E shtune, 20.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Skicë për një foto

E diele, 17.07.2022, 05:23 PM


SKICË PËR NJË FOTO

Nga Ndue Dedaj

Ishte fillimi i vjeshtës 2008. Rruga e Kombit ishte lajmi i përditshmërisë. Në Reps do të vinin Presidenti i Shqipërisë Topi dhe Presidenti i Kosovës Sejdiu për ta vizituar rrugën. Asokohe i ndiqja veprimtaritë në këtë vepër, si shumë të tjerë, me dëshirën për të shkruar një libër për atë që e kisha quajtur “Egnatia e Veriut”. Por ajo eci aq shpejt sa munda të botoja vetëm reportazhe nëpër gëzeta, kurse libri mbeti në dorëshkrim, që e ruaj dhe sot ashtu si diçka të pakryer...

Këta fëmijë të shkollës së mesme të bashkuar të Repsit kishin dalë për të pritur dy udhëheqësit bashkë me nxënësit e tjerë, që fotoja i ka kapur paksa nga këmbët. I shoqëronte drejtori i shkollës, Pjetri, që nuk e harronte asnjëherë aparatin fotografik. Se si më shkrepi në kokë, çfarë zakonisht nuk është në natyrën time dhe i them atij ta shkrepte dhe doli kjo foto. As nuk i njihja e as nuk më njihnin ato vajza, që mbanin buqeta lulesh në duar për të sajdisur zotërinjtë e lartë, që ende nuk kishin mbërritur.

Vetëm një muaj më pas lashë gjimnazin e Rrëshenit dhe shkova me punë në shkollën Reps & Fan, ku qendrova atë vit shkollor, për t’u rikthyer në Rrëshen bashkë me Autostradën e përfunduar. Kishte shumë njerëz atë ditë që festonin, por fotografia jonë nuk fiksoi as trasenë e rrugës, as kantierin e punëtorëve, as ceremoninë me dy Presidentët. Ishte tek e fundit një foto çasti që e kishte “prodhuar” kostumi dekorativ i gruas mirditore, që ato dhjetë vajza e kishin veshur atë ditë për t’i dhënë ngjyrat e trevës Rrugës së Kombit, që e përshkon Mirditën në rreth 70 kilometra.

Janë të shumta mbresat nga ato ditë vrullshme ndërtimtare, por s’rri dot pa shënuar përjetimin e “frikshëm” të kalimit me fuoristradë nëpër një rrugë traktori në Karmat e Pëshqeshit, kur po ngriheshin urat me themele në shtratin e Fanit të Vogël dhe traseja ngjante si në ajër. Duket e pabesueshme, por ishin rrugëza (variante) që sot hapeshin shpateve të pjerrëta e nesër prisheshin për t’ua lënë vendin të tjerave. Ata që nuk e kanë njohur atë vend para se të ndërtohej rruga, mjafton të dinë se ç’janë karmat – rrëpira të thyera e të zhveshura ku vështirë se mund të kalojnë dhitë egra...

Shënimet e tjera i ka “dorëshkrimi” i Rrugës, pasi një vepre si ajo i kanë hije dhe surpriza të tilla.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora