E premte, 19.04.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (19)

E hene, 18.07.2022, 08:46 PM


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Nëntëmbëdhjetë.

Viti shkollor po i afrohej mbarimit.Pas orës së fundit, me të rënë zilja, dola te porta për të pritur Melaninë që të bënim një copë rrugë bashkërisht, por nuk e di pse po vonohej. Javën e fundit kisha vënë re, në mos gabofsha, se Melania s’ishte më e para. Se ç’kishte një far ftohje e stepje dhe kur më vështronte i mungonte ajo buzëqeshja e ngrohtë e miqësore. E prisja dhe përsërita vargjet që kasha sajuar për të, por që s’kisha guxuar t’ia thosha: Melani me sytë e zi/flokët kaçurrele/lidhur me kordele/ po të pres te dera, / të vish si ngahera!

Dhe ajo erdhi, me çape të vegjël, nazike,por pa atë buzëqeshjen tërë dritë dhe vështrimin ledhatues, disi e drojtur dhe e heshtur. Ngam një copë udhë të heshtur, si të na ishin shterrur fjalët. Kur u afrum te ëmbëltorja e Suad Gegës, Melania mbajti këmbët dhe më kapi nga krahu.

-Kthehemi për një akullore? Qeras unë.

Ashtu bëm. Morëm kaushët e akullores dhe zum vend te tryeza e cepit, që ishte e mënjanuar. Shihja sesi gjuha e saj e vockël dhe e kuqërremtë si e një macke, lëpinte tërë shije akulloren dhe picërronte sytë. Dukej që i shijonte shumë.

-Ka dit që dua të të pyes diçka, por nuk e kam bërë, nga drojtia mos të mbetej hatri.

-Bëje dhe për mirë qoftë.

-Jo. S’është për mirë. Javën e shkuar, bisedova me mamin. I fola për ty.

-Me siguri i ke thënë që jam fshatar, leckaman, zgjebanjos, zorrëthatë, por për çudi i pari i klasës dhe një nga më të mirët e shkollës!

-Të lutem, mos e tepro, e si mund të m’i nxinte goja të tilla fjalë? I thashë për atë që je dhe ashtu si je, shoku im më i mirë. Mami më dëgjoi, dhe pas një heshtje tha si me mospërfillje” Eh, i mirë i mirë por çam ama, si hyn në punë as dreqit”, si t’i vinte vulën atij muhabeti. E kundërshtova, por ajo më tha që detyra ime ishte të dëgjoja e të bindesha, të pranoja dhe jo të kundërshtoja gjithë ato gjëra, që nuk e di nga i kishte dëgjuar për dorën tuaj: që janë pa plang e pa shtëpi, që jetojnë si harixhinjtë në kasolle, që gratë vishen me tumene allaturka dhe kokmbuluara me shami, burrat me shallvare, ngjeshur me brez dhe feste të bardha me thumb, që flasin një dialekt të çuditshëm pa “y “me “gl” e “kl” e ca fjalë ,vërtet shqip po ndryshe, e me zakone të tjera nga tonat. Pale  që të gjithë thonë që në vëndin e tyre kanë qënë pasanikë të mëdhenj , e që vëndi i tyre është si parajsë mbi tokë e plot përralla të tjera. Fundja më tha që ,bëja mirë të mos e trashja shoqërinë me ty.Ajo i kishte thënë edhe se: po të rrish me qen do marrësh pleshta!(por që Melania nuk mund t’ia thoshte Idrizit) dhe se janë të pabesë!Pastaj ai djali edhe emrin me drizë e ka!

Idriz, akullorja të mbeti në fyt. Diçka brënda teje kërciti dhe u thye si të  ishte qelq. E tillë fyerje! Kishe dëgjuar edhe herë të tjera fjalë të papëlqyera, por kaqë shumë baltë, kaq me mllef, nga një grua që ishte e arsimuar, mamaja e shoqes tënde, s’të kishte ndodhur.

-Dhe ti i besove gjithë ato broçkulla?- pyete  me zë të dridhur

Kur pa tronditjen tënde, Melania, siç duket, u pendua që t’i tha, por gjithsesi, të pa drejt e në sy dhe bëri atë pyetjen e çuditshme por që si duket e mundonte:

-Idriz, më thuaj dua ta di, ç’jeni  në të vërtetë ju, ç’është Çamëria, po gjuha që flisni në shtëpitë tuaja, shqip apo greqisht?

Ah,  kjo s’durohej! Edfhe ti, moj melani!?

Ti u çgënjeve, por ndjeve edhe keqardhje për paditurinë e shoqes tënde, të mamasë së saj dhe të kushedi sa e sa të tjerëve, që ende dyshonin në shqiptarinë tuaj. Ajo priste një spjegim nga ti. Po a do të arrije vallë? Jo se nuk mundje, ti tashti ishe i rritur dhe dije plot gjëra të dëgjuara nga më të rriturit dhe të lexuara në libra. Dyshoje se a do t’i besonte ato që do t’i thoshe?

Çamëria e bukur, nuse e stolisur,që laget në brigje nga ujërat e Jonit të kaltër,në Pargë, Gumenicë, Volë Prevezë e Arpicë ku nata është tjetër natë, me hënë dhe yje të shkëlqyer, edhe dita tjetër ditë plot dritë, që ka shkëlqimin e detit dhe ndriçimin e diellit, me kodra bleroshe mbuluar nga kurorat e ullinjve, kullota të begata, ku kullosin e blegërijnë bagëtia. Ara pjellore, vreshta dhe ullishte.Edhe ajri tjetër ajr, me amzën e xhumricës, sherebelës, manxuranit e borzilokut”

“Çamëria e miteve dhe legjendave, e elimëve, e orakullit pellasgjik të Dodonës ku zbrisnin e flisnin perënditë,për të ndarë fatin e heronjve, e lumit Akeron, ku varkëtari Karont merr shpirtrat e të vdekurve dhe i shpie në Hades. Me urën e Artës që dridhet shpirti i nuses së murosur, sa herë njerëzit shkojnë mbi të.”

“Fshatrat kryekodrave, më të bukur njëri se tjetri, shtëpi dy e tri katëshe, me gur të gdhendur, thurur me avlli,, mbushur me çubet e mjalcave, portopulla me qemer, ovoroi me limon e portokalla, borzilok e manxuran që i selitnin duart e amvisave….”

“Vendi i njerëzve të lire e të pa nënshtruar. Stoli e asaj toke, burrat levendë, trima, puntorë, të ditur e kordhëtarë , që kanë bërë histori e hyrë në histori. Veshur me fustanellë njëqind fletë! Kalcat fanello, dizgjet të zeza. Cariqet telatina, xhufkat të kuqe, xhamadani qëndisur në kërsaf, pisqolla e larë në argjend.

Vallja  e pashoqe çamiko dhe këngët si thirrje shpirti.

Gratë gjeraqina, të bukura e të mira si ato. Me tumene?Ishte veshje shtëpie, po paja bëhej arbërore, me fustan e sako. Kur u martua ime motër Gjylua, e vjehrra i dërgoi fustanin kadife manushaqe qëndisur me ar, jelekun dhe sakon ngjyrë allë,patiqet të ngrira nga qëndizmat. Ngjante si princeshë! Kjo është veshja e grave tona”

“E folura? Është shqip,gluha jonë ca e vjetër e disi ndryshe në gjëra të vogla, po ti duhet ta dish Melani si e ka quajtur Naimi i Madh: gluhë perëndie, dhe ti guxon të më pyesish, si flasim, shqip apo greqisht?”

