Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qemal Sakajeva: Gjyq Rrugës!

| E diele, 21.12.2008, 01:44 PM |


Gjyq Rrugës!

Nga Qemal Sakajeva

Vitet, (plot 12), mes 1997 - 2009, i pari, kur mund të mendohej për socialistët, të nisnin rrugën Durrës - Kukës - Morinë dhe, i dyti, kur ajo do të përfundojë së ndërtuari nga demokratët, janë kohë shumë e gjatë e një përplasjeje të kësisojshme: 8 vitet e qeverisjes së majtë u përmbyllën me mashtrimin nën emrin “taksa e solidaritetit“ për rrugën. Është thënë se u arrit të mblidheshin rreth 300 milionë dollarë. Po thuhet që, nuk dihet për çfarë u përdorën ato para. Ajo që dihet nga të gjithë është që, me atë shumë, projekti nuk u përgatit dhe rruga as u nis e as u bitis. Ajo që dihet, gjithashtu, është që, askush nuk dha përgjigje për atë veprim financiar qeveritar. Çështja duket e mbyllur, edhe pse, në raste të caktuara, për kundërpërgjigje, ajo rimerret nga e djathta, për t’i kujtuar të majtës se, qeverisjet e saj e ngritën korrupsionin në sistem dhe korrupsioni i vulosi emrin e qeverisjes së tyre.
Katër vitet e fundit, më saktë tri të plota, nga mandati qeverisës i së djathtës, ndodhi ajo që pakkush e pati besuar si individ, ndërsa e majta nuk duhet ta ketë besuar as si strukturë politike që, rruga Durrës - Kukës - Morinë do të fillonte së ndërtuari e sidomos të përfundojë aq shpejtë, duke pasur si pengesë, diku në mes, edhe hapjen e tunelit të gjatë e të vështirë. Ndoshta, ata kishin të drejtë në mosbesimin e pashpallur, edhe sepse nuk i trashëguan qeverisjes pasuese të djathtë, tri gjëra bazë: as vullnetin ndërtues, as paratë e mbledhura, as mbështetjen për rrugën e përbashkët.
Por, ngjau e papritura. Kryemisitri Berisha pati shqiptuar, gjatë fushatës së zgjedhjeve fituese, të vitit 2005: Rrugën do ta ndërtojmë patjetër! Qeveria e drejtuar prej tij, me vullnete të përbashkuara, vërtetoi vullnetin qeverisës, gjeti paratë dhe po u jep shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, dhe jo vetëm atyre, rrugën e krenarisë së njëmendtë, e cila kundrohet e gjykohet me kërshëri e vlerësim edhe në rrafsh ballkanik, si për nga fuqia jonë ndërtuese ashtu dhe tejshikimi i proceseve të ardhshme, që marrin jetë edhe prej saj. Ndërtimi i shpejtë i rrugës pati tre faktorë të mëdhenj përcaktues: ardhjen në pushtet të së djathtës, kompaninë e njohur amerikane “Bechtel”, fituese e së drejtës për të ndërtuar pjesën më të vështirë, dhe shpalljjen e Kosovës shtet.
Të dy kohët përplasen ashpër: 8 vitet e qeverisjes së majtë - Mashtrim financiar kolektiv me rrugën, 4 vitet e qeverisjes së djathtë - Mbajtje e fjalës së dhënë për rrugën. E majta mundohet t’i shpëtojë skualifikimit tronditës nga kjo vepër madhështore, ndaj të cilës nuk mund të heshtet. Ajo ka ndërtuar strategji të dyfishtë, për të dalë nga rënia e thellë e për të nxjerrë ndonjë përfitim politik për ngritje. Rruga, prej tyre, po quhet e vjedhur. Qeveria, ndërtuese e rrugës, prej tyre po quhet, vjedhëse. Kjo përpjekje e stërmundimshme e saj ka përfshirë politikën, drejtësinë, mediat, njerëzit e zakonshëm. Por, sa më i përndezur bëhet sulmi, sa më shifra të mëdha thuhen, sa më fort këmbëngulet që goditja të përqendrohet në një apo dy emra - aq më politikisht lexohet motivi  luftarak i opozitës, e cila do të ndjehej e fituar, në prag të zgjedhjeve, duke ëndërruar tri përfitime: sikur një ministër të mund të burgosej për korrupsion; sikur një qeveri të cilësohej e korruptuar; dhe, sikur  kryerruga e shqiptarëve të cilësohej e vjedhur.
Është jashtë çdo përfytyrimi ta shndërrosh këtë vepër gjigande për Shqipërinë, në një çështje të nëpërkëmbur të një ministri. Arsyeja është se e majta nuk donte të ndërtohej rruga dhe, shenjë e pezmit të madh është që, ndërsa ajo po përfundon, drejtuesit e saj nuk kanë shkelur ende në ato vise, për të parë në vend ndërtimin e korridorit të madh ndërshqiptar. Edhe pak muaj dhe do të shohim që, të gjitha do të harrohen, por dy gjëra do të mbeten: Rruga Durrës - Kukës - Morinë si vepër e papërsëritshme e ndërtuar nga qeveria e djathtë dhe Gjyqi kundër Rrugës Ndërshqiptare, i kërkuar nga opozita e majta.
Kjo të kujton një ateist të rreptë, gjatë diktaturës, i cili shkroi librin, “Gjyq Zotit”, dhe që, pas botimit, i vetëkënaqur e me vetëmburrje tha: Kaq munda, kaq bëra!

G. 55