E enjte, 18.08.2022, 02:43 PM (GMT+1)

Speciale

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti si diplomat e burrë-shteti

E premte, 15.07.2022, 08:59 PM


Gjergj Kastrioti si diplomat e burrë-shteti

Nga Gjon Keka

Diplomacia, siç e shohim sot, është një shkencë moderne. Megjithatë, si shumë degë të tjera të dijes njerëzore që nuk kishin as një emër para shekullit të tetëmbëdhjetë, por, elementet e para të saj shihen në lindjen e shoqërive dhe shteteve.Me evoluimin e kësaj fushe, si degëzim i shkencave politike, si dhe me reformimin e sistemit, gjatë kësaj periudhe në mënyrë graduale u shpalos edhe progresi, si në fushën e politikës, e institucioneve në tërësi, e ushtrisë e deri tek arti i praktikës së plotë të fushës së diplomacisë së gjerë në hapat e tjerë,nga diplomacia në kohën e Machiavelli-t, më pas të Klemens L. W. von Metternich ut e më pas edhe të kardinalit Richelieu. Në këtë kuadër, mund të përmendim këtu se edhe për Gjergj Kastriotin negocimi ishte një nga instrumentet efektive të politikës së tij të jashtme. Kjo mund të thuhet se përbënte më pas edhe procesin e formimit dhe të trajnimit të artit të diplomacisë. Ndërsa çështja e negocimit dhe e aleancave në këtë periudhë, në fakt, në fillim ishte “i përgatitjes së tyre”, siç shkruan në librin e tij autori Abbé de Mably, “si pjesë e shkencës për të negociuar më me vështirësi dhe më me rëndësi. Kjo shihej më shumë në detajet e operacioneve të saj, por për të bërë disa parime të mesme, në lidhje me aleatët e saj, por nga rrethanat, në të cilat (shënimi im) ka negociuar (...), të gjitha aleancat nuk janë të ngjashme. Prandaj është e rëndësisë së veçantë (shënimi im) aleanca natyrale (...). Aleancat më të dobishme ndonjëherë edhe janë prishur nga interesat konfliktuale, dhe jo të gjithë janë të një përfitimi të barabartë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për një shtet se sa të këtë ide të qarta dhe të dallueshme në të gjitha këto ndryshime. (...)”(Abbé de Mably,1757).

Veprimet e tilla të historisë politike e shtetërore, si ato të negocimit, të traktateve, të këshillit të jashtëm të asaj kohe, që luante rolin e politikës së jashtme, pastaj të aleancave, përbënin në fakt një provë të kohës për të gjitha kombet e kontinentit europian. Porse më vonë të gjitha këto veprime do të nxirrnin gjithë gërmadhat e vlefshme të diplomacisë së mesjetës, si dhe pikëpamjet e asaj kohe, si të politikave të kombeve brenda tyre, ashtu edhe të pushteteve shtetërore. Duhet theksuar me forcë se, pikërisht evoluimi që pati diplomacia në mënyrë të vazhdueshme, që nga shekulli XV e deri në vendimet historike dhe përcaktuese, si ai i Paqes së Westfalisë, në vitin 1648, pastaj ai i Kongresit të Vjenës më 18 shtator 1814, dhe më pas më 9 qershor 1815, pastaj në vitin 1818 e deri në ditët tona, tregoi një hap të madh historik-politik, por edhe një fushë që doli gradualisht si e plotë në dritën e kohës dhe të degëzimit të saj. Po ashtu, madje është e një rëndësie të madhe historike që të përmendet këtu, edhe Traktati i Gaeta-s i marsit të vitit 1461 nga Gjergj Kastrioti, si lider i shtetit të Arbrit, me kreun e Napolit, si një traktat në mes dy shteteve, e që, në fakt, u bë sipas të drejtës ndërkombëtare. Kjo tregon se nga ky traktat e drejta ndërkombëtare filloi të aplikohet ligjërisht sipas parimeve juridike dhe sipas praktikës së saj në vazhdimësi. Gjergj Kastrioti ishte jo vetëm një njohës i ligjeve ndërkombëtare, por ai ishte edhe një ligjvënës aktiv dhe i dobishëm, si për kombin shqiptar ashtu edhe për parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Duhet nënvizuar këtu se principata e Kastriotëve kishte kanunin e vet të llojit kushtetues dhe tepër progresiv e demokratik për kohën. Pikërisht këto ishin arsyet që Gjergj Kastrioti konstituoi në Lezhë institucionet demokratike të shtetit të Arbrit, duke themeluar institucionet e saj të lira të pavarura, demokratike dhe të lidhura në një trup të përbashkët qeverisës kombëtar, me anë të përfaqësuesve fisnorë e kryefisnorë.

Edhe këtu shohim hapat e rëndësishëm të politikës, të diplomacisë dhe të shtet-ndërtimit, posaçërisht të hapave historikë, në përpjekjet e tij për një unitet të kombeve të familjes europiane. Shekulli XV e nxjerr diplomacinë si një fushë të re moderne, por jo të vjetër në praktikën e saj diplomatike, nëpërmjet këshillave qeverisëse të kombeve dhe të natyrës së vjetër të artit të diplomacisë dhe politikës së jashtme. Duhet vënë re se në fushën e diplomacisë jo çdokush hynte, duke e ditur se, po në këtë shekull, qeveritë e kombeve të ndryshme i përgatitnin siç duhet njerëzit në shkenca politike, njerëz që fitonin ose që kishin përgatitje të njohjes së të drejtës ndërkombëtare. Pikërisht këta hynin në fushën e re të artit të diplomacisë si një degëzim dhe kryenin shërbimet me përgjegjësi e dije, si dhe ishin plotësisht të përshtatshëm për politikat dhe synimet e qeverive të kombeve, me qëllimin që të kishte një diplomaci të arrirë, të pjekur dhe një politikë të jashtme efikase, që impononte urtësinë e politikave ndërkombëtare, por edhe që të mbronte interesat vitale të kombit e të çdo qeverie kombëtare.

Shërbimi i tyre ishte me përgjegjësi e me përgatitje të lartë, sepse ata duhej që me njohuritë e tyre të depërtonin thellë për të zgjidhur çështje të ndryshme, të cilat kontribuonin fuqishëm si në mbrojtjen e interesave kombëtare ashtu edhe në nxitjen e marrëveshjeve të përgjithshme ndërkombëtare, nëpërmjet ujdisë diplomatike dhe faktorëve të përfshirë në këtë fushë. Ndërkaq, po në këtë shekull e, sidomos aty afër “dy dekadave të fundit të shekullit XV, kishte një lëvizje drejt pavarësisë së gjuhës së diplomacisë” Dihej tashmë gjuha e diplomacisë franceze, e cila ishte zyrtare, si dhe ajo latine, prandaj, me evoluimin e saj u bënë edhe lëvizjet e tjera drejt pavarësisë dhe gjuhës zyrtare të diplomacisë nga kombet brenda kontinentit europian.

Nga kjo vinë pikërisht politikat e shëndosha kombëtare dhe ndërkombëtare të personazheve të mëdha diplomatike në të gjitha kohërat, të cilët, në të vërtetë, kanë qenë gjë e rrallë, madje disa prej tyre janë historikë e mbikohorë. Sidomos ata, të cilët kanë udhëhequr procese të rëndësishme historike, ishin faktorët vendimtarë dhe transformuese për kombet e, veçmas, për familjen e lashtë europiane. Pikërisht në historinë e diplomacisë dhe të praktikës së saj, por edhe të degëzimit të saj, si një fushë e rëndësishme e shteteve dhe e kombeve, rol të rëndësishëm kanë luajtur burrështetasit e asaj kohe. Njëri ndër ta ishte edhe lideri, strategu dhe vizionari i kombit shqiptar europian Gjergj Kastrioti. Prandaj historia e diplomacisë, në imazhet e jetës së kombeve mund të shihet më qartë, madje edhe në mënyrë të plotë, vetëm duke i hedhur një sy personaliteteve politike mbikohore, liderëve.

Në këtë kohë u referohemi mbretërve dhe princave të kësaj periudhe, si dhe këshilltarëve të tyre apo këshillit për politikë të jashtme, më pas diplomacisë, si fushë praktike, që kanë luajtur një nga rolet e rëndësishme jo vetëm në këtë fushë, por edhe në veprime të tjera brenda institucioneve të shteteve dhe kombeve të familjes së lashtë europiane. Ishin pikërisht këto karaktere të mëdha diplomatike të të gjitha kohërave që, në fakt, qenë gjë e rrallë për historinë e diplomacisë dhe të shteteve, të cilat edhe përcaktuan këto konture të diplomacisë që sot, në kohën moderne, janë praktikë e përditshme e kësaj fushe.

Por, njëkohësisht, këto karaktere historike mbajtën peshën e madhe politiko-diplomatike si dhe atë të së drejtës ndërkombëtare të kohës dhe të fateve historike të kombeve. Këto karaktere të diplomacisë, gjatë praktikumit të saj përgjatë kësaj periudhe historike u vunë në bazë të veprimeve edhe të rregullave të sakta të diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Kështu, ata jo vetëm treguan fytyrën e plotë të fushës praktike dhe të degëzimit të diplomacisë, por edhe të institucionalizimit të saj, të politikës së jashtme. Gjergj Kastrioti, si një nga karakteret e politikës së kombeve të fuqishme europiane, ishte një mjeshtër i diplomacisë, i cili, me anë të inteligjencës së tij, të strategjisë dhe të njohurisë e vizionit për një Europë me fytyrën e saj të natyrshme dhe me shpirtin e saj unik, ka dhënë kontributin më të madh në historinë e përgjithshme të Europës, sidomos në fushën e degëzimit të diplomacisë, si një praktikë e re e shteteve dhe e kombeve.

Por ajo që e dallonte Gjergj Kastriotin, si një burrështetas i vërtetë, i madh e vizionar në fushën e diplomacisë, ishte se ai e kuptonte që vetëm e vërteta, dhe jo dinakëria e mashtrimet dhe hipokrizitë, është qëllimi i diplomacisë dhe i praktikës së saj, sepse bota ka më shumë nevojë për artin e vërtetë të diplomacisë se sa për maskën e këtij arti. Ky edhe ishte kodi i diplomacisë së tij, sepse ai suksesin në diplomaci e shihte vetëm nëpërmjet kësaj fryme dhe këtij arti real të diplomacisë.

Pikërisht ky sukses ishte i pandalshëm në kohën kur ai e qeveriste shtetin e Arbrit. Ndërsa në anë tjetër, ai i shihte marrëdhëniet diplomatike me Raguzën,Napolin,Hungarinë,Romën etj, si marrëdhënie të natyrshme dhe që përbënin, në fakt, edhe pikën më të fuqishme mbështetëse të kohës, në lidhje me mbrojtjen e qytetërimit europian nga pushtimi otoman. Si një burrështeti, Gjergj Kastrioti u bë për politikën dhe për familjen e kombeve të kontinentit margaritar i diplomacisë europiane dhe vizionar i madh i të gjitha kohëra, sepse ai, me urtësinë e tij, me guximin dhe me parimet që mbartte u bë baba fisnik që ruan me dashuri identitetin, kulturën dhe shpirtin e kombit të vet, por edhe të kombeve të tjera të familjes europiane.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora