Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (18)

| E hene, 11.07.2022, 06:37 PM |


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Tetëmbëdhjetë

Bariu, shokë, bariu…..

E diel,ditë pushimi nga shkolla. Fund marsi. Moti është zbutur dhe ka filluar të mugullojë bari i ri, të çelin luleshqerrat dhe manushaqet posht gëmushave.Kumbullat kanë veshur fustanin e bardhë të luleve dhe shelgjet e vidhat kanë bymyer  sythet, por era që fryn nga veriu sjell ende frymën e saj të ftohtë.

Sot është radha ime për të nxjerrë delet në kullotë. Hyra me nënën në kasollen e dhënve. Shqerrat e ndarë më vete blegërinin. Nëna filloi mjeljen. Delja,si të kishte pritur atë çast, hapte këmbët dhe priste që ti lirohej nga mjelja gjiri i rënduar nga qumshti. Currilat e qumshtit që dilnin nga shtrydhja e thithave, grafullonin në kovë, mbi të formohej një shtresë e bardhë shkume. Më pëlqente ajo aroma e veçantë e qumshtit të ngrohtë të sapomjelë dhe më shijonte shumë kur e haja shkumën si të ishte krem akullore. Nëna bëri kujdes që të linte qumësht në gji edhe për shqerrat. Hapa lesën dhe qingjat u sulën sikush te e ëma, që e gjenin pagabuar dhe nisën të pinin. Nënat u merrnin erë në shenjë dashurie dhe ata tundnin bishtin nga kënaqësia.

Edhe shkollar, edhe bari.

Në dorë kërrabën, në sup trastën e librave dhe  bukën e drekës. U nisëm. Unë para, të dhjeta delet pas meje. Ato ishin mësuar, më besonin dhe më ndiqnin, e dinin që do t’i çoja atje ku kullota ishte më e mirë dhe bari i bollshaëm. Besoja se më njihnin, mi dinin huqet dhe më bindeshin, e pse jo edhe më donin. Edhe unë i doja, isha lidhur fort me to që atë vitin e urisë, që na mbajtën gjall. Na jepnin qumështin, leshin, qingjat dhe (s’ma bën zemra ta them), mishin, por jo për ne! Ishin shoqet e mia. Kur kullosnin, për të hequr mërzinë dhe mbushur vetminë, u flisja, u tregoja ngjarje nga ato që më ndodhnin rrugës kur shkoja për në shkollë , vëndet dhe njerëzit që shihja e takoja, por edhe nga ato të shkollës. U flisja edhe për Melaninë që e kisha shoqe të bangës. Kur s’kisha ç’tu rrëfeja, u lexoja vjersha nga libri i këndimit. Ato më dëgjonin dhe mi ngulnin ata sytë pa shprehje si rruzuj qelqi. Besoja se më dëgjonin dhe më kuptonin, e hera-herë më përgjigjeshin me ndonjë blegërimë. Bisedonim.Besoja se me siguri ato kishin gjuhën e tyre që merreshin vesh.Siç kishin gjuhën e cicërimave zogjtë apo edhe  kafshët e tjera. S’ishte si jona, e njerëzve, por prapëseprapë, gjuhë ishte! Unë u bëja pyetjet dhe sajoja apo merrja me mënt përgjigjet.     Duke ecur drejt kodrës,Çuka, bënte ç’bënte ndahej për të hyrë në ndonjë arë me të lashta, por unë ama i rrija me shkop te hunda dhe e  qortoja se më lodhte me prapësitë e saj. Ishte mendjemadhe dhe arrakate. Pse?- I thosha, ti nuk jep as qumësht më shumë se të tjerat, nuk bën dy qingja, edhe leshin se ke më të butë?-Jam e mençur, di të zgjedh barin dhe kullotën e të ha majën e gjërit!-Përgjigjej ajo.Më pas:- ti kot e ke zënë me mua. Ja krruta, shet mendje se ka brirë, i duket vetja si dash. Bejka mbahet me të madh se është borë e bardhë dhe për të kanë ngritur këngë, Syska mburret se ka sytë të stolisur me rrathë të zinj. Ty t’i ka marrë mendtë Ruda. Ruda që e mba hundën përpjetë, se përveç që i duket vetja e bukur si sorkadhe, pjell edhe binjakë. Çuka e kishte vënë re. Rudën e doja veç të tjerave. E kisha shpëtuar nga kasapi dhe që atëhere ajo ishte ogiçja ime. Tashmë ajo ishte një dele e bukur, këmbëgjatë, me lesh të butë si pambuk, që kishte pjellë dy binjakë si vetja. E dinte që e doja. Më afrohej dhe fërkohej pas trupi, mandej  priste që ta përkëdhelja. Të tjerat, dele si gjithë delet, të qeta e të bindura, që shkonin nga t’i shpije.

U ngjitëm në kodër, delet nisën të ngjëronin dhe qëmtoinin midis shkurreve barin e ri. Delet kullosnin në livadhe por edhe unë kullosja sytë dhe mendjen në rreshtat e  librave: shkronjë pas shkronje, rresht pas rreshti, faqe pas faqeje.ku mësoja gjithmonë gjëra të reja. U ula mbi një gur dhe  nisa me radhë mësimet për të nesërmen. Pasi mbarova leximet, më mbeteshin vetëm detyrat e shtëpisë me shkrim, zgjidhja e problemeve të algjebrës dhe gjeometrisë, që do t’i bëja mbrëmanet.

Dielli ishte ngritur por ngrohte pak. Delet  dal’e dal, po ngjiteshin në majë të kodrës. Kam vënë re, se kur ndodhem në natyrë, asnjëherë nuk jam i vetëm. Janë plot dukuri, gjëra e gjallesa që gëlojnë , është natyra me ca shenja që, veç duhet ti shohësh  dallosh e tu kuptosh domethënien. Kështu e mendoja, si një libër, sa i hapur po aq edhe i mbyllur. Lart në kupë të qiellit është syri i diellit, që na dërgon dritë e ngrohtësi,  kur lind na sjell ditën dhe kur perëndon na dërgon natën. Pa është dhe era bredharake, që s’gjen prehje, e s’njeh kufi, vjen nga vise të largët, dhe shkon në vënde të largëta, sjell të ftohtat e akullt të veriut, apo frymën përvëluese të shkretëtirave, aroma të panjohura, sjell dhe shpie lajme. E thotë edhe ajo kënga”O ç’janë këto lajme që po bjen era” Gjithëçka më rrethon, qoftë me jetë apo pa jetë, ndryn në vete të fshehta e mistere të çuditshme që s’mi rrok dot mëndja.  Ja tek mbi një shkurre, jo larg meje qëndron një laraskë  që tund bishtin e gjatë dhe më sheh me ata sytë qesëndisës si rruaza. Ajo krakarit, diçka do të më thotë, por si nuk merr përgjigje, fluturon gjetk. Thonë që janë të zgjuara dhe vjedhacake. Në një ferrishte futet një cinxami, i vogël sa një kokërr arrë, i shkathët si era, i sulem ta kap, por ai merr fluturim nga ana tjetër, një çift zhapikësh të gjelbër kalojnë shpejt para këmbëve të mia për në fole. Breshka ka ndjerë ngrohtësinë dhe ka dalë nga strofulla dimërore. Mbi guallin me pllakëza gjeometrike, ka ende njolla balte, po ha me shije gjethe lëpjete.Kur ju afrova e fshehu kokën dhe nuk lëvizi. I thashë të mos kishte frikë se nuk i vinte e keqe nga mua. Mu kujtua fabula e bastit në garën e vrapimit me lepurin dhe e admirova për durimin e saj.Besoja se diku ishte duke na vështruar edhe lepuri veshllapushi që s’guxonte të dilte. Buburreca mavi dhe kacadrerët me brirët e degëzuar, nxitonin me dalldi. Aty pari kaluan edhe një grup gjuetarësh, me langonj, të armatosur me çifte dhe shoqëruar nga djem të rinj me çomage dhe shkopinj, plot bujë e zhurmë., sa më trembën dhentë. Ikën për në pyllin e Longarit në Kryegjatë, ku thoshin se kishte dhelpra  lepuj, shaptore dhe thëllëza.

