Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (XIV)

| E shtune, 20.12.2008, 06:10 PM |


Akti i nderimit të Fehmiut, Xhevës, Fatimes dhe Shefqetit u shndërrua në moment përjetësimi

Në ditët e fundit të muajit shtator, Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, vendosi të bëjë Tubimin përkujtimor në nderim të  Betejës së 22 shtatorit. Ramiz Lladrovci erdhi në Gjermani dhe në nderim të amanetit të vëllait të tij, u vendos që të mos  ketë të pame, sepse kështu kishte dashur vetë ai. Por edhe koha nuk ishte dhe duke e kthyer dhimbjen në ndjenjë force, siç  kishte bërë familja Jashari, të bëhej thirrje për të vazhduar luftën.

Por gjithçka ishte ende mes reales dhe irreales. Ishin ditët e para të paslajmit dhe askush nuk mund ta besonte. Së bashku  me Arban Hoxhën, një nga miqtë e mi të mirë, ish i burgosur politik dhe mik i Fehmiut dhe i Xhevës, udhëtuam drejt Mynihut  ku jetonte Ramizi dhe familja e tij.

Ishte një natë e ankthtë. Fjalët e kishin humbur kuptimin e tyre. Dhimbja qëndronte pezull mbi të gjithë. Ata që po e  përballonin më mirë dhe që njëkohësisht kishin më shumë dhimbje, ishin të afërmit e tij. Në atë dhomë ndeje ishin mbledhur  shumë njerëz, secili kishte kujtimin e tij, mbresën e tij dhe dëshirën për të mos qenë e vërtetë çka kishte ndodhur. Aty  njoha për herë të parë Ramadan Shalën, që kishte udhëtuar nga Suedia, njoha të atin e dëshmorit Bedri Sokoli, të cilët  kishin në vete një mal dhimbjeje.

Po dëgjonim lajmet që jepnin stacionet e huaja televizive. Serbët kishin deklaruar se ishin zënë gjallë, ishin robër lufte,  komandanti i njohur Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xheva. Ramizi e dëgjonte dhe thoshte krejt i bindur:

"Të poshtër janë, bacë. Askënd nuk kanë kapë gjallë. Dhjetë herë vritej Feha dhe nuk kapej i gjallë”.

E besonim të gjithë se ishte ashtu. Ishte një brengë, se mos e gjithë kjo stuhi dezinformacioni do të luhaste diçka. Por  kishim qenë të gabuar. Të gjithë e dinin se kush ishte Fehmi Lladrovci, të gjithë e njihnin Xheva Krasniqin-Lladrovcin,  askush nuk mund të besonte se ata nuk ishin më, e jo më të ishin robër të çetnikëve serbë.

"Ministri i Drejtësisë” i qeverisë hije të Bukoshit, një kallp burrë, deklaronte në tubimet e bashkëatdhetarëve se "po  luftojnë vetëm fshatarët, inatçorët" dhe se ato, "forcat kombëtare”, do të futen më pas në luftë. Thoshte, i ashtuquajturi  ministër, në një tubim në Vjenë, se "luftojnë të pashkollët”. Atë ditë të 22 shtatorit u vranë katër luftëtarë. Por edhe  katër intelektualë: Fehmiu, ish-student i fakultetit të inxhinierisë dhe i diplomuar në Universitetin e Zagrebit; Xhevë  Krasniqi, e diplomuar në degën e gjuhë letërsisë shqipe dhe në shkencat juridike; Fatime Hetemi, me ëndrrën për të qenë  mësuese dhe Shefqet Zeka student i Universitetit të Prishtinës.

Tubimi i nderimit të Fehmiut dhe të Xhevës ka diçka të veçantë, do të thoja të jashtëzakonshme. Asnjëri nga ata që ishte në  sallë ose jashtë saj nuk mundet kurrë ta shlyejë nga kujtesa. Ai u bë në një sallë të madhe të qytetit të Mynihut, ku ishin  më shumë se 3500 vetë. Dy herë më shumë se kaq ishin jashtë. Njerëzit rrinin në shi, kërkonin të futeshin brenda domosdo,  por salla tashmë ishte nën kujdesin e organeve kompetente gjermane, të cilët lejonin të futeshin vetëm nëse mund të arrinte  të dilte ndonjëri. Njerëzit jashtë kërkonin, të paktën të largoheshin perdet e rënda të sallës, për të parë pjesë nga  filmi-intervistë e Fehmiut. Në momentin kur Ai po fliste, i gjallë, më i hijshëm se kurrë, i dinjitetshëm në atë shkallë sa  mund të ishte vetëm Ai, salla u ngrit e tëra, brohoriste si kurrë ndonjëherë, nuk donte të ulej, e afronin të gjithë pranë  vetes figurën e tij, u dukej se ai ishte ende aty, në atë podium, nga ku u fliste të gjithëve dhe u linte amanetin e tij:  Kosovën dhe lirinë e saj. Ishte një gjendje e përgjithshme emocionale, një nga ato momente që mund të vendosë për jetën e  shumëkujt; kur heroi yt, njeriu që ke ëndërruar t’i shkosh nga pas në rrugën e tij, është tashmë aty, me fjalët e tij  proverbiale, të përjetshme.

Rifat Jashari, si një ndër miqtë e tij, dhe si e cilësoi Ai, kam ardhur të nderoj njërin nga vëllezërit tonë, pra si një  vëllla i tij, ishte si një vazhdim i asaj që po ndodhte në Drenicë, por edhe më tej se kaq.

Duke qenë i zgjedhur si kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në emër të Organizatës, më takoi të mbaja fjalën kryesore.  Në këtë cilësi, jo private, por si përkushtim i Organizatës së cilës i takonin Fehmiu dhe Xheva, do të sjell vetëm disa  pasazhe të kësaj fjale, e cila është botuar, në fillimin e tetorit 1998, në "Zërin e Kosovës".

"Pesë ditë më parë, ndoshta pikërisht në këtë orë, kur ne jemi tubuar për të nderuar heroizmin e tyre, komandantin Fehmi  Lladrovci dhe luftëtaren trime Xheva Krasniqi-Lladrovci, po i ulnin në gjirin e tokës nënë, në gjirin e Drenicës së  përgjakur dhe martire, nën breshërinë e armëve të shokëve të luftës. Ky është një ndër çastet e pazakonta, kur hesht një  pjesë e jetës dhe fillon pavdekësia, është një nga ato çaste madhore, kur jeta e jashtëzakonshme i lë vendin përjetësisë.  Nuk e ka kushdo një fat të tillë, nuk e ka kushdo fatin të shndërrohet në legjendë të popullit dhe të kombit të tij, nuk  mundet kushdo të bëhet dritëzim i popullit të tij në rrugën e gjatë për liri. Nuk ishte e rastësishme gjithçka ndodhi në  këtë çast, ishte vazhdim logjik i tërë jetës dhe qëndresës së tyre, ishte një nga momentet madhore, kur atdheut i shërben  edhe me jetën, por edhe me rënien tënde.

Nuk e kishim menduar kurrë, asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar, se do të vinte ky çast i rëndë dhe do të ndaleshim në  heshtje, në nderimin e shokut tonë, të komandantit të lavdishëm të njësive të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Fehmi Lladrovci dhe të luftëtarëve trima Xheva Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, njëzet e një vjeçarë.  Nuk e kishim menduar, sepse të gjithë ne që i kemi njohur, të gjithë ata që kanë pasur rastin t'i takojnë ose të marrin  pjesë në takime të ndryshme me ta, nuk mundën të shlyejnë nga kujtesa shikimin e qartë, të thellë dhe këmbëngulës të  Fehmiut, zërin e sinqertë dhe fjalën e ngrohtë të tij, saktësinë e mendimit dhe ndershmërinë e paskajshme të tij; ashtu si  nuk mundën të shlyejnë nga kujtesa zemërgjerësinë e Xhevës, trimërinë e saj të pafjalë, qëndrimin mikpritës, ku secili prej  nesh e ka ndjerë veten si tek motra e tij. Por ata u nisën drejt një rruge të gjatë, sepse e kishin bindjen, siç do t’i  shkruante Fehmiu më 24 tetor 1990, se "edhe më i merituari i ka borxh atdheut-Kosovës, më shumë se sa atdheu atij”. Ata u  nisën, sepse ishin të bindur, siç do të shkruante Xheva më 5 shkurt 1990 "Edhe nëpër furtuna të tmerrshme, lulëkuqe të reja  lindin për këtë dhe”.

Fehmiu dhe Xheva ishin nga ato përmasa të mëdha të epokës sonë dhe të qëndresës shqiptare në Kosovë, të cilët edhe pa ikur  prej nesh, edhe pa rënë në fushën e betejës, janë ditur se janë të tillë. Është ditur trimëria e Fehmi Lladrovcit dhe  guximi i tij, është ditur përkushtimi i tij dhe i Xhevës ndaj idealit kombëtar; janë ditur qëndresa dhe pesha e fjalës së  tyre. Ky është një nga ato rastet e veçanta të jetës: kur edhe pa e ditur rënien e tyre heroike, e di, e ndjen dhe je i  bindur, se ke të bësh me njerëz që janë të gatshëm për të qenë të tillë, duke e parë të gjithë këtë si një gjë të  zakonshme, tepër jetësore. ...Ata ishin dhe mbeten të përbashkët, vazhdim e plotësim i njëri-tjetrit, në jetën e zakonshme  dhe në përjetësinë e tyre.

Fehmi Lladrovci, ky drenicak i madh, ky vigan i Qëndresës, është vazhdim logjik i trimërisë së Drenicës dhe një nga majat e  trimërisë së saj.

Atë ditë, së bashku dhe përkrah, u vranë edhe dy luftëtarë 21 vjeçarë. U vra trimëresha Fatime Zeqir Hetemi, bijë e  Bistricës së Shalës së Bajgorës, motër e shkuar motre me Xhevën, bijë e shkuar bijës në familjen Lladrovci. Një vajzë e re,  e lindur në vitin 1977, njëra nga luftëtaret e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pak më tej u vra Shefqet Zeka, prishtinasi i lindur në Kodrën e Trimave, student, i cili edhe më shumë e rriti traditën  atdhetare të familjes së tij.

Ata bënë gjithçka që mundën për lirinë e vendit të tyre. Në themelet e pavarësisë ata vendosën rininë e tyre që sapo kishte  nisur të bulonte. Ishin të vetëdijshëm se mund të vriteshin, por ishin gjithashtu të vetëdijshëm se jetën mund ta jepnin  për një ideal të ndritur, siç është liria dhe bashkimi i kombit. Nuk mundën të bëjnë më shumë se kaq, sepse askush nuk mund  të bëjë më shumë...”.

Me dhjetëra e qindra vetë, djem e vasha të reja, braktisën Perëndimin, shumë më shpejt nga sa kishin ardhur dhe u bashkuan  me UÇK-në. Jam i bindur se shumë prej tyre kishin idolin e tyre, Fehmiun ose Xhevën.

Rreth 10 mijë vullnetarë nga e gjithë Evropa deri larg në Amerikë, u radhitën në njësitë e mëdha të luftës. Kishte ndodhur  ajo që kishte thënë gjithmonë baca Fehë "vjen dita e kthehemi, vjen dita e askush nuk na ndalon të japim jetën për  Kosovën”.


Të tjerët për Fehmi Lladrovcin

Adem Demaçi:

"Nuk kam pasë dëshirë ta mendoj Drenicën pa Fehmi Lladrovcin. Mirëpo lufta i ka ligjet e veta. Fehmi Lladrovci ishte një  njeri që të gjitha sendet në jetën e tij i kuptonte shumë seriozisht. Fehmi Lladrovci ishte një nga ata që nuk u largua nga  lufta kurrë, edhe në luftën ilegale, edhe në luftën e armatosur ishte në vijën e parë të frontit. Meritat e Fehmi  Lladrovcit janë të mëdha për shtetin e pavarur të Kosovës. Vetëm kur të krijohet Kosova e pavarur, vetëm atëherë do të jetë  Përmendorja që e meriton Fehmi Lladrovci, vetëm atëherë mund të themi se e kemi kryer detyrën tonë. Drenica heroike do të  dijë të ruajë përmendoren e Fehmi Lladrovcit”.

Murat Jashari:

"Baca Adem ka pasë besim shumë të madh tek Fehmi Lladrovci. Deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Për familjen tonë  Feha ka qenë si Ademi, si Hamza, si Rifati, ka qenë një vëlla i tyre, një mixh i joni. Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë  normale, edhe diplomatë, politikanë, por që t’i ketë një njeri të dyja, edhe luftëtar, edhe politikan, ato i ka pasë në  këtë luftë veç Fehmi Lladrovci”.

Lulëzim Jashari:

"Baca Fehë ka folë të njëjtat fjalë, si atëherë kur ka hyrë në lëvizjen ilegale në vitin 1976, ato fjalë i ka folë edhe  para gjyqit në vitin 1986, ato fjalë i ka folë edhe në vitin 1998, dhe me ato fjalë ka vdekë. Ai ka pasë principet e preme,  të sakta, nuk ka pa se mos preket kush, por i ka shprehë principet e veta saktësisht".

Agim Çeku:

"Jam i lumtur që i takoj të njëjtit komb që i takonte edhe Fehmi Lladrovci. Fehmi Lladrovci të gjitha provimet në jetën e  tij, dhe ato provime janë jo vetëm të shkollës, por provimi i atdhedashurisë, provimi i trimërisë, i guximit, i heroizmit,  provimi i organizimit, i komandimit dhe i drejtimit, provimi i artit të luftës: të gjitha këto provime Fehmi Lladrovci i  dha me notën shkëlqyeshëm..."

Ali Ahmeti:

"Fehmiu ishte i lindur për aksione të mëdha dhe për beteja të lavdishme. Ai dinte të mbahej fort si shkëmbi, edhe atëherë  kur të tjerët jo vetëm nuk qëndronin, por edhe kur mbetej vetëm. Ishte i vendosur, të tillë e kishte edhe shoqen e tij të  jetës, të madhërishmen Xhevë. Fehmiu ishte dhe mbetet simbol i luftës për liri dhe unitet kombëtar”.

Ramush Haradinaj:

"Fehmiu ishte një nga njerëzit me vizion më të qartë për Kosovën. Ishte një burrë trim i pazakontë dhe si i tillë ka mbetë  në historinë e kombit tonë. Unë kam pasur fatin të jem në të njëjtën vijë me të, të jem shok dhe bashkëluftëtar i tij dhe  këtë nder nuk e ka pasur kushdo. Kishte shpirt të pastër, sulmet i ka përballue me buzëqeshje, unë kam qenë gjithnjë në  lidhje me punët e tij...”.

Servet Pëllumbi:

"Një popull që nxjerr bij të tillë, që thonë se më e shtrenjtë është liria se jeta, ai popull është i pavdekshëm. Fehmiu  është e vërtetë se e ka dashur shumë Shqipërinë, por edhe Shqipëria e ka dashur, e do dhe do ta dojë, jo vetëm Fehmiun dhe  Xhevën, por të gjithë ata që luftojnë për liri, të gjithë ata që nuk harrojnë shqipen dykrenare, nuk harrojnë gjuhën  shqipe...”.


Profesor doktor Agim Vinca :

VDEKJA E LUFTËTARIT

Thonë se ndërsa po vdiste
nga plagët e marra në fushëbetejë
diku rrëzë Çiçavicës,
komandanti Fehmi Lladrovci paskësh thënë vetëm një fjalë:

Po shkoj tek Adem Jashari!
Dhe paskësh mbyll sytë i qetë,
siç i ka hije një luftëtari.

Lamtumirë Fehmi!
Lamtumirë Adem!
Lamtumirë kapedanë!
Me ju Kosova u bind se kishte bij,
Me ju e ndje veten nanë!

Nëntor 1998


Mensur Kasumi:

"Me dashtë zoti veç pesë Fehmi Lladrovci të kishte në Kosovë, Kosova shpejt kishte me qenë e lirë”.

Fadil Bajrami:

"Fehmi Lladrovci ka qenë një njeri që ka jetue për luftën. Nuk kishte ide tjetër më të madhe tek ai”.

Shaban Shala:

"Natyra e Fehmiut, fjalët e tij, sjellja e tij e ka bërë për vete dhomën, mikun dhe vendin ku ka qenë për herë të parë. Ka  qenë përfaqësues i dyanshëm, edhe i Kosovës, në rrethin e gjerë të studentëve; por edhe përfaqësues në instancat e  atëhershme të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, anëtar i shtabit të luftës. Ai për mua ka qenë luftëtar, epror, komandant, ai  ka qenë gjithkund dhe për gjithçka”.

Ramush Tahiri:

"Njohja e parë është kjo: më ka lënë përshtypje sinqeriteti i jashtëzakonshëm, besnikëria e jashtëzakonshme dhe ndjenja se  kur të rrish me të, rri më mirë se me vetveten”.

Izet Ibrahimi:

"Më tha doktor Hafir Shala se Feha, si dëshironte ai ta quante Fehmi Lladrovcin, bashkë me Xhevën dhe shokë të tjerë kanë  ardhur në Kosovë. Në bazë të gjithë asaj që kisha krijuar për ta, më erdhi një lehtësim, vetja më është dukur më i sigurtë,  optimizmin e vëreje tek të gjithë shokët që ishin në Kosovë.Të gjithë besonim se Fehmiu do të jetë i palëkundur nga  pozicioni i tij luftarak. Por asnjë nuk mundëm të paramendonim se rënia e tyre do të jetë aq heroike. Nga kjo u binda se  imagjinata që kisha krijuar për ta, ishte më e varfër se sa ishin Ata në të vërtetë”.

Nuredin Lushtaku:

"Për herë të parë bacin Fehë e kam njohë prej fjalëve të Adem Jasharit. Ademi na ka treguar se po vjen Feha e do të jemi më  të fortë. Të tjerë kanë thënë se është nisë një grup i papërgjegjshëm dhe se nuk duhet të bashkëpunohet me ta. Ademi i ka  thënë se ata janë shokë të mi, Feha është shoku im, vëllai im, dhe nuk më ndan kush prej tyre, veç vdekja”.

Zenun Kodra:

"Njohja jonë me Fehmi Lladrovcin ka qenë prej Adem Jasharit. Por për herë të parë e kam takuar në vitin 1998. Ardhja e tij  dhe e shokëve të tjerë, njerëz të përgatitur, si ata kishim krejt pak në Kosovë, për të mos thënë se nuk kishim, na ngriti  moralin...”

Fadil Kodra:

"Emri i bacit Fehë i ka afruar njerëzit. Përvojën e parë të gjerë luftarake, fillimet e strategjisë luftarake, i kemi  mësuar prej tij. Na thoshte se "shpeshherë është më mirë me derdhë djersë sot, se sa gjak kur të fillojnë ofensivat serbe”.

Naser Idrizi:

"Fehmi dhe Xheva Lladrovci janë ndër emrat më të mëdhenj të luftës sonë. Ata futen në radhën e atyre njerëzve që shkruajnë  historinë e një kombi. Dhe këtë nuk e kanë bërë dosido, por me punën e tyre, me sakrificat e tyre, me jetën e tyre”.

Shefqet Morina:

"Besomë, katër antarë të familjes i kam të vrarë. Jam në gjendje të bëj be në çfarë të duash, se nuk më dhimbsen katër  antarët e familjes sime sa më dhimben trupat e bacës Fehë, Xhevës e Fatimes. Se i kam parë me sytë e mi se si janë vrarë,  ia kam dëgjuar fjalët e fundit, e di se si i kanë lëshuar britmat e luftës. Sot më kujtohet veç zëri i komandant Fehmiut.  Katër antarët e familjes sime nuk i kam parë se si janë vrarë, dhe kam shkue e i kam varrosë herën e parë. Shkitë i nxorën  nga varret dhe nuk i di se ku i kanë trupat. Katër i kam të vrarë, edhe katër i kisha dhënë, veç Fehmiu e Xheva të ishin  mes nesh".

Përjetësi e dyfishtë

Askush nuk mund ta besonte se ata nuk ishin më. Ishte diçka jashtë reales të besoje diçka të tillë, dhe kur kaluan ditët e  para dhe nuk dihej ende asgjë se ku kishin rënë, pra ku e kishin mbështetur kokën për herë të fundit, atëherë gjithçka u bë  edhe më e besueshme, se ata mund të ishin diku.

E vetmja gjë që i trondiste njerëzit dhe i bënte të besonin se diçka kishte ndodhur me ta, ishte në rënien e pozicioneve në  duar të shkive. Ata e mendonin vetëm këtë si një mundësi që kishte ndodhur diçka e rëndë, mjerisht edhe tepër e dhimbshme,  por përsëri e hiqnin mendjen nga vdekja.

Ishin të huaja për njëri-tjetrin Fehmiu dhe vdekja, Xheva dhe vdekja, të dy bashkë dhe vdekja. E përjashtonin njëri- tjetrin, deri në kufijtë e skajmë, deri aty ku fillon e shkrihet në një e vërteta dhe legjenda.

Nuk e besonin dhe nuk donin as ta besonin. Me mosbesimin sikur donin të shtynin sa më shumë që të mundnin idenë e largimit  të tyre, mosqenies dhe këtë e bënin të gjithë, krejt natyrshëm, sepse nuk mund ta kishin në vete idenë e vdekjes.

Nuk ishin më, kjo ishte e rëndë. Pastaj dikush tha se ata u vranë dhe kjo nuk mund të jetë vdekje. Filluan ta besojnë pak  nga pak, por gjithnjë me mendimin se ata do të shfaqen përsëri, aty ku do të ishte më e vështirë dhe më e domosdoshme. Për  22 vite me radhë kishte ndodhur diçka e tillë: rishfaqja e tyre dhe nuk kishte pse të mos ndodhte rishtas kështu. Njerëzit  prisnin dhe duke pritur, vazhdonin të luftonin. Edhe fakti se drejtues i brigadës kishte ardhur njëri ndër miqtë më të  vjetër të Fehmiut, djali i imët, trim dhe gjithë virtyte, Ilaz Kodra, përsëri nuk e bënin të besueshme idenë e largimit të  tyre.

Kështu shkuan ditët e para, mes mosbesimit dhe pritjes. Mes vendeve ku gjendeshin, gjithnjë mes luftës, ata e kishin idenë  e pritjes së rikthimit të tyre, ashtu siç kishin idenë e rilindjes së përditshme të diellit, të mëngjesit, të erërave që  frynin buzë Çiçavicës. I dukej sikur njëra dorë e tij ishte mbështetur tek Drini i Bardhë dhe dora tjetër tek Drini i Zi,  sikur kokën e kishte mbështetur në bjeshkët përbri dhe në malet e Sharrit. Prisnin dhe nuk besonin.

Por jo vetëm ata që ishin aty, pranë tij dhe që e kishin ndjerë dorën e tij. Edhe të tjerë, ndoshta me mijëra kilometra  larg nuk e besonin. Ishte një mosbesim i tejskajshëm dhe i dhimbshëm, sepse njerëzit prisnin rishfaqjen e tij. Prisnin  rishfaqjen e të dyve, si një gjë që lehtësisht merret me mend. Kështu dalëngadalë, pa e kuptuar, filloi të endej legjenda e  rikthimit të tyre. Ishte një legjendë e dyfishtë, e cila, ashtu siç lëviz llava vullkanike, e zjarrtë dhe e ngrohtë, filloi  të lëvizë drejt njerëzve. Ata që kishin menduar se pas 22 shtatorit do të flitej si për dy njerëz që ishin dikur, do të  ndjeheshin edhe një herë të gabuar. Gjithnjë e më tepër njerëzit filluan të besojnë se gjithçka ishte e përkohshme, ndërsa  rikthimi, përjetësia e tyre, do të ishte e përjetshme.

Ndërkohë ata ishin ende pranë njëri-tjetrit, në atë vend ku kishin qëndruar deri në fund dhe nuk donin të shkëputeshin.  Dherat e shkëputur nga bjeshka kishin rënë mbi trupat e tyre, që ende ishin së bashku. Ishte përzier dheu i kadifejtë me  gjakun e pastër. Kaloi dita e parë, pastaj e dyta, e treta. Ata rrinin aty, mes erërave që frynin mbi Kodrën e Qëndresës,  dëgjohej zhurma e luftës që herë afrohej e herë ishte e largët, shtëpitë vazhdonin të digjeshin dhe tymrat për një çast u  dukën si një fillesë nate, pastaj rishtas filloi të bjerë vesa e netëve të freskëta të shtatorit dhe ishte një qiell krejt  i pastër, mbushur me yje.

Gjaku i tyre kishte rrjedhur butësisht drejt dheut të ngrohtë. Ishte bërë njësh me të dhe pastaj ishte ndalur aty ku  fillonin rrënjëzimet e lisave. Tundja e gjetheve u sillte më afër vatrën ku kishin lindur. Qëndronin dhe prisnin. Ndërkohë  legjenda e mosbesimit të vdekjes po rritej gjithnjë e më tepër, derisa u bë shpresë e përhershme jete.

Pastaj, krejt befas, në një stacion televiziv u dha intervista e tij. Njerëzit e dëgjuan dhe përsëri e kishin në mendimin e  tyre rikthimin e shpejtë. Përderisa duhet, ai do të kthehet, kishin thënë të gjithë.

Ishte një nga mbrëmjet e fundshtatorit kur i kishin sjellë në fshatin ku kishin lindur, buzë luginës, e cila kishte qenë aq  e dashur për ta. I kishin sjellë shokët e tyre, mbartur mbi shpatulla dhe kjo kishte qenë hera e parë që ishte një barrë aq  e rëndë. Tepër e rëndë. Megjithatë, edhe kur ata kishin ardhur, të përgjakur dhe bri njëri-tjetrit, përsëri njerëzit nuk e  kishin besuar. I kishin shtyrë kufijtë e vdekjes, të paktën derisa të ishte lufta. Njeriu që kishte lindur për luftë, nuk  mund të ikte derisa ajo të përfundonte.

Mbrëmjet e fundit të shtatorit kishin ikur tepër shpejt, në rrokullimën e tyre të ashpër. Kishin lënë pas vetes disa të  vrarë, më shumë të plagosur, dhjetëra e dhjetëra shtëpi të djegura, njerëz që kishin shpejtuar për të mos qenë pre e dhunës  dhe gjithashtu edhe një legjendë: legjendën e një Përjetësie të dyfishtë, të Fehmiut dhe të Xhevës.

Kishin pasur një jetë të jashtëzakonshme, do të kishin po ashtu edhe një përjetësi të jashtëzakonshme, përderisa ishte një  përjetësi e dyfishtë.

Fund