E merkure, 05.10.2022, 07:40 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Si u ndava me gruan time

E enjte, 21.07.2022, 08:00 PM


SI U NDAVA ME GRUAN TIME

(Barcoleta politike - erotike)

NGA KALOSH ҪELIKU

(GJENIU NË “DEMOKRACI)

(Intervistë nëpërmjet telefonit)

Gjatë kohë u menduam se me cilin të bëjmë intervistë. Vështirë e kishim të përcaktoheshim se cilit profesion duhet t’i përkasë: politikanit, shkencëtarit, letrarit, muzikantit, profesorit, analistit politik… Më në fund erdhëm në përfundim, se: prej të gjithë këtyre profesioneve, më i denjë është ai i GOMARIT…

“ZEKTHI”: Prezentohuni ju lutem!

GOMARI: Gomari me dy veshë përpjetë.

“ZEKTHI”: Profesioni?

GOMARI: Muzikant, politikan, shkencëtar, regjisor, shkrimtar, mjek, aktor, profesor, analist politik…

“ZEKTHI”: Vendlindja juaj më e dashur?

GOMARI: Kumanova. Kërçova e Gostivari.

“ZEKTHI”: A keni marrë pjesë në ndonjë miting?

GOMARRI: Po, në Shkup dhe në Tetovë.

“ZEKTHI”: Pas postit të prefektit të katundit, çfarë ambiciesh keni të tjera politike?

GOMARI: Të bëhem president i Republikës së Maqedonisë Veriut!

“ZEKTHI”: E gruan e keni politikologe?

GOMARI: Po, më ndihmon në përgaditjen e referateve.

“ZEKTHI”: E keni me shallvare, apo allafranga?

GOMARI: Gruan e kam myslimane. Havalen nuk e heq as kur bëjmë dashuri…

“ZEKTHI”: Sa fëmijë keni?

GOMARI: Gra e fëmijë s’kemi për t’u ngi…

“ZEKTHI”: Hi-hii-hiii… Vërtetë, qenke gjeni…

Tërt. Përt. Tërt. Tërt… U ndërpre lidhja telefonike…

(LEXUESI ANONIM)

Revistës për humor dhe satirë “Zekthi”, që del kur t’i teket me telefon iu paraqit një lexues anonim. E përshëndeti dhe në mes të tjerave u interesua edhe kur do të dalë nga shtypi numri tjetër i radhës. Mirëpo, sipas bisedës telefonike, sikur pak ishte brengosur se ia kishin kritikuar Nënën Parti. Njëherazi, edhe trembej sepse mendonte se kështu siç ia kemi nisur, kush e di çka do të shkruajmë në numrin tjetër për të sëmurën e shqiptarëve.

“Zekthi”, pasi buzëqeshi, i tha: “Hajt, bre burrë, mos u mërzitë, se ne e pranuam në “klinikën” tonë për shërim dhe me siguri do t’ia shpëtojmë jetën. Në spitalin shtetëror dhe në ato private për shërbime të këtilla paguhen para me thasë, e ne të gjitha ua bëjmë në mënyrë humanitare…”

(PROVOKIM PAS MESNATE)

“Zekthi”, tashti që doli në mejdan, është edhe në shënjestër të të pagjumëve. E marrin në telefon miqtë, armiqtë e ndonjëherë edhe lugetërit.

Një natë iu paraqit Mikja Di. Ora dy pas mesnate.

·       Hë, si e ke hallin?!

·       Pas gjithë asaj që flitet në “Bit-Pazar”, desha të provoj se a e ngre kufjen natën “Zekthi”, qeshi ajo matanë telit.

·       E, a u binde tashti, ori fisnike?!

·       Po, por nuk e di cilës lope ia ke vënë syrin…

·       Asaj, më të mirës në katund…

·       Atëherë, ia pafsh hajrin e dhashtë Zoti t’i bëftë dy viça këtë mot…

Tërt… Përt… Tërt… Përt… U ndërpre lidhja telefonike.

(ZVARRITJA E NJË KOMUNISTI)

Natën, vonë pas mesnate, me anë të telefonit na u paraqit një lexues. Pasi na përshëndeti, na u lut që në faqet e “Zekthit” të botojmë një material që e kishte shkruar nergut për revistën tonë për humor dhe satirë, që del kur t’i teket. Ne, pa asnjëfarë censure, ia plotësuam dëshirën dhe po e botojmë në tërësi me gjithë gabimet teknike.

“Ish-kryredaktori i një gazete, që sot më së shumti e ngre zërin si një “demokrat” i madh, gjatë kohës “së artë” komuniste, për të ndejtur si kryredaktor tri mandate me radhë, shiti një kat të redaksisë së vet.

Burri i botës aspak nuk turpërohet nga veprimi i tillë dhe kudo trumbeton se ka mbajtur gjallë redaksinë duke pranuar kuadro profesionale sipas arshinit të tij, kuptohet, partiak.

Komunizmi perëndoi, por kuadri i tij “profesional” edhe sot e kësaj dite zvarritet nëpër zyrat e redaksive si analistë politik.”

(PËRCAKTIMI POLITIK)

·       Alo, ”Zekthi”. Urdhëroni.

·       Si do të përgjigjet politikani i mirë, po ta pyetni se për çka do të përcaktohet: për politikë apo për grua?

·       Pa, paj nuk e dimë zotëri.

·       Ja, po u tregoj unë. Do ta zgjidhte të parën, ngase ajo ia siguron të gjitha, pa edhe gruan… Hi-hii-hiii… Lidhja u ndërpre.

(TELEFONATA E NJË SHKRIMTARI)

Revistën për humor dhe satirë “Zekthi” një natë e mori me telefon një shkrimtar i “madh”.

·       Alo, “Zekthi’?

·       Po. -iu përgjigjë  “Zekthi”.

·       Unë jam shkrimtari “i madh”.

·       E, ç’hall ke, ore burrë, që paraqitesh kaq vonë pas mesnate?

·       Unë dua të bëhem anëtarë i SHSHSHM -së.

·       Eh, po kjo është punë e lehtë, ore burrë! Unë mendova se ke ndonjë hall tjetër.

·       Jo, jo, dua të bëhem anëtar i SHSHSHM -së.

·       Atëherë, vëllaçko, bëj një kërkesë dhe dërgoje në shoqatë!

·       Oh, jo! Unë dua të më pranoni pa kërkesë, pa kritere, se jam shkrimtar “i madh”!

·       Jo, bre burrë. Nuk mundet pa kërkesë…

·       Atëherë s’ka nevojë të më pranoni në SHSHSHM -së.

·       Hi-hii-hiii… -qeshi “Zekthi”. - Vëllaçko, vazhdo ta ndjesh veten, se edhe unë e ndjej

veten se jam anëtar i një shoqate në Francë.

Tërt-përt… Tërt-përt… Përt… U ndërpre lidhja telefonike.

(SI U NDAVA ME GRUAN TIME)

Një natë me mjegull u ktheva vonë, pas mesnate, nga një orë letrare që u mbajt në Tetovë. E lash “xhipin” në garazh dhe padashtas më ikën sytë nga dritarja. U habita kur nëpër errësirë e pashë dritën e ndezur. Gruaja më e mirë në botë gjithmonë flinte herët, me pulat, siç themi ne në katund. E sonte? Thashë me vete se me siguri e ka harruar dritën e ndezur, ose është dalldisur në ndonjë film artistik.

Hyra ngadalë nëpër korridorin e errët të pallatit, që gjithmonë i prishen dritat. E nxora çelësin nga xhepi dhe e rrotullova në derë. Nëpër errësirë e ndeza dritën e korridorit. E hapa derën e sallonit, por, posa e futa kokën, Gruaja më e mirë në botë më bombardoi me fjalët:

·       Hë, a t’u kujtua të vish në shtëpi?!

·       Po, iu përgjigja. - Mezi e gjeta rrugën…

·       Me siguri edhe ke pirë?

·       Jo, i thashë. - kur e kam “xhipin” me vete, nuk pi më shumë se dy gota.

·       E dija! - u gëzua  Gruaja më e mirë në botë, që edhe kësaj radhe kishte të drejtë.

·       E me cilën ishe sonte, kujt i lexove poezi?

·       Vetë. - ia ktheva plumb. Tashmë e kuptova se nuk ishte diçka në rregull me Gruan më të mirë në botë.

·       E këto kurvat e tua që më paraqiten mua në telefon? Njëra, mori guximin dhe më erdhi edhe në vendin e punës…

·       Ato t’i kam lënë ty ta vrisni vetminë…

·       Mua, ë?! - u nxe edhe më tepër Gruaja më e mirë në botë.

E pash se ndonjëra e kishte tepruar nëpërmjet telefonit.  Ose, Ajo që i kishte shkuar në vendin e punës. Nuk kisha rrugë tjetër, përveçse ta pajtoj Gruan më të mirë në botë. Njëherit, edhe nuk e dija nga ku më vinte kjo e mirë, kush ma kishte kurdisur aq bukur si në telenovelat turke. Megjithat, u hodha në sulm. Ti, oj grua, i thashë, - e di se unë merrem me satirë dhe kam shumë armiq. E di se edhe nuk është hera e parë që më bezdisin me kësi kurthesh. Edhe ky është një kurth më vete, që nuk e di se nga e ka fitilin. Prandaj, më së miri është ta shohim dorën, se gurin e kemi në shtëpi.

Gruaja më e mirë në botë u qetësua pak edhe i shpërthyen lotët. Unë pasi ia arrita qëllimit, thashë me vete: Heu burrë, vazhdo edhe pak ta shuash zjarrin! Pastaj, oj grua, - i thashë, - këta armiqtë e mi sikur nuk kanë të ndalur me kurdisjet e kërcënimet telefonike. Jo që nuk u shuhet dëshira për skandale familjare, por edhe aq më tepër u ndizet flakë. A nuk është më mirë që edhe ne të bëjmë një freski familjare?

·       Hë, i hapi sytë Gruaja më e mirë në botë.

·       Të ndahemi për pak kohë. Edhe ty të kalon zemërimi, edhe unë do të shkruaj ndonjë libër. Edhe armiqve të mi do t’u plotësohet dëshira…

·       Jooo, u zemrua edhe më tepër Gruaja më e mirë në botë, duke më gjuajtur me libra nga të katër anët.

·       Grua, mblidh mendjen! - mezi arrita ta qetësoj mes gjithë atyre librave. Rrugë tjetër nuk kemi, ky është i vetmi shteg për ta kaluar malin…

·       E di se do të më heqish qafe, po edhe unë kështu si e ke nisur ti nuk mund ta qes në krye. Shporru, nga shtëpia!

E pashë se ia hodha Gruas më të mirë në botë. E mora çantën e zezë, dhe u strehova te Mikja Di për dy-tri javë. Ndoshta kjo ndarje zgjatë edhe më tepër, një muaj, dy, tre. Ku ta di unë. Ҫdo gjë varet se kur do më lëshojnë magjitë. Mund të ndodhë që të mos më kalojnë kurrë. Prandaj, edhe ju keni një borxh ndaj meje si shkrimtar. Edhe gruaja më e mirë në botë, edhe miqtë, edhe armiqtë e kanë borxh të më gjeni një hoxhë që të më bëjë një hajmali, t’i prishë magjitë dhe të kthehem në shtëpi…



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora