Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nobeli në krizë, akademikët e korruptuar

| E diele, 21.12.2008, 12:41 PM |


STOKHOLM -As Akademia Suedeze e Nobelit nuk është e imunizuar nga skandalet korruptive! I gjithë opinioni publik në Suedi është tronditur së fundmi për shkak të dyshimeve ndaj disa kryetarëve të jurive të akademisë së famshme, për përfitim ryshfetesh në këmbim të dhënies së çmimeve prestigjioze. Disa anëtarë të komiteteve dhe drejtues të jurive janë vënë tashmë në shënjestrën e hetuesve, të cilët po verifikojnë nëse ata kanë përfituar favore në mënyrë të paligjshme nga kandidatët e interesuar. Prokuroria suedeze njoftoi se ka nisur hetimet për korrupsion ndaj disa zyrtarëve të komitetit të Nobelit, të cilët janë ftuar për udhëtime falas në Kinë.

Prokuroria

Sipas prokurorit Nils-Erik Schultz, hetimi ka marrë shkas pasi një radio suedeze bëri të ditur se tre zyrtarë të komisionit të mjekësisë, kimisë dhe fizikës janë ftuar në Kinë për të shpjeguar se si realizohet përzgjedhja e kandidatëve për Nobelin dhe çfarë duhet bërë konkretisht për ta fituar këtë çmim prestigjioz. Vizitat janë bërë në dy raste; e fundit daton në janar 2008 dhe të gjitha shpenzimet janë paguar nga Ministria kineze e Arsimit, njoftoi radioja suedeze.
Gjatë këtyre vizitave, gazetarët, shkencëtarët dhe funksionarët kishin pyetur anëtarët e komitetit të Nobelit se si Kina mund të merrte një çmim të tillë, një objektiv ky që Pekini synon të arrijë me shkencëtarët e tij.

Pagesat

Autoritetet kineze kanë paguar të gjitha shpenzimet e biletave të hotelit, udhëtimit si dhe qëndrimit në Kinë për anëtarët e jurisë, si dhe ka dyshime se kanë ofruar edhe ryshfete për ta. Në vitin 2002, tetë anëtarë të komitetit të Nobelit kishin bërë një udhëtim të tillë në Japoni. Një zëdhënës i anëtarëve të komitetit të Nobelit, që po hetohen tashmë, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një rast korrupsioni. Por, prokurorët thonë se kanë dyshime të forta. Nëse ata do të shpallen fajtorë, anëtarët e jurive do të dënohen me të paktën 2 vjet e gjysmë burg.
Akademia prestigjioze me qendër në Suedi ndan çdo vit çmimet prestigjioze në fushën e mjekësisë, kimisë, fizikës, matematikës, letërsisë, etj, për personalitete dhe njerëz të shquar të këtyre fushave. Deri tani nuk ka pasur asnjë hije dyshimi në lidhje me kryetarët e jurive apo anëtarët e komisioneve të vlerësimit për akordimin e çmimit “Nobel” dhe asnjë skandal korrupsioni në akademinë e famshme suedeze. Por, me zbulimin e aferës së fundit i gjithë opinioni publik është tronditur dhe ka kërkuar që të zbulohet deri në fund skandali i akademikëve të korruptuar.

G. Shqiptare