Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmet Kraja: Krimet e komunizmit

| E shtune, 20.12.2008, 06:53 PM |


Mehmet Kraja
Mehmet Kraja

Krimet e komunizmit

Para se të bëhet një rezolutë e Kuvendit të Kosovës për krimet e komunizmit, duhet bërë dosjen e viktimave. Rehabilitimi moral i këtyre viktimave nuk mund të bëhet pa ndëshkimin së paku moral të persekutorëve. Pajtimi kombëtar nuk është i mundur, duke mbajtur të fshehur krimin brenda

Nga Mehmet Kraja

Është e pritshme se në ditët vijuese, siç është bërë e ditur nga mediet, Kuvendi i Kosovës mund të miratojë një rezolutë për krimet e komunizmit në Kosovë, për të vetmin shkak se një gjë e tillë mund të jetë kërkuar nga Këshilli i Evropës. Me një rezolutë të tillë mendohet se kryhet një obligim formal, jo vetëm ndaj Këshillit të Evropës, por edhe ndaj viktimave të komunizmit, për të cilat në Kosovë ende nuk është bërë e njohur pothuajse asgjë. Ndryshe nga vendet e tjera të ish-kampit socialist, Kosova ka një ngatërresë të madhe në këtë pikë, e para, për shkak se antikomunizmi te ne ka qenë i përzier me nacionalizëm; dhe, e dyta, për shkak se viktimat e komunizmit në të njëjtën kohë kanë qenë edhe viktima ideologjike, por edhe viktima të represionit shtetëror antishqiptar. Përveç kësaj, te ne ende nuk ka filluar i ashtuquajturi proces i “lustrimit”, madje shumë njerëz nuk e dinë as kuptimin juridik të kësaj fjale (angl. “lustration”, që vjen nga latinishtja “purification”), në një kohë që shumica e shteteve ish-socialiste tashmë kanë bërë ligje të veçanta për pastërtinë e figurës së pjesëmarrësve në politikë dhe të bartësve të funksioneve publike. Por kjo është një mesele e gjatë dhe shumë e mjegullt për Kosovën, njësoj si puna e dosjeve.

Megjithatë, çështja me viktimat e komunizmit nuk paraqitet aq e ngatërruar, siç duket në pamje të parë. Së pari, ne nuk kemi probleme me rehabilitimin e tyre, siç kanë vendet e tjera, sepse ai rehabilitim publik tashmë ka ndodhur, në një mënyrë ose në një tjetër. Mirëpo, që individët që e kanë pësuar nga komunizmi të marrin statusin zyrtar të viktimave, kjo është çështje e shtetit dhe legjislacionit të tij. Një lehtësim në këtë pikë krijon fakti se shteti i Kosovës, i sapoformuar, nuk mban përgjegjësi për këto viktima dhe prej tij nuk mund të kërkohet kompensimi i tyre, nëse vetë shteti nuk e sheh si përgjegjësi morale një gjë të tillë.

Por, përpara se të hyjë në këtë ujë të trazuar, Kosova ka obligim të bëjë një gjë, të cilën nuk e ka bërë deri më sot: e para, të përcaktojë kriteret se kush mund të quhet te ne viktimë e komunizmit; dhe, e dyta, të hartojë një dosje të plotë dhe zyrtare të viktimave, që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej. Sepse, Kuvendi i Kosovës, me një rezolutë të hartuar shkel e shko, nuk mund ta kalojë lumin pa u lagur, nëse atë rezolutë nuk e shoqëron me një dosje të plotë të krimeve dhe të viktimave. Dhe pikërisht këtu qëndron krejt problemi, sepse ne nuk dimë sa viktima kemi në Kosovë, kush janë ata njerëz dhe si e kanë pësuar. Historiografia jonë, në vend që të mbledhë dokumente e fakte, është marrë me “ndriçimin patriotik” të ngjarjeve. Ta zëmë, a dihet te ne sa viktima ka shkaktuar OZNA, menjëherë pas luftës? Nga një konflikt i hershëm ndërmjet Mahmut Bakallit dhe Spasoje Gjakoviqit, ish-shef i OZNA-s për Kosovë, dalin këto të dhëna: Mahmut Bakalli e pyet Spasoje Gajkoviqin se sa të vrarë ka pasur nga OZNA në Kosovë, 12.500, apo 13.500. Gjakoviqi e demanton këtë shifër dhe shkruan, sipas tij, shifrën e saktë: 1274, pa përmendur këtu masakrën e Tivarit. Ky është një kapitull i errët. Pa statusin zyrtar të viktimave të komunizmit kanë mbetur edhe pjesëtarët e NDSH-së, e vetmja lëvizje e vërtetë antikomuniste në Kosovë. Kapitull tjetër i errët është aksioni famëkeq i armëve. Sa janë vrarë dhe janë mërdhirë në atë dimër të ftohtë, e di kush këtë? Përveç kësaj, këtu është edhe një anë tjetër e medaljes, sepse miratimin për ta zhvilluar këtë aksion e kanë dhënë organet e Kosovës, me disa emra të përveçëm shqiptarë, të cilët duhet ndëshkuar së paku moralisht. Pastaj vijmë te viti 1968. Ngjarjet e atij viti kanë dëshmorin “anonim”, Murat Mehmetin, nxënësin e Shkollës Teknike të Prishtinës, i cili është mbuluar me një harresë të pashembullt. Pastaj viti 1981. Zyrtarisht, nga organet e Kosovës, është thënë se kanë qenë 9 të vdekur, kurse ministri i Brendshëm i Jugosllavisë së atëhershme, Stane Dollanci, thotë 11 të vdekur. Emrat e tyre kurrë nuk janë bërë publikë, madje janë ruajtur si sekret i madh shtetëror. Ky fakt ka ngritur dyshimet se numri i të vdekurve ka mundur të jetë shumë më i madh, ndër të tjera edhe për faktin se të plagosur rëndë ka pasur shumë, mbi 50, mbase 100, prej të cilëve dikush mund të ketë vdekur, dikush mund të ketë mbetur me pasoja të përjetshme. Midis të vrarëve, ka qenë edhe një fëmijë. E di kush, cili ka qenë ai, i cilës familje? I kësaj date, i vitit 1981, është edhe një shënim tjetër zyrtar: nga viti 1974, deri në vitin 1980, pra për gjithsej 6 vjet janë burgosur 616 persona, prej të cilëve 175 janë dënuar me shumë vite burgim. Më 1981 janë burgosur mbi 250 veta, penalisht janë ndjekur 43 persona. Nga mesi i viteve ’80, në shtypin e atëhershëm jugosllav ishte publikuar një fakt rrëqethës: rreth 470 mijë shqiptarë të Kosovës ishin trajtuar nga policia, në forma të ndryshme, që realisht i binte çdo i katërti banor i Kosovës. Në këtë trajtim policor, të pashembullt dhe të papërsëritshëm, ka pasur edhe tortura, vrasje në burgje dhe gjëra të këtilla. Më e rënda është, se pjesëmarrës në këto krime kanë qenë edhe një numër shqiptarësh. Sa? Nuk dihet. Kush? Nuk dihet.

Pastaj vjen fundi i viteve ’80, me një numër të madh personash të vrarë në ushtri (dosja e tyre, ndër të rrallat, e hartuar nga KMLDNJ-ja, duket të jetë e plotë) dhe gjatë protestave të ndryshme në Kosovën e asaj periudhe. Vetëm në ditën e miratimin e Kushtetutës së Serbisë nga Kuvendi i Kosovës, më 1989, janë vrarë 14 persona. Në ditët vijuese nuk dihet sa. A i kemi denoncuar ndonjëherë publikisht miratuesit e kësaj kushtetute dhe a i kemi quajtur përgjegjës të drejtpërdrejtë për këtë masakër? Jo, sepse ngjarjet vijuese kanë qenë aq të rënda për Kosovën, sa që viktimat dhe persekutorët i vendosen në të njëjtat radhë. Por kjo nuk është alibi që të mos dihen dhe të mos thuhen gjërat, sepse pajtimi kombëtar nuk mund të bëhet duke mbajtur të fshehur krimin brenda.

Pra, së pari dosja e krimeve, pastaj rezoluta.

(Autori është shkrimtar dhe kontribues i Gazetës Express)

G. Express - Dërgoi për ZSH: Ilir Dardani