Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marin Sirdâni: Në çka fajësohet Skanderbegu? (IV)

| E shtune, 20.12.2008, 05:57 PM |


Në çka fajësohet Skanderbegu?

Nga Marin Sirdâni

Pjesa IV

 

Posë krahinës së Matit, të Kurbinit, të dy Dibravet e t'Arbnit, që Skënderbeu i pat trashëgim prej t'et, ai i shtoi shtetit të vet edhe fushën e Mokrenës, disa katunde në distrikt të Shkodrës, krahinën e Beratit e disa vise të princnisë së Kaninës.

Kemi qenë rrejtë se edhe shtetin e Topiajve, ose Muzakjave e kishte aneksue Skenderbeu me të vetin, por e shohim se kishim qenë në gabim. Topiajt në vjetin 1445 Biemmi i difton "Padroni di Musachiana", (1) e të zotët e atij vendit i dëshmon Moisi Golemi (2) para se me ikë e me u ba me Turk në vjetin 1456. Se këta princa ishin pernjimend indipendenta shihet edhe ndihma ushtarake që i dërgon Skënderbeut, si princat tjerë aleatë, Andre Topia vjetin 1448 e 1450.

Por edhe për vendet që thamë se Skënderbeu i pat trashëgim prej t'et, na duket i nevojshëm një grimë zhvillim. Për këtë, shi një vjetë mbasi ai kishte marrë radhën e qeverisë, 1444, Sulltan Murati i dërgonte nji ambasador me nji letër me të cilën e bante me dije se për me u ndreqë me të, lypej t'i lëshonte të gjitha viset që nuk i kishte pasë i ati. Skënderbeu i gjegjte se arsyeja e lypte që t'i zotnonte ai ato vende të krishtena, edhe pse s'kishin qenë t'et, mbasi u kishin përkitë princave të krishtenë, e ai vetë me fuqi t'armve i kishte shtijë në dorë. (3)

Këtë letër që e raportojnë Barleti, Frangu e Anonimët, Tivarasi nuk e cek fare, thotë veç se ambasadori me fjalë të Sulltanit lypte t'iu paguejshin damet e bame nënshtetasve të Turqisë, t'iu lironte Sfetigradi me dy Dibrat, distrikti i Mokrenës e disa kështjella tjera që kishte mposhtur, e t'u detyronte me u rrudhë mbrenda rrethit t'atij shtetit që kishte qeverisë i ati para se me dekë. (4)

Prej këtyne konditave mirret vesh se Gjon Kastrioti ndër vjetët e mbrame të jetës së vet, i lodhun prej luftave e i shtymë në mot, i lëshoj Turkut vendet që Sulltani ia lypte Skënderbeut. Kështu mund të pajtohet edhe paqja që i njajti historjan, thotë se kishte pasë gëzue për do vjet të mira ajo princni para ardhjes së Skanderbegut, (5) e aleanca e Gjon Kastriotit me Turq, që u përmend më sipër, të cilën u rrekte me e prishë Republika e Venedikut vjetin 1442. Përmbajtja e atyne letrave edhe po qe e sajueme prej fantazisë s'atyne historjanve mbas gjasës së ndodhjeve t'asaj kohe, na dëshmon s'pakut, se ata nuk e mendojshin Skënderbeun per një uzurpator, si e paraqet Gjon Muzaka, por si një princ, i cili tuj i pasë lirue ato vende prej robnije të Turkut, kishte të drejtë me sundue mbi to.

Patëm thanë më sipër se Skënderbeu i pat shtue princnisë së Kastriotve fushën e Mokrenës, disa katunde në distrikt të Shkodrës, krahinën e Beratit e disa vise të princnisë së Kaninës. Të shohim tashti se si i bani të vetat ato vise Skënderbeu. Sa për fushën e Mokrenës asht kot me tjerrë fjalë, atë e pat Turku qysh sa vjet përpara, prandaj s'ka të bajë në çeshjten tonë, për të tjera po tregojmë mënyrën se si ranë në dorë të tij.

