Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Perëndim dielli në Prishtinë

| E merkure, 13.07.2022, 07:08 PM |


Blerim Rrecaj

PERËNDIM DIELLI NË PRISHTINË

Këmbët këtu na shpiejnë padashur

Për herë të parë

Në verandën e epërme të këtij hoteli

Nga lart të shohësh është bukur

Edhe rrugët, edhe njerëzit, edhe ndërtesat

Gjithçka duke përfshirë edhe shtresa kaosi

Nëpër rrugët ajrore aeroplanë muzgu

Edhe dallëndyshe, pëllumba, sorra e korba

Edhe një shpend më i madh e fillikat

Që siç duket është lejlek që asgjë s’bart

Dhe ka kohë që rri varur

Kjo formë balene prej resh

Në bishtin e së cilës qëndron dielli

E kjo pamje që lë gjurmët e veta

Përpara se të shprishet vetvetiu a nga nata

Mban brenda vetes në gji

Udhëtimin e një dite vere endërrzjarrtë

E vazot me lule në pravazin e verandës

Janë forca mbrojtëse e saj

NË PARKUN E ERËS NË SELAC

Pak para se të mbërrijmë

Në Parkun e Erës në Selac të Vushtrrisë

Një krua i bardhë na përshëndet

Na ofron ujë të freskët të pijmë

Dhe hedh në duart tona ujë pandërprerë

Që të lajmë fytyrën e sytë

Këtu pastaj shohim kthjellët shumë

Peisazhe përreth

Se këtu qiellin e kemi bashkudhtar

Që ec me ne krahpërkrah shoqëruar prej resh

Dielli, drunjët, bari, gurët e shkëmbijtë

Fluturat, lulet, insektet e shpezët

I gëzohen ndjellamirës erë

Hapave, fjalëve e shkrepjeve tona

Dhe zukatjes së fluturave gjigande

Që ia kanë marrë valles

Në Bajgorën e bukur

Duke na dhuruar

Energji të ëmbël e të pastër sot e përherë