E premte, 19.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Kodi romanor i idealeve për liri

E diele, 17.07.2022, 07:18 PM


KODI ROMANOR I IDEALEVE PËR LIRI

(Për romanin “Kohë ethesh” të Bedri Tahirit)

Nga Prend BUZHALA

Letërsia e krijuar pas luftës është e lindur nga periudha e dhimbjes më të madhe, nga çastet e vuajtjeve të paskajshme e nga ato të fatkeqësive e të mundimeve kolektive; mu në vatrën e në thelbin e tragjedive më të mëdha njerëzore. Ndërkomunikimet letërsi-luftë shfaqen edhe në prozë, ashtu sikundër shfaqen edhe në romanin “Kohë ethesh” të Bedri Tahirit. I njohur si autor i disa vëllimeve me tregime në lëmin e krijimtarisë letrare, dhe si autor i një vargu monografish edhe vëllimesh në letërsisë dokumentare nga ana tjetër; kësaj radhe ai mori guximin të paraqitet me një roman që e strukturon dhe e tematizon në disa plane kohën e luftës për liri.

1. Historia si gërshetim polifonik rrëfimesh

Në fakt, ai gërsheton, në strukturën narrative të veprës, historinë me legjendën, kallëzimin popullor me rrëfimin e mirëfilltë artistik, këngën popullore me lartësimin e heroizmit narrativ të luftërave tona shekullore për liri.  Në thjerrëzën rrëfimore të romanit është protagonisti Kreshnik Guri, “pinjoll e përfaqësues i denjë, ku ta dish i të satit brez...”, siç shprehet narratori, si dhe i vajzës që ai e dashuron, Luljetës. Vënia në gërshet e atdhedashurisë dhe dashurisë, jepet me forcë artistike tek  rënia e tyre në fushën e betejës (që paraqitet kah fundi i veprës):

“Në mesin e tyre, dy vende kishin ngelur të zbrazëta. Aty nuk po ulej askush. Po mungonin Trimi dhe Vasha. Ata më nuk ishin në mesin e tyre, ata kishin ikur në përjetësi, pavdekësia i mori me vete…

Ndërkohë ia bëhu edhe Nënëlokja trime, me atë ecjen e saj krenare dhe, ende pa zënë vend, u foli me zë të lart burrëror…”

Romani nuk reshtet pas ndërlikimeve e labirinteve të rrëfimit modern e postmodern për ta paraqitur luftën si një absurd, përkundrazi, kërkon për të tërhequr qartë vijën në mes pushtuesit dhe çlirimtarit, gjakësorëve dhe kryengritësve. Madje, ky procedim i tillë narrativ, realist, plekset me një stil lirik, lartësues, siç na e dëshmon edhe fragmenti më sipër.

Kur shkrimtari arrin të lëvizë dhe të përshkojë nëpër disa kohë, në të vërtetë ai depërton me anë të artit të prozës në vetëdijen tonë të re historike, në një përmasë të re, duke shënjuar faktorë të shumtë narrativë; nëpërmes kronikës narrative dhe përshkrimeve lapidare, siç janë kategoritë e vazhdimësisë historike, jetësore, familjare e ekzistenciale, nga njëra anë, si dhe të kujtesës, udhëtimit në kohë e kohës nëpërmjet takimeve, nga ana tjetër. Kësisoj, në roman ka një poetikë të ndërliqshme të kohës.

“Qershor 1389. Java e dytë. Vapë e madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar. Një të tillë nuk e mbanin mend as më të moshuarit. Moti s’kishte rënë asnjë pikë shiu. Edhe dimri i shkuar ishte i pa borë.

-Shpejt do ta shini kush është Milosh Nikollë Kopiliqi!- u kishte thënë troç darkën e fundit princërore, gjegjësisht në Kuvendin e mbajtur në kishën e Samadrexhës së Përmalinës.”

Grekët e lashtë thoshin se koha është distanca midis dy vëzhgimeve në një sekuencë ngjarjesh. Ndryshe e përkufizon kohën fizika, ndryshe dijet sociologjike, si fenomen që përcaktohet dhe përshkruhet me anë ngjarjesh e veprimesh. Ajnshtajni përdori ekuacionin matematikor, duke e përcaktuar natyrën e hapësirës dhe kohës.

Nga ana tjetër, mes rrëfimit romanor dhe realitetit historik, si dhe shtresimeve mitologjike, ekziston një ndërlidhje imanente. Autori e ka të qartë se secili moment historik mund të artikulohet nëpërmes trajtave të ndryshme të rrëfimit mitologjik, historik, atij të drejtpërdrejtë, apo nëpërmes imagjinatës refleksive, për të ringjallur e shpirtëzuar periudha e ngjarje historike, personazhe historikë e  të imagjinuar, toponime dhe kërkimet për rrënjët etnike, etimologjike etj.

