E diele, 02.10.2022, 10:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Frederik Rreshpja vuajti 17 vjet burg, por mbijetoi me poezinë

E marte, 19.07.2022, 07:15 PM


Frederik Rreshpja vuajti 17 vjet burg, por mbijetoi me poezinë

-82-vjetori-

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

“Rreshpja nuk ishte poet, i cili vetëm shkroi poezi, por edhe jetoi poetikisht. Në mënyrë të çuditshme, aq sa ishte e rëndë jeta e tij, po aq e fuqishme u bë shprehja e tij poetike”……Sipas Dr. Gazmend Krasniqit: “Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot dhe se prirja për ta përkthyer ka marrë përmasa të mëdha”. Ndërsa në libri “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, shkruar nga Petrit Palushi, paraqiten kujtime tronditëse, dramatike, poetike të poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muaj para se ai të ndërronte jetë.

Jetëshkrimi dhe burgosja

Frederik Rreshpja lindi në Shkodër më 1940. Disa biografë ditëlindje të tij marrin vitin 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër. Për shkollimin e tij të mëtejmë nuk ka të dhëna të mjaftueshme, por dihet se në vitin 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi „Rapsodi shqiptare“. Kjo vepër dhe punimet e tij të botuara në gazetat e përditëshme dhe revistat e kohës u pritën mirë nga kritika e avancuar, por u morën edhe si shembull për ta ndëshkuar. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Konkretisht, më 1975 veprat e tij hiqen nga qarkullimi. Arrestohet dhe dënohet …si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullo me 4 vjet. Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu dhe shkon në Sarandë. Ai, herët ishte kualifikuar si armik i vendit, që kur ishte nxënës i fillores, kur një fqinj i tij, punëtor i Shërbimit informativ, nuk e la vajzën e vet të shoqërohet me Rikun. Opusi krijues i Frederik Rreshpjes nuk dihet në saktësi, por, thuhet se ka thasë përplot me dorëshkrime. Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” - 1994, „Lirika të zgjedhura“ - 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi“ që u botua në vitin 2004, i cili ia solli titullin –poet i vitit 2004. Në një intervistë të botuar në vitin 1992 Frederik Rreshpja pat thënë:” Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im…Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë…Kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar…’’ Megjithëkëtë, Riku, siç e quanin shokët, të cilët i kishte të paktë pasi doli nga burgu, jetonte në Tiranë, por shpesh ndodhej edhe në Shkodër në ndonjë promovim apo manifestim kulturor. Nuk ishte i interesuar që të përcaktohet politikisht, sepse thoshte, “… mua nuk më intereson politika. Arti është më i gjërë…”, andaj Frederik Rreshpja iu përkushtua punës letrare. Ai ishte kryeredaktor i gazetës „Ora“, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese „Evropa“, veprimtari këto që nuk i sollën përfitime të mëdha, por kishte pasuri të madhe bujarinë e tij, sepse, edhe pse e dinte se kush ishte denoncuesi që e rraskapiti nëpër burgje, ai nuk u hakmorr.

Poezitë e Frederik Rreshpjes

Poezitë Frederik Rreshpjen e bënë të famshëm që herët, sepse u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por, pasi e denoncuan, ato ia hoqën. Mirëpo, për të edhe më tej shkruhet në superlativë. Ja ç’ka thonë disa njohës të letërsisë, e posaçërisht të poezisë: Hans Joacim Lanksch „ vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian“, Robert Elsie :“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“,

Henri Izrael, botues amerikan: “… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“,

Ivanov, kritik rus:  “ Ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”. Leo dë Rua, kritik francez: “… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit” Ismail Kadare: “… Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë”.

Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetmuar, sepse nuk ishte i martuar. Vdiq 17 shkurt Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjërë, dhe u varros më 18 shkurt 2006, në varrezat „ Rrëmaj“ të kishës katolike në Shkodër. /Wikipedia

Tituj të veprave

1.    Rapsodi shqiptare - 1967

2.   Erdhi koha të vdes pësëri - 1994

3.   Lirika të zgjedhura - 1996

4.   Në vetmi - 2004

Shpërblimet

  Vëllimi më i mirë me poezi (Lirika të zgjedhura)-1996

  Poeti i vitit 2004-për vëllimin me poezi "Në vetmi"

Poezi nga Frederik Rreshpja

Dita e gjahtarëve

Na zuri mëngjesi në udhë,

moj kapelja ime e vjetër.

Rrugë, ré. Përpara hieroglifja e madhe e ditës.

Kyçin e saj e mban nata.

Lumi Je është shumë larg.

Po mua pse më zë malli për toka që nuk i kam parë kurrë?

Vetëm zërin e tyre e kam parë te Li Bo.

Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te prroi i vjetër.

Do vinë zogjtë, do bëjnë fole,

dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar

Moj kapelja ime e vjetër.

deri në ditën e gjahtarëve,

gjahtarëve të mallkuar.

Dimër

Bie dëborë. Rënkojnë

qerret e lodhura si një kor tragjedish antike.

Në udhën e fshatit

dhe mua m'u kujtua pabesia jote.

Sigurisht dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë.

Më pastaj Zoti i tradhtuar vështronte

fushën e mbuluar me qefin,

si për një të vdekur madhështor.

Ah, si të shkoi ndërmend pabesia?

Si të shkoi ndërmend dëbora?

Më ke dashur shumë.

Por erdhi një ditë që shpike dëborën.

Tani udhët janë zënë.

Dhe unë rri e vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria.

Mike e vjetër

Jo, ti nuk je zbardhur mikja ime e vjetër,

por amalgami i çmendur i pasqyrave

të ka mbuluar në dimër.

Ik nga pasqyrat:

Pellgjet janë më të ndershëm,

sepse të bëjnë narçiz.

Si ike kaq befas?

Kështu tërë ikje ke qënë dhe në rini...

Të kërkova nëpër hollet e hoteleve,

vetëm diku në një bar të vjetër,

si një krah i thyer pulëbardhe,

kishte mbetur pak dimër nga ti.

Vizatime

I

Mos i beso magjisë së mallkuar

të telefonit të zi!

Dërgomë një fjalë nëpër telat e vetëtimave,

II

një dorë plumba mbi xhamin e stendës.

metal vrasës! Atje te rrënjët e tërmeteve.

Vallë nuk e ke ditur që në këtë botë ka edhe statuja?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora