, por Frroku bashkë me dy
partizanë të tjerë akuzohet nga komanda se ishte duke u përgatitur për të dezertuar
nga Lufta?! Një mister që nuk u zbulua kurrë. Të akuzuarit për dezertim i
burgosin në bodrumin e një shtëpie dhe më pas i nxjerrin para gjyqit partizan,
i cili vendos pushkatimin e tyre, kinse do të tradhtonin Luftën. Të bën
përshtypje fakti se ata ishin partizanë dhe jo të burgosur të ndonjë kampi
politik, por që çuditërisht trajtohen si të tillë. Frroku ekzekutohet bashkë
një partizan tjetër mirditas, që nuk i dihet emri. Mirditasit e tij nuk i
shpëtoi dot as gjeneral Gjin Marku, komandanti i Divizionit VI nga varej
Brigada VII, që e kishte pas marrë vetë Frrokun në Luftë. Thuhet se letra e tij
shkoi një orë mbasi kishte ndodhur ekzekutimi, por kjo mbetet thjeshtë një
legjendë, përderisa nuk është gjendur në arkiva - kështu është thënë dhe në raste
të tjera ekzekutimesh në luftë, kinse komanda e lartë nuk kishte qenë dakord,
por korrieri ishte vonuar etj. E vërteta është se “gjyqi partizan” të bënte
gjëmën pa ligj. Ashtu si në rastet e vdekjes së të burgosurve politikë në
kampe, familja e Frrokut nuk u lajmërua për vrasjen e tij larg trojeve
shqiptare. Por kishte qenë e thënë që eshtrat e dy të ekzekurtuarve mos të
humbisnin në dhé të huaj, prej fisnikërisë së një burri serb që i kishte
varrosur dy shqiptarët në tokën e tij, pranë një molle. Fshati e dinte se aty
ishte “Varri i shqiptarëve”. Njerëzit kudo sillen me nderim kundrejt varreve,
ndaj dhe në atë fshat malor të Vishegradit ajo mollë ashtfortë do të mbetej
monumenti i vetëm i kujtesës së tyre. “Aty, te molla, ka qenë varri i dy
shqiptarëve”, do të thoshin ata kurdo që dikush do të mund të shkonte atje për
t’i marrë eshtrat. I zoti i shtëpisë kishte mbjellur dhe një mollë tjetër aty,
që po të thahej e para, të vazhdonte me qenë dëshmitare e reja. Dhe vetëm falë
saj, mbas 70 vitesh, fjalë pas fjale, duke pyetur malezez e serbë, u arrit te
ai varr i dyfishtë shqiptarësh, që në rrethana të tjera do të ishin heronj.
Fshati
vishegradas tashmë ishte braktisur. Ajo shtëpia e mollës “shqiptare” ishte
mbyllur dhe i zoti i saj kishte vdekur, por rronte i biri, që banonte në
Sarajevë. Ai u tha atyre që kishin shkuar për të marrë eshtrat: “Ma ka lënë
amanet baba me u kallëxue se varri asht në fund të arës, në hijën e mollës...”
Ishte tek e fundit një amanet ballkanas që nuk e treste dheu. Për të ishte ngritur
nga varri dhe i vdekuri. “Kemi shkuar dy herë në Vishegrad, rrëfen Zefi, herën
e parë takuam një plak 92 vjeçar dhe e pyetëm. Nuk do të harroj sidomos atë
ditë shtatori 2014, kur teksa binte shi, ne ngjiteshim në bjeshkët e
Vishegradit. Mali ishte plot me mollë. Shihje gjithandej shtëpi alpine të
braktisura. Na pritën shumë mirë. Zakonet i kishin krejt si tonat, të vinin
përpara kafen me gotën e rakisë. E kishin mirëmbajtur varrin. Ndihemi në borxh
ndaj asaj familje serbe”. Kohët ecin, por mbeten shenjat e saj. Sidomos varret.
“Varri i shqiptarëve” atje të kujton “Varret e serbëve” këndej, me një dallim
se ata kishin ardhur këtu si pushtues, kurse shqiptarët kishin marrshuar andej
si çlirimtarë. Partizani i pafat Frrok Fusha në vendlindje kishte lënë Urën e
Zogut dhe atje kishte gjetur Urën mbi Drin, që do të hynte si një epope
perandorake në romanin e Ivo Andriçit. Njëra me harqet nga sipër, tjetra nga
poshtë. Njëra disa shekullore, tjetra më e re se ai në moshë. Njera me emër
pashai, tjetra me emër mbreti. Kujtimi i tij endej mes këtyre dy urave,
Shqipërisë dhe Bosnjës, Bulgrit dhe Vishegradit. Dikur kishte qenë zakon që
luftëtarëve të rënë në luftërat e largëta, që nuk ishte e mundur t’u silleshin
eshtrat, u ngrinin në atdhe ato që quheshin varre kushtimi. Kushtu kishte
ndodhur me mirditasit që gjatë luftës ruso-turke të vitit 1877-1878 u vranë në
brigjet e Danubit. Kurse Frroku partizan nuk do ta kishte as një të tillë në
vendlindje, deri në vitin 2015, kur kjo gjë u mundësua nga familjarëtë e tij.
*
Familja
Fusha ishte në zë në Bulgër e në krejt Mirditën. I ati i Frrokut Zef Llesh
Fusha vjen përmes një fotografie të bërë në Shkodër në vitin 1922 nga Kel
Marubi. Burrë i përmendur për urti, që dinte jo vetëm zakonet e vendit,
historitë e bajrakut, po dhe ditët e ujitjes të secilës familje të fshatit, si
si një “kalendar” i gjallë. Ai kishte dhe dy djem të tjerë përveç Frrokut.
Nikolla kishte studiuar për drejtësi në Torino dhe në vitin 1944 ishte në
mbarim të studimeve, kurse Lleshi kujdesej për mbarëvajtjen e shtëpisë. Xhaxhai
i Frrokut Gjon Fusha ishte ushtarak, kishte mësuar në Shkodër dhe dinte
gjermanisht, austriakët e kishin marrë si përkthyes. Familja e njohur
nacionaliste Fusha, që kishte miqësi dhe me Gjomarkajt, u godit politikisht pas
Luftës, për bashkëpunim me “Komitetin e Maleve”, një organizatë antikomuniste
etj. Në shtator 1944, në kullën e Fushajve ishte mbajtur kuvendi i krerëve më
të shquar nacionalistë të vendit, çka mund të ketë ndikuar tërthorazi dhe në
fatin e Frrokut. Prandaj shtëpia ishte bastisur sa herë pas Luftës nga Sigurimi
i Shtetit, duke u hodhur poshtë dokumentet, reliktet familjare etj. Aty ishin
dhe fletoret e Frrokut plot me shënime që kur ishte student në Itali. Frroku
dhe bashkëshortja e tij Mara, bijë e familjes Pepa në Paraspuer, nuk kishin
pasur fëmijë. Pas vrasjes së të shoqit, ajo kishte qendruar me të kunetërit dhe
të nipin Zefin, që trashëgonte emrin e gjyshit. Njëherë kur ata të forcave të
ndjekjes donin me i vu zjarrin shtëpisë, ajo kishte thirrur: “Jo! Nuk do ta digjni.
Kam pasë burrin partizan, ai është vrarë! Shtëpia është imja…” Me këtë fjalë
ata ishin stepur dhe shtëpia kishte shpëtuar pa iu vënë flaka. Nënë Mara kishte
përzemër sidomos fëmijët, njerëzit e shtëpisë ku kishte lindur e thirrnin Babë
Ruta. Ajo kishte marrëdhënie të afërta me gratë e fisit, pasi burrat e tyre më
së shumti ishin në burg e internim. Edhe ajo vetë kishte qenë tre muaj në
internim. Ishte një lloji solidariteti i grave të familjeve të goditura
politikisht. Asaj i kishin futur në burg politik dhe të vëllanë Ndue Pepën, që
kishte shërbyer në administratën shtetërore gjatë Luftës dhe pas saj. Gra të
tilla sojnike, që iu binin për hise ngjarje të rënda familjare, ktheheshin në
shtyllë e shtëpisë krahas burrave. Ato e ndienin veten dyfish përgjegjëse para
shtëpisë atërore dhe asaj ku ishin martuar. Nënë Mara (Ruta) ishte dhe një
vajtimore e përmendur e asaj ane. Por, siç na thonë ata që e kanë njohur, nuk
do të mjaftonte një roman për jetëshkrimin e saj.
*
Ajo
molla e Vishegradit që ruajti varrin e dy partizanëve shqiptarë nga 1945-a e më
sot tejkalon çdo metaforë. Do të ishte e udhës që në kohë të tilla integrimesh
të zbulonim sa më shumë “mollë” të tilla të historisë mes njerëzve me përkatësi
të ndryshme etnike, pasi atëherë do të kuptonim më qartë dhe nismat politike të
kësaj kohe si “Ballkani i hapur” etj.