Nuk është e rastit përse shtresimet e lashta ilire-pagane apo ato mesjetare-arbërore të krishtera, duan të shënojnë një realitet historik kaq imanent për këtë vepër. Kërkimi i këtyre rrënjëve nuk është thjesht një peizazh, janë përshkrim  i rëndomtë a një dokumentim i thatë. Autori dëshiron të na thotë se ato janë më shumë se kaq. Nuk është thjesht një hapësirë e përshkruar, por ajo është një hapësirë me shenjat e veta etnike, të moçme; janë shenja-rrënjë te secili prej nesh, janë rrënjë brenda qenies sonë. Është ajo që quhet vetëdije historike për lashtësinë e qenies sonë, nëpër shumë shtresime:

Të parët tanë, ilirët, besa edhe më herët, pellazgët, përmes tyre u përballuan sulmeve të egra të romakëve, të bizantinëve, të hunëve, të avarëve, të ostrogotëve, të sllavëve e tash së fundi edhe të osmanëve. Themelet e tyre të forta, për një kohë të gjatë, nuk u tundën dot. Qëndruan e mbijetuan për vite, dekada e shekuj.”

Mu ashtu siç do ta quante Mishel Fuko: historinë si gërshetim polifonik rrëfimesh subjektive kundruall  atyre shoqërore.

Në roman, përmes reminishencave narrative, paraqiten figura të njohura të së kaluarës historike të trevës së Drenicës, si Azem Galica, Shaban Polluzha, Adem Jashari etj., ashtu sikundër shfaqen edhe heronj nga miti e historia, si Millosh Kopiliqi, apo Muji e Halili...nëpërmes evokimit historik, legjendar apo rrëfimeve toponimike (një procedim mjaft i gjetur narrativ e risimtar në këtë roman).

Robert Heinlein, autor amerikan, thotë: "Një brez që injoron historinë nuk ka të kaluar dhe të ardhme." E Bedri Tahiri pikësynon që ky komb ta ketë të kaluarën e tij, aq të mohuar, për ta siguruar të ardhmen që në hapje të romanit, autori na e sugjeron edhe tekstin diskursiv historiko-mitologjik:

Lubia shumëkrerëshe dhe e pangopshme aziatike, e quajtur Perandori osmane, pasi i kapërceu Dadanelet nisi gllabërimin e pahetueshëm të tokave të reja. Kthetrat e saj të gjakosura i nguliti thellë-thellë në zemrën e zhuritur të Ballkanit të lashtë.

Çdo gjë nisi së prapthi. Çapitej keq rreth e përqark rrënjëve të thella të trungut të pastër kombëtar. U vu gisht edhe mbi etninë tonë: mbi traditën, kulturën, mbi foltoret, e veçan mbi besimin fetar. Me shpatë e përdhunshëm zu të përhapej islamizmi. Sakaq, filloi edhe shkrirja dhe asimilimi i të nënshtruarve. Ndërroheshin e çoroditeshin emrat e vendeve e të njerëzve, adoptoheshin foltoret e monumentet e trashëgimisë.

Ç‘mynxyrë paradoksale! Të gjitha këto i bënin dhe i zbatonin vetë të robëruarit. I internonin gjithandej, të gjorët, dhe i detyronin të punonin angari me vite e vite. Treteshin larg e larg, ku i linin edhe kockat fatzinjtë. Çdo ditë ngjanin të papritura e ndodhi lemeritëse, që tronditnin dheun”.

Është mitopetika e veprës që gjurmon mitologemat e së kaluarës dhe të së sotmes, dhe që, me anë të modelimit të tillë, ta rikrijojë vetëdijen mitologjike arbërore-shqiptare, përmes një sistemi figurativ metaforash e simbolesh (perandoria e metaforizuar si lubi). Rrënjët historike janë rrënjë të identitetit. Kësisoj, autori romanizon kulturën materiale e shpirtërore, gjetjet arkeologjike, toponiminë, unitetin e gjakut, gjuhës, traditës... deri te prejardhja e përbashkët etnike. Kësisoj, në roman shfaqet identiteti ynë si fenomen i proceseve komplekse historike, gjithnjë nën vëzhgimin e dinamikës së ndryshimit të luftërave çlirimtare; ndeshemi me identitete të shumta komplekse, si dhe të dukurive të shumta e të ndërliqshme historike, ekzistenciale e sociale.

2. Rrëfimi që lëviz nëpër hapësirat e kohëve

Nuk është e habitshme përse në vepër hasim struktura heterogjene diskursive gjithnjë me pretendimin që historikja, e lashta, të tregohet në mënyrë të re, me një poetikë të re. Poetikën e tillë e dëshmojnë procedimet ndërtekstuale, intertekstualitetit, komunikimin mes teksteve narrative me ato mitologjike, apo ato të legjendës dhe historisë me rrëfimin romanor.

Ndryshe nga proza moderniste, apo ajo postmoderne (vepra shfrytëzon këta dy krahë procedimesh artistike), autori e ruan ndjeshmërinë e masës, i ruan komunikimet me lexuesin, e ruan logjikën narrative dhe rrëfimin e qartë. Përderisa historiografia pikësynon besueshmërinë historike, duke e sprovuar nëpërmes metodologjisë shkencore; romani ka një përqasje tjetër, atë të besueshmërisë artistike, me anë të trajtave narrative. Ndryshe nga romani postmodernist që e parodizon historinë,  vepra e Bedri Tahirit është apologji e së vërtetës dhe lirisë, drejtësisë dhe dashurisë, triumfit të së mirës dhe  përmbysjes së të keqes. Është ai kërkim e procedim artistik që e shfrytëzon besueshmërinë e faktografisë historike për t’i gjetur kuptimet adekuate të historisë brenda qenies sonë nacionale, shoqërore e individuale. Autori anglez John Maynard Keynes, shprehet: "Idetë formojnë rrjedhën e historisë."

Shpesh historia është treguar njerkë me ne: kur dyert janë të rënda, e çelësi mungon, si të hapen?! Protagonistët liridashës të këtij romani gjenden gjithnjë në kërkim të rrugëdaljes.  Individit mbase mund t'i mbyllen të gjitha dyert. Po një kombi të tërë? Historia na mëson se gjithmonë ka rrugëdalje, historia gjithmonë e ka lënë një derë të hapur.

Edhe në prozë janë jo pak romane që i kushtohen luftërave liridashëse e ku sinteza e kësaj përvoje historike arrin të shkrihet me përvojën letrare, kurse brenda veprës ngërthehet esenca e heroikes, e dëshmisë narrative dhe e luftës çlirimtare.

E, shkrimtari di ta zbresë, këtë raport të lashtë mitik-historik, në truallin e raporteve njerëzore, në truallin e bashkërendimit të elementeve krejt heterogjene të përvojave historike, mitologjike e shoqërore. Kjo zbritje, e kuptuar si art letrar, ndodh edhe në rrafshin e paraqitjes së ëndrrave e të fanitjeve, të vetëdijeve të nduarnduarta e të rrjedhave të ndërdijes. Në ato punkte të rrëfyestores prozaike e të suazave psikologjike, do të humbin e do të zhduken edhe suazat e racionales, aty ku kjo poetikë e “zbritjes” do të përshkohet nga fantazmagoritë, nga arketipet e nga obsesionet tjera njerëzore të çoroditura...

Sa i mundimshëm ky shtegtim i kombit tonë, me sa dhimbje e trandje dramatike ndodh ky ballafaqim ogurzi me shtresat e tjetërsuara, që e kanë braktisë kujtesën historike kombëtare, që e kanë bjerrë qenien e tyre të dikurshme, aty ku tash zgjohen dhimbja e loti i dikurshëm! Zgjimi i mundimshëm vjen si një kujtim i turbullt, si një vrasje e ndërgjegjes që e bart me vete barrën e krimit. Tashmë të vetëspastrimit. Të katarsisit kombëtar e modern.

Mandej vjen teksti letrar...

-Mirëmëngjes L…u… l... eeeeeeee!

-Mirëmëngjes Kre....shnik!

-Unë të prita!

-Edhe unë erdha!

-Ra kjo luftë e u bashkuam!

-Ashtu është, ra kjo luftë e u bashkuam!

Shtrëngim duarsh, pulitje sysh e rrahje të forta zemrash...

Edhe tytat e automatikëve në krahët e tyre, lëshonin një tingëllimë tjetër fare, kur cakërroheshin mes veti…

-Po dasmën?!

-Edhe asaj i vjen rendi!

-Kur?

-Sa të mbarojë lufta!

-Në liri?

-Po, po, në liri!

-Dasmë lirie?

-Dasmë lirie!

Ky roman nuk është thjesht një rrëfim epik historie, i luftës për liri, mitologjie apo dashurie; ai ka në qenësinë e vet funksionin estetik të aktit krijues; në këtë dilemë autori nuk hamendet, për ta ruajtur edhe angazhimin social-historik e atdhetar, edhe frymën estetike të kreacionit, sepse, në radhë të parë, teksti është veprimtari estetike, sikundër e nënvizon këtë gjë Gary Iseminger.

I kultivuar në traditat e shkrimit atdhetar historik, si dhe në atë të traditës letrare të prozës realiste, Bedri Tahiri arrin të na çojë në botën e ndërkomunikimeve estetike midis letërsisë dhe historisë, mitologjisë dhe botës së pasur të intertekstualitetit. Nuk janë të rastësishme motot te secili kapitull, të marra  qoftë nga krijimtaria gojore, qoftë nga shkrimtarë shqiptarë e të huaj; që mund të lexohen si raport mes dy a më shumë tekstesh.

Nga ana tjetër, kjo marrëdhënie ndërtekstuale thuret në mes rrëfimit dhe trajtës së faktografisë historike, letrës dhe lirizmit, komentit, tekstit mitologjik dhe atij filozofik etj. Marrëdhëniet a përqasjet e tilla ndërtekstore, ndikojnë në formësimin e veprës, e drejton lexuesin (me anë të tekstit të tillë) nëpër hyrje-daljet e hapësirave dhe kohëve.

Në roman hasim edhe dramën e mërgimit e të eksodeve historike. Aty, te dramat e tilla të mërgimit, siç ndodh me protagonistin e romanit, Kreshnikun, lexuesi i ndien sa e sa dallgë të tilla që e kanë përfshirë Kosovën në të kaluarën, por që e kanë hedhë në stuhitë e fatit edhe sot. Nëse shtegu i shpëtimit dje kërkohej jashtë për shkak të përndjekjes politike, ky shteg rrugëdalje do të gjendet me rikthimin në atdhe mu në çastin më delikat të historisë... dhe me vetëflijimin për liri të dy protagonistëve, Kreshnikut dhe Lules.

“Edhe Trimi e Vasha shkuan andej drejt zjarrit përvëlues.

Dhe,krisma...këngë...ulërima...britma...kukuele…mësyrje...zbrapsje...

Tymi e flaka, ngriheshin deri në qiell dhe  mbuluan çdo gjë përreth. Granatat shpërthenin hiç pa ndalë. Toka u skuq me gjak të njomë lirie. Dielli sikur ndali hapin. Zogjtë sikur ndërprenë këngën. Edhe lumthi sikur ngadalësoi rrjedhën…

Pas pak çdo gjë ra në heshtje mbytëse…

Luftëtarët, të lodhur e të mërzitur, ca edhe të plagosur e të gjakosur, qëndronin kokë ulur. Askush çele guri gojën.

Në mesin e tyre, dy vende kishin ngelur të zbrazëta. Aty nuk po ulej askush. Po mungonin Trimi dhe Vasha. Ata më nuk ishin në mesin e tyre, ata kishin ikur në përjetësi, pavdekësia i mori me vete…

Kur autori e sheh të arsyeshme ta entizojë lëndën letrare, ai kalon edhe në poetizimin e motiveve folklorike, të thadruar tek atdhetarizmi tradicional shqiptar.

3. Romani, një pelegrinazh artistik kushtuar dashurisë së pafundme për atdheun

Kodi historik i mbijetesës, kodi i idealeve për liri e mëvetësi dhe ai i Ëndërrimit, Kujtesës dhe Evokimit, mbulojnë, simbolikisht, esencën e shprehur nëpërmes tyre; ato shndërrohen në imazhe artistike dhe e luajnë rolin e udhërrëfyesit e që drejtojnë Protagonistin e librit drejt vetënjohjes. Nga ky këndvështrim i tillë procedimor e artistik, edhe trimëria, guximi dhe heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, përbëjnë virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos edhe ky roman, të rimarrë nga krijimtaria popullore, e ka memorizuar në kujtesën e kombit, përmes kujtesës së personazheve.

Protagonistët shpërfaqen në temën e morbiditetit njerëzor, pikërisht aty ku zë kulm kthesa e madhe historike, heroizmi i luftëtarëve të UÇK-së, me ndërhyrjen e madhe të fuqive botërore në Kosovë, dhe që kurorëzohet me lirinë e Kosovës.

Le ta lexojmë këtë roman si një pelegrinazh artistik kushtuar dashurisë së pafundme për atdheun. Universi shqiptar përshkruhet me frymë të lartësuar artistike. Shqiptimi i mesazhit romanor ligjërohet e rrëfehet si portret i përbashkët i identitetit nacional.

Shkurt, qershor 2022



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora