E enjte, 01.12.2022, 03:45 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Apostulli i lirisë fetare - Dom Simon Jubani

E shtune, 16.07.2022, 06:00 PM


APOSTULLI I LIRISË FETARE DOM SIMON JUBANI:

PROTAGONISTI I NJË EPOKE TË RE NË SHQIPËRI DHE VIZITA E TIJ NË AMERIKË NË MAJ TË VITIT 1991

Nga Frank Shkreli

Më 12 Korrik 2011 ka ndërruar jetë Dom Simon Jubani, prifti katolik i cili ka kaluar 26 vjet në burgjet e Enver Hoxhës. Ai u lirua nga burgu me 13 prill, 1989.  Por, ishte 4 Nëntori i vitit 1990, kur prifti katolik “rebel”, celebroi për publikun meshën e parë, tashmë legjendare, në Varrezat e Rrmajit të Shkodrës, gjë që as nuk mund të merrej me mend në atë kohë, pasi feja ishte ende e ndaluar me ligj nga regjimi absurd komunist i Enver Hoxhës. Kjo meshë e parë, krejt spontane, sipas burimeve të asaj kohe, u pasua nga një meshë e dytë dhe më e organizuar, me 11 Nëntor, 1990, në të cilën morën pjesë më shumë njerëz edhe të feve të tjera.  Kështu, Dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së kishave dhe xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte shembur në atë vend të varfër shpirtërisht dhe materialisht.  Kleri e Kisha Katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi dhe i dha hov dhe fuqi fitores së lirisë dhe fillimeve të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Prandaj,  kujtojmë sot, njërin prej atyre klerikëve katolikë që luajtën rolin e sollën ndryshimin, Dom Simon Jubanin në përvjetorin e kalimit të tij në amshim,  njërit prej “protagonistëve të pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste”, siç e përcakton rolin e tij Radio Vatikani.

Po kush ishte Dom Simon Jubani i cili pas 26 vjet burg, tundi themelet e regjimit komunist ateist të Enver Hoxhës, në një kohë, kur feja ishte ende e ndaluar me ligj në Shqipërinë komuniste?   Dom Simon Jubani ka lindur në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare filloi Shkollën Apostolike të Jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike nga regjimi komunist, në mars të vitit 1946 ai u regjistrua në Gjimnazin e Shtetit. Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs për radio-rontgen. Pasi punoi pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit u mobilizua në ushtri. Pas tre viteve këthehet në Shkodër, ku është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba. Në vitin 1957 Dom Jubani emrohet famullitar në Mirditë, ku dhe përfundon i arrestuar nga regjimi komunist për më shumë se një çerek shekulli.

Dom Simon Jubani do mbahet mend si prifti i parë katolik që celebroi meshën e parë, publikisht – ndonëse feja ishte ende e ndaluar me ligj në Shqipëri – me 4 Nëntor, 1990, në Kapelën e djegur të Varrezave të Rrmajit në Shkodër, ku morën  pjesë qindra besimtarë. Ka ndërruar jetë më 12 korrik të vitit 2011, në Shkodër ku edhe është varrosur, pikërisht, në Varrezat e Rrmajit ku bëri historinë, i përcjellur në atë jetë nga krerët e komuniteteve fetare, autoritetet vendore dhe përfaqësuesit më të lartë civilë dhe shtetërorë si dhe nga besimtarë të shumtë.

Siç kam kujtuar edhe herë të tjera për lexuesin, në mars/prill të vitit 1991, si pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një prej qyteteve që kemi vizituar ka qenë edhe Shkodra, e njohur si kryeqendra e anti-komunizmit në Shqipëri. Me të arrijtur atje, vizituam Kapelën e Varrezave të Rrmajit ku po celebronte meshën për qindra të pranishëm, me ç’rast edhe u përshëndetëm, shkurtimisht, me Dom Simonin, pas meshës. Frank Shkreli: Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri – mars/prill, 1991 | Gazeta Telegraf -- Prandaj me këtë shkrim modest deshta të kujtoj Dom Simon Jubanin, jo vetëm për heroizmin e tij përball bishës së egër komuniste dhe për kontributin e tij për lirinë fetare dhe demokracinë shqiptare në përvjetorin e kalimit të tij në amshim më 12 Korrik, 2011 – por në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare  po kujtoj edhe vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Maj të vitit 1991, vetëm disa muaj pas meshës së parë publike ç’prej vitit 1967.

Kampioni i qendresës anti-komuniste në Shqipëri, gjatë një vizite në shkollën “Studio City” të Kalifornisë, Maj, 1991, Dom Simon Jubani është shprehur: “Amerika është kampione e demokracisë, e paqës dhe përparimit. Evropa i ka pasur të gjitha luftërat. Populli Amerikan është popull paqësor. E do paqën…”

Njëri prej protagonistëve anti-komunistë të lirisë dhe demokracisë shqiptare nuk kishte pritur shumë kohë pas rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane më 15 Mars, 1991 që të vizitonte Amerikën e lirë dhe të shihte për së afërmi se si vepron demokracia në këtë vend. Në Maj të vitit 1991, Dom Jubani ka vizituar Amerikën, si “Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri”! Kështu qe paraqitur Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij, në Universitetin e San Franciscos, universiteti që me atë rast i ka i akorduar atij edhe Doktoratën e Nderit. Me atë rast, Dom Simon Jubani -- i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës -- vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon, Los Angelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij këtu, kudo që shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero.  Ndërkohë, priftit katolik shqiptar që kaloi 26 vite në bugjet dhe kampete enveriste -- i ishin rezervuar nderimet dhe pritjet më të përzemërta, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe nga vet amerikanët, zyrtarë dhe jozyrtarë, të cilët kishin dëgjuar për aktin e tij guximtar në Shkodër. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan vizitën e tij gjerësisht.  Këto shënime janë nga burime të ndryshme por edhe nga kujtimet e mia të vizitës së Dom Simon Jubanit në Amerikë në Maj, 1991.

Në San Francisco, Dom Simon Jubanit iu akordua Doktorata e Nderit nga Universiteti i San Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin: “Për qëndrimin tuaj të guximshëm në mbrojtje të lirisë së fesë duke paguar një kosto të lartë me 26 vjet burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme dhe për thirrjet tuaja për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re postkomuniste, ashtu që falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendësojnë shtypjet dhe urrejtjet totalitare komuniste. Për bashkëpunimin tuaj ekumenik me vëllezërit e krishterë dhe për bashkëpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët myslimanë dhe hebrenjtë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu në Amerikë, duke përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh, të cilët kanë vuajtur persekutimet fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për paqen”.

I emocionuar nga ky nderim i lartë nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante entuziazmin dhe kënaqësinë për nderimin që iu akordua atij nga një institute njohur amerikan, duke thënë, ndër të tjera se, në të vërtetë, ky ishte një nderim që i bëhej mbarë Kombit shqiptar për vuajtjet nën komunizëm: “Unë nuk jam ipeshkëv, por një prift i thjesht katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrijë besnik Perëndisë dhe besimeve të veta fetare.  Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazri, gjithashtu prift, kemi kaluar gjithsejt 62 vjet në burgjet dhe në kampet e punës, në Shqipërinë komuniste. Vëllai im Lazri ishte me fat, sepse vdiq atje si martir i Kishës. Por, siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush, një dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë në Shqipëri. Unë e pranoj me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre besimtarëve të feve të tjera, të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni mbarë Kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij.

Ndërkaq, duke falënderuar Dom Simon Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit San Francisco, At Lo Schiavo u ka thënë të pranishëmve se prifti katolik shqiptar ishte, “Një frymëzim për të gjithë ne në këtë universitet, si dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai, Dom Jubani, “Është simbol i feve të shqiptarëve, kështu që besoj se, duke nderuar atë, ne nderojmë shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besnikërinë e tyre ndaj besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, ka vazhduar presidenti i Universitetit San Francisco se, “Ceremonia e sotme shpreh unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, përfshirë vendin tonë.”

Ndonëse e kishte konsideruar Amerikën si kampione të demokracisë dhe të lirsë në botë, Dom Simon Jubani ka shpreheur edhe kritikat e tija ndaj Amerikës, duke thënë se e shihte këtë vend siç është shprehur ai, edhe si një “vend i paradokseve”. Megjithëkëtë, gjatë vizitës së tij Washington, Dom Simon Jubani zhvilloi një numër takimesh me disa udhëheqës të Kongresit dhe pati takime edhe në Departamentin e Shtetit. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë e vitit 1991. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record), me titull: “Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i guximshëm i kampeve të vdekjes në Shqipëri! “SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF ALBANIAN DEATH CAMPS”. Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, i ndjeri William Broomfield, njoftonte kolegët e tij për vuajtjet e Dom Simonit: “Për 26 vjet, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë, sepse refuzonte të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua nën kushte të rënda dhe shumë të tmerrshme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë Shqipëria po çlirohet nga komunizmi…Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom Simon Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues për Shqipërinë, të marrë fund me fitoren e lirisë mbi forcat e territ”!

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Simon Jubanit dhe të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara -- në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane -- kujtojmë guximin e Dom Jubanit, mijëra e mijëra bashkëvuajtës të tij dhe të gjitha viktimat e komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri, pa dallim feje ose krahine mbarë shqiptare.  Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit me entuziazëm dhe me dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqësues i të gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut.  I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Simon Jubanit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri – të cilat edhe sot -- 30-e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe të VËRTETËN saktë për fatin e tyre të mjerë, 6,000 e më shumë prej të cilëve nuk u dihen as varret, ku familjet e tyre të mund të vendosnin një buqetë me lule në kujtim të familjarëve të vet të humbur dhe të harruar nga shteti dhe qeveritë “demokratike” shqiptare “post-komuniste”.

Për më tepër, jam i sigurt se në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Dom Simon Jubani do të shpjegonte komentin e tij për “paradokset” e Amerikës, duke bërë pyetjen se si është e mundur që, “Amerika kampione e demokracisë, lirisë, e paqës dhe përparimit”, siç është shprehur ai gjatë vizitës në San Francisco në Maj të vitit 1991—sot 30 vjet më vonë ende Shtetet e Bashkuara nuk i kërkojnë, publikisht, qeverisë dhe shtetit shqiptar që të dënohen, zyrtarisht, krimet e komunizmit të regjimit barbar të Enver Hoxhës në Shqipëri. Dhe që Shqipëria, sot anëtare e NATO-s, të distancohet, zrytarisht, nga e kaluara komuniste duke u përballur me ato krime anti-njerëzore, ashtu siç kanë bërët të gjitha shtetet ish-komuniste në Evropë. Dhe që kjo kërkesë të jetë edhe kusht Bashkimit Evropian (BE) për antarësimin e Shqipërisë në BE.  Ky është “paradoksi”, për të cilin, mendoj unë, fliste Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në këtë vend të bekuar, në Maj të vitit 1991. Prandaj, nëqoftse Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, vertetë, kanë dicka të përbashket në ketë 100-vjetor, siç pretendohet nga disa se ndajmë vlera te perbashkëta  -- krah per krah -- atëherë t’i tregojmë shqiptarëve dhe amerikanëve se nder vlerat që dy vendet e dy popujt ndajnë me njëri tjetrin, është mbështetja për lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre – të gjallë e të vdekur -- duke dënuar krimet e komunizmit dhe duke u distancuar njëherë e mirë nga ajo e kaluar barbare. Unë si shqiptaro-amerikan, nuk kam asgjë të përbashkët dhe nuk ndajë vlera me një qeveri ose persona – qofshin ata edhe përfaqsues diplomatikë të Amerikës apo të Bashkimit Evropian -- që heshtin në lidhje me këtë çeshtje.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Morali i Protestës Frank Shkreli: Fuqia e të pafuqishëmve Frank Shkreli: NATO, Rama dhe Liria e Shtypit në Shqipëri Frank Shkreli: Me rastin e 15-vjetorit të vizitës së Presidentit George Bush në Tiranë Frank Shkreli: Presidenti John F. Kennedy - Unë jam qytetar i Berlinit Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës, apel për ndihmë! Frank Shkreli: Tepër vonë dhe shumë pak, të nderuar ambasadorë! Frank Shkreli: Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane Frank Shkreli: 60 vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York Frank Shkreli: Amerikanizma në shërbim të shqiptarizmës - Peter Çikos, shëmbull i përbashkimit të shqiptarëve Frank Shkreli: Takimi i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me Richard Cheney Frank Shkreli: Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, 1991 Frank Shkreli: 'Rasti Simon Mirakaj' - Pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti me një rrugë të tijën në New York Frank Shkreli: Lamtumirë nga Amerika e largët! Frank Shkreli: Prishtina përqafon të madhin Ernest Koliqi Frank Shkreli: Dalip Greca ndërroi jetë, humbje e madhe për gazetarinë Frank Shkreli: Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë Frank Shkreli: Florida nderon viktimat e komunizmit, ndërsa Tirana e socialistëve refuzon të dënojë gjenocidin serb Frank Shkreli: Për kombin shqiptar rruga e Gjergj Kastriotit është rruga drejt perëndimit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora