Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXII)

| E shtune, 20.12.2008, 05:56 PM |


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXII

Në burg, ashtu si dy vjetët e maparshme, vendosemi në dhomat e caktueme. Kemi nevojë për pushim e ushqim e nuk gjejmë. Fatmirësisht, popullsia e burgut tonë ishte “pasunue” me nji legjion të rijsh, studentë të gjimnazit të Shkodrës, të dënuem për veprimtari “armiqsore”. Ishte nji grup i mrekullueshëm, të rij të torturuem që kalojshin ditën tue u zbavitë me shaka të padamshme, ose lexime të kufizueme. Ajo që i karakterizonte ishte nji frymë solidariteti që kishte fitue admirimin e të gjithëve. Pamja e tyne që normalisht duhej të revoltonte çdo ndërgjegje njerëzore për monstruozitetin e vet, - studentë, gjimnazistë ende të parritun mirë që tashti dergjeshin në burgun e errët të Shkodrës, vetëm sepse kishin shfaqë me gojë ose me shkrim, pakënaqësinë e tyne për gjendjen e vendit – ishte ndryshue në nji faktor rezistence që frymëzonte ma të vjetrit, etënit e tyne të burgosun ma parë. Ata u banë gëzimi i “vorrit” që na mbante, u banë jeta e gjysëm të vdekunve që ishim na, të burgosunit e parë, në ato ditë. Me kalimin e kohës, ata krijuen në burg edhe kolonën vertebrore të rezistencës kundër komunizmit e pushtetit që e përfaqësonte. Kjo landë e parë dhe e pastër, u banë shokët e mi ma të ngushtë. Krahas me këtë grup të rijsh, në burg filluen të vijnë edhe elementë të tjerë që u quejtën “titiste”. Mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos, disa komunistë shqiptarë filluen me ba dallime në mes të socializmit “stalinist” dhe atij “titist”. Dy nga ata ishin “vullnetarë” në luftën civile të Spanjës, kishin dëshmue përleshjet në mes “të anarkistëve” e “stalinistëve” dhe ishin kthye me nji përbuzje për “kontrollin absolut” që ushtronte mbi “vullnetarët” elementi stalinist. Në konfliktin Tito-Stalin, ata shihshin konfliktin e Spanjës, e radhiteshin me entuziazëm në anën e Titos. Për “stalinistët” e Tiranës kjo ishte “tradhti ndaj atdheut të socializmit”. Diskutimet tona, megjithëse të kujdesshme zhvilloheshin me pasion, por toni i tyne ishte i qytetnuem. Ata ishin të pakët. Grupi jonë “pro-perëndimor”, shumica studentë universitarë e gjimnazistë, zyrtarisht të njohun si “agjentë të imperializmit amerikan”, kishte krijue nji dinamikë të vetën dhe ushqehej, qoftë me lexime, qoftë me deduksione të arrituna gjatë orëve të gjata të meditacionit që burgu ofronte në sasi të mëdha. Suksesi jonë ishte nji unitet mendimi që nuk ishte uniform, dhe nji solidaritet i pakufi që lehtësonte jetën e përditshme për secilin prej nesh. Për mue, ardhja e studentëve gjimnazistë, hapi shtigje të reja në jetën e mbyllun të burgut, krijoi miqësi të reja, e me shty me marrë orientime të reja që akordoheshin me mendimet e dëshirat e këtyne të rijve, të pastër e idealiste. Ishte nji brume që premtonte shumë. Për shumë nga të burgosunit, sidomos për të moshuemit e fshatarët pa arsim, ditët ndjekshin netët me rregull, me ritëm si tespihet e plakut Myrto, që pikojshin gjithë ditën, gjithë mbramjen, për javë, muej e vjetë pa pushim, pa ndryshim, sikur dojshin me vra kohën që i mundonte...! Nji ditë që lindë, nji natë që ngryset, nji shok që smuret, nji roje që çmendet, nji mik që vdes, nji i ri që plaket, nji plak që bahet fëmij, nji ushtarak që këndon, nji tjetër që heshtë, nji i burgosun që shkrihet nga uria, vdes, del përjashta si kufomë e mbulohet në nji grope pa shej. Të tjerët pritshin dimnin, kur era e të ftohtit e bora hyjnë në dritoret e dhomës që nuk kishin xhama, buzët zi si katrani, sytë e skuqun, duert akull e kambët e ngrime, derisa ngriheshin përgjithmonë, si ata të shokëve të panumërt që çdo dimën përcillshin pa muejtë me i qa, copa akulli të pathyem, kockë e lëkurë, të përqafuem ngushtësisht e besnikë për jetë e vdekje! Vetëm “i krisuni” vazhdonte punën e vet, pa u trazue. Si përherë, ai shkonte e vinte nëpër korridorin e ngushtë në mes të shtretënve, duert mbas shpine, kokën ulun, e me monotoninë e fjalëve të tij që na i njihshim mirë, pa humbë asnjiherë tonin serioz të shprehive, shfaqte mendimet që e trazojshin çdo ditë për nji vjet me radhë: “Kur të dal përjashta, e unë do të dal nji ditë, pse të mos dal? Fundi i fundit nuk jam fajtor...le të dalë kush dëshiron përballë, flitni! Pse nuk flitni?” Thuejeni atë që keni në mend, unë ndigjoj mirë! Atëherë, pse e unë do të dal përjashta nji ditë pse jo, pse të mos dal? Sigurisht do të dal...” Nga oborri i brendshëm përgjigje zhurma e çizmes ushtarake të rojes së kuqe që afrohej, vente kokën në dritoren e dhomës e si zakonisht, mbasi nuk shihte gja në erresinën e brendshme, largohej pa folë. Atëherë, nxjerrte çelsat nga xhepi ku varej edhe bilbili, e me autoritetin e pakufizuem që e kishte veshë regjimi kriminel, jepte urdhnin e ditës: “Derra, dilni në nevojtore! Dhoma shtatë, shpejt! Vetëm dhjetë minuta keni. Shpejt!” Njiqin veta dilshin me vull nga dera e dhomës me krye nevojet personale në tri nevojtore brenda dhjetë minutash! Jetë burgu, ma keq se në çmendinë!

Në njenën nga qelitë e izolimit mbahej nji djalosh nga Luma. E quejshin Mehmet. Ata që e njihshin treguen se akuzohej pvr vrasjen e dy anëtarëve të Partisë në katund, njeni prej të cilëve i kishte shpëtue vdekjes për mrekulli. Tashti, ai kërkonte hakmarrje. Gjykata e Kukësit nuk kishte qenë plotësisht e bindun; megjithatë, e kishte dënue me dhjetë vjet burgim. Komiteti i Partisë kishte ndërhye tue ngulë kambë për nji dënim me vdekje. I dënuemi ishte gjykue përsëri, dënue “me vdekje”, e transferue në burgun e Shkodrës, ku priste ekzekutimin. Në burg ishte rregull që të burgosunit me vdekje, të ushqeheshin vetëm me bukë e ujë në qelitë e izolimit, si poshtnimi i fundit para vdekjes. Kishte raste kur të dënuemve u thyeheshin gjunjët me çekan, me evitue çdo mundësi arratisjeje... Nji ditë, vendosëm me dërgue ushqim në qeli. Me kujdesin ma të madh, i hidhshim diçka nëpër dritoren katrore të derës së qelisë, e nji shprehje inkurajimi. Ditën e radhës sime roja me pau, më kapi për zverku, e më hodhi në qeli për shtatë ditë me radhë, pa shtrat, pa ushqim. Vetëm bukë e ujë! Krahas qelisë sime, ishte tashti Mehmeti. U morëm vesh me trokitje në mur. Ai e kuptoi gjendjen e filloi me qa. Nganjiherë, ngrente zanin: “Më vjen keq, bre vlla!” përsëritte, e diçka tjetër që nuk kuptojsha. Dy ditë ma vonë e nxorrën nga qelia. Kishte takim me prindët. Ishte hera e fundit. Ndigjova zanin e Mehmetit që dridhej prej emocionit. Mandej atë të babës, që i foli me za të naltë: - Mos kështu, bre djalë! Cka t’u tham shokëve për ty? Qëndro burrë! - O tatë! Më vjen keq për ty e për nanën... Jeni pleq e të këputun... Sa për vete, unë e kam ba mendjen me kohë, - u përgjegj Mehmeti, e shtoi: “Fol o loke nji fjalë, pse s’po flet?” E ama qante me lotë e dënesë, pa folë. Edhe në këtë çast solemn para vdekjes së djalit, ajo mbeti simbol i pozitës së grues shqiptare: vuej e vdis pa za! Ma në fund, nuk u durue, e me nji za që dridhej, por që u ndigjue mirë, ajo shqiptoi: - Në dorë të Zotit, o Mehmet, në dorë të Zotit, çka pret tjetër prej nanës që mbeti pa djalë! Roja e kuqe këputi takimin e Mehmetit u kthye në qeli, i heshtun e i tronditun. Atë ditë, as ai, as unë, nuk trokitëm. Të nesërmen, ai hapi nji vrimë të vogël në mur e filloi me frye. U afrova. - A më ndigjon? – pyeti. - Po, - përgjegja. - Kam letër e laps, - më tha, - e do të shkruej diçka për jetën time që askush nuk e din. A mundesh me e ruejtë letrën për prindët, deri kur të lirohesh nga burgu? I tronditun në mënyrë të pakontrollueshme, i premtova pa mendue fare. Kush ka guxim me mohue nji kërkesë të këtillë, nji të dënuemi me vdekje? Mehmeti kishte shkrue gjatë natës, nën dritën e llampës së oborrit. Të nesërmen, ai zgjanoi vrimën e murit e kaloi letrën. Pa e lexue këtë relike të shenjtë, e vuna në nji cep të xhaketës sime. Pak orë ma vonë, dy roje të zemrueme erdhën në qelinë e Mehmetit. “Ku është lapsi?” i thojshin, “ku është letra?” Mehmeti betohej se nuk kishte laps, as letër. Para nji gjendjeje të këtillë, i frikësuem se mund të zbulohej letra e sekreti i viktimës, vuna letrën në gavetën plot ujë. Letra u lag, e shkrimi filloi të shkriftohet dalëngadalë, derisa u zhduk krejtësisht. Atehere, kapërdiva letrën e lagun. Shikova ujin që ndryshoi ngjyrën, e rrethet e bojëzimit që zgjanoheshin deri sa arrijtën anët e gavetës që përpiu sekretet e të dënuemit me vdekje, njiherë e përgjithmonë. Përfundimi i shkrimit që duhej të mbijetonte Mehmetin e që mori nji randësi fetare për mue, vuloste pamundësinë tonë me luftue fatin, nji dëshmi e kufizimit të fuqive tona para forcës brute që na mbytë, e provë e fundit e fatit të njeriut mbi tokë. Atë mbramje, Mehmetin e tërhoqën nga qelia, për ekzekutim. Të nesërmen më lejuen kthimin në dhomë. I lodhun nga izolimi i ashpër, isha gjithashtu i dërrmuem shpirtnisht. Më dukej sikur në këtë masakër të Mehmetit, kisha kontribue edhe unë me vdekjen e pariparueshme që solli asgjasimi i sekreteve të jetës së tij, sikur i kisha mohue viktimës, mbijetesën! Në dhomë, përcillsha me mend udhëtimin Shkodër-Kukës, të prindëve të Mehmetit që i sjellshin shpinën për herën e fundit, djalit të tyne të vetëm. Me dy djelm të pushkatuem pa faj, prindët duhet të kenë pyetë veten për fatin e keq që i kishte molisë, e ndoshta, në formën e thjeshtë të besimit të tyne, duhet të kenë gërmue thellë me zbulue ku kishin gabue e zemrue nji Zot, që tashti i ndëshkonte kaq randë! Në jetën e vështirë e përherë të rrezikueme nga ngjarjet e vendit, e jashtë vendit, që bajshin banorët e Lumës, nuk muejssha me gjetë përgjegje bindëse për praninë e “së keqes” mbi tokë në nji shpjegim kaq naiv. “E keqja” në Shqipninë komuniste ishte degradimi i plotë moral i shtetit e i shoqnisë, ishte vesi në lulëzim, dëshira e ndërgjegjshme me ba keq, me damtue, me thye zemrat e kockat e nji popullsie të shtrueme nën kambë, ishte qëllimi e pikësynimi i mbrapshtë, nji smundje psikologjike që korruptonte mendje e zemra, derisa i dërgonte në çmendinë. Para nji orteku të këtillë, prindët e Mehmetit nuk gjejshin mjet e armë tjetër me e kundërshtue, veçse besimin e tyne pa pyetje në Zotin, e frymën e fatalitetit që ai besim këshillonte. “Në dorë të Zotit, o Mehmet!” i thonte e ama, e baba e ftonte mos “me u ligështue”, sepse do të ballafaqonte “shokët”, e nuk dinte çka me u thanë! Sikur vdekja e Mehmetit zinte vendin e dytë...!

Vjetët e gjata në burg, të mbyllun si në stallën e bagëtive, sollën efektin e tyne të paevitueshëm. Fillova të humb durimin e njifarë ndjesie që rridhte nga pamundësia “me ba diçka”, me folë lirisht, me u shprehë ashtu si u ndiejsha, e me studiue, me zgjanue horizontin tim kulturor, u randue aq shumë, sa më mbuloi dëshprimi. “E keqja” që na kishte zanë për gryke, rritej çdo ditë, pa asnji shej se do të përfundonte. Disa trakte klandestine të qarqeve të emigracionit politik shqiptar, të hedhun nga ajri, ishin të thata e nuk hapshin perspektiva të reja. Ideja e “çlirimit” që përpunohej aty, përqendrohej kryesisht në demaskimin e imperatorisë sovjetike, dhe krijimin e NATO-s si mburojë e Botës së Lirë. S’ka dyshim se nji lajm i këtillë, na jepte kurajo. Por, njikohësisht, u ba e qartë se bota ishte nda në dy kampe, e se Shqipnia ishte katërcipërisht në “kampin sovjetik”. Në këtë ballafaqim viganësh, vendi jonë shihej si nji gru shahu pa randësi. Ajo që më shqetësonte edhe ma shumë, ishte fakti se ndryshimet lokale brenda kuadrit të dy kampeve kundërshtarë, ishin praktikisht të pamundshme. Jugosllavia ishte nji përjashtim që nuk do të përsëritej. Ky zhvillim negativ na friksonte e bante “ditën e lirimit”, nji mirazh të largët për sytë e trupave tona të lodhun.