Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Adem Jasharët lindin rrallë

| E diele, 10.07.2022, 06:50 PM |


Blerim Latifi:

10 korrik 1945, 77 vjet më parë. Vendi: Prizren. Ngjarja: Konferenca e KKÇ-së. Çështja: Bashkimi i Kosovës me Serbinë. Komunistët kosovarë, në krye me Fadil Hoxhën, janë para një dileme të madhe:

-Nëse kundërshtojnë këtë bashkim, atëherë i pret fundi, burgu ose vrasja!

-Nëse e nënshkruajnë, i pret pushteti i përjetshëm brenda Jugosllavisë Socialiste! Ata zgjodhën alternativën e dytë dhe ne ende sot, pas 77 vitesh, vuajmë pasojat zgjedhjes së tyre.

Dikush mund të thotë se në ato rrethana ishte i pamundur ndalimi i bashkimit të Kosovës me Serbinë, sepse jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria praktikisht ishin nën kontrollin politik të Titos. Mbase, por një gjë ishte në duart e Fadilit dhe shokëve të tij: t'i thonin Jo një vendimi që ishte qartë në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës dhe të respektonin kërkesat e Konferencës se Bujanit. Nuk patën zemër ta nxirrnin nga goja këtë Jo. Siç thotë Hegeli: "frika nga vdekja i shtyn njerëzit ta braktisin ëndrrën e lirisë dhe ta pranojnë robërinë".

Prandaj Adem Jasharët lindin rrallë. Shumë rrallë.

_______

Sharjet dhe ofendimet e ndyta të cilat sot i hasim gjithandej rrjeteve sociale ku komunikohet në shqip, duket të mos jenë fenomene të vonshme të lidhura me krizat anomike të shoqërisë.  Faktet na tregojnë se kjo është një praktikë komunikative e rrënjosur prej kohësh në traditën e shqiptarëve.

Në librin e tij të shkelqyeshëm mbi Selanikun, “Selaniku- Qyteti i fantazmave”, historiani britanik Mark Mazower tregon se si gjatë shekullit  XIX Selaniku ishte kthyer në njërin nga qytetet më multietnike jo vetëm të Perandorisë Osmane, por edhe të krejt Europës. Në qytet fliteshin dhjetëra gjuhë dhe gjeje njerëz nga dhjetëra grupe etnike. Në mesin e tyre, natyrisht, kishte edhe shumë shqiptarë. Por nuk ishte gjuha ajo që parasegjithash i dallonte shqiptarët nga grupet e tjera etnike që mbushnin jetën sociale të Selanikut. Ishte diçka tjetër. Shqiptarët, shkruan Mazower, dalloheshin menjëherë nga të tjerët me mënyrën se si i drejtoheshin njëri tjetrit, duke i sharë njëri tjetrit nanën, gruan, motrën, familjen dhe duke e etiketuar njëri tjetrin më termat që lidhen me kafshët dhe jashtëqitjen.

Sot romantikët dhe nostalgjikët e ndryshëm janë të prirur ta idealizojnë dhe glorifikojnë traditën, por kur i shohim gjërat me syrin e realistit, atëherë e kuptojmë se një pjesë e konsiderueshme e problemeve të cilat na e komplikojnë sot jetën, i kanë rrënjët pikërisht në vetë traditën.

Rëndom të parët nuk kujdesen që pasardhësve t’u lënë trashëgim vetëm gjërat e mira, por, dashur pa dashur, bashkë me to u lënë trashëgim edhe plehun e tyre.

_______

Vrasja e ish kryeministrit japonez Shinzo Abe ishte lajmi kryesor në botë. Në Kosovë u kujtuan takimet e përfaqësuesve tanë shtetëror me të dhe marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Kosovës dhe Japonisë. Ndërkaq, nuk na ra ndërmend një fakt tjetër shumë i rëndësishëm: Që nga përfundimi i luftës, Japonia ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha, ndihmë që sipas statistikave kapë shifrën e mbi 550 milionë dollarëve.

Dhe krejt këtë pa bërë reklamë, pa propagandë, pa kushtëzime ideologjike, pa agjenda të fshehta johumanitare. Sepse disa popuj edhe në bamirësi tregojnë zotnillëk. Dhe japonezët pa dyshim bëjnë pjesë në mesin e tyre.

_______

Edhe sikur të merren parasysh krejt standartet më të mira që ekzistojnë në vendet më demokratike, një ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme ka gjasa të kalojë në Kuvendin e Kosovës aq sa ka gjasa që një kope ujqish ta dekretojë një ligj që ua ndalon ngrënien e deleve.

Askush nuk është aq budallë sa të bëj ligj kundër vetes!

Mos ia ofendoni intelektin publikut!

_______

Dikur Milan Radojçiq endej në mënyrë krejt të lirë nëpër Kosovë. Madje hynte edhe në institucionet e saj. Sot ka ardhë puna që del sipër maleve në Veri, bën video si një kaçak dhe porsi kaçak zhduket përsëri. Videoja e tij më shumë se kërcënim për Kosovën, është kërcënim për serbët e veriut që të mos guxojnë të tentojnë të dalin nga vija e Beogradit.

“Lista e zezë e amerikanëve”, në fakt, është listë e bardhë për njerëzit që duan të bëjnë jetë normale, pa frikën e banditëve të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Si e tillë kjo listë është mirë të zgjerohet edhe më tutje. Sepse banditokracia ka rrënjë të thella dhe të shumëfishta këndej pari.

_______

Të gjitha kryengritjet shqiptare në Kosovë, duke fillu nga ajo e Pjetër Bogdanit, në vitin e largët 1689, kanë pasur përfundim tragjik, janë shuar me gjak nga pushtuesit, pa arritur t'i përmbushin aspiratat e tyre. Me përjashtim të njërës, kryengritjes së UÇK-së.

Nesër, kur të jenë shuar inatet personale dhe grindjet e politikave ditore të brezit tonë, historia do ta mbaj këtë shënim. Të tjerat do t'ia dhurojë harresës.

_______

Kurti e paska vazhduar traditën e kryeministrave para tij, duke hipur në kombanjë.Fotografi e mirë.Llajka sa të duash. Por përtej fotografisë, realiteti është krejt ndryshe. Edhe pse Kosova ka mjaft tokë të punueshme, importi i grurit vazhdon të jetë shumë i lartë. Punimi i tokës ka vite që është kthyer në një veprimtari të nënçmuar tek ne. Mjafton të endesh pak nëpër fshatrat e Kosovës për t'i parë djerrinat që rriten nga viti në vit.Shumica e kanë mendjen ose të blejnë një banesë në katastrofën urbanistike të Fushë Kosovës ose të dalin jashtë.

_______

Sundimtarët romakë e kishin një formulë të famshme për të mirëmbajtur disponimin e mirë të popullit: Bukë dhe lojëra popullit!

Kanë harruar të shtojnë: Edhe ujë popullit!

_______

Boll i dobët ka qenë Shpend Ahmeti, por në kohën e tij mbeturinat janë hequr çdo ditë. Ky pasardhësi i tij, siç po duket, as që po lodhet për këtë punë. Thua se nuk vjen nga përvoja e Londrës, por e Somalisë a e Bangladeshit. Nëse vazhdon kështu, pas katër vitesh, të jeni të sigurtë se në raport me të Shpend Ahmeti do të duket yll.