Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Shqiptarët nuk e zbuluan emancipimin e femrës përmes komunizmit

| E enjte, 14.07.2022, 07:54 PM |


Blerim Latifi:

Shpesh në mediume e forume të ndryshme qarkullon një pikëpamje, sipas të cilës emancipimi i grave, nxjerrja e tyre nga robëria brenda katër mureve të shtëpisë, heqja e mbulesës për gratë e vajzat, përfshirja e tyre në jetën sociale, në shkolla e institucione, ishin punë të nisura nga komunistët, të cilët erdhën në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore.

Pikëpamja në fjalë përmendet sidomos për rastin e shqiptarëve të cilët mbetën jashtë shtetit shqiptar pas vitit 1912.

Kjo fotografi që po qarkullon në internet, e demanton këtë pikëpamje. Në të shihen një grup vajzash të vogla, nxënëse të një shkolle shqipe në Kërçovë. Fotografia i përket qershorit të vitit 1944. Fustanet e tyre me shqiponjën dykrenore janë të dizajnuara sipas konceptit të shkollës kombëtare, të zhvilluar në ato vite nga shkodrani i madh Ernest Koliqi.

Kjo fotografi flet vetë. Më shumë se 1000 fjalë, siç thotë një frazë e njohur. Shqiptarët nuk e zbuluan emancipimin e femrës përmes komunizmit. Atë e kishin brenda nacionalizmit të tyre, të cilin rilindasit e kishin projektuar e zhvilluar si ideologji modernizuese dhe europianizuese. Dhe kjo, në mënyrën më koncize të mundshme, ishte përmbledhur në metaforën e Naimit për “ditën e uruar që lindë andej nga perëndon”.

___________

Kryeministri Kurti na e paska shkruar sot një status të thuktë historiko-filozofik për Revolucionin Francez të vitit 1789.

Vërtet kjo është ngjarje e madhe në historinë moderne, ngase me të fillon realisht moderniteti politik dhe unë, filozofikisht, pajtohem në shumë pika me ato që Kurti ka shkruar.

Por a është kjo puna e një kryeministri?

Aq më tepër puna e një kryeministri tavolina e punës së të cilit është e mbushur me qindra probleme të mëdha e të vogla të kësaj shoqërie, e të cilat presin vendimmarrjen e tij.

Konsideroj se në gjendjen në të cilën jemi, kryeministri ynë do duhej të ishte i fundit në këtë vend që duhet të ketë kohë për t’u ulur e shkruar për Revolucionin Francez.

Dikush mund të thotë se statusi në fjalë i Kurtit duhet parë në kontekstin e përpjekjeve për të ndikuar për mirë në raportet e Kosovës me Francën e sotme, e cila qartazi është duke na vënë pengesa të padrejta në procesin e liberalizimit të vizave.

Nëse veç është menduar kjo, atëherë më duhet të them se është përpjekje krejtësisht naive, sepse influenca politike nuk arrihet përmes këtyre formave të thurjes së elozheve të tilla historiko-filozofike.

Një gjë tjetër që më ra në sy është fakti se elozhenë e tij për Revolucionin Francez, kryeministri e kishte ilustruar me një pikturë të piktorit të famshëm francez Ezhen Delakroa. Piktura quhet “Liria i prin popullit”.  Kjo pikturë, me aq sa di unë, është bërë për të kujtuar Revolucionin e vitit 1830, e jo atë të vitit 1789.  Simbol ilustrues i Revolucionit të vitit 1789 është Rënia e Bastijës, e jo piktura e Delakroa.

Sidoqoftë, në rrafshin praktik, kjo nuk ka edhe aq rëndësi. Rëndësi ka që kryeministri të lërë pas dere pasionet e tij intelektuale dhe t’u rikthehet punëve për të cilat është zgjedhur. Kuptohet nëse e ka ndërmend të merret me to.