Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gratë më të famshme të vitit 2008

| E diele, 21.12.2008, 11:38 AM |


Ato që janë shquar për arritje e dështime, por mbi të gjitha për guximin e të shprehurit

Politikanet, veprimtaret, bashkëshortet dhe profesionistet

Michelle Obama

Luftëtare dhe shumë e vendosur. Gjatë zgjedhjeve presidenciale, fjalët më të forta emocionalisht dhe më të besueshme i pati thënë ajo, përveç mbështetjes së madhe për bashkëshortin. Një grua krenare për ngjyrën e saj dhe sigurisht elegante, padronia e ardhshme e Shtëpisë së Bardhë, do të jetë e vetmja në gjendje të rrisë në mënyrë marramendëse shitjet e gazetave në të gjithë botën.

Ingrid Betancourt

Pas një operacioni blitz, qeveria e Bogotës deklaroi lirimin e ish-kandidates franko-kolumbiane, për zgjedhjet presidenciale, pas gjashtë vitesh burgosje nga rebelët e FARC. Ngjarja u përcoll me jehonë në të gjithë botën.

Angela Merkel Cucù

Kancelarja gjermane dhe presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez Kirchner, janë të vetmet gra të pranishme në G-20. Merkel ka mbajtur një qëndrim shumë domethënë për Gjermaninë dhe popullin e saj në këtë kohë krize. Prej vitesh vazhdon të jetë në listën e grave më të pushtetshme në botë.

Shirin Ebadi

Avokatja iraniane, fituese e çmimit "Nobel" për paqen në vitin 1993, mbron të drejtat e grave kundër regjimit të Teheranit. Aktualisht mbron 50 vajza të arrestuara pas një proteste paqësore në vend.

Aisha Omar

Gjinekologia somaleze, vlerësuar në Shën Vincent si "Gruaja e Vitit", ishte ajo që denoncoi tmerrin e infibilacionit (prerjeve gjenitale femërore) në Afrikë, ku 90 për qind e grave e kanë bërë.

Tzipi Livni

Gruaja e parë izraelite në krye të Ministrisë së Jashtme, pas Golda Mairi-t. Mendohet se mund të jetë Kryeministrja e re e vendit, edhe pse sondazhet tregojnë të kundërtën. Por, e ardhmja e Tzipi Livni-t mund të jetë më e shpejtë se emri i saj.

Carla Bruni

U martua me Presidentin francez, Nikolas Sarcozy, prezanton një album të ri dhe bën për vete botën me mënyrën e saj të veshjes. Për një vit të tërë në qendër të vëmendjes, ku i fundit ishte komenti i saj mbi deklaratën e Berlusconi-t për zgjedhjen e Obama-s: "Jam e lumtur që jam bërë franceze", deklaroi.

Martine Aubry

Për të sfiduar Sarcozy-në, socialistët francezë ia besuan asaj drejtimin e partisë. Arriti të mundte bukuroshen Segolene Royal (me 102 vota më shumë dhe shumë polemika), duke u bërë gruaja e parë sekretare.

Ophrah Winfrey

Një nga gratë më të famshme, opinioniste dhe moderatore shumë e zonja. Këtë vit u pozicionua hapur dhe mbajti krahun e Obama-s në një kohë kur nuk ishte e leverdishme ta bënte diçka të tillë. Dhe si gjithmonë, nuk gaboi.

Meryl Streep

Për aktoren 59-vjeçare ky vit ka qenë një ndër më të begatët në jetën e saj. Shumë filma të xhiruar dhe shumë "Oscar", e padyshim interpretimi i këngës së "Abaa"-ve në komedinë "Mamma Mia", filmi i dytë më i shikuar i të gjitha kohërave pas "Titanic".

Marina Berlusconi

Për revistën "Forbes" është gruaja më e fuqishme e Italisë. Presidente e "Fininvest" dhe grupit "A. Mondadori Editore" ka arritur të hyjë në shumë dyer, që për të atin kanë qenë gjithmonë të mbyllura.

Nujood Ali

Vetëm dhjetë vjeçe ishte vajza e parë në Jemen që arriti të prishte traditën e martesave me shkuesi. Kërkon divorcin dhe gjykata i jep të drejtë. Tani, e rikthyer në shkollë, ëndërron të bëhet avokate, për të mbrojtur të gjitha nuset-fëmijë.

Miriam Makeba

Nga Afrika e Jugut, në gjithë botën gjithmonë për të luftuar dhe për t‘i dhënë fund Apartheidit. "Mama Africa", siç e quanin ndryshe, i tha lamtumirë botës ndoshta ashtu siç ëndërronte: në skenë, duke kënduar "Pata Pata" kundër "Camorra"-s dhe racizmit.

Hillary Clinton

Në garën për Presidente u skualifikua me nder nga Obama, por tregoi edhe anën më cinike të saj. Tani është krahu i djathtë i Barack-ut. A do të arrijë të kënaqë ambicien e shfrenuar dhe ndërhyrjen e Bill-it?

Ellen Johnson Sirleaf

Afrikania e parë e zgjedhur Presidente duhet të përmbushë misionin e saj: të zbulojë të vërtetën mbi 24 vitet e luftës civile që shkatërruan Liberinë.

Aung San Suu Kyi

Për revistën "Time" është Mandela e kohëve të sotme. Fituesja e çmimit "Nobel" për vitin 1991 këmbëngul: Birmania do të jetë demokratike herët ose vonë.

Sheila Bair

Në krye të "Federal Deposit Insurance Corporation" arriti të shpëtojë 11 banka nga falimentimi dhe depozitat e miliona amerikanëve. "Forbes" e konsideron gruan e dytë më të fuqishme në botë.

Rose Mukantabana

Aktivistja e "ActionAid in Africa" u zgjodh presidente e Dhomës së Parlamentit ruandez, i pari në botë që ka mazhorancë femërore.

María Garaña Madrilena

Është 39 vjeçe dhe presidente e "Microsoft"-it në Spanjë. Është e para grua drejtuese në botën e teknologjisë.

Nancy Pelosi

Bllokoi planin e Bush-it, që kërkonte t‘u jepte para të "freskëta" bankave, duke çuar në gjendje alarmi bursat në gjithë botën. Do të vazhdojë të jetë "gruaja e hekurt" edhe me Obama-n?

Sarah Brown

"Jam krenare që jam gruaja e një politikani, i cili mendon për njerëzit", kështu Sarah arriti të shpëtonte Gordon, në Kongresin e Laburistëve. Në nëntor kërkoi votat "derë më derë" dhe shtupoi laburistët.

Rola Dashti

Ekonomiste, themeluese e "Women Participation Organization", mes 100 personaliteteve më me influencë në botën arabe, tani po "lufton" për t‘u dhënë të drejtën e votës grave të Kuvajtit.

Sarah Palin

Ish-kandidatja për zëvendëspresidente e SHBA-së do të mbahet mend nga të gjithë për gafat dhe deklaratat e saj fëminore. Po ashtu, guvernatorja e Alaskës do të kujtohet gjatë për besimin e madh në vetvete dhe ambiciet e pafund.

Rachida Dati

Kundërshtarja më madhe e Carla-s, së cilës i pati thënë: "Dëshiroje të ishe ti në shtratin tim"? Ministrja e

Drejtësisë franceze do të mbahet mend këtë vit për rënien e madhe të popullaritetit dhe shtatzëninë e saj me babin ende të padeklaruar.


JK Rowling

Shkrimtarja e "Harry Potter" dhe më e paguara në botë, për herë të parë rrëfen për depresionin, që në moshën 25-vjeçare po e shtynte drejt vetëvrasjes.

Madonna

Edhe pse 50 vjeçe, ende në formë të përkryer fizike. 2008-a do të jetë vit i paharrueshëm për të. Divorci më i shtrenjtë në Britani, një tur i jashtëzakonshëm dhe debutimi si regjisore.

Cristina Kirchner

Arriti të zinte vendin e bashkëshortit në krye të vendit. Kandidoi si "gruaja e...". Argjentina po kalon një nga periudhat e saj më të errëta, por ajo nuk heq dorë nga hobi i saj i preferuar: shopping-u.

G. Shqip