E enjte, 28.03.2024, 08:15 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Elegji për Nënën

E diele, 17.07.2022, 05:38 PM


ELEGJI PËR NËNËN

Irma Kurti në librin “Shelgu lotues”. (Poezi për nënën)

Nga Kadri Tarelli

Para pak ditësh më erdhi në dorë libri me poezi, “Shelgu Lotues”. Poezi për nënën. Autore Irma Kurti. Botuar para pak muajsh në Tiranë, Nëntor 2021. Redaktor Sejdi Cekani dhe kopertina nga Biagio Fortini.

Autorja Irma Kurti është poete, shkrimtare, gazetare dhe përkthyese e njohur. Ka botuar 23 libra në gjuhën shqipe, 16 në italisht dhe pesë në anglisht. Kështu shkruhet në faqen e pasme të mbulesës, por më duhet ta korrigjoj, sepse pak dit më parë Irma njoftoi, se libri i saj i shtatë në anglisht sapo është botuar në Kanada, me titull: “Love, you don’t know”. (I dashur, ti s’mund ta dish).

Veç këtyre botimeve, Irma njihet nga publiku i gjerë shqiptar edhe si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Janë rreth njëqind tekste, shumë prej tyre janë vlerësuar me tituj e çmime nderi. Një jetë mes këngës, letërsisë dhe poezisë.

Nëse do të vazhdoja kështu, të vendos në varg librat e saj, nderimet e çmimet e fituara, do më duhet të mbush më shumë se disa faqe. Kam përshtypjen, se po ta pyesim vetë poete Irmën, me që janë aq shumë, ka rrezik se do të harrojë jo vetëm radhën dhe kohën, por edhe titujt. E shtyj më tej mendimin: Ajo ka fituar 60 çmime dhe vlerësime të ndryshme, në konkurse letrare ndërkombëtare, në Itali, në Zvicër e më gjerë, por kjo shifër ndryshon me dit dhe me muaj, mjafton të ndjekim kohën dhe veprimtaritë, që nuk reshten.

E thënë shqip, Irma vazhdon të krijojë dhe të marrë pjesë në jetën letrare-artistike, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe nëpër bote, ku vlerësimet nuk mungojnë edhe në ditët tona. Madje krijimet e saj të përfshihen nëpër antologji letrare dhe poetike. Vetë Irma njofton: “Kjo është hera e tretë që vlerësohem me çmim të parë për vitin 2022”. Është fjala, për poezinë në gjuhën angleze, titulluar “The weeping willow” (Shelgu lotues), paraqitur në konkursin letrar "L'arte in versi", Jesi, Ancona, ku vlerësohet me çmim të parë absolut.

Është pikërisht kjo poezi, që i ka dhënë edhe titullin librit “Shelgu lotues”, një gjetje letrare mjaft e pëlqyer, sepse vetëm me këto dy fjalë magjike, shpreh një botë të tërë plot vuajtje, përjetime e brenga shpirtërore, pa kufi:

“Nënë, mbi varr do të ndërrojnë lulet,

Që dimri i egër i ka tharë pa mëshirë.

Do të doja të jem hija, gjatë verës,

Do doja të jem shelgu lotues për ty. Poezia “Shelgu Lotues”. Faqe: 47.

Kam ndjesinë, se edhe lexuesi më pak i ndjeshëm pajtohet me një vlerësimin tim më të plotë, kur them, se këtë libër do ta titulloja “Elegji për Nënën”. Madje po e shtyj më tej frymëzimin: Nuk është e vështirë të përbashkohen të gjitha poezitë, pavarësisht titujve, për të gjetur e krijuar një poemë-elegji, që mbulon të gjithë librin. E gjitha kjo, ngase gati të gjitha krijimet, pavarësisht kohës kur janë shkruar, i bashkon një fill i vetëm, - dhimbja për humbjen e “Nënës”, që çuditërisht dimri nuk e thau dhe vera s’e zhuriti, madje nata e mbajti zgjuar dhe dita nuk e fshehu, veç drita e ndriçoi, nuk e zbehu.

Gjithkush nuk habitet për një dukuri të njohur edhe më parë në letra shqipe e më gjerë, të dëgjuar apo lexuar, por që përsëri e ndeshim që në faqet e para të librit, dhe askush nuk përpiqet të japë përgjigje në pyetjen: Pse?. Bëhet fjalë për besimin në Zot dhe në Perëndi, të cilin e venë në dyshim, e mohojnë apo e zhbëjnë pa mëdyshje. Kam bindjen se kjo u ndodh të gjithë njerëzve të ndjeshëm, kur i kaplon fatkeqësia, dhimbja, hidhërimi dhe pafuqia për të gjetur shpjegim, ngushëllim dhe forcë. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak i nënshtrohen fatit dhe zhgënjimit, por poetët kanë mundësi ta shfaqin në publik, të lehtësohen shpirtërisht nëpërmjet shpërthimit poetik, të gdhendur në faqe libri. Vini re këto pak vargje dhe gjykoni:

…………………………….

Ngre sytë nga qielli dhe pyes:

“Po përse, përse t’i ndodhte asaj?!”

Ju më kishit thënë se kishte Zot,

E zhgënjyer jam dhe e pashpresë.

Mirësitë e saj u zhdukën në hiç,

Nuk besoj më askënd e në asgjë. Poezia: “I trembem ikjes së viteve”. Faqe, 5.