Disa katunde në distrikt të Shkodrës i pat Skënderbeu prej Venedikut në shpërblim të Dejës. Puna ndodhi kështu: Lekë Dukagjini në vjetën 1447 mbyti në moh Lekë Zaharinë. Me dekjen e këtij princi, mbasi nuk kishte fëmi, princnija e Dejës mbeti në duer të s'amës, Bosës, grue e shtyme në mot. Princat fqinj së pari u munduen me mjeshtri e pa krizëm me i ba rrethin e me e shti në dorë at princni, por mbasi panë se po përziheshin edhe Skënderbeu e Venediku, e hoqën atë mendje e u mbajtën me anën që u shkonte ma për shtat.

Skënderbeu jo veç si kryetar i Lidhjes, por edhe si një farë trashëguesi nuk mund të rrinte n'atë rast dorjashtë. Qysh kur Lekë Zaharija me t'atin kishin pasë lidhë një traktat me të, që po ndodhi me dekë pa trashëgimtar, princnija e Dejës do t'i mbshtetej atij. Por megjithse ai traktat këtë herë nuk do hynte në veprim, por mbas dekjes së Bosës (6), tuj u parapa pshtjel1ime, Vrana Konti që ishte i vl1ai i kësaj princeshe , iu zotnue Skenderbeut se do t'ia mbushte menden së motrës t'ia lshonte sa ma parë. E njimend Bosa mbas këshillit të vllaut u vullnetue me ia lëshue Skenderbeut zyrtarisht krejt princninë, kështu që nuk mbetej tjetër veç të dërgoj te njerzt e vet me marrë dorzimin (7).

Veç Skenderbeut edhe Venediku kishte dërgue disa Shkodranë me ia mbushë mendjen Bosës t'ia lshojte princninë asaj republike, por tuj e pa këta se u doli e shpueme ai mision, kthyen në Shkodër, e marrin një ushtri kalorse të madhe, pa pritë pa kujtue iu rrrasën mbrenda kështjellës së Dejës. Kryetarët e asaj ushtrije me rrena e kaçarrena u munduen me qetsue princeshën e banorët. Ndër tjera thoshin, se ardhja e tyne me aq turr ishte me shpëtue princeshën e krejt at princni prej Lek Dukagjinit, i cili ishte afër te msyemit; e se qysh para asaj vrasje Skënderbeu ishte marrë vesh me Dukagjinët e kishin nda ndërmjet të vedit shtetin e tyne.

Me rrena kësodoret, pa e lanë me u përpjekë me të vetët, e morën Shkodranët Bosen dhe e dërguen në Shkodër, kinse me e largue rrezikut, e aty pa marrë mirë frymë, të marrun ashtu mendsh, e banë me ia falë Venedikut princninë e vet. (8)

Marrë vesh Skënderbeu rrjedhën e punve, u idhnue te s've, jo aq per bjerrjen e Dejës sa për shpifje se ai kishte pasë gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë.  Prandej bashkon menjëherë këshillin, e merr pëlqimin e tyne, ndau mos me lanë pa pague at dhunë që po i bahej prej asaj Republike. Po edhe princat shqyptarë, posë Lekë Dukagjinit që ndejti neutral, Pjetër Shpanit e Gjergj Dushmanit që mbajtën anën e Venedikut, tjerët të gjithë i çuan fjalë Skënderbeut se lypej medoemos t'i deklarohej luftë asaj Republike, si per shpifje të randë që i kishte ba, si edhe per t'ia rrudhë guximin mos të mirrte rasë me përsëritë çka kishte ba gjashtë vjetë përpara, tuj i rrëmbye zotnimin e Ulqinit, Kont Shtjefnit, në një mënyrë të pa denjë. (9)

Skënderbeu atëherë, pa tjetër i deklaroj luftë Venedikut, e pa mujte me i ba qëndresë të madhe, t'i vuni përpara ushtritë veneto-shqiptare. Venediku atëherë u morr vesh me Turqtë, kështuqë plasi lufta edhe në Dibër të Sipërme. Tuj u gjetë Skënderbeu i ngatrruem në dy ballna, la të bllokueme Dejën, Shkodrën, Drishtin e Durrsin, e u nis me nxitim në Dibër të Sipërme ku Turku kishte nisë ofensivën.  Në nji kohë të shkurtën then Mustafa Pashën e kthehet dalë me vijue luftën me Venedik. Venediku atëhere prej friket mos të bjerri shqimit ato vende, dërgon delegatën me u ndreqë me të mirë me Skënderbeun, por edhe ky me zi priste me u çlirue krahësh e me u ndreqë sa ma parë, pse kishte marrë vesh se Turku kishte thye Maxharrët në Kosovë e se ajo ushtri do t'u rraste njesh në Shqipni. Priti prandaj me nderime të mëdha ata Delegatë e pa farë vështirsijet ranë në godi e u ndreqën me këto kondi ta; Venetia mbante Dejën, por në shpërblim i lshonte Skënderbeut nji copë vend ma të madh anës Drinit të quajtun Buzgjarpni, edhe do t'i paguente 1,400 dukat në vjetë; aleanca e traktatet e vjetra tregtare përsëriteshin. (10) Rafaele Volaterano (11) këtë shumë e çon në njëmijë e pesqind dukat e thotë se do t'ia a jepte Venediku Skenderbeut për shkak të së drejtës që kishte pasë.

Punën e vendit që iu lshue Skënderbeut në shpërblim të Dejës e shënon mjaft qartë Frangu. Ai thotë se zente fill në breg të Drinit, buzë Shkodret, e mbaronte në vendin e quajtun Buzgjarpni, i cili vend ishte shumë ma i dobishëm për Skënderbeun se qyteti e distrikti i Dejës. (12) Senati i Venedikut, thotë Tivarasi, tuj pasë marrë vesh prej delegatve të vet se sa dobisht u ndreqen me Skenderbeun, votoj një zanit me shkrue atë e pastarët e tij në rend të bujarve të Republikës. (13)

Krahinën e Beratit ia lshoj Skënderbeut princi i atij vendi, Teodor Koronë Muzaka, në vjetin 1450. Tivarasi kështu e bjen këtë lëshim. Tuj mos pasë princi i sipërthanun asnjë të gjakut të vet që të kishte tagër trashëgimi, kishte emnue në testament Skënderbeun për trashëgimtar, si ai që kishte ma merita mbi princa tjerë shqiptarë, si edhe për arsye të veprës së kryeme prej tij për të mirën e Shqipnisë mbarë, kundra anmikut të përbashkët prandaj tuj u gjetë në rrezik vdekje, çoj me e grishë per me i dhanë dorzimin e qytetit: e ai dërgoj një ushtri tetëqind vetëshe nën komandë të Pal Manzit. (14)

Pasha i Gjinokastrës, i cili kishte urdhën prej Sulltanit me mposhtë Beratin në rast të dekjes së Teodorit, porsa mori vesh se ushtrija e Skënderbeut kishte marrë dorzimin e atij qyteti, mbledh një ushtri të madhe kalorsie e u drejtue për at vend; e me një turr sa ma të shpejtë tuj mos u lanë kohë me u lajmrue, mundi nëpër terr të natës me kapërcye muret e qytetit e me pre copë e grimë rojen e re e shumë qytetarë që në poterë kishin rrokë armët, e ashtu me u ba i zoti i Beratit. Pal Manzi qe zanë rob, e mandej lirue për pesqind dukata, por Teodori tuj mos pasë aq sa lypshin Turqt per me u fa gopin, e ngritën prej shtratit të vdekjes dhe e varën në treg të qytetit.

Me këtë rast Skënderbeu e buer përgjithmonë at qytet, e provat e shumta të bame me e shti në dorë, shkuan huq, pse Turku ia pat mendjen vedit dhe e siguroj me garnizone të forta atë kështjellë të fortë edhe prej natyret. A mundi me mbajtë për vedi Skënderbeu ndonjë pjesë t'asaj princnije nuk dihet me siguri, por ka shumë gjasë.

Vise me randsi të princnisë së Kaninës i pat Skënderbeu per pajë të së shoqes, Donikës. Gjergj Arjanit Komneni tuj martue të bijën me Skënderbeun në vjetin 1451, i dha për pajë mbas zakonit t'asaj kohe, edhe disa vise. Se cilat ishin këta vise, shkrimtarët e asaj kohe nuk i përmendin, por Biemmi thotë se paja me të vërtetë ishte e madhe (15); e Barleti, e denjë për atë që e ipte e për atë që e mirrte (16), por tuj u marrë me mend se do t'i kenë qënë lshue ndonjë krahinë që mundte me u ngjitë me princninë e tij, duket se qe krahina e Çermenikës e ndoshta edhe e Shpatit (17). Më bahet me thanë kështu, pse Valmi deri që e mposht Turku, përmendet prej historjanve t'asaj kohe si i Skënderbeut, e disa prona ngjat Elbasanit ia kishte pasë lëshue Skënderbeu Moisi Golemit, të cilat ia fali Gjergj Stres Balshës, kur i doli tradhtar, e mandej në vjetin 1445 ia kthej (18).

Në rasë të martesës të sipërthanun bien në sy princat Dukagjinit e të bijtë e Arjanitit. Në shenj gëzimit për atë martesë, princat aleatë e krenët fqinjë ose erdhën vetë personalisht, ose dërguan bajloza (ambasador) me dhanti të çmueshme. Nuk morën pjesë në këtë gëzim princat e Pultit t'Eper, Dukagjinët, të cilët qenë ftoh un prap ndaj Skënderbeut; e të vllazënt e nuses, të cilët ishin trazue, pse i ati i dha motrës së tyne një pajë tepër të madhe. Megjithkëta, Gjergj Arjaniti nuk i ra veshit per idhnimin e të bijve e vijoj gjithë jetën e vet një miqsi aq të përzemërt me Skënderbeun, sa thotë Barleti(19), se princnitë e tyne nuk kishin kufij të veçantë ndërmjet tyne; domethanë se nënshtetasit e të dy palve mirrshin e ipshin pa pasë kurrfarë pengimit, si t'ishin të një shteti.  Përndryshe Arjaniti qeveriste shtetin e vet, si princ krejt indigendent, e i dërgonte Skënderbeut, në rast nevojet, ndihmë ushtarake e të holla, sa i lindte në zemër, si princat tjerë aleatë. Kështu diftojn historjanët e asaj kohe e edhe vetë Barleti.

Fan Noli  thotë se: “Pas vdekjes s 'Arjanitit, me 1461, si duket, Skënderbeu ia aneksoj tërë principatën dhe i mediatizoj të bijtë, se nje prej syresh nga inati u bë muhamedan pikrisht pas këtij moti”.  Sidomos, dimë me siguri që Himarën e trashëgoj Gjon Kastrioti, i bir i Skënderbeut, dhe jo të bijt e Arjanitit”. (20)  Por vetëm me kaq, pa citue kurrë një dokument, kujtoj se nuk provohet gja. Se pse u ba muhamedan njani ndër djemt e Arjanitit shi mbas vdekjes së t'et, kanë mujtë me qenë shumë arsye, e ndër ta mund të ketë qenë udobisht edhe pakënaqsi ndërmjet të vllazënve për të ndam të trashëgimit, si ndodhi ndër djemt e Pjetër Shpanit; e shpresa se tuj u ba muhamedan, Sulltani do ta përkrahte edhe ma fort se Moisinë e Hamzain, me fitue kunorën e Shqipnisë. Për Gjon Kastriotin II jo vetëm se nuk e dimë me siguri, si thotë Fan Noli, se e trashëgoj Himarën, por as nuk ka gjasë. Domenico Malipiero n'Annale të veta, na difton se i biri i Skënderbeut, Gjon Kastrioti II, i thirrun prej Shqiptarve kthej prej Italijet në Shqipni vjetin 1481, mposhti një pjesë të mirë të shtetit atnor me ndihmën e Himarjotve edhe theu një ushtri turke kund nja 2,000 vetshe të dërgueme kundra tij (21) Kryengritja u përhap në jug e në veri edhe mezi u shue mbas disa vjetësh. Tashti a thue vetëm pse Gjon Kastrioti II i thirrun prej Shqiptarve e ndër këta edhe Himarjotët, e pse me ndihmën e tyne shtini në dorë nji pjesë të mirë të shtetit atnor, do thohet se e trashëgoj ai Himarën e jo të bijtë e Arjanitit, të cilët ka gjasë se as nuk morën pjesë n'atë kryengritje? Atëherë ishte në zjarm mbarë Shqipnija e nuk kishte marrë fund lufta, prandaj Gjon Kastrioti II ishte vetëm një kryegjeneral luftet e kurrgja tjetër. Se si do t'u përpjestonte Shqipnija, të shkonte puna mbarë, nuk mundet me u dijtë, vetëm mund të thuhet, se Gjon Kastrioti II do të perfitonte shumë prej atij rasti.