Si mbarova mësimet,mendova dhe pyeta veten, sido që ishte parakohe: a e di se çfar kërkoj në jetë dhe nga jeta? Ku dua të arrij dhe si mund të arrij? Përgjigjet më vinin të shprehura si ca imazhe të vagëlluara në rrugëtimin e jetës, por gjithsesi që mund të arriheshin me punë, dituri e këmbëngulje, pse jo edhe me një çikë fat. Eh, e gjithë jeta ishte përpara, si një vrapim me pengesa. Mëndja guxonte ti kapërcente. Pas antarësimit në bibliotekën e qytetit kisha zbuluar një thesar. Lexoja si i babëzitur. Më mrekullonin ngjarjet që rrëfeheshin,qaja dhe qeshja, gëzohesha dhe hidhërohesha me ta. Personazhet, gjithmonë ia dilnin dhe fitonin. Doja të bëhesha si ata, tu ngjaja.Po si mund të bëhesha, ashtu si dëshiroja dhe ëndërroja, por duke mbetur ky njeri që isha? Ashtu si na porosiste nëna: të ndershëm, puntorë, të dashur e të drejtë, sepse gjat rrugëtimit të jetës, të ngjiten edhe ca vese, siç u ngiten rrodhet në lesh deleve.

Këto mendime, zhytur në të thella, mi ndërpreu shtrëngesa në stomak. Ishte uria që trokiste.  Buka ishte bërë bajate. Mblodha ca shkarpa dhe ndeza zjarrin. Sa të bëhej prushi për të thekur bukën, për të shoqëruar ushqimin bukë e djathë, shkova në shkurret dhe mblodha ca purrinj(presh të egër), që ishin pak djegës por të shijshëm, mandej u vura në kërkim të kërpudhave që ato dit kishin dalë. Të vogla, të bardha, mishtore, me kapele të trëndafiltë, i njihja që nuk ishin helmuese. Të pjekura në prush bëheshin të shijshme, po lerë sikur të kisha edhe ca kripë, por shijen e saj e jepte djathi.Me purrinj, djathë , kërpudha,dhe ca hurba ujë nga botilja, ishte drekë princore. Më shijoi shumë. Për të ëmbëlsuar gojën, mblodha ca fruta të kuqe rrushkulli, që nuk e di pse u thoshin përce, mbase kërcisnin kur gjethet i hidhje në zjarr. Kishin pak tul por ishin të ëmbla. Ja dhe ëmbëlsira!

Dielli po varej drejt perëndimit dhe kishte kaluar mesdita. Dukej se moti po prishej. Nisi të frynte juga dhe nga deti dolën ca re të përhinjta, që era po i shtynte drejt nesh.Nuk vonoi që gjëmuan bubullimat dhe nisën shkrepëtima. Një re e dendur ,e errët, qëndroi mbi kodër dhe duke bubullirë e shkrepëtirë nisi të hidhte pika shiu. Delet u trembën dhe u mblodhën xhumbë. Ishim në majë të kodrës dhe po bëhesha gati t’i vija delet përpara për tu kthyer në shtëpi.E papritur kjo prishje e motit. Era e shtoi vrullin, shiu u dëndësua, reja u ul rrafsh dhe na goditi me rrufe. U rrëzova përmbys. Sytë gati mu verbuan nga zjarri dhe flaka që shpërtheu aty pranë meje, veshët më shungullonin, mu morën mendtë dhe ndjeva erë squfuri dhe djegësire.U ngrita me zor.Preka gjithë trpin me duar. Nuk kkisha plagë. Pashë që dhentë u shpërndanë duke blegërirë. Kur e mblodha veten, dridhesha i tëri, mes perdes së demdur të shiut, i hodha sytë nga delet. Ato ishin shpërndarë, por pashë të shtrirë mbëdhe njerën syresh. Kur u afrova pashë që ishte Ruda. U përkula mbi të , i ngrita kokën, e tunda dhe e shkunda, por e kotë, e pajetë. E kishte vrarë rrufeja. Edhe toka rreth saj ishte djegur si tulle e kuqe dhe shkrirë, ishin formuar ca rruzuj xhami të lëmuar e të përhinjtë. Edhe leshi i Rudës ishte shkrumbuar.

Isha i frikësuar, i tronditur, akoma kisha në vesh shungullimën dhe në sy dritën verbuese të rrufesë. U përkula mbi kokën e Rudës, ia mbylla sytë , ashtu si u mbyllen të vdekurve, që të mos shihja tmerrin që kishte ngrirë në ‘ta dhe u shkreha në lot. Gulçi po më mirrte frymën. Rënkoja e psherëtija. Rudi, të kisha rritur vetë, manarja dhe shoqja ime. O qiell, ç’qe kjo që më bëre? Pse, pse, ma thuaj, me se të kam zemëruar, ku kam mëkatuar? Po qielli nuk çan kokë të më përgjigjet. Reja siç erdhi, bëri gjëmën, më shkrumboi zemrën dhe iku, për kushedi se ku, që të bëjë ndonjë zullum tjetër, se ajo atë di të bëjë më mirë:të hedhë shi dhe të shkrepëijë e gjuajë me rrufe. E mblodha veten. Me të qara me of e me bof, Rudën nuk e ngjallja dot.

Duhet të ikja për në shtëpi. Po Rudën? Në shpinë nuk e merrja dot, ishte e rëndë për mua. Po ta lija aty do ta hanin korbat dhe egërsirat. Ah, mos!Të tillë tmerr, me një tufë korba apo qen endacakë që e shqyenin, s’e imagjinoja dot. Duhet ta varrosja, por me se, as lopatë as kazmë. Shtëpitë e fshatit ishin larg e s’mund t’i lija delet vetëm. Këputa ca degë nga shkurret dhe disi e mbulova. I vura dhentë përpara, duket që e kuptonin se ç’kishte ndodhur e që Ruda s’ishte me to.  U ktheva në shtëpi.

Isha nisur me dhjetë krerë dhe po kthehesha me nëntë. Nuk ma kishte ngrënë ujku, por dhëmbët e zjarrtë të rrufesë. Më mungonte më e mira. Ja rrëfeva nënës duke qarë atë që më ndodhi. U pikëllua por nuk e dha veten. Ajo që ishte bërë nuk shbëhej.Ashtu kishte qënë e shkruar!

- Mblidhe veten dhe mos u hidhëro. Shyqyr që shpëtove vetë. Zoti të ruajti, dhe Rudën e bëri kurban që të shpëtoje ti.- kësisoj më ngushëlloi nëna. Ajo gjithnjë e kishte një fjalë si melhem për ta  vënë mbi plagë.Ishte nënë.

Në shtëpi ishin edhe të dy vëllezërit Damani dhe Sadiu, se të dielën e kishin pushim. Bashkë me Sadiun, që i erdhi aq keq edhe si mua për Rudën, shkuam në kodër, me kazmë e lopatë dhe e varrosëm thellë, që të mos jeste pre e egërsirave. Andej nga kishte kokën në kukumalen e dheut, vura një degë mareje të gjelbëruar. Pas kësaj e ndjeva veten të lehtësuar.    Atë majë kodre, më pas, do ta quaja Varri i Rudës.

Atje ku kishte rënë rrufeja, zgjodha dy rruzuj xhami që ishin më të lëmuar e më të rrumbullt, një për vete e një për Melaninë.Janë gjë e rrallë. Thonë se po ti mbash me vete sjellin fat, si trifili me katër gjethe, apo si hajmalitë.

Çudi, pjella e fatkeqësië të sjellë fatmirësi. Po kështu thonë.

Tiranë, korrik 2022.