Duke lexuar edhe faqen e fundi, unë dhe lexuesi e mirëkuptojmë plotësisht poeten, për dhimbjen e saj që nuk njeh kufij. Aq e vërtetë është kjo, sa vetë autorja e citon, madje edhe në mbulesën fundore: “Është një datë që do të doja ta fshija nga kalendari – 25 tetori 2006, kur nëna ime…….. u larguar përgjithnjë nga kjo botë. Pas kësaj përjetova një furtunë e një trandje të vërtetë shpirtërore”.

Këto pak fjalë, vetëm sa na paralajmërojnë se libri është i rëndë në përcjellje ndjesish të forta, aq sa pak kush mund të durojë pa u zbehur dhe pa qullur sytë nga lotët që lagin qerpikët e rrjedhin faqeve, duke prekur buzën që dridhet. Nuk është e vështirë të kuptohet, që është bija-poete, që e merr nënën për dore dhe pa u lodhur e çon në të gjitha skutat e ndriçuara dhe qoshet e ngrohta, të ngrohura nga zjarri i dashurisë së saj, për të kuvenduar si nënë e bijë, njëra të zbusë brengat që mori me vete në parajsë e tjetra të shuajë mallin këtu mbi tokë. E besojmë shpirtërisht poeten, por e falënderojmë se na dha një libër, ku i ngrihet përmendore dhimbjes për humbjen e nënës. Nuk e di, a ka libër të dytë në botë?

Irma, si krijuese ka krijuar profilin e vet në letrat shqipe, qoftë me kulturën e të shkruarit, ashtu edhe për frymëzimin, ku mendimi përcillet nëpërmjet figurave letrare dhe fjalës së zgjedhur. “Mjafton një gotë për ta shijuar të gjithë fuçinë e verës”, thotë një fjalë e moçme.

……………………..

Fryma e nënës ndizte thëngjijtë

Dhe zjarrin e ndenjes mes nesh.

Tani që ajo nuk është më, zjarret

Janë fikur, ashtu si qirinj pa jetë. Poezia “Zjarret”. Faqe. 70

Gjykoni këto pak vargje dhe do të bindeni, se kështu është qëndisur i gjithë libri, ku vargu dhe fjala shqipe është krehur imët, pa ngarkesa të pa nevojshme. Ky është vetëm fillimi, pasi Irama i drejtohet vargut, në dukje të thjeshtë, por me mendim të ngjeshur, që nis e ze fill në gjetjen e titullit dhe lidhet nyje në fjalën e fundit.

Më duhet ta theksoj këtë veçori të stilit të saj, pasi Irma, më duket se qëllimisht i shmanget rimës, apo muzikës poetike, për të vënë theksin te mendimi dhe forca e fjalës.  E gjitha e shtrydhur në pak fjalë, për të qenë e lirë në shprehjen e ndjesive dhe gjendjes shpirtërore: Uji i burimit le të gurgullojë e të këndojë lirshëm në rrjedhën e vet. Besoj se ia ka arritur qëllimit, duke mos qenë skematike në gjetjen e formës. Poezinë e saj mund ta rilexosh vetëm për kënaqësi ndjenjash të holla.

Besoj se janë të shumtë autorët që kanë shkruar për krijimtarinë shumë vjeçare të poetes Kurti. Unë po mjaftohem me dy-tre, thjesht se më pëlqejnë mendimet e tyre.  

Jam në një mendje me poetin filozof Moikom Zeqo, që shprehet:

- Poezitë e Irma Kurtit janë të strukturuara qartë…. Nga kjo pikëpamje, sinqeriteti i poetes është metafora e saj më autentike. Poezitë e saj lexohen me një frymë, sepse janë ndërtuar mbi motivet e dhembjes njerëzore. Në të vërtetë është një monolog i dhembjes që kërkon të kthehet në dialog. Poezitë e saj janë një klithmë për dashuri…..!

E admiroj gazetaren Grazia Pia Licheri, që shkruan:

- Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, në mënyrë kaq të saktë, saqë ta lejojë lexuesin të hyjë në majë të gishtave në jetën e autores….. (Nga parathënia e librit: “Senza Patria”- Pa atdhe)

Përshëndes mësuesen durrsake Lindita Gera, që gjeti dhe ma dhuroi këtë libër të rrallë. Ajo rrëfen një anë tjetër të znj. Irma, si veprimtare e përkushtuar ndaj lartësimit të kulturës dhe shqiptarizmit në botën  e madhe, duke thënë:

- Poete Irma, i ka kushtuar vargje të bukur dashurisë dhe dhimbjes njerëzore. Pena e saj të artë, na rrëfen se ç’ është dhembja, aq sa na duket sikur e ka shkruar enkas për njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre më të mirë. Jo vetëm kaq: Irma ndihmon në përkthimin e poezive të krijuesve nga Shqipëria dhe trojet arbërore, për të qenë pjesë e konkurseve letrare në Itali. Ajo me dëshirën e mirë, që libri të ushqejë shpirtin dhe mendjen e rinisë dhe të ngjyrosin botën e tyre, ka dhuruar libra për Bibliotekën Publike të qytetit të Durrësit, për Gjimnazet "Olsi Lasko", "Naim Frashëri", "Mihal Ekonomi", "Migjeni", etj.

Urime dhe suksese poete Irma Kurti, krijuese dhe veprimtare, tashmë e mirënjohur në botën shqiptare dhe më gjerë! E gjithë vepra juaj na ngazëllen e na nderon të gjithëve.

Guxim e durim për të tjera libra, për çmime dhe vlerësime që na shtojnë krenarinë.

Kadri Tarelli

Durrës. Korrik, 2022.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora