Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Llojdia: Hapni dosjet të shpëtojmë nga spiunët

| E diele, 21.12.2008, 01:47 PM |


Hapni dosjet të shpëtojmë nga spiunët

Nga Gëzim Llojdia

Si shpërblim për fitoren, ndërtuan një burg të madh të bukur sa një kështjellë. Mirëpo ku shkuan ta inaugurojnë panë se burgu ishte bosh dhe pyetja e parë ishte: Po ku është parë burg, pa të burgosur brenda? Kështu burgu filloi të popullohej nga pak e përditë derisa nuk nxinte më. Kështu rrëfehet një histori, por në këtë vendin tonë, historia me spiunë e sigurimsa është 50-vjeçare. Vetëm ca ditë më parë një banor i fshatit Nartë me një gazetë në dorë ku iu drejtua një këshilltari të Kryeministrit për hapjen e dosjeve. Ai ishte pjesëtar i familjes Papa motra e të cilit u vra barbarisht me të vetmin faj se nuk pranoi të spiunonte sepse ndërsa ishte kthyer nga Italia, e kishin porositur murgjet: “bijë, ku shkon atje sundojnë komunistët dhe janë të pafe, por dëshira për prindërit që kishte parë, që nga lufta bëri që ajo të kthehej mirëpo aty gjeti të tjetërsuar, njerëzinë. Njerëzia e përgjonin nga pas krahëve, sepse duke qenë një fetare katolike ishte rritur në një seminar murgeshash, e thërrasin në degën e brendshme të Vlorës, për ta rekrutuar dhe ajo si fetare nuk pranoi misionin kështu e vranë me një aksident, mësuesen e Nartës dhe atë familje i denigruan e përndoqën me gjyqe e libra derisa erdhi viti ’90. I thoni kryeministrit të hapen dosjet.
Ky mesazh është një ndër sinjalet e shumtë që ka ditë që vjen nga qytetarët dhe vuajtësit e diktaturës. Hapni dosjet të shpëtojmë nga spiunët. Ata, që nuk e dëshirojnë këtë proces mund të pyeten lehtas. Ore zotërinj me kë jeni ju me të pafajshmit apo me spiunët? Çdo llokoçitja nuk është gjë tjetër përvese si i thonë nga anët tona maja për trahana. Dhe sa kohë do t’i kemi nëpër zyra, e nëpër këmbë këta dreq spiunësh? Kaq të fortë paskan qenë këta shejtanë e bijë shejtanë, që kanë marrë në qafë jetë që ikën mjegullisht? Si ka mundësi, që u qahet halli spiunëve dhe kërkosh nuk zë në gojë viktimat e spiunëve. Si do t’i vejë filli kësaj shoqërie që merr në mbrojtje spiunët, merr në mbrojtje të fajshmit dhe duke degdisur të pafajshmin, viktimën. Asnjë ligj në bote dhe aq më pak në fe, nuk lejon që të merret nëpër këmbë i pafajshmi si ka ndodhur dhe po kërkohet t’u jepet edhe dekorata spiunëve, dhe ndërsa kjo shoqëria jonë ecën turbull përkarshi rrjedhës së spiunëve, ndërkaq që viktimat zhyten poshtë  e poshtë baltës me mjegull nga kjo koha jonë. Dhe nëse nuk bëhet ligji, ka Perëndi thonë pleqtë që do t’u nxjerre shpirtin me gazep xhelatëve dhe përvoja e kësaj është treguar dhe vijon të tregohet. Por është mirë që ky parlamenti ynë të përkrahë nismën e PD, për të hapur dosjet sepse edhe spiunëve do t’u bëhet mirë: nuk do të jetojnë më me frikën që i ka kapluar.