Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Truall i denjë për shenjtëri

| E premte, 15.07.2022, 08:00 PM |


TRUALL I DENJË PËR SHENJTËRI

Ardenica, një vënd me peizazhe të bukura natyrore dhe me një monument të rëndësishëm kulti

Ekskluzive nga Pëllumb Gorica

Udhëtojmë për të prekur Natyrën, të takojmë edhe historinë, në të cilin dora e njeriut ka ruajtur dritëhijet e saj në kohëra. Të udhëtosh do të thotë të “zbulosh” më në detaje ende jo mjaft të zbuluara mrekulli të shumta, të dashurosh misteret dhe zanafillat e jetës.

Rrugët gumëzhijnë nga lëvizjet e njerëzve dhe makinave. Anash tyre shpalosin magjinë e ngjyrave, rrezatimet fosforishente të reklamave, ngrehinat e bizneseve të mëdha, shtëpitë e pa fundme, njëra më e madhe e më e bukur se tjetra, kopshtijet e gjelbëruara, si ballafaqimi ynë qytetërues me botën, jo vetëm për ekonominë, por dhe syrin, kulturën dhe të bukurën në përgjithësi. Ato të krijojnë ndjesinë se Tirana zgjatet tej udhëkryqeve, që lidhin Jugun me Veriun, të shkuarën me të tashmen, njerëzit dhe vendbanimet.

E prekim Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën, Lushnjën; prekim detin, fushat e qendisura nga duart e arta të fermerëve punëtorë; prekim kodrat e buta me blloqe drurësh frutorë, vreshtat e ullishtat, që sjellin aromë prodhimesh ku dora e njeriut i ka kthyer në vlerë.

Hedh vështrimin sa andej këtej midis hapësirave të Myzeqesë. Admirojmë panoramën që shpaloset me gjelbërim që nuk ndryshon kurrë. Kohërave Antike përshkohej nga Rruga Egnatia, stolisej nga vendbanime dhe zhvillohej tregëtia edhe nga skelat lumore. Dikur edhe sot Myzeqeja ishte e do të mbetet, parajsa e prodhimeve bujqësore: grurit, misrit, pambukut, qumështit, perimeve, frutave...

Je i detyruar të ecësh me ritmin e breshkës, nga trafiku i rënduar i makinave që kthehen apo shkojnë me pushuesit e shumënumërt të këtij meskorriku. E kujt nuk i ka rënë në sy Kolonja kur shkon nga Lushnja në Fier, të cilën mund ta quash edhe qytezë, me shtëpitë dy e tre katëshe, që shtrihet rrëzë Dheut të Artë (kodrave të begata të një hijeshie marramendëse), sikur vetë Zoti i Plotfuqishëm e ka vënë ashtu me dorën e tij. Pamje të pafundme, qiell të kaltër, pisha dhe ullinj që mbulojnë çdo pëllëmbë tokë, duke lënë përshtypjen e një fotografie. Kjo është edhe rrezultat i punës së njeriut, i cili vazhdon parreshtur. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se është populluar qysh në kohë të lashta. Në periudhën e sundimit Osman, Kolonja u shtua me banorë të ardhur nga krahinat jugore (vllehë nga Përmeti, Grabova dhe Voskopoja). Ata kishin kullotur bagëtitë në shumë lugina, male, në fusha, për t’u ngulur në këtë vendbanim të ri. Kohë më kohë, e vit pas viti, erdhën të tjerë për të banuar dhe përqëndrimi i popullsisë ka sjellë ndryshime të marrëdhënies së njeriut me natyrën. Banorët janë munduar ti ngrejnë shtëpitë me kujdes, ti mbrojnë gjithmonë si një foshnjë që kërkon perkujdesje, për t’i dhënë jetë, gjelbërim, shpresë, vazhdimësisë së jetës.

Ngjitemi në Ardenicë. Edhe si toponim Ardenica të rrëfen imazh të bukurisë. Lartohen para nesh pishat dhe qiparisat shekullorë (ngjanin si maja heshtash), roje të qetësisë duke të mbushur shpirtin me paqe, mushkuritë me oksigjen, cicërima zogjësh, sa të duket sikur je në një vend përrallor. Me vete thua: kush e ka bërë këtë natyrë kaq të bukur, të përkëdhelur nga tingujt e heshtjes?

Rruga e kalldrëmtë me ca gurë ngjyrë gri të fton të ecësh si drejt një kështjelle mesjetare. Në mes të pyllit, që e rrethon nga të gjitha anët, shfaqej edhe më i mahnitshëm, si një ishull i vogël manastiri, i mbështjellë nga misteri, si në trojet e një legjende, ku nxirrte kryet këmbanorja e pluhurosur në të bardhë, me pamjen hijerëndë (gjithçka ishte poshtë lartësisë së saj), jo si hije ndërtimi, por si formë që e diktonte kulti. Të parët në shekuj e kanë ndërtuar në këtë majë kodre për të krijuar madhështi shenjtërimi e misticizëm, sepse kishat dhe vendet e shenjta, i afronin dhe i bashkonin me shumë banorët në mbrojtjen e Natyrës dhe jetës së tyre.

Ecim përgjatë mureve, pa u nxituar e pa i mëshuar dheut të mbuluar me barishte, aty ku freskia të deh, aty ku shpirti qetësohet e syri çlodhet, si shijues i një mrekullie të veçantë. E di, por të tjerët ndoshta nuk do ta kuptojnë ndjesinë tënde për bukurinë e natyrës, as për këndvështrimet dhe dukuritë. Ato mbushin zbrazëtinë e përditshmërisë kur shfaqen horizontet joshëse: të fushës së Myzeqesë, që të ngjan si çarçaf i blertë e copëtuar nga rrugë dhe vendbanime; detin e mahnitshëm Adriatik me ishullin e Sazanit; pamjen mitike të malit Tomorrit, me majën e tij mbështetur tek retë.

“Çfarë ka aty pas portës me pafta bronzi?”, që është shumë më tërheqëse, si ajo e Çirces.

E shtyjmë atë dhe hymë ndërmjet një galerie me qemer. Ç'thesare na shohin sytë në kishën mesjetare të She?n-Me?rise?: qoshet e mureve të gdhendur, portikët e dyerve, kollonat dhe shkallët e gurta. Ikonostasi të bënë për vete me joshjen magjepsëse të punimit të stërholluar, ikonat, afresket mahënitëse, figurat e papërsëritshme të shenjtorëve, mbi të gjitha hyjnore, shpirti të qetësohet.)

Ne sikur donim të mos prishnim heshtjen e ndehur dhe iu afruam qelive të murgjve, që në të vërtetë mbështilleshin nga një lloj misteri. Ata të ngujuar brenda mureve, me një disiplinë tejet të rreptë, duke humbur kontaktet me botën, iu përkushtohen orëve të gjata medituese e lutjes së riteve të amëshuara. Mos ndoshta duke bashkëjetuar me muret, ikonat, afresket, librat, qirinjtë dhe shenjtorët janë shenjtëruar edhe ata?! Përgjigjen e kuptojmë nga paqja që shpërndajnë përreth nesh, në dashurinë për besim hyjnor, duke iu përkushtuar Zotit dhe gjithçka në shërbim të tij. Askujt nuk i pëlqen fakti që me preteksin e murgjëve nuk lejohet të vizitohet brendësia e Manastirit.

Manastiri i Ardenicës ka një histori të veçantë, në frymën e thellë të papërsëritshme të shekujve, si një qendër e rëndësishme e kultit ortodoks në trevën e Myzeqesë e më madhështori në të gjithë trojet shqiptare. Si i tillë dhe historia e hershme e tij është e mbështjellë me mjegull. Zanafillën e tij nuk e përcakton asnjë autor, apo burim historik; megjithëse kisha (Shën-Triadha) e ngritur nën kujdesin e perandorit bizantin Androniku II Paleolog, në shekullin XIII, që përmendet në shkrimet e udhëtarëve të ndryshëm, shumë prej të cilëve ofrojnë shënime vërtetë magjepsëse, të asaj që panë në këtë vënd. Gjergj Arianiti zotëronte Myzeqenë e Madhe nga Shkumbin deri në Seman. Po kështu sipas gjasave, Gjergj Arianiti duhet ta kishte nën përkujdesjen e tij manastirin e Ardenicës, sepse nga historia njihet kujdesi dhe dhurimet që u kanë bërë Arianitët manastireve.

Manastiri “Lindja e Hyjlindjes” kishte lidhje me Konstandinopojën dhe Perandorinë Osmane, me qytetet e mëdha shqiptare si Janinën, Ohrin, Beratin dhe Durrësin. Ai fsheh në brendësi të tij vlera të mëdha historike. Shpluhurimi i tyre diellëzon dëshmitë historike, kohë kur krishtërimi u përsos si qytetërim më së pari, me ndriçime në teologji, filozofi, shkencat politike e juridike, në mjekësi dhe urbanistikë, në etikë dhe estetikë, në letërsi dhe arte etj, ku fjala e Zotit përmes mëkëmbësve të tij në tokë, përveç përshpirtjes, kishte po aq dhe frymën e tij. Sot duket sikur s’është më ajo frymë, që sundonte atë ajër magjik, nga zbrastësia e boshllëku i një jete të varfër në shpirt të besimit, të një shoqërie të tërë, që s’po e kap dot veten, të reagojë ndaj apatisë dhe dukurive që e kanë pushtuar.

Këtu mjeshtërit e ardhur nga Grabova, Shpicka e Voskopoja krijuan dhe e mbushën me ikona e afreske. Ata dhuruan më të mirën e tyre, në përkryerjen e të Bukurës, dhunti që vetë Zoti ia kish falur. Përmendim vëllezërit Kostandin dhe Athanasi Visu, të dy piktorë nga Korça, që gdhendën në dru dhe ar Ikonostasin, ndërsa Pulpitosin madhështor e pikturoi Konstandin Shpataraku, së bashku me Kalendarin diellor bizantin në dysheme. Afresket që të tërheqin vëmendjen, herë si befasi, më të mahnitshëm nga se e kisha menduar, mbajnë skena nga testamenti i vjetër, por edhe nga testamenti i ri ortodoks. Duhet thënë se kultura ikonografike dhe afresket në Manastirin e Ardenicës, u ndikuan nga Kultura Oksidentale e Pikturës Fiorentinase. Në manastirin e Ardenicës gjendej edhe portreti i princit shqiptar Karl Topia, që quhet nga piktori “Mbreti i Shqipërisë”.

Në kohëra, përveç kishave, janë ndërtuar në Ardenicë edhe biblioteka, shkolla që përgatiste priftërinj, mulliri i vajit, stera e ujit, vatha e bagëtive, furra dhe depot e ushqimeve. Në shënimet e tij arkeologu francez Leon Rei shkruan se në këtë bibliotekë ruheshin rreth 32.000 libra e manuskripte të paçmueshme dhe kodikë të vjetër me shumë vlerë; midis të cilëve edhe kodiku i Ciprianit.  Ka mendime se ndërtuesit e Manastirit sollën gurët e gdhendur prej Apolonisë. Megjithëse është thënë se afër Manastirit ka pasur gjurmë antike që shkojnë deri në antikitetin e vonë.

Një nga klerikët më të rëndësishëm të Manastirit, Nektarios Tërpo, shkroi në 1731 një lutje të shkurtër në formën e një afresku. Namazi në katër gjuhë: latinisht, greqisht, vllahçe dhe shqip. Ky fakt është i rëndësishëm, sepse kemi tekstin e parë shqip të shkruar në një kishë ortodokse:

“Virgjin dhe mëmë e perëndisë uron fajtorët.”

Në ikonat dhe ikonostasin e manastirit të Ardenicës është pasqyruar edhe figura e pelikanit. Ky shpend këtu mban një libër në dorë, që mund të jetë Bibla. Ja se çfarë shkruan Hirësi Nikolla për pelikanin:

“Pelikani është një simbol në ikonografinë kishtare; si në ikonat, ashtu edhe në ikonostastet. Ashtu si pelikani ushqen me gjakun dhe mishin të vegjëlit e tij, kështu edhe Krishti na ushqen ne besimtarëve me mishin dhe gjakun e vet!”.

Manastiri i Ardenicës, përveçse është një prej objekteve më të bukura e më të vjetra të kultit në gjithë pjesën Perëndimore të Myzeqesë, është vendi ku kishte pushuar vetë Gjergj Kastrioti kur kalëronte nga Kanina drejt Krujës; njëkohësisht është altari (në kishën e Shën Triadhës) ku heroi ynë ka vënë kurorën e martesës me Andronikën e Gjergj Arianit Komnenit të Kaninës. Një martesë që Gjergj Kastrioti bashkoi principatat shqiptare kundër pushtimit turk. Thuhet që Gjergj Kastrioti la një shpatë si kujtim. Tregimet e ruajtura nga murgjit e këtij manastri brez pas brezi, në bërthamën e tyre kanë të vërteta historike rreth kurorëzimit të tij në Ardenicë. Një fakt të tillë e tregon imzot Irenë Banushi, i cili kur u internua atje e gjeti të gjallë këtë dëshmi. Sidoqoftë thuhet që në bibliotekën e manastirit të Ardenicës (nga më të pasurat në Ballkan) ka ekzistuar një Akt Martesor, i cili u zhduk me djegien e tij në vitin 1932. Megjithëse ka patur një heshtje të çuditshme në Kronikën e Muzakajve për këtë ngjarje kaq të rëndësishme.

Manastiri “Lindja e Hyjlindjes” kishte nam, jo vetëm si vend ku qetëson shpirtin, por edhe një vend shërimi. Gjatë kohërave, ka pësuar ndryshime të ndjeshme. Ai nuk i ka shpëtuar shkatërrimeve, grabitjeve dhe detynarizimit nga vendas e të huaj, sa krijohet përshtypja se ne vuajmë nga ndjenja nekrofilie. Në Luftën e Parë Botërore këtu për dy vite qëndruan ushtarët e një garnizoni austro-hungarez. Ata grabitën edhe këmbanën. Në vitin 1920 u kthye në vendgrumbullimin e luftëtarëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, që mbrojtën punimet e Kongresit të Lushnjës. Ndërsa vitin 1944, me vendosjen e ushtarëve gjermanë, manastiri pas përleshjeve me forcat partizane pësoi shkatërrime nga predhat. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, u kthye në repart ushtarak, me armatime, bunkerë e ushtarë, për shkak të një politike indiferentizmi ndaj trashëgimisë kulturore, si një ves tipik shqiptar, duke dëmtuar ikonat 500-vjeçare. Në kohën e marrëzisë së luftës kundër fesë, një grup studentësh erdhën për të shkatërruar manastirin me urdhër të Partisë. E shpëtoi këmbëngulja e ishkrypeshkopit të kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Irene Banushi, i cili ishte i internuar aty. Por, ndodhi që u kthye në bar-kafe, restorant e hotel turistik për parinë komuniste.

Kur je në Ardenicë, ke një ndjesi, të cilin pak vende të shenjta e kanë, buruese të qetësisë shpirtërore, që afrohet vetëm me oazin e lumturisë ëndërr.

Çdo vend është i rëndësishëm për vlerat që përcjell, pavarësisht nëse trashëgimia e tij është shumë e pasur apo modeste. Në vende të tilla, që janë të panumërta në këtë rruzull (për të gjitha besimet), shpirti i njeriut mbushet plot dhe mendja qartësohet e dashuria shumëfishohet. Dhe kur i mendon përjetimet në këto vende kulti e besimi, vetvetiu gjen sërish kurajon për të vazhduar pa u përkulur e dorëzuar jetës deri në amshim.

Manastiri “Lindja e Hyjlindjes” i Ardenicës sa shumë histori ka si kult reflektimi, shërbimi për njeriun, sakrifice e atdhedashurie e pa diskutim, vend krenarie. Vetëm duke e parë paqëtohesh me mistikën e tij, me gjelbërimin që e rrethon, me arkitekturën dhe kulturën gjithëpërfshirëse shekullore.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica