| E premte, 08.07.2022, 09:43 PM |
IN MEMORIAM KASTRIOT MYFTARAJ
Lamtumirë një miku dhe
analisti të sertë
Nga
Kastriot Frashëri, Avokat
Ti
miku im ike nga kjo botë në mënyrën sa më të pamerituar aq edhe të pabesueshme.
Ma
prishe ditën o Kaço... Me qindra telefonata nga miq të përbashkët, të njohur e
të panjohur, por edhe nga kolegët e tu të medias vërshonin pa pushim në
telefonin tim.
Jam
pa fjalë! Nuk dija çfarë tu thoja! Si mund të kryeje ti Kastriot Myftaraj , një
akt të tillë pa dhënë kurëfarë asnjë shenjë as depresioni as edhe dëshpërimi?!
Disa portale e media biçim serioze kishin trilluar histori të pabesueshme. Doja
ti besoja por nuk mundesha. Eh, si ti besoje këto duke të njohur fuqinë e
karakterit, mençurinë dhe mirësinë tënde. Kjo më detyroi të shkoj në shtëpinë
tënde menjëherë sapo lajmi mori dhenë dhe mu desh ta gënjeja nënën tënde bashkë
me Aleksandrin, këtë se kisha bërrë kurrë në jetë, sepse pashë se ajo po të
priste tek dera e shqetësuar, duke mos i treguar se çfarë kish ndodhur nënës
tënde të lodhur nga pesha e viteve, e cila besonte atë q? i kishin treguar se
ti kishe ikur në urgjencë për disa analiza jo vetëm pa i thënë asgjë asaj, por
edhe duke lënë edhe derën e hapur...
Dy
dekada nuk janë pak për të njohur një mik. Dy Kastriotë të famshëm shpesh na
shpotisnin me mirësi të njohurit tanë, sa të ndryshëm aq edhe të afërt. Ti ishe
njeri i veçantë me të gjitha cilësitë njerëzore por dituria ishte ajo që
spikaste mbi enciklopedinë njerëzore. Kishe të mirat e të këqijat për të cilat
shpesh debatonim fort. Për shumë gjëra që shkruaje edhe kur e teproje duke
tejkaluar masën isha kritiku yt më i madh, sidomos kur këto i merja vesh nga të
tjerët të cilët më dërgonin linkun përkatës. Ndonjëherë ke çënuar edhe miqtë
tim duke më vënë në pozitë të vështirë përballë tyre ndonëse nuk kisha asnjë
info paraprake për këto. Shpesh të thoja mos i beso çdo historie që të
parashtrohet ndaj më pyet përpara se ta botosh, le të jem redaktori, sepse
ndonjë herë është e vështirë të sigurohet balanca ndërmjet sensit të masës dhe
administrimit të vetvetes, por ti ndryshe nga ne, shkruaje deri në orët e para
të mëngjezit dhe kjo gjendje të kisha paralajmëruar se ishte e rrezikshme për
shëndetin, por ti nuk ndaleshe.
Dy
javë më parë isha dëshmitar i përditshëm i ekzaminimit tënd pothuajse një javor
në QSUT, duke angazhuar mjekët tanë më të mirë për trajtimin tënd ndaj një
simptome të papritur ku rezonanca konstatoi një masë në kokë por pa mundur të
vendoste një diagnozë pa kryer ekzaminime të mëtejshme të hollësishme, sikundër
deklaronin sot sëmundjen e keqe në mënyrën më vulgare disa media. Përgjatë
këtyre dy javëve kemi folur çdo ditë për dy apo tre herë në telefon dhe kurrë
nuk më shfaqe asnjë shenjë depresioni apo dëshpërimi, përkundrazi forcën, kurajon
dhe përgjegjësinë për të vijuar ekzaminimet më tej. Tek ty miku im nuk shihje
asnjë gjurmë përjetimi të kësaj situate për të cilin jam dëshmitar! Rrethanat e
sollën që telefonata ime e fundit me ty miku im të ishte dy ditë më parë dhe
teksa po të pyesja për ecurinë e analizave dhe po ju parashtroja disa nga
tarifat për ekzaminimet në disa spitale jashtë Shqipërisë u ndesha me
vendosmërinë tënde për ti kryer këto jashtë shtetit në Itali ose Zvicër, pasi
nuk ishe i sigurtë për trajtimin këtu. Të gjitha këto i deklarove me qetësi dhe
formë të prerë dhe se kishe mundësi që ti përballoje kostot financiare, madje
nëse do të duheshin më shumë para me shumë siguri më the që disa dashamirës
janë gati të mbulojnë çdo shpenzim të nevojshëm që mund të lindë. Madje edhe
nga Presidenti dhe stafi drejtues ku punoje i RTV ORA NEWS kishe garanci për
mbështetje financiare, të cilët me lotë në sy nuk u besohej kjo ndodhi e një
njeriu të fortë e kurajoz. Të njëjtin mendim ndante edhe botuesi i Gazetës SOT.
Askujt prej atyre që të njihnin nga afër nuk i besohej kjo ndodhi.
Kaq
mjafton të kuptohet që në këtë histori nuk ka vend as për dëshpërim dhe as për
depresion. Ndonëse ndonjë media thotë që mungoje prej tre javësh në television,
por ti e kishe mbyllur programin ashtu siç kanë bërë shumë të tjerë në mediat e tjera për tu rikthyer në
sezonin tjetër në shtator në RTV ORA NEWS. Kurrë nuk të pamë as në gjendje të
stresuar dhe as në dëshpërim. A mundet njeriu brenda dy orësh të përgatitë
planin e tij brenda dy orësh po ti referohemi telefonatës së fundit që mësova
se ke patur me mikun tënd N. Kullën, i cili nuk konstatoi asnjë shenjë
dëshpërimi vetëm vendosmërinë tënde të shkoje të diagnostikoheshe jashtë pas dy
ditësh. Ndaj nuk mund ta besojmë që ti mund të fluturoje nga ballkoni i katit
të katërt të pallatit ku banoje drejt botës tjetër teksa nëna ishte shtrirë nga
dhimbjet e shiatikut në dhomën e saj. Eh, si mund ta bëje këtë ndaj nënës tënde
pothuajse shekullore e cila mbante veshet ngritur gjatë gjithë minutazhit të
emisionit tënd e shqetësuar se ti nuk kishe doganë për idetë, kur ti ishe i
gatshëm të ndihmoje këdo? Ti ishe në shtëpi dhe nuk kishe dalë për gati 24 orë
dhe nuk ishe pijanec. Mua nuk më besohet kjo histori ndonëse ajo duket se është
reale me shenjat në tortuar dhe asnjë gjurmë lartë! Organet e drejtësisë le të
bëjnë punën e tyre!
Një
gjë është e pakthyeshme që ti miku ynë nuk do jesh më pranë nesh, aty ku të
pëlqente të debatoje me orë të tëra duke mundur edhe natën me çdo kënd në
biseda dhe debate që nuk përfundonin kurrë. Ti dije gjithshka… Ndoshta për këtë
ishe lindur. Po çfarë ndodhi kështu? Ike papritur 56 vjeç në kulmin e moshës
dhe krijimtarisë. Pushofsh në Paqe Kastriot!
Ngushëllime
familjes, të afërmve dhe gjithë miqve!
Lamtumirë
mik nuk mundemi të themi!