“Çamëria, pse ishte kaq e mirë, grekët e deshën të tërën për vete, pa çamët myslyman shqiptarë. E masakruan, e dogjën  e rrënuan. Nuk kursyen askënd, me pleq, të rinj e fëmijë me burra e gra, i shkuan në thikë e në plumb, dy mijë e më shumë të vrarë,përfshi edhe babain tim, pa faj, pa shkak dhe ne morëm arratinë nga lemeria, të ndjekur nga plumbat për të shpëtuar gjall. Dhe ja tek jemi, shpërndarë si zogjtë e korbit, si gurë të rrokullisur dhe ju pyesni kush jemi ne?  Sa pak dini për ne!”

Këto dhe sa e sa të tjera, janë kujtesa jonë historike,  e ne shqiptarëve  të çamërisë, djalë pas djali e vajzë pas vajze, në breza dhe ne, jemi ajo që kujtojmë.

Idriz, këto mendove dhe deshe t’ia thoshe, në përgjigje të pyetjes shoqes së bangës Melanisë, por nuk ja the, tu duk se ajo do t’i merrte për mburrje dhe nuk do të besonte.

Me gjysëm zëri i the -ditën e mirë - dhe nuk e përcolle deri afër shtëpisë si ditët e tjera.Le ta kuptonte, që qoftë edhe padashur, të kishte fyer.

***

Po atë ditë, si u ndava nga Melania, me një porosi të sime mëje, pas daljes nga shkolla, shkova në shtëpinë e një kushërire të babait tonë që ne e quanim hallë. Kur hyra brenda, ajo ishte vetëm dhe duke u falur. Kishte shtruar një qilim të vogël, e kthyer nga lindja, ajo lutej duke mërmërirë dhe bënte ato lëvizje që nuk ishin të panjohura për mua dhe që i kërkonte riti i faljes: përkulej, binte në gjunjë, mbështeste ballin mbëdhe, ngrihej dhe kalonte duart në fytyrë, derisa mbaroi. Pastaj mori nga vendi ku ishte varur kuranin, të vendosur në një këllëf kadifeje ngjyrë alle me qëndizma ibërshimi të verdhë. U ul në minderin e divanit dhe filloi të lexonte pa zë.Në vajzëri kishte mësuar në mejtep të lexonte arabisht. Shihja vetëm lëvizjen e buzëve. Kur mbaroi, pëshpëriti “O Allah, mëshira dhe dashuria jote qoftë me ne, e puthi librin e shenjtë  e vuri në këllëf  dhe nisi të qante, gjithnjë pa nxjerrë zë. Lotët i rridhnin dhe i mblidheshin në mjekër. E shihja i tronditur dhe nuk e di pse po më vinte edhe mua për të qarë. Dikur ajo pushoi, ofshau, fshiu lotët, u kthye nga mua dhe më përqafoi. Unë iu tulata në gjoksin erëmirë. Veshja e saj e paqme binte erë borzilok. Më pyeti për nënën, vëllezërit dhe motrat, emër për emër. E doja Hallë Motenë, e kam në sy si sot. Ishte grua e pashme(pale sa e bukur duhet të kishte qënë kur kishte qënë vajzë), me tipare të hijshme si të bëra me dorë. Cipa e fytyrës e hollë e bardhë e bardhë, pa asnjë rrudhë. Në çdo gjë ishte e bukur: kurmi i hedhur dhe beli i hollë si lastar. Sytë e medhenj, të zez, të trishtuar, vetulla të holla të harkuara. Në të gjithëçka zonjëronte, dhe e gjithë lagja ku banonin e quante zonjë Mote. Por në sytë dhe pamjen e saj, mungonte buzëqeshja. Kishte një trishtim të përhershëm dhe një pikëllim që e fisnikëronte dhe të bënte ta nderoje. Me naivitetin tim fëminor, e pyeta pse qante. Ajo më ledhatoi flokët dhe më tha në dialekt:

-Djalëthi im, ti je i vogël e nuk i di. Klaj për të di djeltë e mi , Shabanin e Agushin, që se di janë gjall a vdekur.Gjashtë vjet pa parë me si. Klaj për tët atë, që e vranë djalë lohonjar, klaj për nanëmadhen tënde, timekunatë, që vdiqi buzëplasur në Kllogjer të Sarandës. Klaj për ato që holqëm e që helqim.Për hallet tona që s’na ndahen e s’kanë të bitisur. Për të gjitha i falem e i lutem rahmës së Zotit, që tu lehtësojë jetën të gjallëve e të pranojë në xhenet  shpirtrat e të vdekurve.

Ata që pashë ishin lot nëne, lot dhimbje.

Hallë Moteja nuk më tha më shumë. I thashë porosinë përse më kishte dërguar nëna dhe desha të ikja, por ajo nuk më la, më mbajti për darkë dhe për gjumë. I thashë se nëna do të bëhej merak, atëhere s’kishte telefona. Ajo më qetsoi. Nëna e dinte ku isha.

Të nesërmen  kur u ktheva në shtëpi, I rrëfeva nënës për Hallë Motenë dhe  nëna më tregoi  për brengat e saj:

Kur u afruan zervistët në fshat, me thika në dhëmbë dhe urat e zjarrit në dorë, njerëzia nga lemeria u ngritën e ikën nga sytë këmbët për të shpëtuar gjall. Hallë Moteja me të shoqin dhe dy djemtë e vegjël, që ndodheshin në shtëpi, morën arratinë, veç me rrobat e trupit, për t’u hedhur në Shqipëri. Djali i dytë Shabani, ishte në mal me kopenë në stan. Në atë zallamahi, nuk arritën ti dërgonin lajm dhe ai mbeti aty, pa ditur se ç’u bë. Kur u kthye pas dy ditësh në shtëpi, e gjeti bosh dhe fshatin shkretë. Zervistët kushedi pse, nuk e vranë. Vunë nën thikë aq bagëi sa u duheshin dhe e lanë të rrinte në shtëpi. Po të ikte do ta vrisnin rrugës.Mbeti i vetëm në lagjen Kodër të Mazrekut.Më pas e detyruan të kthehej në kristian, të pagëzohej në kishë dhe e martuan me një vajzë çame ortodokse.E ndanë nga njerëzit e tij përjetë. Hallë Moteja, e mori vesh që djali rronte, po se pa dot me sy se kufijtë ishin të mbyllur.

Më i hidhur qe edhe fati i djalit të madh, Agushit. Ai u rreshtua si luftëtar, bashkë me shumë djem çamë me forcat e  EAM-it. Pas përfundimit të luftës civile në Greqi, u kthye në fshat te i vëllai, por e burgosën si komunist dhe e dënuan dhjetë vite burg, në ishujt e thatë e të shkretë të Egjeut .Kur u lirua nga një amnisti, me shumë mundime emigroi në Turqi. Aty u martua me një vajzë çame, por edhe në Turqi në atë kohë kishte një histeri antikomuniste dhe filluan ta përndiqnin si komunist dhe ai u detyrua të emigroj në Kanada. Pas shumë kërkimeve e me shumë mundim, gjeti adresën e njerëzve të tij dhe dërgoi letra e fotografi.

Hallë Moteja, kishte edhe dy djem të tjerë, që i kishin dalë zot shtëpisë. Për dy të tjerët, e dinte që  ishin gjall, por që nuk mund t’i shihte e të çmallej.Të ndarë përsëgjalli. Plagë e hapur dhe  pa shërim për zemrën e nënës. Furtuna e jetës i kishte hedhur në skaje të largëta. E dija. Të tillë janë fatet njerëzore të banorëve të Çamërisë, nuk ka familje pa plagë e brenga.

Hallë Moteja i qante përsëgjalli dhe vdiq buzëplasur.

Edhe këtë nuk mund të ja rrëfeja dhe spjegoja Melanisë.

Tiranë, korrik 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora